Albspirit

Media/News/Publishing

Amnistia e vitit ‘97, kur ministri Spartak Ngjela kërkonte falje për 700 kriminelë

20 vjet më parë, kur ministri i Drejtësisë në qeverinë Pajtimit Kombëtar, i kërkonte parlamentit faljen për të burgosurit. Ligji për amnistinë që liroi nga burgu, Ramiz Alinë dhe ish-anëtarët e Byrosë Politike bashkë me anëtarët e  “Hakmarrjes për Drejtësi”, si dhe të tjerë të burgosur për krime nga më të rëndat deri më banalet.

“Anmistia”, duket të jetë akti që politika shqiptare e këtyre 26 viteve, e bën më me dëshirë se çdo akt tjetër që do t’i shërbente vendit. Është fjala për “anmistinë” që i shërben drejtpërdrejt, vetë politikës.  Ka nisur me vitin 1990,  me faljen për krimet e komunizimit dhe ka vazhduar pandarë deri në ditët e sotme, kur falja për krimet e kryera vjen edhe përmes “drejtësisë”. Është fjala për ato çështje kritike që kanë shënjuar historinë e këtyre viteve të tranzicionit në Shqipëri, kur papërgjegjshmëria e politikanëve drejtues të shtetit shqiptarë, ka shkaktuar shumë viktima në popull.

Janë një sërë ngjarjesh të tilla që nisin qysh me 2 prillin e vitit 1991 e vazhdojnë me të tjera për të kulmuar me ato të vitit 1997, për të vazhduar më tej me ngjarjet e tjera siç ishte ajo e 9 janarit, gërdecit, 21 janarit e të tjera ndërmjet këtyre ngjarjeve. Për të gjitha këto ngjarje ku ka pasur viktima në popull, politika nuk ka marrë asnjë lloj përgjegjësie. Ka një precedent të

rëndësishëm në vitin 1997, kur politika vendosi të japë anmisti për një kategori shumë të madhe të burgosurish tek ish-anëtarët e Byrosë Politike e deri tek ato që ishin burgosur me akuzën e  bandave kriminale. Ka ndodhur në vitin 1997, kur ministër i Drejtësisë ishte Spartak Ngjela i cili, në emër të qeverisë së stabilitetit kërkoi anmisti për një kategori shumë të madhe të dënuarish për krime nga më të rëndat e deri tek ato më banalet.

Sjellim për lexuesin, mënyrën se si avokat Ngjela kërkoi anmisti për 1309 të burgosur në vitin 1997. Ministri i kohës, Spartak Ngjerla, i kërkonte parlamentit  si sot 20 vjet më parë, më 27 mars, anmisti për ata të burgosur që kishin kryer krimet kur kishin qënë nën 18 vjeç dhe në të njëjtën kohë edhe për ata meshkujt mbi 60 vjeç dhe gratë mbi 45 vjeç.

Më poshtë botojmë pjesë nga fjalimi i avokatit, të shtunën e 27 marsit të vitit 1997.

Spartak Ngjela, Ministri i Drejtësisë

Zoti Kryetar, të nderuar deputetë!

Jam ngarkuar nga Qeveria të paraqitem para jush bashkë me projektligjin ‘Për amnistinë për të cilin jeni të lutur nga Qeveria ta votoni pro. Principet kryesore të një amnistie të gjerë, si kjo që po ju paraqesim, vijnë zakonisht në momente të qeta, pra esencialisht amnistia është zbutëse, shteti mendon të nxjerrë një sasi te madhe të burgosurish, në një kohë kur në të vërtetë situata nuk është e tillë. Në rast se ky projektligj do të ishte paraqitur në momente të qeta sociale, e para pyetje që duhej të bëhej ishte: cila është dinamika e kriminalitetit në Shqipëri? Dhe, në rast se kjo dinamikë do të ishte ne ulje të theksuar, projektligji do të kishte vlerë sociale të pakontestueshme. Në rast se dinamika e kriminalitetit do të ishte në ngritje, projektligji do të ishte pa vlerë.

Atëherë, çfarë ndodh sot? Dinamika e kriminalitetit është në ngritje, kurse amnistia kërkon të kundërtën. Pikërisht për të sqaruar këtë kontradiktë, e cila, nga bisedimet e veçanta që kam pasur me parlamentarë në mënyrë private, mendoj se mund të trajtohet kështu: Paraprakisht ekziston një ligj për amnistinë, që ju e keni marrë kryesisht, në lidhje me të gjitha fenomenet e acaruara, me të gjitha krimet ose shkatërrimet që janë bërë në këtë përiudhë kohe, të cilën ne e dimë se si quhet. Në funksion të kësaj, befas vjen e del një kontradiktë midis atyre që janë amnistuar në këtë situatë për arsye politike, sociale ose kombëtare, dhe të dënuarve të mëparshëm, qe ndoshta kanë bërë krime dhe më të lehta e nuk kanë qenë në situata kaq të acaruara kriminaliteti. Në funksion të kësaj, duke gjykuar me një peshë e me një mase, natyrisht që shtetit aktual i lind e drejta të krijojë një balancë midis gjykimeve. Kjo balancë gjykimesh mendoj se rregullohet pak ose vjen në një natyrë logjike me këtë projektligj për amnistinë.

Vlora në mars 1997

Amnistia juridikisht ka një diferencë me faljen. Në funksion të së drejtës, amnistia vjen nga fjala greke “mnemos”, që do të thotë “memorje”, dhe “a’” që është mohuese. Do të thotë të shuajë nga memorja çdo gjë që ka ndodhur. Të kuptohemi, në rast se ju nuk do të jeni dakord me këtë princip të amnistisë, të cilin nuk e ka falja, këtë mund ta rregulloni me ligj, i cili, edhe ne rast se bie ndesh me principet e se drejtës, ka filtrin konstitucional të Gjykatës Kushtetuese, e cila mund ta rregullojë me vonë. E them këtë, sepse ka parlamentarë që më kanë shprehur rezervën se këta përsona që do të dalin nga burgu, a janë të rehabilituar normalisht në aktivitetet sociale ose jo. Në rast se do t’i qëndrojmë strikt momentit juridik të amnistisë, këta konsiderohen njerëz të padënuar dhe njësoj si të tjerët. Në rast se do t’i bënim një rezerve ligjit, kjo është e drejta juaj, por unë isha i detyruar t’ju rikujtoja diferencën midis faljes dhe amnistisë, pra amnistia shuan gjithçka, ndërsa falja është vetëm benefic. Amnistia nuk është benefic, dhe fakti që s’është benefic, por është rehabilitim total, bëhet në momente shumë të vështira, behet për arsye shumë specifike dhe konstitucionalisht është në të drejtë të Parlamentit. Kurse falja, siç e dini, i ,takon Presidentit. Njëra është mëshirë, kurse tjetra është qëndrim social.

Megjithatë, për të mos u zgjatur më tej, unë mendoj që aktualisht të jap një informacion të shkurtër në lidhje me burgjet. Si pasojë e trazirave të kohëve të fundit, rreth 90 për qind e burgjeve u shpërthyen nga forcat e jashtme në bashkëpunim me te të burgosurit. Kështu ishte burgu i Tepelenës, burgu i Sarandës, burgu i Lezhës, ashtu sikurse një përqindje shumë e vogël, burgu i Tiranës dhe ai i Burrelit, pati një arsye tjetër. Pra, e para ishte agresioni nga jashtë i njerëz vetë armatosur, kurse principi i dytë ishte principi i pakundërshtueshëm i shtetit, i cili në rast se nuk është në gjendje të garantojë ekzistencën e të burgosurit, është i detyruar ta lejojë të shkojë në shtëpi. Pra, në rast se aktualisht në burgun e Tiranës ose në një burg tjetër, në momentet e trazirave shteti nuk mund të garantonte dot ekzistencën e një individi i cili ndoshta kishte dhe 10 ditë, një muaj, dy vjet ose 6 vjet burg për të kryer, do të ishte makabritet në rast se për arsye të një çekuilibri shtetëror, jo për faj të burgosurit, do të humbte jetën. Të dyja këto bashkë bënë që aktualisht të mos funksiononte asnjë burg, qoftë me të paraburgosur, qoftë me të dënuar, në bazë të vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit.

Aktualisht në Shqipëri ka pasur 1309 të burgosur, nga të cilët 700 për krime të rënda. Amnistia që keni përpara flet, natyrisht, për këta të 700, sepse pjesën tjetër e ka amistuar si pasojë e faktit që janë krime tepër të pakonsiderueshme për këtë situatë. Për sa u përket 700 përsonave me krime të rënda, të cilat janë specifikuar në nenin 1, në rast se keni rezerva, mund të më pyesni, t’ju jap shpjegime. Neni 2 i amnistisë flet për një problem më shumë human sesa juridik, merr në konsideratë përsonat që kanë kryer krime të rënda, por kanë qenë nën 18 vjeç, domethënë kanë qenë të mitur. Në të njëjtën kohë merr në konsideratë meshkujt mbi 60 vjeç dhe gratë mbi 45 vjeç….

..Dhëntë Zoti, do të jetë e fundit në historinë tonë dhe e para për krijimin e një epoke paqeje, sepse në funksion të kësaj jam i bindur kur them se ne vërtet kemi vendosur një paqe, po paqen e kemi të painstitucionalizuar.

Please follow and like us: