Pasuritë e prokurorëve, kush është më i pasuri dhe më i varfri
Open Data Albania ka renditur Drejtuesit e Prokurorive në Rrethe sipas vlerave për të ardhura të deklaruara për vitin 2015. Drejtuesit e Prokurorive në Republikën e Shqipërisë janë subjekt i deklarimit dhe kontrollit publik të pasurive dhe konfliktit të interesit. Ata duhet të dorëzojnë në fillim viti një Deklaratë ku bëhen të ditura të ardhura, shtesa apo pakësim të pasurisë për dymbëdhjetë muaj të vitit të fundit.
Në hulumtimin e ODA është bërë renditja dhe kategorizimi sipas burimit të të ardhurave, e në fund për totalin e të ardhurave të krijuara në vitin 2015. Deklarimet e detajuara janë në rubrikën Para dhe Pushtet , portali Spending Data Albania. Transparenca dhe kontrolli publik përmes publikimit në format të mirë strukturuar bëhet si pjesë e aktiviteteve të Programit Para Pushtet dhe Polikë (MGP).
Prokurori më i paguar si Drejtues Prokurorie dhe të tjera angazhime profesionale, gjatë vitit 2015 rezulton Drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Tiranë zoti Petrit Fusha . Paga e tij për shkak të funksionit si Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Tiranë deklarohet në vlerën 1 895 110 lekë.
Pas zotit Fusha është Prokurori Besnik Cani që mban vendin e dytë në renditjen sipas të ardhurave personale nga puna, i cili deklaron pagë vjetore 1 759 239 lekë. Zoti Ardian Ylli ka gjithashtu një pagë të lartë, përkatësisht 1 717 865 lekë.
Njëzet e dy Drejtuesit e Prokurorive të Rretheve deklarojnë se marrin mesatarisht çdo muaj 113 703 lekë të ardhura personale nga ky funksion. Në vitin 2015 të gjithë Drejtuesit e Prokurorive të Rretheve deklarojnë se nuk kanë pasur angazhime të tjera profesionale.
Honoraret përbëjnë një tjetër kategori deklarimi për burimin e pasurisë, ku zoti Petrit Fusha deklaron se si anëtar i Këshillit të Prokurorisë, ka përfituar ne 2015 pagesën prej 40 500 lekësh, ndërsa zoti Ramadan Troc i deklaron se ka përfituar pagesën prej 17 000 lekësh.
Të ardhura si Këshilltarë Anëtarë Bordesh për Prokuror Rrethi, Viti 2015
Të ardhurat nga interesat e depozitave bankare, maturimit të letrave me vlerë dhe obligacioneve, është një tjetër formë përfitimi të ardhurash. Ky burim të ardhurash në kontekstin e një viti referon mbi gjendjen monetare që zotërojnë në total entitetet deklaruese. Janë dy prokurorët, që deklarojnë të ardhura të vitit 2015 nga ky burim. Zoti Besnik Cani mban vendin e parë për shkak të përfitimeve të këtij lloji. Ai deklaron të ardhura nga interesa bankare dhe fond pensioni në vlerën 192 679 lekë.
Të ardhura nga interesa nga depozita bankare, tituj dhe obligacione për Prokuror Rrethi, Viti 2015
Edhe të ardhurat nga qiratë japin një pasqyrë të pasurive që gjenerojnë fitime për subjektet deklaruese. Dy Prokurorë përfitojnë të ardhura nga qiratë. Zoti Petrit Fusha deklaron se ka përfituar 54 000 euro nga qira objekti, për të cilin ka paguar tatim në burim, ndërsa zoti Besnik Cani deklaron se ka përfituar 204 000 lekë nga qiradhënie banese.
Të ardhura vjetore nga Qiradhënie për Prokuror Rrethi, Viti 2015
Zoti Arben Pasha , Drejtues i Prokurorisë Sarandë, deklaron se në vitin 2015 ka përfituar nga çelje trashëgimie, banesë private me sipërfaqe 93 m2 dhe truall, si dhe zyrë me sipërfaqe. 11.33 m2. Subjekti nuk deklaron vlerë referencë për pronën dhe as të dhëna për vlerësim si pronë e trashëguar.
Renditja e prokurorëve sipas të ardhurave më të larta të personave të familjes, kryesisht bashkëshortë apo partnerë, e kryeson zoti Kolë Hysenaj. Bashkëshortja Zonja Dalina Hysenaj ka siguruar gjatë vitit 2015 të ardhura nga aktiviteti privat “Bar-kafe” 2 600 000 lekë dhe të ardhura nga paga 1 435 200 lekë. Familja Hysenaj kryeson në renditjen sipas kategorisë të ardhura nga persona të familjes së prokurorit, pasuar nga familja Hoda , familja Ylli dhe familja Vata .
Të Ardhura nga Detyrime të Shlyera nga të Tretë, është një tjetër burim të ardhurash për Drejtuesit e Prokurorive. Këto të ardhura janë kryesisht hyrje që vinë nga shitja e pasurive apo detyrime të tjera kontraktore. Për të identifikuar qartë se cila pjesë e hyrjes është e ardhur dhe cila është thjeshtë tjetërsim i pasurisë nga pronë materiale në vlerë monetare, do duhet të dinim çmimin fillestar të pronës që shitet, apo të drejtës pasurore që tjetërsohet. Duke mos pasur këtë informacion, të ardhurat nga Detyrime të Shlyera nga të tretë, thjesht po i rendisim pa bërë kategorizim apo renditje. Prokurori me kategori të ardhurash apo hyrje të këtij karakteri është zoti Petrit Fusha.
Në përfundim duke përllogaritur të ardhura totale të deklaratës së secilitprokuror , ku përfshihen të gjitha kategoritë e sipër shënuara e njëkohësisht të ardhurat e personave të familjes në detyrim për deklarim, rezulton që renditjen e kryeson zoti Petrit Fusha me të ardhura totale rreth 5-fish më të larta se mesatarja e të ardhurave totale të njëzetë e një prokurorëve të tjerë deklarues. Ndërsa nëse do të konsiderojmë gjyqtarët në renditje duke filluar nga të ardhurat më të ulëta është zonja Eloida Gaxhi që të ardhurat familjare të një viti i referon plotësisht të ardhura nga paga pa asnjë burim tjetër.
Në përllogaritje të ardhurat apo të hyrat e deklaruara për vitin 2015, deklarimet në valutë të huaj janë konvertuar në monedhën lekë shqiptar sipas kursit mesatar vjetor për 2015 nga Banka e Shqipërisë. Çdo kategorizim dhe renditje përkon me të ardhura gjatë vitit 2015 dhe jo me tërësinë e pasurisë së deklaruar nga prokurorët. Të detajuara këto të dhëna për secilin prokuror janë në rubrikën Para dhe Pushtet të portalit Spending Data Albania.
Po aty ju mund të gjeni deklarimet vjetore dhe deklarime fillestare të pasurisë për Prokurorë dhe Funksionar të tjerë të lartë. Gjithashtu tabelat me renditje për të gjithë Prokurorët mund të shkarkohen në versionin Excel. Më parë Open Data Albania ka hulumtuar të dhëna dhe ka renditur sipas pasurisë edhe Gjyqtar të Lartë , Deputet dhe Kryebashkiak .