Albspirit

Media/News/Publishing

Jamie Shea i NATO-s keqardhje për ringjalljen e nacionalizmit në Ballkan

Jamie Shea, zëdhënësi i NATO-s gjatë bombardimit të Jugosllavisë që nisi 18 vjet më parë, thotë se nacionalizmi i ngjallur po e kthen pas rajonin dhe bën thirrje që Kosova të mos i shpërdorojë burimet e saj për krijimin e një ushtrie.

Nga Përparim Isufi, BIRN

 

 

 

Në 18 vjetorin e fillimit të bombardimeve të Jugosllavisë, Jamie Shea, i cili tani është zv/ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Ushtarake Perëndimore për Sfidat e Sigurisë, tha se ishte zhgënjyese të shikonte zërat nacionalistë që ngrinin përsëri volumin në vendet e Ballkanit.

Me Bosnjën që përballet me një të ardhme të pasigurt, Maqedonia e ndjekur nga grindjet politike dhe Kosova mbyllur në luftë të përhershme me Serbinë, Shea tha në një intervistë për BIRN se nacionalizmit mundet vetëm ta kthejë pas rajonin.

“Unë shoh një ringjallje të forcave nacionaliste në Ballkanin Perëndimor të ditëve të sotme. Kjo është zhgënjyese, duke marrë parasysh mënyrën se si nacionalizmi agresiv çoi vetëm në vuajtje në një shkallë masive në vitet 1990 dhe varfëri dhe izolim më të madh,” tha ai.

Shea tha se si NATO ashtu edhe Bashkimi Europian duhet ta shohin këtë situatë si një “thirrje për zgjim” dhe se duhet të angazhohen më shumë për të mbështetur forcat demokratike dhe për të ndihmuar vendet që të merren me reformat.

“Çështja e nacionalizmit është se mund të jetë një reklamë e mirë për emocionet dhe një mekanizëm për shfryrje të zemërimit dhe frustrimit. Por nuk sjell ndonjë zgjidhje të problemeve të përditshme,” tha ai.

Për më tepër, ai theksoi se nacionalizmi agresiv nuk mund të mbijetojë pa ndonjë armik, shpesh një armik imagjinar, dhe prandaj ai të çon vetëm në dhunë dhe përballje.

Shqetësimet e NATO-s për Ballkanin po rriten ndërsa Rusia zgjeron ndikimin e saj në rajon, vëzhgoi Shea.

“Rusia është sigurisht më aktive në Ballkan sot sesa ka qenë për disa vite,” tha ai, duke iu referuar, për shembull, përpjekjeve të Moskës për të prishur vendimin e Malit të Zi për t’iu bashkuar NATO-s, “duke përdorur propagandë dhe duke organizuar provokime dhe destabilizuar aktivitete”.

Duke folur për vendimin e Serbisë për të siguruar armë të reja nga Rusia, diplomati anglez i NATO-s tha se Beogradi duhet të merrte një vendim.

“Është zgjedhje e një vendi si Serbia të vendosë se ku dëshiron të blejë armatime, por përsëri, unë besoj se të gjithë aktorët në rajon duhet ta pyesin veten nëse ndërtimi i armatimeve të sofistikuara dhe të shtrenjta me të vërtetë do të blejë më shumë siguri për një kohë të gjatë dhe për stabilizimin e rajonit, apo nëse është vërtet është ajo që popujt e tyre kanë nevojë urgjente në afat të shkurtër.”

Tetëmbëdhjetë vjet më parë, gjatë konfliktit në Kosovë, Shea ishte zëdhënësi i NATO-s dhe ishte po aq i njohur në Kosovë sa ishte edhe i urryer në Serbi.

Ndërsa kujton luftën që largoi Serbinë nga Kosova dhe më vonë çoi në pavarësinë e Kosovës, ai tha se vendimi i NATO-s për të nisur sulme ajrore erdhi shumë shpejt dhe “me një ndjenjë të vërtetë konsensusi dhe vendosmërie në tryezën e Këshillit të NATO-s”.

Në qershor 1995, bota ishte ulur dhe lejoi një nga masakrat më të këqija që prej Luftës së Dytë Botërore, kur forcat serbe të Bosnjës nën udhëheqjen e Ratko Mlladiç hynë në qytetin lindor të Srebrenicës, i cili ishte caktuar si “zonë e sigurt” e Kombeve të Bashkuara, dhe vranë më shumë se 7,000 boshnjakë.

“Pas gjithë atyre viteve hezitim gjatë konfliktit në Bosnjë, kur ne shpesh agonizonim rreth përdorimit të forcës, ishte një lehtësim për mua të shihja se këtë herë NATO ishte e gatshme të vepronte para se të ndodhnin masakrat e tmerrshme,” tha Shea.

