Albspirit

Media/News/Publishing

Gazetaria qytetare “shkund” tradicionalen

“Gazetaria Qytetare”, dr. Fatos Salliu boton për herë të parë tendencën e re të komunikimit masiv në Shqipëri. Ndërsa lexoj këtë botim, interneti vazhdon të provokojë dallgë të mëdha në komunikimin masiv. Kurrë më parë shoqëria njerëzore nuk ka njohur një botues kaq të madh informativ. Ai ka revolucionarizuar medien dhe po “shkund” format tradicionale të gazetarisë. Interneti rezulton sot mediumi që mundëson interaktivitet pa kufizim. Gjeneratat e reja web, rrjetet sociale si dhe pajisjet inteligjente, ofrojnë akses për këdo mbi planet që të jetë lexues, por edhe kontribuues njëkohësisht.

Nga prof. as. dr. Luçiano Boçi

 

Ndërsa lexoj këtë botim, interneti vazhdon të provokojë dallgë të mëdha në komunikimin masiv. Kurrë më parë shoqëria njerëzore nuk ka njohur një botues kaq të madh informativ. Ai ka revolucionarizuar medien dhe po “shkund” format tradicionale të gazetarisë.

Interneti rezulton sot mediumi që mundëson interaktivitet pa kufizim. Gjeneratat e reja web, rrjetet sociale si dhe pajisjet inteligjente, ofrojnë akses për këdo mbi planet që të jetë lexues, por edhe kontribuues njëkohësisht.

Ombrellës së medieve tashmë i është shtuar një formë e re që mban emrin “Gazetaria Qytetare”. Kjo formë e re komunikimi nuk ka aspak si synim të konkurrojë platformat tradicionale. Përkundrazi. Misioni i saj është më fisnik; të plotësojë vakumin informativ, të sjellë zëra të rinj, të zhvillojë historitë. Të jetë në harmoni dhe kohezion me medien profesioniste që të forcojë demokracinë dhe të rrisë informimin e shoqërisë.

Libri “Gazetaria Qytetare” me autor Doktorin e Shkencave të Komunikimit Fatos Salliu është i pari i këtij lloji në vendin tonë. Ai është fryt i një studimi disavjeçar i këtij trendi në rang global dhe në Shqipëri. Autori ka studiuar në imtësi kuadrin teorik, shkollat, debatet dhe mendimin kritik të fenomenit “Gazetari Qytetare” në botë. Ka hulumtuar mënyrën se si kanë ndërvepruar me këtë trend gjigantë të komunikimit masiv botëror, si: CNN, BBC, New York Times, The Guardian dheDaily Telegraph. Ai ka vendosur kontakte me profesorët më të famshëm sot në botë në këtë fushë si Dan Gillmor apo Stuart Allan.

Për ta bërë sa më të qartë fenomenin mediatik, libri përshkohet nga një analizë e hollë historike, që nis me lindjen dhe zhvillimin e internetit, me blogosferën, formën klasike dhe “kushërinjtë” e parë të gazetarisë qytetare, mesazhet dhe dhomat e chatit, me gjeneratat ueb dhe rrjetet sociale. Ka studiuar në imtësi sitet qytetare, mënyrën e ndërtimit të tyre, mjetet dhe aftësitë që duhet të zotërojnë qytetarët gazetarët. Rolin që luan interneti, teknologjia, smartfonët, pajisjet inteligjente dhe WiFi.

Për të shpjeguar korrelacionin që ekziston mes internetit dhe gazetarisë qytetare, autori ka analizuar dinamikën e penetrimit të tij, zhvillimin e teknologjisë dhe reagimin e fenomenit gazetari qytetare. Për ta bërë akoma më të besueshëm dhe për ta vendosur mbi baza shkencore këtë studim, ai ka kryer monitorime dhe anketime.

Ka monitoruar bashkëveprimin e platformave profesioniste në Shqipëri me gazetarinë qytetare. Ka marrë në analizë emisionet tipikë si “Opinion” dhe “Top Story”. Ka survejuar programacionin e platformave tradicionale për vite me radhë. Ai iu është referuar matësve të specializuar siç është Telemetrix.

I pasionuar dhe një njohës i shkëlqyer i medieve të reja, dr. Fatos Salliu ka shkuar edhe më tej, duke kryer anketime të rastësishme dhe të qëllimshme me synimin e vetëm dhe të qartë; të zbulojë impaktin që po luan Gazetaria Qytetare në audiencën e medieve profesioniste dhe në mbarë shoqërinë tonë.

Ai ka bashkëpunuar ngushtë me profesorë të njohur të fushës, me moderatorë emisionesh, me drejtorë të informacionit, kryeredaktorë dhe analistë. Ai u konsultua me inxhinierë të teknologjisë së lartë.

Atij nuk i përket vetëm merita e madhe pse identifikoi dhe evidentoi për herë të parë ndikimin që ka Gazetaria Qytetare në Shqipëri. Shkëlqimi si hulumtues në shkencat e komunikimit qëndron në faktin se ai e studioi fenomenin me sy kritik. Ai nuk u magjeps vetëm në risitë që solli “dallëndyshja” e re e komunikimit. Por trajtoi problemet që ka gazetaria qytetare me vërtetësinë, objektivitetin, besueshmërinë etj. Jep rekomandime se si mund të “shpëtojë” nga rreziqet që i kanosen. U sugjeron universiteteve, ligjvënësve dhe madje qeverisë se si duhet të veprojnë.

Libri pasohet nga dy kapituj të veçantë që kanë të bëjnë me koncepte të përgjithshme mbi Shoqërinë e Informacionit dhe komunikimin global. Në këta kapituj shtjellohen teza të tilla se si po zhvillohet Shoqëria e Informacionit, se çfarë është shoqëria e rrjeteve, se çfarë është shoqëria e dijes dhe ndryshimi që ka ajo me shoqërinë e informacionit, se cilat janë objektivat e shoqërisë së informacionit dhe çfarë argumentesh sjellin kritikët e kapitalizmit virtual. Si po e implementon Shqipëria këtë shoqëri.

Në panoramën që sjell për komunikimin e sotëm global, dr. Fatos Salliu bën një analizë të teorisë së funksionimit të sistemit të sotëm botëror. Se si janë ndarë vendet e botës. Roli i vendeve bërthamë, gjysmë periferikë dhe periferikë. Se çfarë janë kolonializmi dhe imperializmi elektronik, se si funksionon televizioni global. Strategjitë e ekspansionit dhe kolonializmi elektronik në Shqipëri.

Pas gjithë kësaj ekspozeje mund të them me bindje se libri “Gazetaria Qytetare” është një vepër me shumë vlera që i shtohet komunikimit masiv në Shqipëri. Koha do të vërtetojë rëndësinë e tij. Ai iu shërben studentëve të gazetarisë, përbën një databas të rëndësishëm për hulumtues të tjerë të fushës. Jep rekomandime të vlefshme për platformat tradicionale dhe Ministrinë e Arsimit.

Please follow and like us: