Albspirit

Media/News/Publishing

Europa dhe dilemat e Berlinit

I gjendur mes krizash ekonomike dhe politike dhe i rrethuar nga një klimë e ndryshuar gjeopolitike, Bashkimi Evropian po përpiqet të avancojë në projektin e tij. Ikja e Britanisë dhe roli i dobësuar i Francës, e ka shndërruar Gjermaninë në aktorin kryesor të rezistencës së Unionit. Dominuese në fushën ekonomike, vizionare në fushën politike dhe orientuese vlerash në sferën e një morali të nevojshëm human, Gjermania po udhëheq projektin evropian. Ndoshta në kohërat më të vështira, të gjithë historikut të integrimit evropian. Por, sa e sigurt shfaqet Gjermania në mbartjen e këtij roli dhe ç’dilema e shoqërojnë këtë mision ?

Që prej hedhjes së themeleve të Bashkimit Evropian, Franca dhe Gjermania kanë pasur një rol kryesor në drejtimin e tij. Me një anim të peshës dhe influencës kryesisht nga Franca, përgjatë tre dekadave të periudhës së Perdes së Hekurt teksa Gjermania ishte e ndarë në zona influence. Por, ribashkimi i Gjermanisë, do të sillte automatikisht dhe ndryshimin e statusit të saj politik në BE, duke e fuqizuar ndjeshëm përballë Francës. Fuqizim, që vijoi të përforcohet më tej me suksesin e vazhdueshëm të saj ekonomik, duke arritur të pozicionohet në vend të dytë, për sa i përket pjesës së tregut në tregtinë botërore, në vend të tretë për sa i përket investimeve në vendet e huaja dhe në vend të katërt pas SHBA, Kinës dhe Japonisë, për sa i përket PBB. Me këtë fuqizim gradual në skenën ndërkombëtare, Gjermania arrin të marrë edhe rolin e drejtuesit kryesor në gjirin e BE-së, rol që deri para bashkimit të një Gjermanie të ndarë, i përkiste Francës.

Një tjetër element gjeopolitik, por edhe ekonomik, që konsiderohet se zhvendosi qendrën e gravitetit në disfavor të Francës dhe në favor të Gjermanisë, është edhe zgjerimi i 2004-2007 drejt vendeve të ish-Lindjes komuniste. Një pjesë e mirë e elitave franceze, por edhe akademikë të ndryshëm, filluan ta vlerësojnë këtë zgjerim si tejet përfitues për Gjermaninë, për sa i përket tregut të përbashkët dhe ekonomisë së tregut.

Dobësimi i influencës së saj, përballë fuqisë së diplomacisë gjermane, filloi të ndikohej edhe nga situata jo e favorshme ekonomike, duke e shndërruar Francën në një vend të monitoruar nga Komisioni Evropian, për shkak të mos plotësimit të objektivave të kërkuar, për ulje të deficitit publik. Pavarësisht vlerave strategjike të padiskutueshme të Francës, si fuqi nukleare dhe me një diplomaci aktive në rajone të ndryshme të botës, partneri i saj politik Gjermania po shfaqej e fuqizuar në një sistem dominimi vlerash thuajse absolute, duke përmbysur balancën e fuqisë të aksit drejtues. Dominim, i konfirmuar edhe në përballje me krizat e fundit që kanë prekur BE, ku rëndom e vetme, Gjermania po kryesonte në iniciativat dhe ofrimin e zgjidhjeve konkrete të problematikave të ndryshme.

Dilema

Por, a shfaqet ky rol që Gjermania po mbart si i padiskutueshëm dhe a ka dilema që e shoqërojnë atë ?

Në këtë pozicionim të qartë politik të Gjermanisë në mbrojtjen dhe avancimin e projektit evropian, ka dhe një dilemë. Një dilemë, që ka filluar të marrë trajtat e një euroskepticizmi, por të një natyre të ndryshme nga euroskepticizmi klasik, që njohin vende të ndryshme të BE-së, ku ky euro-dyshim vërtitet mes një kundërshtimi të pjesshëm të projektit evropian, deri në një refuzim të plotë të tij. Euroskepticizmi, që ka filluar të shfaqet në opinionin publik gjerman, shtrihet pikërisht mbi rolin e lartë aktiv, që shfaq Gjermania në Union dhe ngrihet mbi pyetjen : “Pse qeveria e tyre, përpiqet vazhdimisht të bashkëpunojë, kur vendet e tjera anëtare, duken se janë të shqetësuar vetëm për interesat e tyre kombëtare ?

Kjo është edhe një prej problematikave, që përcjell studimi i fundit i ECFR-së “Një Shënim nga Berlini”, që thekson gjithashtu se, në thelb, çështja e debatit evropian në Berlin, është bërë shumë e thjeshtë, pra :“Se, si të mund t’iu demonstrojmë sërish qytetarëve tanë se, bashkëpunimi ia vlen, dhe se ne po arrijmë rezultate më të mira, duke punuar së bashku ?”

Studimi ngjall interes, në vlerësimin e argumentimeve të ministrit të Jashtëm Gabriel, në lidhje me kontributet e larta buxhetore të Gjermanisë në BE, i cili vetëm disa ditë më parë, kishte deklaruar për një të përditshme gjermane se : “E vërteta është se Gjermania nuk është një pagues neto, por një fitues neto…Çdo euro, që ne paguajmë në buxhetin e BE-së, shumëfishohet dhe vjen sërish tek ne.” … “Në vend që të luftojmë për një reduktim të kontributit tonë financiar në BE, ne duhet të demonstrojmë vullnetin tonë për të paguar edhe më shumë.”  

Dhe në këtë optikë pozicionimi, nuk kemi të bëjmë me një inkuadrim partiak të një fushate zgjedhore, por se bëhet fjalë për një çështje të interesit kombëtar. Kjo pasi, modeli politik dhe ekonomik gjerman përfiton gjerësisht nga BE, dhe Berlini vazhdon të besojë se me BE-në, ai mund të kontribuojë më mirë në konturimin e një rendi botëror, që i shërben Gjermanisë dhe interesit evropian në tërësi.

“Fakti se rendi botëror dhe projekti evropian janë tashmë nën kërcënim, ka motivuar Berlinin të ndërmarrë këtë betejë. Zgjedhja për të investuar më shumë në BE politikisht dhe ndoshta edhe financiarisht, është natyrale në këtë kontekst. Me kërcënimin ekzistencial të shpërbërjes në frontin e tyre, vendet anëtare të BE-së, tashmë e kanë më të lehtë të mendojnë se, çfarë do të humbasin, nëse Unioni dështon përfundimisht.”

Por, çka është më interesante, lidhet me faktin se, paralelisht me vullnetin e qartë të politikës gjermane, për të mbrojtur rëndësinë dhe vlerat e ekzistencës së Bashkimit Evropian, ekziston dhe një lëvizje e gjerë qytetare, që ka filluar të aktivizohet si rrallëherë pro mbrojtjes së Evropës së bashkuar. Studimi flet për një “Pranverë evropiane”, që po ndjehet në ajër këto ditë në Gjermani, me njerëzit që dalin në rrugë çdo të diel dhe që numri i tyre vetëm po shtohet, në tërë vendin, në më shumë se 50 qytete, të mëdha dhe të vogla. Të shqetësuar për mbijetesën e Unionit, që mundëson jetesën sipas vlerave të dinjitetit njerëzor, sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes, tolerancën dhe respektin.

“Zgjim i shumicës së heshtur”, “prekje e nervit të tyre”, konsiderohet kjo ngritje e qytetarëve pro-evropianë pas shokut, që krijoi referendumi i Brexit, dhe fushata agresive presidenciale amerikane:

“Është e jashtëzakonshme, që ka marrë më shumë se 10 vjet krizash evropiane që gjermanët të fillojnë të mbështeten pas Evropës. Arsyeja madhore, është se kriza e sotme nuk lidhet me të tjerët (grekët, refugjatët), por për mënyrën e tyre të jetesës në të ardhmen.”

Dhe bëhet fjalë për një ndërgjegjësim, që përtej qytetarëve gjermanë, ka kohë që ka prekur gjerësisht publikun evropian. Ka nisur gradualisht dhe u demonstrua në mënyrë simbolike, ditën e nënshkrimit të Deklaratës të Romës, thuajse në të gjitha qytetet evropiane. Marshim i gjerë evropian në mbështetje të projektit evropian. Në mbështetje të një Evrope, që ka jetuar prej afro 6 dekadash në paqe falë këtij bashkimi dhe në harmoni falë këtij bashkëpunimi.

A do të vijojë Gjermania të mbajë rolin e drejtuesit në projektin e thelluar të Evropës së Bashkuar ?

Si rrallëherë, studimi flet qartë për vendosmëri të natyrës absolute, se :“Pas Romës, nuk ka kohë për t’u çlodhur. Përmbysja e rendit të pas Luftës së Dytë Botërore, është reale dhe Berlini rrezikon të humbasë mjedisin komod, ku Gjermania ia ka dalë të zhvillohet dhe të jetë e suksesshme për gjithë këto vite. Si do t’i përgjigjen liderët e vendit riskut të humbjes së këtij pozicioni kaq të favorshëm? Për momentin, përgjigjja ka qenë të kapet demi nga brirët, dhe të investohet pushteti gjerman në shpëtimin e modelit evropian.”

Please follow and like us: