Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj:Përmendoret komuniste

Shkolla i mëson fëmijët se komunizmi ishte ideologji e keqe dhe njerëzimit i solli shumë të këqija. Mirëpo, ata, në një të nesërme, mund të ndeshen me figurën kryesore të komunizmit të Kosovës, Fadil Hoxhën, të përjetësuar në shtatore, në Gjakovë. Ata do të habiten, do të trishtohen, ndërsa shkolla, prindërit dhe mësuesit, do të dalin të turpëruar.
Për mua, kurrfarë vlere nuk ka një përmendore, për të cilën, shumica nesër do të thonë: ajo përmendore nuk e ka vendin aty. Përmendore të tilla, historia njeh shumë, ama ato fundin e kanë pasë të turpshëm. Një të tillë, po tentojnë ta bëjnë në Gjakovë. Pa dyshim, ky është kulmi i marrëzisë në fushën e emërtimit të rrugëve, shesheve, institucioneve, dhe ngritjes së përmendoreve vend e pavend. Përgjatë këtyre viteve, shumë sheshe, rrugë, institucione të rëndësishme, janë emëruar gjithqysh, ndaj shpesh dëgjon qytetarët të flasin me përçmimi. Në këso rastesh, s’ke sesi të mos thuash: Lum ato figura të vlefshme, të cilat nuk kanë përmendore të stisura, por, për të cilat, populli thotë: ai ose ajo e ka vendin aty. Pa dyshim, të tillë historia shqiptare ka të mjaftueshëm.
Është e çuditshme t’i shihesh shqiptarët si ngarendin pas përmendoreve politike, a në fakt, ata janë populli që punët me politikën e ka më së keqi. Ky është paradoks.
Në vend që të shtatoreve për politikanë dhe figura që nuk e frymëzojnë askënd, do të duhej të kishim sheshe, përmendore, emra institucionesh, që mund të edukojnë brezat.
Fadil Hoxha nuk e ka këtë tagër. Përkundrazi.
Ky hutim pas figurave politike, është kobzi. Sepse, e shpërfaq një raport tonin të pasinqertë me të kaluarën. Një tendencë të vazhdueshme për ta justifikuar atë dhe për ta amnistuar.
Vendosja e shtatores së Fadil Hoxhes në Gjakovë, pa kurrfarë ekzagjerimi, domethënë justifikim i komunizmës: si ideologji dhe sistem i pështirë.
Dihet, kudo në botë, komunizmi dënohet dhe nuk dekorohet. Sepse ishte ideologji totalitare dhe njerëzimit i solli të këqija të panumërta. As shqiptarët nuk ishin të privuar nga kjo fatkeqësi. Përkundrazi, ishin viktima të këtij sistemi.
Në shumicën e vendeve ish komuniste të Europës, janë ngritë gjyqe dhe krimet e komunizmit, janë dënuar, dhe dënohen, në forma të ndryshme. Në Europë, aty ku synojmë të integrohemi, njihet “Deklarata e Pragës për Ndërgjegjen e Europës dhe Komunizmin.” Kjo deklaratë, u nënshkrua më 3 qershor 2008, dhe ishte iniciuar nga ana e qeverisë çeke, ndërsa u nënshkrua nga politikanë të shquar europianë, ish të burgosur politikë dhe historianë, në mesin e të cilëve edhe Václav Havel dhe Joachim Gauck, presidenti Gjermanisë. Ky i fundit, bëri thirrje që “Europa e gjerë t’i dënojë krimet e komunizmit dhe dënimi ndaj tyre të edukohet.”
Vetëm në shoqërinë shqiptare ndodh që liderëve të komunizmit, të kërkohet t’iu ngritën përmendore, t’iu festohen ditëlindjet dhe të dekorohen.
Prandaj, të dekorosh liderë të kësaj provinience, e në të njëjtën kohë të kërkosh të integrohesh në Bashkimin Europian, dhe t’i përqafosh vlerat e demokracisë perëndimore, është hipokrizi.
pa dyshim, është e mjerë ajo shoqëri, e cila lejon që para syve të saj të retushohet historia dhe të ngritën përmendore ideologjike.

Please follow and like us: