Si mund të shpëtojmë privatësinë dhe disa rregulla me dietën dixhitale?
A keni dëgjuar ditët e fundit për #MacronLeaks? Natën e fundit të fushatës zgjedhore presidenciale në Francë, 9 Gigabyte me email-e, foto, kontrata, dokumente të piratuara nga email-et personale dhe zyrtare të ekipit të fushatës së kandidatit Emanuel Makron u bënë publike në disa portale, anonime ose pranë ekstremit të djathtë. Pra edhe njëherë, si me Wikileaks e plot raste të tjera, sot jemi të ndërgjegjshëm se çdo bisedë mund të regjistrohet, çdo email e çdo dokument mund të publikohet, ashtu si çdo ngjarje mund të filmohet, me ose pas dijeninë tuaj. Në librin e tij të famshëm, Orwell e parashikonte transparencën totale, në vitin 1984, në një diktaturë imagjinare, totale.
Në 2017 transparenca globale është realitet veçanërisht në të gjithë botën demokratike. Sa herë në këto vitet e fundit janë bërë publike videot intime të këtij, regjistrime në kafe të atij, gjithë email-et e njërit, dhe gjithë dokumentet e tjetrit.
Vetëm mendimet ende nuk na dalin dot dhe shyqyr ! Imagjino pak ç’mund të ndodhte në zyrën tënde nëse kolegia në tryezën përballë do të dinte ç’mendon ti për të.
Apo nëse fqinji do të dinte ç’mendon e shoqja për profesorin e fiskulturës tek palestra e lagjes ?
Atëherë qysh mund të mbrohemi ? Cila do të ishte dieta dixhitale ideale?
- Rregulli 1: Mbyllet adresa e email-it.
- Rregulli 2: Fshihen llogaritë whatsapp, viber, telegram, immo etj.
- Rregulli 3: Krehja dhe veshja në çdo sekondë, që nga zgjimi deri sa te mbuloheni me jorgan para gjumit duhet të jenë të denja për Nicole Kidman apo Sharon Stone. Sepse kush e di në ç’moment do t’ju filmojnë?
- Rregulli 4: Kur flisni në telefon mendoni se po regjistron bisedën, rivalja e radhës.
- Rregulli 5: Me këdo që bisedoni, flisni sikur ai/ajo po e transmeton bisedën live ne facebook.
- Rregulli 6: Nëse për një arsye madhore ju duhet të shkruani një email (kjo nëse nuk jeni në abstinencë të plotë dixhitale) mos përmendni kurrë një person real, por vetëm personazhin e ngjashëm të një filmi për fëmijë për shembull Pinoku, Shtriga, Hirushja, Shkurtabiqi, etj.
- Rregulli 7: Kur flisni për vende përdorni kode.
- Rregulli 8: Në facebook, instagram, twitter shkruani vetëm fjalë të përgjithshme ose citate.
- Rregulli 9: Shikoni nga fillimi gjithë seritë 007.
- Rregulli 10: Rilexoni edhe njëherë nga 1 tek 9.
Hë si ju duket? E pranueshme dieta dixhitale? Apo më mirë të pranojmë transparencën? What a wonderful world! Dëgjohemi javën tjetër./ TiranaPost