“Ky bashkim erdhi nga fakti se ne kishim mësuar në Bosnjë pasojat e mesazheve të përziera, duke bërë kërcënime boshe dhe duke u vonuar shumë para se të ndërmerrnim masa.”

Në rastin e çështjes së Kosovës, komuniteti ndërkombëtar mbajti një konferencë tre javore në Rambuje, Francë në shkurt 1999, kur fuqitë Perëndimore dhe Rusia u përpoqën t’i sillnin të dyja palët në një zgjidhje të përbashkët për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur që kishte filluar në pranverën e vitit 1998.

Në fund të konferencës, delegacioni nga Kosova nënshkroi marrëveshjen, por Serbia i refuzoi kushtet.

“Kishte një ndjesi se ishte bërë çdo lloj përpjekje për të shmangur përdorimin e forcës dhe se përdorimi i saj tashmë ishte si i nevojshëm ashtu edhe legjitim,” shtoi Shea.

Operacioni i bombardimit, i cili zgjati 78 ditë, përfundoi me tërheqjen e forcave jugosllave nga Kosova në qershor 1999 dhe krijimin e një administrate civile në Kosovës të drejtuar nga Kombet e Bashkuara me një mision ushtarak të NATO-s, KFOR, i përbërë nga më shumë se 50,000 trupa.

Shea nuk e mohon se shtabi i NATO-s shpresonte se operacioni do të ishte më i shkurtër nga sa zgjati dhe se lideri serb Millosheviç “do të pranonte shpejt të tërhiqte trupat e tij dhe të ndalonte spastrimin etnik”.

“Siç ka thënë edhe Napoleoni, ‘Asnjë plan nuk i mbijeton kontaktit të parë me armikun’. Por pasi fushata e sulmit ajror filloi, Aleatët ishin të bindur se këmbëngulja do të jepte frute dhe se gjëja më e rëndësishme ishte të mos lejohej që Millosheviçi të thyente unitetin e Aleancës,” tha ai.

Sipas tij, heqja dorë do ta kishte dëmtuar rëndë NATO-n dhe do ta kishte përkeqësuar edhe më shumë situatën në Kosovë.

Ndërhyrjet ndërkombëtare ushtarake të kohëve të fundit jashtë Europës i kanë kujtuar Sheas se nuk mund të presësh “mrekulli të menjëhershme” nga fushata të tilla.

Nëse 78 ditë dukeshin “një kohë e gjatë në atë periudhë”, tha ai, “nëse dikush mendon Afganistanin apo Irakun, fushata në Kosovës ishte jashtëzakonisht e shkurtër dhe një nga masat më të suksesshme ushtarake në kujtimet e kohëve të fundit”.
edhe brenda kësaj periudhe të shkurtër kohe, Shea thotë se NATO mori disa mësime të rëndësishme.

“Mësimi kryesor është të qëndrojmë të bashkuar. Millosheviçi me siguri po shpresonte se NATO do të shpërbëhej, por pasi kuptoi se kjo s’do të ndodhte, ai nuk pati zgjidhje tjetër veçse të bindej me kërkesat e komunitetit ndërkombëtar,” tha Shea.

Fundi i konfliktit në qershor 1999 pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, të transformohej në një agjenci emergjencash civile të quajtur Korpusi i Mbrojtjes së Kosovës.

Kur Kosova deklaroi pavarësinë në vitin 2008, kjo agjenci ishte transformuar në Forcat e Sigurisë së Kosovës, me kompetenca të kufizuara, ndërkohë që siguria kombëtare mbetet në duart e një misioni paqeruajtës të NATO-s të përbërë nga rreth 5,000 ushtarë nga 30 shtete anëtare dhe partnere.

Këtë muaj, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, prezantoi një nismë për të krijuar një Ushtri të Kosovës pavarësisht kundërshtimit të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Shea thotë se institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në fusha të tjera sesa në krijimin e një ushtrie.

“Në një kohë kur Kosova duhet të fokusohet vërtet në reforma, luftimin e korrupsionit, arsimimin e njerëzve të saj dhe zhvillimin e shoqërisë dhe institucioneve, nuk e kuptoj se si krijimi i një ushtrie të Kosovës është një përdorim i dobishëm i burimeve të çmuara apo se si do të ndihmojë stabilitetin në rajonin më të gjerë,” tha ai.

“Me koston e një avioni modern luftarak ose të një taku lufte, Kosova mund të ndërtojë disa shkolla ose të përmirësojë teknologjinë e informacionit në universitetet e saj dhe në institucionet publike në të gjithë vendin,” theksoi ai.

“Kështu që shpresoj se do të ketë një debat të vërtetë në Kosovë në lidhje me përparësitë dhe se presidenti Thaçi nuk do ta vazhdojë këtë nismë,” përfundoi ai.

Please follow and like us: