Albspirit

Media/News/Publishing

Alfred Lela: 7 ministrat teknikë që guxuan të mos ishin shenjtorë

Kryetari i opozitës i ka dorëzuar mbrëmë, gjatë një tjetër takimi në Pallatin e Kongreseve (ore, këta paskan qenë në hall për t’u takuar!) listën me ministrat teknikë për të cilët u ra dakord në Marrveshjen e 18 majit.

Pa kaluar shumë Rama ka shpallur dakordësinë me emrat. Ky pranim pa rezistencë flet për faktin e një komunikimi nëpërmjet kanalesh të tjera, dhe mbrëmjen e së dielës Basha e Rama janë takuar sa për të hekurosur detajet.

Ata që Kryeministri ka pranuar t’i ketë në qeveri nuk janë ‘pranuar’ nga kritizerët e zakonshëm të çdo gjëje. Eshtë normale në fakt që të kandiduarit apo emëruarit në poste të tilla të larta, të marrin të gjithë vëmendjen dhe të ketë mosdakordësi për emrat, profilet, prirjet, përvojat apo cv-të e tyrë në tërësi.

Eshtë e nevojshme që pavarësisht përmasës së shpirtit kritik, premisat prej nga bëhen kritikat të jenë racionale.

Objeksioni i parë u bë rreth të ashtuquajturit ‘anonimat’ të shtatëshes ministrore.

Objeksioni i dytë rreth cv-ve të tyre të cilat janë përimtuar me kudes apo dhe me dashakeqësi.

Objeksioni i tretë rreth lidhjeve të tyre politike.

Objeksioni i katërt rreth deklaratave të tyre publike.

Duke i marrë me radhë objeksionet dhe duke ia filluar nga kreu, duhet theksuar se profili i ministrave teknikë, të cilët mund të quhen edhe ‘kalimtarë’ apo ‘kujdestarë’, nuk ka ansjë nevojë të njohjes apo publicitetit. Duke qenë se kriteri kryesor i tyre, që i bën të pranueshëm për palën që merr propozimin, pra Ramën, është apolitikja. Pra, që nuk dëshmojnë lidhje të dukshme, jo si bindje, por si ekspozim. Përjashto Gazmend Bardhin, i cili është këshilltar ligjor i PD, të tjerët kanë luajtur role profesionale dhe jo politike.

Për këtë arsye, Rama i ka pranuar, siç ndoshta (jemi në territoret e hamendjes këtu), ai ka hedhur poshtë kandidatura të tjera që i janë dukur politike.

Kur revanshi kritik ndalet te cv-të, apo biografia e ministrave të rinj, këtu pandershmëria theksohet. Sepse, ta pranojmë, ministrat në këtë vend, me përjashtime të rralla, nuk kanë qenë profesionistë brilantë me cv-të pakonkurueshme. Sytë dhe shija na janë mësuar gjatë me rioshë që i ka hedhur në karrigen e ministrit batica apo aktiviteti i dendur partiak; me mesoburra apo mesogra besnikë të njërit apo tjetrit kryetar; apo të tjerë që, thjesht, kanë plotësuar një kriter krahinor, fetar apo gjinor. Ne nuk kemi qenë Republikë e ministrave brilantë.

Turravrapi për ta kërkuar diamantin pa pikë qymyri te 7 ministra tre mujorë është një teprim. Kjo nuk do të thotë se ministrat e propozuar prej Bashës nuk ishin shkujdeshëm mbi mesataren e ministrave të Shqipërisë.

Gazmend Bardhi dhe Dritan Demiraj janë profesionitë të shkallës së parë në fushat e tyre. Nuk mund të qortohen as zonjat që do të zëvendësojnë z. Peleshi, apo të tjerët.

E vetmja që duket se e ngadalëson shpejtësine profesionale të 7-tëshes ministrore, është zonja që do të drejtojë Arsimin. Cv-ja e Karabinës e nxirrte prej poreve të rreshtave stërmundimin e vetëmbushjes me vija jete (një emër tjetër për curriculum vitae).

Këtij padurimi nuk i shpëtonte as të shënuarit e ‘punës’ si ‘grua ambasadori’. Por, kjo ndoshta nuk është gjë tjetër veçse shenjë transparence. Imagjinoni sikur ato vite të ishin lënë bosh. Kritizerët do t’i mbushnin me lloj lloj hamendjesh.

Lidhjet politike janë përherë një gjah i majmë për dhëmbët e urisë konspirative, ku bëhen bashkë media dhe politika. Ata që sulmojnë lidhjet politike të të tjerëve, nuk e di pse, gjithmonë ia falin vetes lidhjet politike dhe ekonomike. Kjo në më të paktën është një standard i dyfishtë. Që të çon në siujdhesat e pandershmërisë.

Po, lidhjet janë të rëndësishme në politikë! Ato paraqesin rrezik kur prekin standardet e profesionalizmit; janë pengestare të konkurencës; apo i bëjnë hije meritokracisë. Standardi i besimit dhe i luajalitetit nuk është i huaj dhe as duhet të jetë në politikë.

Qortimi i fundit që u bëhet ministrave janë deklaratat apo qëndrimet e tyre publike. Në i godituri në këtë brinjë ka qenë koloneli Dritan Demiraj, një ushtarak i lartë i shkarkuar nga ministrja Mimi Kodheli. Ai ka bërë disa pohime dhe deklarata të forta kundër qeverisë. A e bën ky ‘paragjykim’ të papërshtatshëm për të qenë në qeveri? Me të njëjtën masë, as Lulzim Basha nuk mund, apo nuk duhet të bënte Marrëveshje me Edi Ramën. Sulmet e ndërsjella të Kryeministrit dhe shefit të opozitës kanë qenë më të ububushmet.

Procesi politik është si jeta. Vazhdon.

Please follow and like us: