Albspirit

Media/News/Publishing

Debati për filmat e komunizmit, Bujar Asqeriu: Shqiptarët nuk mund të kufizohen

Komedia “Gjeneral & Playboy” me autor dhe regji Bujar Kapexhiun ngjitet në skenën e Teatrit të Metropolit.

Kapexhiu për të shkruar këtë komedi është mbështetur në një ngjarje reale të fillimit të viteve ’90, kur dy vëllezër botonin revistën “Playboy”.

Në vepër prezantohet paralelizmi midis një gjenerali, që e largojnë nga detyra për motive të dobëta, i cili vendos që t’u shkruajë letër atyre, “dy të mëdhenjve të vendit”, kryeministrit dhe presidentit. Rolin e gjeneralit e luan Bujar Asqeriu. Në pamje të pamje të parë ai duket patriarkal, por nga ana tjetër gjatë interpretimit përkrah Natasha Selës dhe jo vetëm është babaxhan dhe i ngrohtë. Gjatë një interviste për gazetën “Shekulli” aktori Bujar Asqeriu na rrëfen sesa e dëmshme është për një artist që punon fakti kur ka si konkrruent një individ, i cili mburret me teserë partie.Jo të paktë janë edhe rolet që Asqeriu ka luajtur në kinemanë e para viteve ’90. Gjatë asaj periudhe ka interpretuar tek filmat; “Në shtëpinë tonë”, “Liri a vdekje” (1979) etj. Me rolin e Telos në filmin “Njeriu i mirë” dhe i Avni Rustemit në filmin “Një emër midis njerëzve” ka fituar Medalionin e Festivaleve të Filmit të viteve 1983 e ‘85. Prandaj, ai nuk mundet që të rri indiferentë ndaj debatit që po bëhet për ndalimin e filmave të realizuar gjatë periudhës së komunizmit, me elementë propagandues.

Zoti Asqeriu, nuk është hera e parë, që ju luani rolin e një ushtaraku. Por, ky është një gjeneral që i duhet të jetojë edhe trazirat në periudhën e demokracisë. Çfarë mund të na thoni ju për këtë?

Gjithmonë mendoj se në disa profesione specifike karriera është karrierë. Ka burra edhe gra, të cilët investojnë një jetë të tërë në një profesion të caktuar. Gjithmonë këto profesione specifike janë dhe duhet të jenë krejtësisht të depolitizuara, që ndryshimet mos të kalkulohen edhe të bëhen nga ministra apo parti të ndryshme, që vijnë në pushtet. Por, puna e tyre duhet që të matet me talentin dhe investimin që kanë bërë në profesion. Në këtë theks kjo komedi ka një theks shumë të rëndësishëm, sepse ne nuk shkëputemi dot nga korrupsioni dhe nepotizmi. Ne nuk shkëputemi dot nga miqësirat, krushqirat. E kemi shumë të vështirë që të shkëputemi prej tyre dhe t’i vlerësojmë gjërat me realizëm dhe vërtetësi. Kjo gjë, do të ishte për mua një hap shumë i rëndësishëm, sepse numri i lartë i kuadrove të aftë në një institucion të caktuar ndikon direkt në zhvillimin e shoqërisë sonë. Për shembull, drejtorët e policisë në Romë rri 20 vite në punën e tyre, sepse ata me një element mundet që të kuptojnë krimin. Këta janë profesionistët, të cilët nuk mund që të largohen për teka politike apo për arsye të ndryshme.

Po në fushën e artit, si e ndieni këtë situatë?

Gjithmonë më kanë alarmuar dhe shqetësuar më përpara edhe sot, artistët që mburren me teserat e partisë. I kam urryer gjithmonë këta njerëz, që nxjerrin teserat e partisë për t’u mbuluar me to dhe jo me aftësinë apo talentin e tyre. Edhe në atë kohë, por edhe tani shumë njerëz mundohen, të gjejnë strehë ose të luajnë militantin për të pasur përfitime, pozita, lehtësira të tjera kjo mund të ndodhë edhe në art.

Sa i dëmtojnë këto forma artistët që realisht punojnë?

Jo vetëm që i dëmtojnë, por ndikojnë direkt në një gjë shumë të rëndësishme, që është demotivimi i tyre. Demotivimi është shkarkesa më negative, shpirtërore, që mundet të ndodh te njerëzit që punojnë. Nëse një person sheh dikë që edhe përse është i paaftë, vetëm duke tundur teserën e partisë bënë karrierë, atëherë ai demotivohet. Dikush që punon mundet që të durojë një herë, dy herë, por do të lindin konflikte në këtë drejtim. Mua më shqetëson demotivimi i njerëzve. Kjo është shumë e rëndësishme, të demotivosh njeriun e punës është shkatërrimi edhe përgjegjësia më e madhe, që e kanë ata që drejtojnë.

A mendoni se një ditë mund të ketë një arsye të fortë, e cila do t’ju detyronte juve që ta përdorini teserën e partisë?

Asnjëherë, unë kam teserën e artit. Jam lidhur me artin, do t’i shërbej artit, popullit dhe atdheut tim.

Po përsa i përket debateve, që po bëhen për censurimin e filmave shqiptarë të para viteve të komunizmit, që kanë përmbajtje propaganduese? A e shihni me vlerë këtë debat?

Unë e dëgjova Agron Tufën, i cili ishte shumë i saktë edhe i qartë në mendimin që shprehte. Ai nuk ishte për eliminim e të gjithë krijimtarisë artistike. Ai më tepër “rrihte” te filmi dokumentar, që është një propagandë e pastër e asaj kohe. Njeriu në një shoqëri të lirë duhet që ta respektojë mendimin e tjetrit. Unë jam vetëm kundër dy natyrave të filmave; të atyre që cenojnë kushtetutën e Shqipërisë edhe të atyre që bëjnë thirrje për terrorizëm. Kundër këtyre dy kategorive filmash jam unë. Madje aq më tepër që sot kemi shumë liri, aq sa njerëzit tallen dhe qeshin me trajtimet e filmave të asaj periudhe, që bënin propagandë skematike. Sot njeriu është i lirë që të pëlqejë çfarë të dojë. Në këtë sens njeriu nuk mundet të kufizohet. Megjithatë, shqiptarët vazhdojnë që të kenë nostalgji për filmat e para viteve ‘90. Madje brezi i ri i rikthehet herë pas here të njëjtit film…

Shpeshherë edhe mua më ka ndodhur që të shikoj sesi brezi i ri i shikon me kënaqësi filmat e realizuar gjatë periudhës komuniste pa e ditur fare se çfarë sistemi ka qenë. Por, sigurisht që ne kemi një gjë shumë të rëndësishme, sepse regjisorët dhe operatorët tanë të parë mbaruan studimet në Moskë. Kinemaja edhe teatri i Moskës ishte më avangardë me teatrin dhe kinemanë e Europës në periudhën e viteve ’50. Regjisorët tanë mbaruan shkollat ruse dhe erdhën e lëvruan në Shqipëri. Përpos kësaj kinemaja jonë është ndikuar dhe nga një element tjetër; të qenit pranë Italisë ka bërë që të mësojmë shumë nga neorealizmi italian, mësuam nga Michelangelo Antonioni, Federico Fellini elementët edhe mënyra sesi e trajtonin ata një film, kështu që regjisorët tanë dashje pa dashje i bën këto gjëra konkrete. Filmat tanë kanë elemente dhe aromë të tillë, prandaj pëlqehen. Regjisorët tanë arrinin dhe të ëndërronin. Kjo është pjesa më e bukur e kinemasë shqiptare.

Dhe së fundmi, çfarë ndodhi me kinemanë e vendit tonë pas viteve ’90?

Këtu është një gjë shumë e rëndësishme, sepse nuk u vlerësua arti edhe kultura për potencialin e vet. Qeveritarët tanë justifikohen duke thënë: “Që kemi ekonomi të dobët, kemi ekonomi të dobët…, edhe nuk mundet që të investojmë për artin edhe kulturën”. Ndërsa unë do t’u thosha: “Qeveritarë të dashur arti edhe kultura nuk e dobësojnë ekonominë, por arti edhe kultura e shëndoshin qeverinë. Mjerë ai qeveritar që mendon se arti dhe kultura dobësojnë ekonominë”./Shekulli

Please follow and like us: