Albspirit

Media/News/Publishing

Keti Bazhdari: Kauza e Bashës në konflikt interesi me konsensusin

Cfarë nënkupton konsensus?

Kur dy ose më shumë palë, janë pozicionuar në një situatë duke mbrojtur qëndrime që bien ndesh me njëri tjetrin, si pasojë e këndvështrimeve apo edhe vlerave të ndryshme, por që nga ana tjetër shprehen të gatshëm për t’i ardhur në ndihmë një zgjidhje të përbashkët.

Ka disa elementë, që duhet të ekzistojnë, për tu arritur një konsensus:

1.gatishmëria e palëve mbetet e para;

2.artikulimi i qartë i qëndrimeve si dhe identifikimi i pikave të përbashkëta dhe atyre në kundërshtim;

3.caktimi i takimit në datën, orën dhe vendin e dakordësuar nga të gjitha palët;

4.listimi i vlerave dhe parimeve qofshin këto ligjore apo morale mbi të cilat do të kontraktohet zgjidhja;

5.parimi i barazisë dhe transparencës, palët duhet të komunikojnë me letra të hapura, që do të thotë secila ka të drejtë ta shprehë opinionin e saj deri në fund por është e detyruar të dëgjojë dhe respektojë edhe të tjerëve;

6.gjithëpërfaqësimi, hapi më i rëndësishëm. Një konsensus i mirë arrihet vetëm nëse përfaqësimi i spektrit të interesave është i plotë, duke ftuar të përfshihen të gjithë kategoritë e aktorëve që mund të preken nga objekti i këtij konsensus;

Dhe duke iu referuar këtyre 6 hapave për të negociuar një zgjidhje të përbashkët, unë nuk arrij ta lexoj, qoftë dhe mes rreshtash, një qasje të tillë për konsensus në qëndrimet e Bashës. Ai përvecse përcon pavërtetësi me të folurin skenikë dhe impostimin që sforcohet t’i bëjë zërit dhe staturës, kategorizimi ekstrem i retorikës me imponim e urdhëra të prerë, e bën edhe më të pabesueshëm në sytë e opinionit, si për shkak të pakicës që përfaqëson, ashtu dhe të një konfliktualiteti permanent me konsensusin, që ai mundohet të ushqejë.

Lulëzim Bashës, po t’ia analizosh me ftohtësi, një për një fjalët dhe veprimet e këtyre 50ditëve të fundit,  nuk e formulon dot një version të interesit të tij për konsensus, biles duket qartazi që sapo krijohen kushtet për një të tillë, ai stis dicka të re për ta mbajtur sa më larg. Qëndrimet e tij janë krejtësisht të hallakatura dhe pavarësisht qëllimit underground të lexueshëm, ai vetë s’është në gjendje kurrsesi ta artikulojë atë haptas. Kjo ia vështirëson tej mase pozitën dhe ia koklavit kauzën, pasi i përcjell c’orientim mbështetësve, që nuk formulojnë dot një qëndrim për të cilin të ngulin këmbë. Gjithashtu Lulëzim Bashës i duhet të përballet edhe me një moskeherencë vlerore e parimore të asaj cfarë kërkon, duke ia bërë edhe më të pamundur konsensusin në perceptimin e tij, pasi cështjet që ai ngre bien ndesh ligjërisht e moralisht, qoftë me Kushtetutën, qoftë me interesa me të gjera, të faktorit kombëtar e ndërkombëtar.

Shtyrja e zgjedhjeve, bllokimi i Vettingut dhe reformës në drejtësi nuk janë pika që i përkasin vetëm Lulëzim Bashës, por gjithë shqiptarëve. Sikur Lulëzim Basha të ketë në unanimitet të plotë pro vetes cdo votues të PD-së(teorikisht, pasi praktikisht është krejtësisht e pamundur), në konfiguracionin elektoral nuk zë më shumë se 15% të mendimit të shqiptarëve, njëkohë kur përvec shumicës që është shprehur me votë kundra tij, ka edhe  49% të votuesve shqiptarë që zgjedhin të abstenojnë cdo dy vjet, por që kjo s’i bën ata aspak më të parëndësishëm kur vjen puna për interesa madhore në dëm osé në favor të vendit, përkundrazi gëzojnë gjithë të drejtën të shprehen dhe Basha nuk mund të ndryshojë asgjë pa mendimin e tyre dhe të grupeve të interesit që ata i përfaqësojnë. Në finale janë të huajt dhe interesat gjeostrategjike të shteteve të tyre që preken nga kjo tekë e Bashës, dhe që nuk janë më pak të rëndësishëm, pasi Shqipëria nuk është një copë tokë në Mars që s’ka kurrëfarë impakti të ndërsjelltë me shtetet e tjera, por përkundrazi ata kanë të drejtë të jenë palë e barabartë në procesin e konsensusit, pasi po flitet për të marrë osé jo një vendim të rëndësisë së vecantë që kthehet në precedent të rrezikshëm për të gjithë rajonin.

Pra me pak fjalë nëse do të ketë një tryezë konsensusi nesër, në bazë të parimit të barazisë, i bie që Lulëzim Basha të pranojë vendin që i takon dhe të jetë i gatshëm të pranojë zgjidhjen më gjithpërfshirëse. Por duke iu referuar tërë moskonformitetit në veprime dhe ide me ketë mënyrë të bëri, të liderit të djathtë, natyrshëm lind mendimi: thua vallë të jetë vërtetë i interesuar Lulëzim Basha të ulet në një tryezë të tillë dhe të negociojë në interes të vendit, apo po’ kërkon të kapet pas llafeve dhe elementëve që garantojnë medeomos mungesën e konsensusit për të shtyrë ditët, tamam si ai fëmija që ka bërë një faj dhe mundohet ta mbajë prindin larg të vërtetës me maniera që se di as vetë se sa do zgjasin dhe ku e cojnë?!

Please follow and like us: