Sulmi në Stokholm, Meta: Shqipëria, krah popullit suedez
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i ka derguar sot një mesazh ngushëllimi homologut të tij suedez Urban Ahlin në reagim të sulmit të sotëm terrorist në qendrën tregtare të Stokholmit.
“Jemi thellësisht të shokuar dhe të trishtuar nga sulmi terrorist sot në zonën tregtare Drottninggatan në Stockholm, prej të cilit vdiqën disa persona dhe shumë të tjerë janë plagosur. Lutjet dhe mendimet tona shkojnë për viktimat, të plagosurit, familjet e tyre dhe për të gjithë popullin e Suedisë. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë më lejoni t’ju përcjell ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave dhe lutemi për shërim të shpejtë të të plagosurve nga ky sulm barbar. Në këto momente të vështira qëndrojmë përkrah miqve tanë suedezë duke dënuar plotësisht akte të tilla të tmerrshme dhune dhe ofrojmë mbështetjen si dhe solidaritetin tonë të plotë ndaj popullit suedez, deputetëve të Riskdagut dhe autoriteteve tuaja”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e ngushëllimit.
“Ju siguroj – shprehet Meta- se populli shqiptar qëndron me vendosmëri përkrah popullit suedez kundër terrorizmit, ekstremizmit, në mbrojtje vigjilente të vlerave tona të përbashkëta demokratike”.