Albspirit

Media/News/Publishing

Gjyqtari i Apelit, 47 mijë USD pagesë për konsulencë ligjore nga vëllezërit Balili

Hetimi pasuror ndaj të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit” përfshin edhe një pagesë prej 47 mijë dollarësh, që një gjyqtar i Apelit të Vlorës deklaron se ka përfituar nga puna 1-vjeçare si konsulent ligjor pranë kompanive të familjes “Balili”.

Flamur Vezaj

Hetimi pasuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur në kuadër të ligjit Antimafia ndaj të shumëkërkuarit Klement Balili ka vendosur nën projektor edhe një gjyqtar të Gjykatës së Apelit të Vlorës.

Gjatë një hetimi paralel të vitit 2015, gjyqtari Petrit Aliaj deklaroi se kishte punuar si konsulent ligjor për vëllezërit Balili gjatë vitit 2005 dhe ishte paguar 47 mijë dollarë prej tyre.

Të dhënat e deklaruara nga gjyqtari i Apelit, Aliaj dhe aktet hetimore që lidhen me burimin e kësaj pagese pritet të bëhen pjesë e dosjes së hetimit pasuror për familjen e Balilit, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej majit të vitit 2016 për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Një zyrtar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i tha BIRN se “pasi janë vënë në dijeni të faktit, kanë kërkuar pranë Prokurorisë së Elbasanit që të administrojnë deklaratat e pasurisë së gjyqtarit Aliaj si dhe hetimet e kryera mbi origjinën e 47 mijë dollarëve të përfituara prej tij”.

Petrit Aliaj u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 8 qershor 2015 për mosdeklarim dhe fshehje të burimeve të pasurisë së tij si dhe për deklarime të rreme. Për këto akuza ai u hetua më pas nga Prokuroria e Elbasanit, e cila vendosi të pushojë çështjen penale kundër tij.

Megjithatë, pagesa 47 mijë dollarëshe për konsulencë ligjore vazhdon të shihet me interes nga prokurorët, ndonëse “barra e provës” ka kaluar tanimë nga gjyqtari Aliaj tek vëllezërit Balili.

I kontaktuar me telefon nga BIRN, gjyqtari Petrit Aliaj refuzoi të komentonte lakimin e emrit të tij në hetimet për çështjen “Balili” si dhe rrethanat e punës së tij si konsulent ligjor.

“Nga organi i Prokurorisë janë kryer hetime të plota dhe të gjithanshme lidhur me pretendimet e ILDKP për pasurinë time dhe e njëjta përgjigje është edhe për pyetjet tuaja,” u përgjigj Aliaj.

Konsulenca ligjore për Balilajt  

Hetimi i vitit 2015 për fshehjen e pasurisë nuk është i pari ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj. Në vitin 2004, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e shkarkoi atë nga detyra me motivacionin “Për kryerjen e veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës”, ndërsa një vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë e riktheu atë në punë në vitin 2006.

Gjyqtari Aliaj deklaroi se gjatë kësaj periudhe kishte punuar si avokat.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se në deklaratën e pasurisë për vitin 2006, gjyqtari Aliaj  pati deklaruar se “nga data 3 janar  deri në 4 mars 2005 kishte përfituar 47 mijë dollarë nga puna e tij si avokat”.

Në vitin 2009, gjyqtari Aliaj ka dhënë shpjegime pranë Inspektoriatit dhe e ka justifikuar këtë shumë parash me punën si konsulent i jashtëm ligjor pranë firmave Balili& Co dhe Vëllezërit Balili, të dyja me seli në Delvinë. Sipas të dhënave të dosjes hetimore, Aliaj ka pretenduar se kishte punuar një vit për këto dy kompani dhe jo 3 muaj, siç kishte deklaruar më parë pranë ILDKPKI.

Aliaj ka paraqitur si provë dy vërtetime të lëshuara në janar dhe shkurt 2008 nga kompanitë Balili& Co dhe Vëllezërit Balili, të cilat zotërohen nga rrethi i ngushtë familjar i Klement Balilit.

Në vërtetime pranohet se Aliaj ka përfituar rrogë vjetore prej 24 mijë dollarësh për secilën kompani dhe se pagesa ishte bërë çdo muaj dorazi. Megjithatë, pagesa sipas dy vërtetimeve të lëshuara nga kompanitë, nuk është pasqyruar në Tatime apo Sigurimet Shoqërore.

Një tjetër dokument i përfshirë në hetimin pasuror ishte edhe një vërtetim i bashkisë së Sarandës, përmes së cilit konfirmohej se Aliaj kishte ushtruar aktivitetin e avokatit në vitin 2005. Dokumenti provon se gjyqtari i ka paguar detyrimet fiskale për biznesin e tij të avokatisë në vitin 2009, por nuk dokumenton shumën e të ardhurave të përfituara prej tij.

Akuzat e ngritura nga ILDKPKI ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj u hetuan dhe më pas u rrëzuan nga Prokuroria e Elbasanit. Në vendimin e Prokurorisë që BIRN e disponon, argumentohet se nuk provohet vepra penale nga ana e gjyqtarit.

Në vendimin e pushimit, Prokuroria arrin në përfundimin se çështja e mosdeklarimit të aktivitetit të avokatit për periudhën përkatëse ekziston si problematikë, por e konsideron atë “një lapsus material”.

Hetimi pasuror

Gjyqtari Aliaj u akuzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për deklarim të vonuar të pronësisë mbi një shtëpi 3-katëshe në Sarandë dhe të fshehjes së burimeve financiare për ndërtimin e saj. Kallëzimi penal ndaj tij përfshinte gjithashtu paratë e shpenzuara për shkollimin e vajzës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një depozite në bono thesari prej 3 milionë lekësh në Bankën e Shqipërisë.

Disa transaksione bankare dhjetra-mijëra dollarëshe, të deklaruara si garanci për të siguruar disa viza amerikane u bënë pjesë e hetimit, bashkë me një shumë prej 25 mijë dollarësh të deklaruara prej gjyqtarit si borxh i dhënë nga babai.

Vendimi i Prokurorisë së Elbasanit tregon se gjyqtari Aliaj e justifikoi burimin e parave të përfituara nga babai i tij me një shumë të konsiderueshme që ai kishte marrë dhuratë nga vëllai i vet i emigruar në vitet ’40 në Australi.

Babai i Aliajt deklaroi për Prokurorinë se i vëllai kishte ardhur disa herë në Shqipëri pas viteve ‘90 përmes Greqisë dhe kishte sjellë dorazi 300 mijë dollarë në total. Ndërkohë, edhe gjyqtari ka deklaruar se është ndihmuar financiarisht nga xhaxhai për financimin e udhëtimeve të tij dhe një pjesë të shkollimit të vajzës në Amerikë.

Prokuroria e Elbasanit nuk ka mundur të vërtetojë nëse xhaxhai i gjyqtarit kishte hyrë në Shqipëri, por ajo ka administruar në dosje disa foto të tij të bëra me gjyqtarin Aliaj dhe familjarë të tjerë.

Pavarësisht deklaratave kontradiktore të dhëna gjatë viteve të ndryshme përballë inspektorëve të ILDKP, Prokuroria gjykoi se këto lloj deklarimesh nuk e ekspozojnë gjyqtarin përballë përgjegjësisë penale.

“Organi procedues vlerëson se neni 257/a/2 përcakton përgjegjësinë penale për deklarim të rremë në formularët vjetorë periodikë dhe jo në lidhje me deklarimet që subjekti jep përpara inspektorëve…”, thuhet në vendimin e pushimit të hetimit.

Please follow and like us: