Albspirit

Media/News/Publishing

Milkani mbron filmat shqip me dy shembuj të paqëlluar: “Koracata Potjemkin” dhe “Triumfi i Vullnetit”

Pirro Milkani ka vazhduar të mbrojë mendimin e tij për shfaqjen të palimituar të filmit shqip të periudhës së para viteve ’90 përmes një opinioni në gazetën “Dita”. Debati që ka lindur së fundmi lidhet me mesazhet që përcjellin filmat, krijuar për qëllime propagandistike, por të cilëve arti i realizimit nuk u cenohet nga përmbajtja. Në fakt kjo është edhe avokatia që po u bëhet: janë të realizuar mirë dhe është bërë një punë e madhe. Mirëpo ky është aspekti teknik i filmit që bashkë me arritjet artisitike i japin qëndrueshmëri veprave. Çështja që ka mbetur pa përgjigje është se si t’ua përcjellim filmin shqip brezave më të rinj, pa një aparat shpjegues, i cili deri më sot është “muhabeti me prindërit”. Si të korrigjojmë manipulimin?

Milkani rimerr të njëjtën tezë dhe e zgjeron, pa arritur të japë një argumentim se përse është kundër mostransmetimit të filmit pa kufizim, në televizonet kombëtare dhe me logo njoftuese. Në cilësinë e pedagogut Milkani sjell dy shembuj që siç thotë ua mëson edhe studentëve: Ajnzenshtajnin dhe Leni Rifenshtalin.

Filmi ‘Koracata Potjemkin” i kapërceu pa vështirësi kufijtë e Bashkimit Sovjetik dhe u shfaq në gjithë botën. Ky prodhim i mrekullueshëm kinematografik nuk mungoi as në sallat e Gjermanisë ku kish filluar të ulej këmbëkryq nazizmi. Duket se nuk mungoi ta shikonte këtë film edhe ideologu i nazizmit Gebelsi…Dihet botërisht se ç’tha sapo doli nga kinemaja: “Më mirë të kishin ardhur në Gjermani dhjetë regjimente të Ushtrisë së Kuqe se sa ky film…”. U tërbua. Po nuk dha urdhër të ndalohej. Jo se nuk donte, por nuk mundej. Atëherë u bind më shumë se kurrë për fuqinë e madhe të filmit”, shkruan Milkani. Kundërveprimi gjerman ndaj kinemasë masive sovjetike, ishte Leni Rifenshtalin, regjizore me bindje naziste, e cila realizoi dokumentarin “Triumfi i Vullnetit”. Shumë nga pamjet e njohura ilustruese të këtij dokumentari, cilësuar edhe sot ndër më të mirët në histori, përdoren shpesh për Hitlerin dhe mitin e Gjermanisë Naziste. Me këtë dokumentar, madhështia si mesazh i koduar në celuloid arrin apogjeun duke inauguruar një stad të ri të propagandës.

http://www.gazetadita.al/shperthimi-i-piro-milkanit/

Mirëpo që të dy rastet e sjellë nga Milkani, nuk vlejnë si kundërpërgjigje për debatin e tanishëm. Së pari këtyre dy prodhimeve u qasen shumë pak të rinj, ato janë pa zë, dhe në të dy rastet mund të vlerësohet mjeshtëria e një regjie të kamerës. Te filmi shqip ndodh ndryshe: skenari i tyre konservon në vijimësi një përplasje sociale që ngrihet shpesh mbi përbaltjen dhe gënjeshtrën. Ky ishte qëllimi i propagandës e cila nëse nuk filtrohet sot riaktualizohet si narrativë dominuese. P.sh filmi “Nëntori i Dytë” është versioni historiografik i ngjarjes së Pavarësisë, por jo ai historik. Dramaciteti i kësaj ngjarjeje historike devijon qendrën e vet të gravitetit drej personalitetit të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit për të mbyllur një të vërtetë të caktuar në kafazin e nevojave të një regjimi. Kjo vërejtje nuk i heq asgjë cilësisë së realizimit, as mohon punën e mirë të bërë. Thjesht ai aparati përgatitor dhe sqarues që merr secili që kërkon të shohë dy realizimet e sjellë nga Milkani, u mungon këtyre filmave tanë. Jetojmë në një kohë kur ekrani nuk është argëtim, por edhe edukim. Në një vend si Shqipëria, pa shtyllë kurrizore, edukimit i është shtuar edhe një institucion tjetër: stadiumi.

Nuk është e rrallë të dëgjosh fëmijën që të dijë emrat e politikanëve apo të këndojë “Xhamadani vija vija”, ende pa u gëzuar me shkëlqimin e yjeve natën apo me natyrën. Nuk kemi pse të pranojmë ende që fëmijët të përthithin disa klishe denigruese pse është bërë një punë e mirë. E cila duhet thënë: ËSHTË SHPËRBLYER.

Please follow and like us: