Albspirit

Media/News/Publishing

Albana Shala: Conversations with Albanians

 

Miremengjes miq e dashamires te librit, dhe ne kete rast te Conversations with Albanians,

Duke ju uruar nje dite te mbare, po ndaj me ju ate qe ndoshta mund te percaktoje perse u hodha ne FB dhe doja te botohej ky liber:

Kam vite që jam larguar nga Shqipëria. Nuk ka çast që të mos e ndjej veten shqiptare. Lidhja e drejtëpërdrejtë e emrit të vendlindjes me emrin tim vetëm sikur ja ka shtuar ngarkesën emocionale të vendimit që mora më shumë se njëzet vjet të shkuara për të qëndruar në Holandë. Falë gjuhës, zakoneve, familjes, miqësive dhe kujtimeve nuk mund të ‘çlirohem’ nga prejardhja ime, nga vendi im. Si Hënë i sillem rrotull dhe e këqyr me mall, me gëzim e me trishtim. Çdo ndërtim, rregullim, riparim e zbukurim atje më gëzon. Çdo histori me krim, dhunë, korrupsion më trishton e më indinjon.

Si një Hënë në orbitën e Shqipërisë, bëj-çbëj dhe ribëj një botë të vogël timen shqiptare. Ajo botë është e populluar me shokë e miq me të cilët kam ndarë fëmijërinë e rininë. Potretet e disa prej tyre do t’i lexoni në faqet e këtij libri. Ndoshta ata nuk e dinë që jetojnë kaq intensivisht me mua, në këtë dimension. Dhe më mirë kështu. Sepse ndryshe malli do të na i lidhte duart dhe kokën do ta mbanim gjthnjë pas. Më mirë ta imagjinoj veten të ulur me ta, me një gotë verë, në shtëpinë time në Amsterdam. Më mirë të fantazoj se si do të ishte po të udhëtonim së bashku nëpër botën e madhe, gjë që e kemi ëndërruar dikur, apo se si njëherë do të mund të mblidhemi të gjithë e të festojmë buzë detit në Shqipëri.

Miqtë e mi i kanë dalë zot jetës së tyre. Ata sot janë individë të lirë, burra e gra, nëna e baballarë, disa edhe gjyshër. Edhe ata jeta i lidh me shumë fije të dukshme e të padukshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pas kaq vitesh ne kemi mbetur miq, vetëm me dashje. Asnjë detyrim, asnjë autoritet, asnjë idelogogji apo forcë e lartë nuk na shtyn drejt njëri tjetrit. Me disa vërtetë shihem rrallë, shumë rrallë. Tashmë falë Internetit shkëmbejmë lajme, fotografi, ndajmë kujtime e mbresa, dhe mbi të gjitha përpiqemi të ndajmë më shumë nga e sotmja. Portretet e tyre në këtë libër janë të kohës së sotme, janë portrete që mund të ngrihen vetëm me dijen dhe me përvojën që na ka dhënë jeta përpara dhe pas viteve 90.

Ideja e këtij libri u konceptua atëherë kur e kuptova dhe ndjeva me gjithë qenien time që pa miqtë e mi, Shqipëria nuk do të peshonte kaq rëndë. Janë ata, që i japin kuptim kthimit në shtëpi, janë ata, që e bëjnë Shqipërinë e sotme timen.Janë ata, dhe shumë miq të tjerë, të cilët nuk janë përshirë në këte libër, që e mbajnë në balancë sistemin tim planetar.

Libri është edhe një përpjekje për të ndarë një copë jete Shqipërie edhe më ata që nuk janë shqiptarë dhe duan të dinë diçka (më shumë) për këte vend të vogël e njerëzit e tij.

Shkrimtari Claudio Magris i referohet identitetit si ‘një tjetër tmerr, sepse ja detyron ekzistencën e tij gjetjes së një kufiri dhe mospranimit të çfarëdo lloj gjëje që është në anën tjetër’ (Magris, Microcosmos, 2000). E sjell këtë përcaktim sepse ne u lindëm dhe u rritëm në një vend krejt të vetmuar e të izoluar që identitetin e secilit shqiptar e ngrinte në kundërshtinë e refuzimin e pakuptimtë thuajse të gjithçkaje që vinte nga bota që na rrethonte.

Jam krejt e ndërgjegjshme që përzgjedhja e disa miqve të mi, dhjetë e jo më shumë, për të qenë personazhe të këtij botimi, është personale dhe deri diku edhe e rastësishme. Të gjithë m’u përgjigjën menjëherë, gjithë dashamirësi e seriozitet, kur i pyeta nëse mund të bisedonim për një libër që do të kishte në qendër miqësinë tonë e jetën e tyre. Ata nuk janë figura e personalitete publike, megjithëse prirjen e ndonjërit për tu bërë i/e tillë dhe faktin që, do s’do, në Shqipërinë e vogël individët e shpirtrat e lirë spikasin.

Pra pa dashur që ky libër të dominohet nga VIP-a, nga politikanë dhe njerëz të shquar të cilët i shohim gati çdo ditë në ekran, tek vendosin për fatet e vendit e flasin në emrin tonë në parlament e forume, kam synuar të dokumentoj jetën dhe ‘bëmat’ e njerëzve ‘të zakonshëm’, të atyre që mund ti takosh në rrugë, në kafene, në plazh, në rradhë, në palestër, në aeroport, në kopshtin e fëmijëve. Asnjëri prëj nesh nuk pretendon që të përfaqësojë një brez, aq më pak një popull të tërë. Por duke përshkuar dhe, deri diku, reflektuar për veten, miqtë e mi ndajnë jetë, gëzim, përpjekje e nerv jo vetëm me mua, por edhe me ju, me të gjithë ata që rreken ti përgjigjen pyetjes: nga vimë? Ku jemi dhe ku po shkojmë? Aq më tëpër po të kemi parasysh njëmijë fijet e padukshmë të mbijetesës tonë të mbyllur, e cila i përngjante jetës së personazheve të ‘Middlemarch’ romanit historik të George Eliot. Që në 1870, shkrimtarja e madhe përdorte metaforën e rrjetit për të përshkruar jetën në provincë kur shkruante: ‘shoqëria është një rrjet, prej të cilit nuk mund të veçosh asnjë fije pa prekur gjithë të tjerat’.

I gjithë libri është bazuar tek intervista. Ischa Meijer, një nga gazetarët më të mirë holandezë të shekullit të kaluar, i njohur si mjeshtër i intervistës thoshte që një pyetje e mirë e lë çdo përgjigje në hije. Ky nuk ka qënë synimi im. Në fakt, nëse ka zbehtësi e cektësi aty këtu kjo ka të bëjë vetëm me mungesën e përvojës time për të trajtuar çështjet e ndjeshme që ngrenë miqte e mi në këto shkrime. Nuk mendoj që biseda jonë mbaron këtu, sepse as pyetjet dhe as përvojat nuk kanë të shterrur.

Më pas Meijer shton: ‘Në fakt nuk më pëlqen që kur intervistoj të kem pranë edhe një njeri tjetër, i cili ka mendimet e tij dhe do të thotë se s’bën atë që mendon. Për shpirt, do ti kisha thënë: Unë vërtetë po të intervistoj, po ti më mirë shko në shtëpi. Sepse përgjigjem unë për ty, dhe sinqerisht, të siguroj që do të dalë mirë e bukur!’

Me këtë i falenderoj të gjithë miqte e mi për kohën, për besimin, për dëshirën për të reflektuar e zbuluar veten, duke u vënë në qendër të vëmendjes.

Nuk jeni të përsosur dhe prandaj jeni të mrekullueshëm.

Ju faleminderit dhe mirupafshim me dt.1 qershor, pra 18.30 te Qvo Vadis kafe bar!

Please follow and like us: