Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim Nazarko: Jo, Zoti Kotzias, nuk e prishim kurrë Maqedoninë ne shqiptarët

Papritur, ministri i jashtëm i Greqisë doli e foli në mbrojtje të Maqedonisë në një mënyrë që në pamjen e parë duket e habitshme. Greqia e fuqishme, deri tani armik i Maqedonisë, do të mbrojë këtë vend nga nacionalistët shqiptarë… Në pikëpamje ushtarake e ka shumë të lehtë ta bëjë, nëse shqiptarët do të guxojnë të sulmojnë… Siç tha edhe kolegu i tij, ministri i mbrojtjes, pak kohë më parë, arsenali i Greqisë në armatim është shumë herë më i madh se i Shqipërisë. Bëri, më duket, krahasimet në tanke, raketa, anije, etj., etj.

Po pse duhet ta mbrojë, kur deri tani Maqedonisë i ka shkaktuar probleme të dukshme vetëm Greqia dhe jo vetëm për shkak të emrit që mban dhe kërkon ta mbajë kjo e fundit, por edhe për shkaqe pronash të qytetarëve të saj, analoge me ato të pronave të shqiptarëve të Çamërisë?

Ka pak kohë që fqinjët tanë të afërt, kryesisht Serbia  dhe Greqia, por edhe më larg se ata, e konkretisht së fundmi edhe Rusia, kanë filluar të flasin për rreziqet që vijnë nga koncepti i Shqipërisë së Madhe…

Ajo që të bën përshtypje në këtë histori është mënyra e pozimit të problemit që mban era vjetërsi, si në paraqitje dhe në frymë. Duket se Greqia ende vazhdon dhe e shikon fuqinë reale të të tjerëve apo të vetes nëpërmjet dominimit të drejpërdrejtë të territorit apo armatimit që mbart në magazinat e ushtrisë.

Në këtë pikëpamje, nuk është çudi që ende mbahen në këmbë, jo në politikën e qeverisë së tanishme greke, por në segmente të caktuara të kësaj politike apo një pjese të deputetëve të saj, idetë mbi Epirin e Veriut.

Një nacionalisti të thekur shqiptar do t’i kishte ardhur në majë të gjuhës shprehja se Maqedonia është e shqiptarëve dhe sllavët janë të ardhur aty më vonë, etj. Bile mund t’i thoshte ministrit grek, si argument, fjalët e Strabonit grek që Aleksandri i madh nuk është grek. Dhe kjo sepse, po sipas Strabonit, Aleksandrin e Madh e quanin  barbar, që nuk arrinte të provonte origjinën e tij greke dhe prandaj nuk e qasnin në lojërat olimpike, etj., etj. Po këto lloj historirash janë analoge me ato të Greqisë, që pretendon nga vendi fqinj ndërrimin e emrit, sepse i takon asaj ky emër.

A mund të jetë real rreziku nacionalist shqiptar në Maqedoni? A mundet vërtet të flasim për Shqipërinë e Madhe dhe se po çmendemi e po kërcënojmë nëpërmjet saj Ballkanin?

Jo më shumë se tri ditë më parë, në vazhdën e një sërë artikujsh mbi strategjinë kombëtare të vendit, shkrova atë me titullin. « Kush i vë zjarrin Maqedonisë, ka djegur Shqipërinë » . Arsyeja është e thjeshtë dhe natyrisht shumë më e ndryshme nga ajo që ministri grek mendon se duhet të na zërë frika.

Po e riparaqit shkurt idenë themelore të këtij artikulli. Ne dhe Maqedonia kemi një pozicion ideal që na e ka falur natyra. Nëse Shqipëria ka si pikëhyrje Vlorën dhe Maqedonia pozicionin gjeografik që e shndërron në njëfarë dispeçerie nga ku mund të shkohet në Evropë, Lindje apo Rusi, atëhere kuptohet se Shqipëria ka aleate primare në strategjinë e saj kombëtare dhe atë të mbijetesës Maqedoninë dhe aspak apo asnjëherë Greqinë. Shqipëria nuk niset dhe nuk mund të niset kurrë nga ideja megalomane se Maqedonia është më e vogël se ajo vetë dhe prandaj mund të ushqejë edhe iluzione se mund ta rrezikojë apo ta shkatërrojë fqinjin.

Edhe sikur të ishte kështu, pra të ishim shumë herë më të fuqishëm se ajo, ashtu siç mendon ministri grek i mbrojtjes kur krahasohet me ne, nuk duhet ta bënim kurrë një budallallëk të tillë.

Nuk ka nevojë të lexosh apo të kuptosh diplomacinë e madhe për të nxjerrë këtë përfundim ose analog me të. Një shembull gjenial që nuk vjen nga Greqia e lashtë, por nga Roma e ndritur e Perandorit Adrian, ta thotë mjaft thjesht edhe kuptimin mbi fabulën që kërkon të kundërshtojë zotin Kotzias.

Kur ia propozuan perandorit shkatërrimin e Egjiptit nga ku Roma merrte grurin, ai u tha  gjeneralëve të tij se nuk duhej t’u shkonte mendja kurrë për një gomarllëk të tillë. Pas fitores, Roma do të kërkonte para të pafundme për ta rindërtuar vendin e të mundurve. Dhe kjo ishte domosdoshmëri edhe sepse nga Egjipti duhet të vinte patjetër ai gruri me të cilën Roma ushqehej…

Kohë më parë po bëja një bisedë analoge me ish-ambasadorin grek këtu, më duket me emrin Kokotsis. I dukesha nacionalist që mbroja idenë e Korridorit 8 dhe nuk e kuptoja se në vendin tonë nuk mund të kishte investime të atij lloji, për shkak të pushtetit të paqëndrueshëm politik në Shqipëri etj.

I thashë se kishte të drejtë dhe ndoshta në Bruksel, ku ata ishin më të fortë se ne, mund të rrëmbeheshin fonde që mund ta zëvëndësonin këtë korridor me atë grek. Ishte fjala për Egnatian e re. I thashë se ndoshta në Bruksel mund të kishin shkruar raporte ndoshta edhe nga vetë grekët për paqëndrueshmërinë tonë politike, etj., etj.

Mund të keni sukses të përkohshëm- i thashë. Por dikur, të huajt dhe klasa ime e tredhur politike, do ta kuptojnë se Igumenica nuk mund ta zëvendësojë dot Vlorën. I tregova fabulën e dhelprës që ftoi lejlekun dhe i dha qumësht në pjatë, ku ky nuk fuste dot sqepin dhe këtë të fundit që i inatosur i ofroi në kundërvizitë një qyp me diametër të vogël ku dhelpra nuk fuste dot gojën… Të dy ngelën pa ngrënë-thashë- vetëm se dhelpra që e ngriti këtë fabul u dëmtua edhe vetë…

Kjo kohë më në fund erdhi, dhe morali i fabulës është i qartë. Shqiptarët nuk do të çmenden kurrë të prishin apo të tentojnë të prishin Maqedoninë. Ndryshe do të ngeleshin bashkë me ta në një varfëri të pafundme. Shqipëria, si një zorrë qorre dhe Maqedonia në një tension të pafundëm. Jo, historia është më e thjeshtë. Do të vazhdoj ta them e ta shkruaj sa të mundem, se nëse ne do të bënim Vlorën dhe do të shfrytëzonim korridorin 8 që na lidh me fqinjin tonë, do të ishim bashkë me ta edhe zotër të mëdhenj në vatrat tona dhe po ashtu në një miqësi e partneritet real.

Natyrisht, nuk më lejohet t’i jap këshilla një personaliteti si Kotzias, por mendoj se një gjë duhet ta kuptojmë njëherë e mirë. Përrallat e Shqipërisë së Madhe, nuk mund të mbulojnë budallallëqet e mëdha, që kanë bërë dhe ndoshta bëjnë fqinjët që e konsiderojnë madhësinë e vendit apo numrin e topave si fuqinë reale të tyre.

Sado budallaqe të jetë klasa jonë politike, mendoj se ajo prapë do t’i drejtohet paraardhëve të vet të mëdhenj.  Siç po e kam shkruar, Konstandini i Madh i Ilirisë dhe Mehmet Aliu i Egjiptit zgjodhën dhe ndërtuan dy nga pikat ndërlidhëse që dhe sot janë nga më të rëndësishmet për botën. I pari bëri Konstandinopojën dhe i dyti Suezin.

Në vazhdën e parardhësve, pavarësisht gabimeve tona apo të të tjerëve, do të shkojmë edhe ne. Ndërkaq, me modesti mund të them se Greqia do të bënte mirë të kuptonte gabimin me Egnatian e re dhe të lobonte, në mos për Vlorën, siç bëri për portin Igumenicës, të paktën për korridorin e 8-të, ku dhe ajo mund të kishte përfitime reale. Kjo sepse, kur Vlora të bëhej, atëhere dhe Greqia e Veriut do të kish më leverdi të shfrytëzonte atë si port të madh, e ashtu bashkë me ne do të shfrytëzonte me korridorin 8 dhe do të mbronte realisht edhe Maqedoninë si qëndër e kryqëzimit të korridorve të mëdha që të shpien gjithkund….

Ndonjëherë, më mirë se vonë, gabimet duhen kuptuar dhe jo zmadhuar apo fshehur. Ca më tepër se të dyja vendet janë në Evropë dhe mund ta forconin miqësinë, jo duke ndërtuar hipoteza që nuk i përtyp njeri, por duke paraqitur plane reale që i shërbejnë sa vetes dhe po aq të tjerëve.

Please follow and like us: