Frank Shkreli: EDHE TË VDEKURVE UA KANË FRIKËN
NË KUJTIM TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT DHE NAZIZMIT
Të shtunën që kaloi në Washington, u shënua 75- vjetori i Paktit nazi-komunist, Molotov-Ribbentrop në
bazë të të cilit u nda Europa para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore. Me këtë rast, Fondacioni amerikan për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit, së bashku me një numër kongresmenësh amerikanë, ambasadorësh të shteteve europiane dhe udhëheqësish të të drejtave të njeriut, vendosën kurora lulesh në “Hollin e Lirisë” të Kongresit amerikan dhe tek Monumenti i Viktimave të Komunizmit në Washington, duke shpallur 23 gushtin si “Ditën e Shiritit të Zi”, për të nderuar kujtimin e atyre që ranë viktima të diktaturës totalitare komuniste dhe naziste, anë e mbanë Europës.
Është kjo, data e nënshkrimit të Paktit famëkeq midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Naziste, pakt i cili ndau Europën dhe që më në fund çoi në fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Ky pakt përbënte aleancën më famëkeqe midis Komunizmit dhe Fashizmit, një aleancë kjo, e cila në dekadat që pasuan do të shkaktonte miliona viktima të pafajshme në mbarë Europën. Për të bërë këtë kujtim të përhershëm dhe ditën e 23 gushtit si ditën zyrtare të përkujtimit të miliona viktimave të komunizmo-nazizmit, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara miratoi projektligjin e paraqitur nga ligjvënësi John Shimkus, i cili tani pritet të miratohet edhe nga Senati amerikan, që është dhoma tjetër legjislative e Kongresit amerikan, duke iu bashkuar kështu një numri shtetesh europiane, të cilat kanë vendosur që 23 gushti të jetë Dita Përkujtimore e Viktimave të Komunizmit dhe Nazizmit. “Shpresojmë që në të ardhmen, “Dita e Shiritit të zi” e 23 gushtit (e Paktit Nazi-komunist, Molotov Tibbentrop) të jetë një ditë që do të njihet më mirë dhe të përdoret si një rast për të përkujtuar të gjitha viktimat e komunizmit dhe të fashizmit në Europë”, u shpreh të shtunën që kaloi, z. Marion Smith, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit në Washington dhe njëkohësisht, – tha ai, të shërbejë si një rast për të “edukuar brezin e sotëm dhe brezat e ardhshëm, mbi ideologjinë, historinë dhe mbi trashëgiminë e komunizmit”, shtoi ai.
Z. Marion tha se, është e rëndësishme që kjo ditë të shënohet jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës, pasi komunizmi, shtoi ai, “sundon ende në të pakën 5 vende të botës dhe se në disa vende që kishim menduar se ishte zhdukur, shohim shenja se po rikthehet”. Kjo,- tha ai,- ndodh sepse ekziston një mungesë njohurie mbi realitetin e jetës nën regjimet komuniste, 25 vjet pas shembjes së tyre në Europë. Përveç kësaj, Fondacioni amerikan për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit njoftoi gjithashtu, planet për ndërtimin e një Muzeumi të Historisë së Komunizmit Ndërkombëtar në parkun e madh të Washingtonit (National Mall), duke filluar nga viti 2017. Njohja e së kaluarës është jetësore, -tha ai, -për të ruajtur lirinë tonë në të ardhmen dhe shtoi se, ndonëse rrymat totalitare mund të marrin forma të ndryshme, ato gjithmonë, pa dallim çojnë në vdekje dhe shkatërrim, -tha me këtë rast, Drejtori i Fondacionit për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit, Marion Smith.
75-vjetori i Paktit Molotov- Ribbentrop, përveçse në Amerikë, u shënua edhe në shumë vende europiane dhe në Kanada. Madje, Kryeministri i Kanadasë, z. Stephen Harper, të shtunën bëri një deklaratë të fortë zyrtare me këtë rast, duke thënë se: “Kjo është një ditë për të mbajtur zi për viktimat që kanë humbur jetën nën këto dy regjime të këqija e çnjerëzore dhe njëkohësisht”, shtoi ai “përulemi para atyre burrave e grave të guximshëm, të cilët luftuan kundër shtypjes dhe tiranisë.” Kryeministri Harper u shpreh se: “Qeveria jonë është e vendosur dhe e angazhuar që të nderojë dhe të kujtojë viktimat e komunizmit dhe të nazizmit”. Kjo, -u shpreh udhëheqësi kanadez, -“është arsyeja që ne jemi duke mbështetur përpjekjet për të ndërtuar një monument në kryeqytetin kanadez, me të cilin do të nderohen qindra miliona burra, gra e fëmijë, të cilët vuajtën nën tiraninë komuniste”.
Kryeministri kanadez, ditën e përkujtimit të viktimave të komunizmit dhe nazizmit u bëri thirrje bashkatdhetarëve të tij që t’u bashkohen përpjekjeve të qeverisë kanadeze, për të promovuar dhe për të mbështetur vlerat e lirisë, të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të ligjit, anë e mbanë botës dhe të “bëjmë çdo gjë të mundur të sigurohemi që krimet e bëra gjatë periudhave më të errëta të historisë
së njerëzimit, të mos përsëriten më”.
Është e pamundur të mos bëhet pyetja: Po Shqipëria dhe shqiptarët, si e kujtuan këtë ditë? Duke u bazuar në median shqiptare, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shënoi me këtë rast në faqen e tij në Facebook, thënien e aq përdorur e të lodhshme, “se e kaluara nuk duhet harruar, që të mos përsëritet”, por nuk thuhet se për cilën të kaluar e ka fjalën ose çfarë ka ndodhur në atë të “kaluar” dhe pse ajo e kaluar nuk duhet të përsëritet më. Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëherazi edhe Kryetar i Partisë Demokratike në opozitë, z. Lulëzim Basha,
njoftoi si me “gjysmë zëri”, planet e Bashkisë për të ndërtuar një monument viktimave të komunizmit, por mbetet për t’u parë nëse edhe kjo iniciativë do mbetet në gjysmë të rrugës si iniciativat e tjera të njoftuara gjatë 24 viteve të fundit, në lidhje me viktimat dhe të përndjekurit e regjimit komunist, përfshirë edhe hapjen e dosjeve dhe dënimin e atyre krimeve. Ndoshta nuk janë gjithëpërfshirëse këto deklarata, por janë simbolike për nga fakti se Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Basha, që përfaqësojnë brezin paskomunist të politikanëve dhe si të tillë pritet më shumë prej tyre. Heshtja e tyre në lidhje me këtë çështje është shqetësuese, për të mos thënë e turpshme. Kjo heshtje është edhe më e turpshme kur vihen re shenja të rehabilitimit të reputacionit të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij, pa u vënë vesh fare krimeve të kryera në një prej regjimeve më brutale komuniste të asaj kohe. Si mund të justifikohet kjo heshtje zyrtare e të gjitha partive dhe qeverive të 20-viteve të fundit? A mos kanë ende frikë nga viktimat e vdekura të komunizmit? Në çfarë bazash morale, politike a po thjeshtë njerëzore e humanitare mund të heshtet për këtë të “kaluar” që nuk duhet të “përsëritet”.
Për një përvjetor, për të cilin flet dhe e kujton e mbarë bota e qytetëruar? Pse këto ngurrime çerek shekullore për të pranuar dhe për të dënuar natyrën shkatërrimtare dhe kriminale të regjimit komunist shqiptar dhe të ideologjisë totalitare të tij, siç ka ndodhur në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës? A nuk meritonin viktimat e komunizmit në Shqipëri, lirinë dhe dinjitetin njerëzor? A nuk meritojnë që këto viktima të kujtoheshin dhe të nderoheshin për sakrificat e tyre, në të njëjtën ditë me viktimat e tjera të komunizmit ndërkombëtar? Apo viktimat e komunizmit shqiptar, ishin më pak të rëndësishme, sipas Ramiz Alisë, i cili ka deklaruar se, dënimet dhe vrasjet e “armiqve” të “pushtetit popullor” nuk ishin një mëkat. Ndalimi i “tufëzave” të bagëtive ishte mëkat më i madh, sepse sipas ish-udhëheqësit komunist shqiptar, ndalimi i tyre varfëroi fshatin. Heqja dorë nga degradimi politik, mendor dhe moral i komunizmit duket se është një fenomen nga i cili nuk mund të shkëputet aq lehtë, as elita politike shqiptare, as shoqëria shqiptare në përgjithësi.
Mund të thuhet se, e gjithë shoqëria shqiptare ishte viktimë e këtij sistemi, por mund të thuhet gjithashtu se, – siç ka ndodhur edhe në shoqëritë e tjera të Europës Lindore – shoqëritë edhe atje ishin deri diku toleruese ndaj atij regjimi, qoftë nga pamundësia për të ndryshuar gjë, qoftë edhe nga indiferenca ndaj krimeve ndaj kundërshtarëve të atij sistemi. Populli gjerman ishte njëri prej viktimave më të mëdha të nazizmit, por njëkohësisht nuk mund të shfajësohej nga krimet e hitlerizmit. Por populli gjerman, si asnjë tjetër në Europë, ka pranuar fajin dhe është “çliruar” nga e kaluara naziste dhe komuniste, duke i dënuar krimet e këtyre sistemeve, jo vetëm ndaj gjermanëve, por edhe ndaj popujve
të tjerë.
Madje, Gjermania ka paguar edhe shpërblime të mëdha gjatë dekadave. Si përfundim, në këtë 70-vjetor të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, për gjermanët humbja e regjimit nazist solli lirinë për kombin e tyre dhe ashtu festojnë. Ndërsa për vendet e Europës Lindore dhe Qendrore, fitorja kundër fashizmit solli vendosjen e regjimeve totalitare të një ideologjie tjetër shtypëse, atë të komunizmit ndërkombëtar. Ndryshe nga Gjermania, fitorja mbi fashizmin në vendet e Europës Lindore nuk solli lirinë as nuk u dha fund krimeve, shtypjeve dhe përndjekjeve në këto vende, përfshirë edhe Shqipërinë dhe trojet shqiptare në Ballkan, të cilat mbetën nën influencën komuniste për pothuaj një gjysmë shekulli.
Por, fatkeqësisht ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste, ku viktimat e regjimeve komuniste kujtohen dhe nderohen për sakrificat e tyre, viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe në të gjitha trojet shqiptare
në Ballkan, madje edhe në prag të 70-vjetorit të “çlirimit” të Europës – u duhet të jetojnë me idenë dhe
justifikimin se torturuesit dhe persekutuesit e tyre gjatë një gjysmë shekulli, duhet të konsiderohen se ishin gjoja çlirimtarët dhe jo ndjekësit dhe persekutuesit e tyre. Viktimat e komunizmit shqiptar, të përndjekur dhe të vrarë nga njëri prej regjimeve më të ashpra komuniste në botë, fatkeqësisht si në asnjë vend tjetër të Europës, janë të harruar dhe të nëpërkëmbur në demokraci.
25 gusht 2014
http://illyriapress.com/edhe-te-vdekurve-ua-kane-friken/