E bukur dhe seksi, kombinimi mahnitës i Sophia Loren
Fotot janë nga vitet ’50-’60, në kulmin e aktores së famshme, e cila mbetet e pakonkurueshme edhe sot.
Kush është Sophia Loren jashtë mitit të një ikone me një sharm unik? Sa e vështirë ka qenë për të, të kapë yllin e suksesit? Si zhvillohet fëmijëria e saj prej një vajze të zakonshme provincash, deri sot? Takimi me bashkëshortin që shënjoi fillimet e rrugës së saj drejt kinematografisë italiane, peripecitë e një jete plot surpriza etj; të gjitha, në këtë autobiografi, që sipas saj, është ndihmuar edhe nga “baulja e kujtimeve” ku ajo ruan të gjitha çastet më të rëndësishme të karrierës dhe jetës, në foto. A ishte kjo një jetë përrallash, apo një kurorëzim fati gërshetuar me shumë punë e talent?
Përkthyesja e librit autobiografik “Dje, sot, nesër” – nga Botime Pegi, Albana Nexhipi na njeh me disa detaje të këtij libri në këtë intervistë për Gentlewomen.
S. Çfarë ka kaq të pëlqyeshme Sophia Loren?
Albana Nexhipi – Pyetje e vështirë. Për t’ju përgjigjur duhet të luhatesh mes bukurisë së saj, sharmit të papërsëritshëm, lojës aktoriale, karakterit tipik napolitan ku spikat një kokëfortësi “e ëmbël”, humorit, një lloj shpengimi në bërjen e gjërave, që fillimisht ia mvesh moshës së re, por që shpejt e kupton se është tipar i saji, dhe prapë nuk të duket sikur nuk e ke përmbledhur saktë. Tek e sheh me atë buzëqeshjen lozonjare, provokuese nëse do, e po ashtu edhe të mençur e dashamire, nuk mundesh veçse ta adhurosh, e sidomos brezi im që është rritur me kinemanë e kohës së saj. Jemi në kohën e artë të kinemasë italiane, në atë periudhë të hovshme të viteve ’40-’60, që nxori në dritë edhe mjaft figura të tjera të pazëvendësueshme, si: Vittorio De Sica-n, Totto-n, Ana Magnani-n, Marcello Mastroiani-n, Federico Fellini-n, Gina Lollobrigida-n, etj. Jemi në periudhën që ngjizte ikona, dhe nuk mund të mohohet që Sofia Loren është një ikonë e kinemasë italiane, një ikonë e gruas mesdhetare (napolitane, romane, italiane po e po), një ikonë e bukurisë, e karakterit të fortë dhe këmbëngulës. Dhe besoj se ndaj është edhe “kaq më e veçantë”, ngase ndërthur brenda vetes me aq finesë e klas, tërë këtë mori tiparesh.
Fëmijëria e saj nuk ka qenë aspak e lehtë…
Jo, nuk ka qenë. Sophia Loren ka lindur më 1934-n, në shtator të 1934-s, ndërkohë që Lufta e Dytë Botërore nisi më 1939-n, pra kur ajo ishte rreth 5 vjeç. Kujtimet e kësaj periudhe vijnë të detajuara tek “Dje, sot, nesër”, që nga sirenat e alarmeve që paralajmëronin bombardimet, strehimet nëpër tunelet e trenave, stërmundimet e të ëmës për t’u siguruar bukën asaj dhe të motrës, e shumë e shumë peripeci të tjera, të cilat Loren rrëfen se i ka përdorur më pas për të ngjizur personazhin e Çezirës tek “Çoçarja”, një film bazuar në novelën “Dy gra” të Alberto Moravia-s “, ngjarjet e së cilës zhvillohen gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Por besoj se pyetja juaj, veç këtyre vuajtjeve “të përgjithshme të kohës” po i cilësoj unë, i referohet jetës private të Loren-it. Rrëfimin e jetës së saj, ajo e zë në fakt fill me periudhën kur e kanë ngjizur. Frut i një dashurie pasionante mes një vajzushke të re nga Pocuoli i Napolit, që ëndërronte të bëhej aktore, dhe një djaloshi bukurosh, jo dhe aq korrekt në sjellje përballë saj, Sofia e vogël lind në Romë, tejet shëndetligë prej mosushqyerjes së duhur. Çifti nuk kishte të ardhura për të përballuar Romën, çka bëhet motiv për ndarjen e tyre. E ëma kthehet në shtëpinë e të atit në Pocuoli dhe Sophia rritet prej gjyshërve dhe tezes, mes stërmundimeve të së ëmës për të ushqyer dhe mbrojtur të bijat. Në libër Sophia rrëfen gjatë për dukjet dhe zhdukjet e të atit… dukje e zhdukje këto që i shkaktuan jo pak drama të ëmës, asaj dhe të motrës. Sofia rritet me këtë mungesë. Me këtë mungesë, në një atmosfetë tipike napolitane, aroma e të cilave ndihet qartë në libër, me ëndrrën për t’u bërë aktore, sikur e ëma. Është tejet mbreslënëse tek e sheh qysh fëmijë (kjo është e bukura e biografisë së saj, të duket sikur sheh film), teksa përpin lajmërimet e afisheve për shfaqjet teatrale apo filmat të ndryshëm, tek sheh mitet që ajo ngre në kokë për aktrimin dhe aktorët e kohës. Ndryshe nga e ëma, ajo e realizon ëndrrën e saj, pavarësisht një konservatorizmi rigoroz të cilit i vetënënshtrohej dhe “përkujdesjes persekutuese” prej të ëmës, e cila nuk donte kurrësesi që e bija ta pësonte në jetë sikur ajo, duke djegur të ardhmen për ndonjë dashuriçkë.
Cili ka qenë momenti kyç që përcaktoi ndryshimin e madh?
Jeta e Lorenit është e gjitha mbushur me ndryshime të mëdha. Vetë ajo thotë që e vogël nuk ka qenë e bukur, madje e krahason veten me një rosak të shëmtuar. Dhe kalimi nga rosak i shëmtuar në mjelmë thotë ajo, “qëndron i gjithi në një kopertinë të “Sogno”-s, që shfaqet e zverdhur nga një tjetër epokë, për të zgjuar kujtimet e mia. Daton 1951 dhe mban një emër të lashtë, thuajse të harruar: Sofia Lazzaro”. Ky është ndryshimi i parë i madh në jetën e saj, pra ai që e nxori si të thuash nga anonimati i një vajze të bukur province, për t’i hapur udhën e gjatë drejt kinemasë. Pastaj në libër rrëfehen shumë ndryshime të tjera të mëdha, të cilat shenjohen prej vullnetit dhe një pune të palodhshme e korrekte, të një vajzeje që donte me patjetër t’ia dilte mbanë.
Sa ndikoi bashkëshorti i saj regjisor në karrierën e saj?
Nuk thua dot që nuk ndikoi. Patjetër që ai luajti një rol të rënësishëm në njohjen e saj me artistët, regjisorët skenaristët dhe aktorët më të mirë të kohës. Carlo Ponti, bashkëshorti i Loren-it, në kohën e njohjes së tyre, por edhe më pas, zotëronte gjysmat e aksioneve të një prej shtëpive më të mëdha kinematografike të kohës, “Ponti-De Laurentis”. Për një pjesë të roleve është përpjekur edhe ai që ajo t’i ketë, në mënyrë që Sophia të realizonte gamën e roleve që kishte ambicie, por nuk mund të thuash që karrierën e saj kinematografike e ka prej tij. Sofia e gdhinte mbi një skenar. Mësonte në kohë rekord skriptin, përpiqej pafund të ishte brenda personazhit. Nuk i thoshte jo një roli, sado i vështirë. Për shembull, në libër rrëfen se si në fillimet e karrierës së saj i ofruan një rol ku pjesa më e madhe luhej në ujë, duke notuar (“Afrika nën ujë”). Ajo e pranoi, edhe pse s’dinte not. Rrezikoi të mbytej, por nuk tha jo. Kjo ishte Sofia. Kështu e ndërtoi veten si një prej divave më të mëdha të kinemaatografisë botërore.
Si e përcakton ajo vetë rolin e tij?
Të pazëvendësueshëm. Për të Carlo Ponti ishte jo vetëm producenti që e ndihmoi të kurorëzonte ëndrrën, por edhe burri që i dhuroi normalitetin e shumëdëshiruar prej saj, pra krijimin e një familjeje.
Çfarë e bën atë unike?
Unë do të thosha vullneti i hekurt. Ajo rrëfen se një nga difektet që kishte, ishte që nuk dinte të thoshte kurrë “jo”. Pavarësisht se e ndjente që do ta kishte të vështirë, në mos të pamundur, sërish nuk thoshte jo. E provonte, lodhej stërmundohej dhe në fund ia dilte, pavarësisht pengesave apo paragjykimeve.
Si janë zhvilluar vitet e mëvonshme të karrierës së Sophia Loren?
Aktrim dhe vetëm aktrim, hiq dy ndërprerjet për hir të lindjes së djemve. Në libër rrëfehen kujtimet për gjithë filmat e realizuar prej saj gjatë viteve, e po ashtu edhe marrëdhëniet me bashkëpunëtorët, regjisorët, aktorët e producentët. Ato fillojnë që me De Sica-n, për të vazhduar me Totto-n, Mastroiani-n, Charli Caplin-in, Cary Grant-in, Omar Sharif-in, Anthony Quinn, Audrey Hepburn, Marlon Brando-n e shumë e shumë të tjerë.
A është zhvillimi i jetës dhe profesionit të saj një shtysë për tër besuar se perrallat ekzistojnë, apo… ?
Përgjigjen ua jep vetë Loren: “E vërteta, – shkruan ajo në libër – është që fëmijëria kthehej të më mallëngjente vazhdimisht. Edhe tani që e kisha gjetur rrugën time, s’e harroja dot si kisha qenë kur, shtrënguar mes urisë dhe luftës, pa një baba që të më udhëhiqte, nuk më mbetej gjë tjetër veçse të ëndërroja. Kruajtjësja e vogël e dhëmbëve, me vështrirësitë dhe fantazitë e saj, ka jetuar gjithnjë brenda meje për të më kujtuar, si dje, ashtu dhe sot, që të mos merrja asgjë për të sigurt. Dhe ky ishte fati im i vërtetë, sepse më lejoi të lumturohesha çdo ditë për gjërat e bukura që arrija, teksa masja përmes tyre udhën e përshkruar. Përralla pa jetë e humbet magjinë e vet, e po ashtu edhe e kundërta. E bukura është të ecësh përmidis, pa hequr kurrë dorë as nga njëra, as nga tjetra”.
Cili është filmi që e ktheu në ikonë?
Padyshim “Çoçarja”, film me të cilin ajo fitoi edhe Oscar-in e parë.