Albspirit

Media/News/Publishing

Vaskë Gjino, letër Enverit: Këtu më japin drogë me forcë të më çmendin

“Këtu torturat janë të tmerrshme, çnjerëzore, por droga e imponuar forcërisht është e padurueshme. Në efektin e saj, vdes e ngjallem orë e çast. Bie pa ndjenja e çohem i dërrmuar herë pas here”. Në njërën nga letrat e shumta që i adresonte Enverit në vitin ’82 Vaskë Gjino, gjenerali i dënuar si një nga protagonistët e puçit ushtarak, zbulohet, ndër të tjera, një fakt i panjohur: Përdorimi i drogës si mjet i torturës ekstreme. Denoncimi i shtatmadhorit të kryqëzuar në mesin e viteve ‘70, është nga ato dëshmi autentike që provon në mënyrë të pakontestueshme represionin barbar, madje përtej arsyes njerëzore në ferrin e burgjeve të diktaturës. Vaskë Gjino që s’u ka besuar asnjëherë akuzave monstruoze, duke dyshuar në ekzistencën e intrigave keqdashëse, sa është njohur me qëndrimin e Partisë për aktin e (vetë)vrasjes së Mehmet Shehut, ka besuar se është momenti për t’i vënë gishtin njeriut që ka shënjuar fatin e tij. “Gjithçka në rastin tim lidhet fund e krye me prapaskenat e Mehmet Shehut dhe grupit të tij armiqësor”, nxiton t’i shkruajë ai diktatorit, duke shpresuar se erdhi më në fund çasti fatlum për të kthjelluar situatën. Në dhjetëra faqe, letra në fjalë shtjellon kronologjinë e ngjarjeve që i kanë paraprirë dënimit të gjeneralit, ku dallon përkujdesja e veçantë për të identifikuar rolin e ish­kryeministrit në tërë historinë, me qëllimin e vetëm, siç shprehet autori, për të zgjeruar rrethin e puçistëve të goditur që Shehu të fitonte besimin e udhëheqjes dhe të maskonte profilin agjenturor”.Përtej “të vërtetave”, ndriçuar rishtas për Gjinon “nga analizat e fundit të Partisë dhe libri “Titistët”, pjesa më interesante, pse jo edhe më e sinqerta në korrespodencën e tij me Hoxhën, është rrëfimi për torturat dhe sjelljet barbare në qelitë e hetuesisë dhe birucat e Burrelit. “Përpara tyre vdekja më duket mjaltë”, shkruan gjenerali i dënuar, duke kujtuar ditë­netët e tmerrshme te 313­ta, kur i kërkonin të pohonte se do qëllonin me tanke KQ. “Kur e panë një moment që as ajo (vdekja) s’më bënte pështyje, filluan të hakërrehen se do të më vrisnin para syve gruan dhe fëmijët. Vetëm e vetëm të dëshmoja, të firmosja për marrëzi të padëgjuara, çfarë se bëra kurrë sa isha i kthjellët. Atëherë më droguan, më mpinë trurin, më tjetërsuan dhe nuk e di çfarë kam bërë më tej”. Ajo që ka ndodhur pas kësaj me gjeneralin fatkeq është koleksionuar në dosjen e komplotistëve që përmban, ndër të tjera, edhe “pohimet” e tij për planin ogurzi(!) të grushtit të shtetit. Autori i letrës vë në vëmendjen e diktatorit se diçka e tillë jo vetëm nuk i ka shkuar në mëndje kurrë, por për të nuk ka pasur as dijeninë më të vogël, duke lënë të kuptohet se çdo pohim tjetër në adresë të tij kushtëzohet me çastet kur e drogonin forcërisht në qeli. Po çfarë shkruan tjetër Gjino nga burgu për Hoxhën dhe si reagon ky i fundit me shënimin në letrën e 12 të gjeneralit të dënuar. Më poshtë publikojmë të plotë korrespodencën e panjohur, arkivuar në një nga dosjet sekret të ishArkivit të Komitetit Qendror të Partisë…

LETRA E VASKË GJINOS

Sekretarit të Përgjithshëm të PPSH

Pas zbulimit të tradhtisë së Mehmet Shehut dhe bandës së tij, dhe pasi lexova e rilexova veprën “Titistët”, m’u bënë të kjarta mjaft çështje, që para kësaj letre i kam pas të errëta dhe nuk i kuptoja për çfarë arsye ato ishin kryer. Prandaj, vendosa t’u drejtohem juve dhe një herë, duke menduar se tani kur Kadri Hazbiu, Feçor Shehu dhe banda e tyre janë akoma gjallë janë të gjitha mundësitë të skiarohet plotësisht çështja dhe pozita ime. Me anën e kësaj letre dua t’ju sqaroj për të bërë të kjartë gjithçka ju është referuar mbrapsht në adresën time nga Mehmet Shehu dhe organet e Ministrisë së Brendshme.

Sinjali të jem apo të mos jem anëtar i Partisë u dha në aktivin e shkollave ushtarake nga Mehmet Shehu (nëntor 1974), ku krejtësisht pa pritur m’u vërsul mua me tërë arrogancën dhe brutalitetin që e karakterizonte. Përgjigja ime atë e xhindosi dhe e nxori fare jashtë logjikës. Sidoqoftë, sulmi i Mehmetit do ta bënte më në fund efektin e vet. Organizata e nxitur edhe nga Detar Avdia (i deleguar) më uli nga anëtar në kandidat partie, por që në fund më përjashtuan fare. Për mua u bë e kjartë: Mehmet Shehu, flamurtari në goditjen e Beqir Ballukut dhe ngritjen lartë të meritave të Petrit Dumes e Hito Çakos, në aktivin e partisë së ushtrisë, korrik 1974, rrëmbeu përsëri flamurin e me tërë egërsinë u vërsul kundra atyre që dy muaj më parë (P.Dume e H.Çako) i quajti kuadro me merita. Në këtë grup, ai më futi edhe mua, meqenëse kisha punuar me Petrit Dumen në ministri deri në vitin 1967, duke mos pasur  qe te kisha, bashkëpunuar apo të kisha komplotuar kundër partisë apo udhëheqjes. Për këtë ai nisej vetëm nga fakti që sa më shumë ta zgjeronte rrethin e goditjes, aq më shumë do të fitonte besimin e udhëheqjes dhe do ta maskonte veten si armik e agjent që ishte. Me Petrit Dumen gjatë luftës kam qenë 3­4 muaj në një organizatë partie, ndërsa pas lufte për disa vjet. Meqenëse me të njihesha që në bankat e shkollës, disa herë e kisha këshilluar shoqërisht që të hiqte dorë nga veset e këqija të karakterit të tij, sidomos arrogance, brutaliteti, fudullëku, kapriçot e sëmura, veprimet aventureske etj., nga të cilat s’hoqi kurrë dorë. E përmenda raportin me Petrit Dumen sepse pikërisht njohja dhe vartësia ime hierarkike ndaj tij, përbëjnë nyjën kryesore ku u mbështetën hipotezat dhe u ndërtua legjenda me akuzat që u ngritën kundra meje. Pas sulmit që më bëri Mehmet Shehu dhe përjashtimit nga Partia, dëgjova për komplot ushtarak që s’më kishte shkuar kurrë në mëndje, pa le të isha edhe unë pjesë e tij. Iu nënshtrova me gjithë fëmijë persekutimeve: Në internim punova në bujqësi, kurse gruan megjithëse me tuberkuloz e futën në punë të rënda, atje ku dhe njerëzit normalë kthehen në tuberkulozë. Muajin e katërt pas internimit, më arrestuan. “Pritëm të na shkruaje,­ më thanë hetuesit,­ por meqenëse nuk shkrove, të arrestuam”. Akuzohesha për krime që s’më kishin shkuar kurrë ndërmend, prandaj hodha poshtë me neveri çdo akuzë. Më futën në një sënduk, më vunë në kokë një skafandër dhe më lidhën me pranga. Sënduku ish i shkurtër dhe i ngushtë, kështu që u mblodha e bëra lëmsh. Mbi sënduk qëndronte një roje që më mbante vazhdimisht në vrojtim. Rojet ndërroheshin çdo gjashtë orë dhe kishin detyra të ndryshme. “Ne,­ tha ai,­ të vrasim dhe për këtë nuk i japim llogari askujt!”. Pasi kaluan shtatë ditë dhe prej meje, ata s’po nxirrnin asgjë për puçin, atëherë me anën e mjekut filluan të më jepnin tre herë në ditë nga tre tableta njëherësh. Pyeta mjekun, ç’janë këto? “E dimë ne,­ m’u përgjigj ai”. Nuk më shkoi mëndja në fillim për asgjë të keqe, mirëpo dalëngadalë ndjeja një depresion të thellë moral dhe psikik. Nuk kuptoja përmbajtjen e pyetjeve që më drejtonin hetuesit, të cilët vetë shkruanin, vet firmosnin dhe m’i jepnin t’i firmosja pa i lexuar, sepse nuk më jepnin syze. Pas disa ditësh gjuha m’u trash, nuk shqiptoja dot qartë asnjë fjali. Pas disa ditësh ndjeva që diçka e huaj, një ndërgjegje tjetër, kishte zëvendësuar timen. Qaja pa ditur pse. Nganjëherë për çështje që unë s’kisha dijeni kundërshtoja e përpiqesha të flisja, por s’flisja dot. Këtë gjendje ua thashë disa herë hetuesve, por ata talleshin me mua, më shanin e ofendonin me fjalët më të pista. Kur e shihnin që përmendesha dhe zija pozicionin që s’u pëlqente, atëherë kalonin në metodën e lodhjes dhe presionit psikologjik. Çdo ditë më përmendin se “vendimi për ty është marrë­varje në litar! Këtë e bënte njëri hetues, e pasonte tjetri që ia dorëzonte detyrën një të treti, deri sa rrëzohesha për tokë pa ndjenja. Kërkova të ndërpriteshin ilaçet dhe refuzova t’i pija, por ata m’i jepnin me forcë. Pas disa ditësh u binda që do të më vrisnin pa gjyq, jo se kisha bërë ndonjë krim, por sepse iu mbeta në dorë. I mbyllur në sënduk, me skafandër në kokë dhe i lidhur me pranga, isha kthyer në fakt në një kufomë, ku më kishin mbetur vetëm kockat dhe lëkura. Nga 72 kg që isha, rashë në 40 kg. Vdekja nuk më bënte asnjë përshtypje, bile gëzohesha kur më thoshin nesër do të varim. Kur hetuesit e kuptuan këtë gjë, atëherë më thanë: Ne, përpara se të varim, do të therim te këmbët gruan dhe fëmijët. Pastaj përmendin emra njerëzish të ekzekutuar që ua kishin vrarë fëmijët, ndër ta edhe Teme Sejkon. E dhimbshme është jeta, por më të dhimbshëm janë fëmijët. Jo, e ndërpreva i egërsuar e gati i çmendur, këtë s’e bëni dot se ka ligje shteti. Ne,­ tha Skënder Myftari,­ ligjet i bëjmë vetë dhe i zbatojmë si duam vetë. Më akuzonin se me urdhër të Petrit Dumes do të rrethoja KQ dhe do të vrisja Enver Hoxhën. Kjo,­ u thashë,­ është shpifja më e shëmtuar dhe u kërkoja të ballafaqohesha me Petrit Dumen. Pas 4­5 muajve më ballafaquan me Dumen, por ai s’ngriti asgjë kundër meje Më në fund më dorëzuan aktakuzën. Në të ishin akuzat më të poshtra e më të ndyra. S’i pranova. Të gjithë dëshmitarët që më sollën në gjyq ishin të dënuar nga Partia dhe të gatshëm të dëshmonin kundra kujtdo e për çdo gjë, mjafton të kalonin lumin e të shpëtonin lëkurën e tyre. Gjyqi mbaroi. Më dënuan 20 vjet burg. Përse? Për çfarë krimesh? Mbi çfarë baze, dokumentesh, e faktesh u muar ky vendim? Kjo për mua ka mbetur enigmë. Sigurisht diçka e rëndë duhet të fshihet në atë dosje, derisa dënimi është i kësaj mase. Kam kërkuar disa herë duke këmbëngulur me forcë të sqarohet e vërteta, por ka qenë e pamundur. Në prill të vitit ’76, pa asnjë arsye, më çuan në spitalin e burgut në Tiranë. Kur pyeta pse, më thanë se do të bëjmë disa analiza se e kemi rregull. Ishte natë vonë, sa isha shtrirë në krevat. Në këtë kohë vjen një infermier me një shiringë në dorë për të bërë inxheksionin. Refuzova duke i thënë të thërras doktorin që të sqarohemi. Ai doli jashtë që të bisedojë me të dhe u kthye me dy policë dhe katër copë pranga. Më lidhën këmbë e duar pas hekurave të shtratit e më bënë inxheksionin. Pas disa minutash filloi të më trashej gjuha, të më ngushtohej llogjika, të më vështirësohej frymëmarrja. Kërkova të më hiqnin prangat, por dëgjova vetëm të sharat e policëve. Kështu me tortura kaloi e gjithë nata. Mëngjezi më gjeti pa ndjenja. Nuk e di kur jam përmendur. Desha t’i shkruaj për këtë Partisë, por më ndaluan kategorikisht. Aty provova të gjitha shënjat që kisha pësuar në hetuesi kur më jepnin tablet, por veç se tani veprimi ishte më i shpejtë dhe më i rëndë. Atëherë kuptova se tabletat në hetuesi kishin qenë drogë që përdoren për dobësimin e vullnetit, depresion moralo­psikik dhe vënjen e njeriut në gjendje hipnoze. Në këtë situatë u binda se Ministria e Brendshme ishte kthyer në një fabrigatore e armiqve të Partisë. “Ne,­ më thoshte Feçor Shehu,­ të vrasim e s’i japim llogari askujt!”. Të njëtat gjëra i kisha dëgjuar me qindra herë nga goja e Piro Dautit dhe Skënder Myftarit në hetuesi. D.m.th., këto nuk ishin fjalë në erë, por një vijë e tërë në Ministrinë e Brendshme dhe kuadrot e saj. Akuza ime kryesore ka qënë: Për tradhti të lartë ndaj atdheut, Partisë e popullit, shkelje e betimin ushtarak, përmbysje e partisë dhe pushtetit popullor dhe vendosja e fashizmit. Kushdo që ka njohur sado pak familjen time (qysh stërgjyshin) dhe mua, kurrë nuk do t’u besojë këtyre akuzave. Megjithëse ndaj meje u krijuan gjithë këto dyshime mbi bazën e raporteve të Mehmet Shehut dhe të Ministrisë së Brendshme, mendoj që Partia kishte mundësi t’i vërtetonte ato. Por koha mbase nuk priste dhe u veprua ashtu si u veprua. Po përse gruaja dhe fëmijët e mi të mitur u internuan dhe u hodhën në baltë. Po ata për çfarë krimesh akuzoheshin? Pse u arrestuan vëllezërit e mi dhe u internuan familjet e tyre? Edhe babanë në moshën 87­vjeçare e shpërngulën nga Korça dhe e hodhën në një katund të Beratit dhe në fund vdiq i çmendur. Ja këtë bëri Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij në Ministrinë e Brendshme. E kuptoj tani që Partia nuk e ka të lehtë të ndajë fajtorët nga të pafajshmit, por deri sa jam gjallë akoma jam gati me fakte, argument e dokumente të vërtetoj gjithë fallcitetin e procesit dhe pafajësinë time. Mua praktikisht më kanë dënuar me një vdekje të ngadalshme. Ja këtë s’do ta lejojë Partia! Kam besim te Partia, që çdo padrejtësi që është bërë do të korrigjohet dhe do të vendoset në vendin e vet. Kam besim tek e vërteta, se atë një ditë do ta zbulojë Partia, sado thellë ta ketë futur Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe banda e tyre. Aspak nuk e ekzagjeroj kur them se ndër kuadrot më të pafajshme që ranë viktima të veprimtarisë së tyre, jam unë. Nuk kam kërkuar dhe nuk do kërkoj kurrë mëshirë, falje e lëmoshë për “faje” e “krime” që as i kam bërë dhe as më kanë shkuar kurrë në mëndje.

Please follow and like us: