Albspirit

Media/News/Publishing

Evropa nuk duhet t’i lejojë të tjerët ta fundosin 

 

Romë, 25 mars 1957. 60 vite më parë, shefat e 6 qeverive dhe ministrat e tyre të Jashtëm që përfaqësonin Francën, Gjermaninë Federale, Italinë, Belgjikën, Luksemburgun dhe Holandën nënshkruajnë traktatet e themelimit të Komunitetit Ekonomik Evropian dhe të Euroatomit.

Finalizimi i këtij nënshkrimi, nuk ishte një proces i thjeshtë, por një rrugë e mbushur me pengesa dhe vështirësi, që nuk ishin shumë larg polemikave dhe krizave politike, që po përjeton Unioni i ditëve të sotme. Ku vetëm disa ditë, para nënshkrimit të Deklaratës së Romës, që pritet mbi të gjitha të përcjellë simbolikën e një Unioni të bashkuar, Polonia dhe Greqia kërcënojnë me mos firmosjen e saj. Secila për arsye të brendshme, që lidhen sa me kontekstin e pazgjidhur të krizës ekonomike (Greqia), por edhe me krizën e një qeverie nacionaliste (Polonia).

Por, historia e integrimit evropian, është krijuar dhe formuar përmes krizave, përplasjeve, rebelimeve dhe mosmarrëveshjeve. Brenda kontureve të një kontinenti të veçantë, ku dëshira për luftë, sundim dhe mposhtje të kundërshtarit, ka qenë shumë herë më e madhe, se dëshira për paqe dhe bashkëjetesë harmonike. Aty, ku motori kryesor i saj, Franca dhe Gjermania, do të zhvillonin periodikisht, çdo 30 vite, luftëra të vazhdueshme me njëra-tjetrën që prej Luigjit të XIV, deri në vitin 1945. Do të ishte krijimi i Komunitetit Evropian, që mundësoi 60 vite paqe në kontinent.

Edhe shkuarja drejt projektit për themelimin e Komunitetit Ekonomik Evropian, nuk do të ishte një proces i lehtë. Vetëm tre vite më parë, ishin refuzuar projektet e Evropës së Mbrojtjes dhe të Evropës Politike. Prioritetet kombëtare, ndryshonin nga njëri vend në tjetrin dhe negociatat janë vlerësuar si nga më të hidhurat, teksa përplasja mes interesave të ndryshëm kombëtarë, do të ishte shumë e fortë.

Dhe duke kuptuar nisjen e tyre, është më e lehtë të kuptosh edhe logjikën e përplasjeve të sotme.

Mbi të gjitha, ta konsiderosh atë, si një proces më se normal dhe të zakonshëm.

Pasi, në thelb nuk ka të bëjë veçse me një histori të vjetër, që ripërsëritet, por në një format të ri. Mbrojtja e interesave kombëtare në skenën evropiane, duke kaluar nga formati i Luftës, në formatin e Paqes.

Ndjeshmëri

Projekti i vitit 1954, për të krijuar bashkimin përmes Evropës së mbrojtjes dështoi. Idetë për të bashkuar të gjitha ushtritë, ishte një temë shumë e ndjeshme. Lufta ishte ende e freskët në memorien civile, sidomos në krahun francez, nga ku erdhi dhe refuzimi. Psikologjikisht ishte e papranueshme dhe konsensusi shfaqej më shumë të ishte i prirë ndaj bashkimit ekonomik, sa atij të mbrojtjes dhe atij politik.

Projekti i kryeministrit holandez Uilliam Bejen, që shfaqej skeptik ndaj planeve të mbrojtjes, ishte më ambicioz (vënia në jetë e një tregu të përbashkët) se, sa ai i Zhan Monesë (projekti i politikave sektoriale). Dhe vështirësia kryesore qëndronte, në nevojën për të zgjedhur se, kush plan do të ndiqej. Memorandumi i Beneluksit do të propozonte të dy planet, edhe pse belgu Spak, ishte më tepër i bindur për planin e Monesë. Do të ishte konferenca e Mesinës që do të favorizonte planin francez dhe qeveria e Bejenit bie dakord. Në korrik 1955, Komiteti Spak, u vu në jetë nga të gjashtët e Mesinës, pra jo nga një pjesë e tyre, me synim që të evitoheshin rivalitetet që mund të dobësonin shtetet, në politikat e tyre të brendshme kombëtare.

Por, teksa britanikët fillimisht ishin prezentë në negocime, ata braktisin në mënyrë të shpejtë negociatat, në momentin kur po shpaloseshin planet për të vënë në jetë një union doganor. Kjo, pasi e gjykonin krejtësisht utopik. Arsyeja tjetër lidhej me prioritetin që negocimet po i jepnin formimit të një organi publik financimi të industrisë nukleare. Zotërues të armës bërthamore, që prej vitit 1952, britanikët refuzonin të angazhoheshin në këto projekte, duke preferuar përforcimin e lidhjeve me Amerikën dhe Kanadanë, nga ku përfitonin bashkëpunime në këtë fushë. Për më tepër, që me futjen në fuqi të traktatit të Asocimit (1955) me Komunitetin Ekonomik të Qymyrgurit dhe të Çelikut, tek britanikët ishullorë, ishte përforcuar ndjesia se tashmë ishin të lidhur mjaftueshëm me kontinentin. Por, frika shtrihej tek fakti se mos tregu i përbashkët do të çonte më pas në krijimin e një federate politike. Britania e atyre viteve, kërkonte të mbante pushtetin e saj në rang botëror, pra jo vetëm autonominë e saj tarifore, por edhe një liri totale në negociata përballë amerikanëve.

Kontekstet kombëtare të atyre viteve, nuk ishin të favorshme për një lançim të një projekti bashkues evropian. Franca, po përballej me përplasjet e dhunshme në Algjeri. Kriza e Suezit, po i merrte gjithashtu vëmendje dhe përqendrim. Belgjika, po përballej me krizën e fortë të sistemit arsimor, që kishte gjeneruar manifestime të mëdha në vend dhe mungesë stabiliteti qeveritar.

Konkurrencë

Por, ekzistonte edhe një klimë konkurrence. Konkurrencë planesh dhe projektesh.

Shtetet kishin preferenca, që krijonin përplasje.

Përplasjet vëreheshin kryesisht tek projektet e propozuar, Tregu i Përbashkët dhe Euratomi.

Euratomi, mbrohej thellësisht dhe fuqimisht nga Franca, që shpresonte të bënte të mundur një financim prej të gjashtëve së bashku, për zhvillimin e industrisë nukleare, për t’iu përkushtuar blerjes së armës nukleare. Por, të pestët, nuk ishin shumë entuziastë përballë këtij projekti, duke e gjykuar atë, si jo të nevojshëm. Edhe pse qeveria belge dhe gjermane, ishin gati për të lëshuar disa koncesione, mjedisi industrial gjerman dhe italian, anonin ndaj opsionit amerikan, për zhvillimin e industrisë nukleare. Ndërkohë që Belgjika, ishte ende e detyruar nga marrëveshja e realizuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe e rinovuar më 1955 me anglo-saksonët, për dorëzimin e uraniumit kongolez.

Tregu i përbashkët, ishte gjithashtu një çështje në përplasje mes Beneluksit dhe Gjermanisë krejtësisht në favor të hapjes së kufijve. Të parët, ishin të varur nga tregtia e jashtme, për arsye të tregut të tyre të brendshëm të vogël, për të përthithur produktet kombëtare, dhe të dytët, dispononin ndërmarrje shumë të zhvilluara. Ndërkohë, Franca i frikësohej një konkurrence të papërballueshme për ndërmarrjet e saj, që ishin më pak performuese në disa fusha, se ato gjermane. Ndërkohë francezët, e shikonin si tepër pozitive hapjen ndaj tregjeve të tjerë, për produktet e agrikulturës, çka i shqetësonte tej mase prodhuesit gjermanë. Një tjetër pikë konfrontimi lidhej me harmonizimin e kushteve sociale, që kërkoheshin nga Franca dhe nga Belgjika, ndaj punëtorëve gjermanë. Kjo pasi, kushtet e punës në Gjermani ishin më pak të rregulluara se, sa në Perëndim dhe francezët i trembeshin një konkurrence të pabarabartë, dhe kërkonin rritjen dhe përmirësimin e kushteve të punës në Gjermani, në të njëjtin nivel siç e kishte dhe Franca. Edhe pse në fillim Gjermania refuzoi, më pas u arrit të gjendej një marrëveshje mbi harmonizimin  e nevojshëm të kushteve të punës. Dhe palët, arrijnë të bien dakord mbi raportin Spak dhe pranojnë gjatë Konferencës së Venecias më 1956, të negocionin mbi këto baza, mekushtin që të dy projektet të realizoheshin paralelisht, me kërkesën e të pestëve, që i frikësoheshin Francës se do të vononte, deri edhe të mund të bllokonte projektin e Tregut të Përbashkët, në përfitim të Euratomit.

Çelësi i suksesit 

Pavarësisht përplasjeve, konfrontimeve, që nxiteshin nga fryma e lartë e interesave kombëtare, kishte një ndërgjegjësim mbi nevojën e krijimit të një bashkimi, në një kontekst ndërkombëtar të tendosur. Kriza e Suezit e vitit 1956, gjatë së cilës francezët dhe britanikët, u refuzuan nga ndërhyrjet dhe kërcënimet sovjetike dhe amerikane, iu mundësoi këtyre të fundit të ndërgjegjësoheshin se në skenën ndërkombëtare, nuk ishin veçse shtete të vegjël. Franca, fillon të kuptojë nevojën për t’u pajisur sa më shpejt me armën bërthamore, por edhe për t’u bashkuar me shtetet e tjerë evropianë. Dhe nëse duhet që të realizojë Euratomin, i duhet me se s’bën të pranojë Tregun e Përbashkët. Nga ana tjetër, vështirësitë në Algjeri, e nxisin Francën të gjejë tek tregu i përbashkët, një plan për shpëtimin e ekonomisë së saj, pavarësisht konkurrencës së fortë.

Një sërë koncesionesh iu bënë vendeve anëtare dhe në mënyrë të veçantë Francës. Vënia në jetë e tregut të përbashkët është progresive dhe shteteve i atribuohen periudha kalimtare. Franca përfitoi shumë nga kushtëzimi gjerman dhe italian, që i detyronte ato, të bashkëpunonin me Francën, për të rigjetur peshën e tyre në skenën evropiane, por edhe ndërkombëtare. Gjermania nuk mund t’i lejonte vetes të kishte marrëdhënie të këqija me Francën, edhe pse ajo përfitoi gjerësisht nga vënia në jetë e tregut të përbashkët. Gjermania u dakordësua gjerësisht mbi Euratomin dhe pranoi t’i linte Francës dorë të lirë, në fuqinë bërthamore ushtarake, pavarësisht diskriminimit flagrant.

Rilançimi i projektit evropian, u krye falë bashkëpunimit të jashtëzakonshëm të personaliteteve politike, që kishin vizionin dhe ndërgjegjësimin e duhur mbi nevojën e bashkimit evropian. Pa të cilën nuk mund të bëhej i mundur gjetja e kompromisit dhe shmangia e barrierave të larta kombëtare.

Sot, Bashkimi Evropian, nuk është shumë larg kontekstit të krizave të jashtme dhe të brendshme, që e kanë përshkruar atë që prej themelimit të tij. Edhe pse klima politike, nuk është shumë favorizuese për të shpallur projekte të mëdha integrimi të thelluar, ato do të mbajnë ritmin e tyre drejt thellimit. Pengesat kombëtare, që kanë paralajmëruar Polonia (Evropën e disa shpejtësive) dhe Greqia (përfshirjen e çështjeve sociale) janë të pabazuara, pasi e para bën fjalë për progres të mëtejshëm, dhe Evropa e disa shpejtësive është aktuale me Eurozonën dhe vendet jashtë saj, me Shengenin dhe vendet jashtë tij, si edhe në çdo fushë ku shtete të caktuar, nuk preferojnë të bashkëpunojnë duke qëndruar jashtë skemave të bashkëpunimit. Ndërsa e dyta është gjithëpërfshirëse.

Çka është më e rëndësishmja, përballë rritjes së egove kombëtare, rritjes së forcave populiste, atyre ndarëse dhe përçarëse nga jashtë dhe brenda Unionit, si edhe ikjes së Britanisë së Madhe, vlen mbi të gjitha Simbolika e Bashkimit. Simbolikë, që pritet të përcillet nesër në 60 vjetorin e hedhjes së themeleve të Bashkimit Evropian, duke transmetuar një mesazh shumë të rëndësishëm se “Teksa një sërë faktorësh dhe aktorësh, kanë si qëllim të përçajnë, përgjigja duhet të jetë Bashkim, Fuqizim dhe Përforcim”. Në vijim të një parimi të mirënjohur filozofik, se “Anijet nuk fundosen kurrë nga uji që kanë përreth, por për shkak të ujit, që hyn brenda.” Pra, rritjen e një ndërgjegjësimi të nevojshëm për të mos lejuar ata, që ndodhen rreth dhe jashtë teje të të pushtojnë dhe të të fundosin!

Please follow and like us: