Albspirit

Media/News/Publishing

Rama- Basha, koha për dialog

Mimoza Koçiu

Brenda dy ditëve të fundit, ka pasur një reagim në seri të faktorit ndërkombëtar, kundër bojkotit të institucioneve e të zgjedhjeve nga Lulzim Basha. Dy ditë pas kthimit të tij nga një tur takimesh në Uashington e Bruksel, që nuk iu sqaruan opinionit, ambasada amerikane në Tiranë deklaroi se SHBA-të mbështesin zgjedhjet e lira e të ndershme, dekriminalizimin e luftën kundër narkotrafikëve, por jo që ato të përdoren si justifikim për të bllokuar parlamentin, zgjedhjet e vonuar zbatimin e reformës në drejtësi.

Edhe grupi parlamentar qeverisës në Gjermani, CDU-CSU i kancelares Merkel, pjesë e Partisë Popullore Europiane, ku bën pjesë edhe PD-ja, në një letër të posacme e ftonte Lulzim Bashën t’i rikthehej institucioneve e të mos bojkotonte zgjedhjet, duke ndarë qëndrimin e tij, se janë “shumë, shumë të shqetësuar që në zgjedhjet e 18 qershorit mund të ketë fallsifikim të madh të zgjedhjeve, si rezultat i blerjes së votave dhe mjeteve të tjera.”

Në fakt ky qëndrim ndërkombëtar nuk është as i ri, as i panjohur, apo akoma më tej nuk është një pozicionim kundër opozitës e pro qeverisë, sic po nxiton ta orientojë opinionin public kryeministri Rama.

Pavarësisht nga formulimi me ngjyrime, qëndrimi është i njëjti, si në këto 26 vjet, jo vetëm I ambasadës amerikane e grupit CDU-CSU, por i cdo ndërkombëtari në Shqipëri e jashtë vendit. Askush nuk e mbështet bojkotin si aksion politik, as të institucioneve e as të zgjedhjeve, sepse shkon kundër parimit bazë të cdo demokracie përfaqësuese. Këtë parim “të gdhendur në gur”, pra të pandryshueshëm, vetë Edi Rama e ka dëgjuar në cdo aksion të ngjashëm që ka ndërmarrë në gati 8 vitet e tij në opozitë.

Atëherë zoti Rama e dinte shumë mirë, ashtu si paraardhësit e tij, se bojkoti përdoret si mjeti drastik për të imponuar dialogun, për t’u ulur e dëgjuar në tryezë. Njëlloj si Rama mori koston e mosavancimit të vendit drejt BE me bllokimin e votimit te tre ligjeve të famshme të integrimit, Basha po tenton të bëjë të njëjtën gjë: që të dëgjohet, nuk po jep votën për zbatimin e reformës në drejtësi. Natyrisht kostoja e Bashës është më e madhe, sepse bëhet fjalë për një reformë që e duan të gjithë qytetarët, e për të cilën janë investuar direkt edhe ndërkombëtarët.

Lulzim Basha po e përdor si mjet, njëlloj si Rama dikur, për të imponuar vëmendjen për rrezikimin e standardeve zgjedhore. E lexojnë shumë qartë edhe ndërkombëtarët, të cilët pavarësisht se situata në BE a SHBA nuk është me e mira, për të pasur vëmendjen maksimale, drejt një vendi që shfaqet me sëmundjen e vjetër, kulturën e munguar të dialogut politik, sidoqoftë e sugjerojnë atë, sic thotë vetë ambasada amerikane “Nxisim dialogun midis qeverisë dhe opozitës për t’i zgjidhur këto”, apo gjermanët e CDU-CSU, më të prirur drejt një akti konkret, sesa thjesht një apel, se janë të gatshëm “ t’ Ju ndihmojmë me të gjitha forcat tona për të ndërtuar ura dhe për të bërë gjithcka për të siguruar zgjedhje të drejta…”

Të vjen keq të konstatosh, se si zakonisht ndërkombëtarët na kujtojnë në momente krizash, interesin e vendit e të qytetarëve, ashtu sic i kuptojnë fare mirë problematikat serioze, që njëra palë i evidenton, e tjera i fsheh.

Natyrisht Lulzim Basha nuk është i pari, e as do jetë i fundit që paralajmëron bojkot të zgjedhjeve, sa kohë që nuk duket se do kemi shans të rinovojmë kastën politike që prej 26 vitesh me rotacion, na shfaqet si opsion i vetëm, herë në qeveri e herë në opozitë, duke ricikluar të njëjtën mendësi të politikës që shkon drejt konfliktit, e jo zgjidhjes drejt interesit publik.

Çdo herë, ngërci është zgjidhur me dialog mes palëve, të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët. Por këtë mekanizëm që e ka provuar vetë dikur në opozitë, sot kryeministër Edi Rama refuzon ta ofrojë. Kur vetë ndërkombëtarët e sugjerojnë, thjesht nuk e lexon, por e keqpërdor, për të mos adresuar problemet që janë aty: realitetin se zgjedhjet do blihen, se dekriminalizimi nuk po dekurajon largimin apo mbrojtjen e zyrtarëve të inkriminuar nga politika, e se narkotrafiku po pranohet si fenomen, vetëm pasi ka bërë xhiron e mediave, e raporteve ndërkombëtare.

Edi Rama, që nuk zhgënjen me qasjen jotolerante, për pasojë, edhe në pushtet, deklaron se mund të bëjë zgjedhje pa opozitën. Natyrisht thellë-thellë e di se zgjedhje të tilla, në një vend që ka 26 vjet pluralizëm, do ishin një formalitet, që do kishte jetë të shkurtër, edhe sikur të prodhonte një supermazhorancë parlamentare. Aleati Ilir Meta, dy herë kryeministër ia kujton me të drejtë, diferencën mes sistemit komunist, kur e vetmja parti, në emër të popullit garonte me veten dhe fitonte në masën mbi 99.9%, e se pas 26 vitesh, ky lloj modeli as mund të imagjinohet, jo më të implementohet.

Me këtë shurdhëri politike, po nxitet kështu me apo pa dashje një konflikt që nuk i shërben askujt, as vetë kryeministrit. E pra situata në Shqipëri është krejt e qartë: përtej reformës në drejtësi, një proces jetik për vendin, që po avancon me ngërce, ende jo për faj të opozitës, ka një mungesë të fortë besimi se Edi Rama mund të menaxhojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe këtë mosbesim nuk e ka vetëm opozita, por edhe aleati i tij Ilir Meta.

Edi Rama e di këtë, prandaj po kacavirret pas cdo deklarate të ndërkombëtarëve, duke i lexuar vetëm pjesën që i intereson: se bojkoti është i papranueshëm, duke anashkaluar se në deklaratat e tyre edhe CDU-CSU, edhe ambasada amerikane nuk mohojnë shqetësimin për blerjen e zgjedhjeve, për ecurinë e dekriminalizimit e për narkotrafikun. Zgjidhja që propozojnë është cka dihet e ka funksionuar gjithmonë, dialogu, ulja në një tryezë për të krijuar atë besim që është i domosdoshëm para një gare elektorale, e që do kthente opozitën në institucione.

Topi pra është në fushën e Ramës, jo aq për kërkesën ekstreme të opozitës për qeveri teknike, por për garancitë që duhet të japë në procesin zgjedhor të 18 qershorit.

Ulja në tryezë dialogu është e pashmangshme, e thjesht ceshtje kohe dhe I shërben edhe vetë zbatimit të reformës në drejtësi.

Kryeministri e ka në dorë ta shtyjë, por nuk mund ta eliminojë si të drejtë, praktikë e traditë në demokraci.

Please follow and like us: