Albspirit

Media/News/Publishing

“Taraboshi”, spiuni nga Berati që kërcënonte Haxhi Ramën dhe “Karletën e verdhë”

Në vitin 1974 ish –aktori dhe dramaturgu i ri durrsak, Haxhi Rama, sapo kishte përfunduar kursin për regjisor. Puna e parë që vuri në skenë, pas kursit, ishte një komedi e shkruar nga ai vetë, “Kartela e verdhë”.  Komedia pati një sukses të jashtëzakonshëm, falë edhe interpretimit të shkëlqyer të aktorit Mirush Kabashi në rolin e Telit. Komedia ngrihej mbi një subjekt të thjeshtë, që lidhej me tifozërinë e qytetit, “çmendurinë” e saj ndaj skuadrës së futbollit, me plot situata komike e argëtuese, por që nga instanca të caktuara komedia nuk u vlerësua edhe aq se ishte jashtë “rregullave” dhe parimeve të realizmit socialist. Aq më tepër që vinim pas udhëzimeve të Plenumit IV. Megjithatë, nga koj pikëpamje ky teatër kishte vënë në skenë dy tre pjesë të tjera me partishmëri të lartë si “Zani partizani” apo “Koha e komisarëve” . Pas Durrësit komedia bëri një tur po aq të suksesshëm në teatrot e rretheve, sikurse edhe në Berat. Pikërisht në këtë kohë,  futet në lojë bashkëpunëtorit “Taraboshi”, nga Berati, i cili mendon t’i japë një dorë Partisë dhe t’i hapë sytë Degës së Punëve të Brendshme, Durrës, kundrejt kësaj vepre. Por Dega e Punëve të Brendshme,  Durrës informon edhe Sekretarin e Parë të KP të Rrethit, Qirjako Mihalin.  Ja informata e “Taraboshit”:

***

“Republika Popullore e Shqipërisë

Ministria e Punëve të Brendshme

Dega e Punëve të Brendshme Durrës

Ana e Sigurimit

15.10.1975

 Lënda: Mbi komedinë “Kartela e verdhë”

 Sekretarit të parë të KP të Rrethit, shokut Qirjako Mihali, Durrës

Ju njoftojmë se nga një burim i Degës së Punëve të Brendshme Berat është konstatuar se komedia “Kartela e verdhë”, e cila është vënë në skenë nga trupa teatrale “Aleksandër Moisiu” e qytetit të Durrësit dhe që është shfaqur edhe në Berat, është me përmbajtje jo të mirë ideologjike e me nivel të ulët artistik dhe për pasojë dëmton edukimin e masave dhe të brezit të ri.

Në këtë të dhënë thuhet: “Shfaqja nuk ka bosht ideologjik dhe spektatori nuk jeton asgjë pozitive veçse me humor bajat e pa kuptim. Dominon fund e krye fryma e intelektualizmit liberal e anarkist. Shfaqja kultivon një tifozllëk të sëmurë që për sportin të lësh punën, të nxjerrësh skarcitete, të humbasësh disiplinë e klasës. Në këtë shfaqje jepet një zgjedhje qesharake dhe e dëmshme, siç është rasti i ngrënies sapun nga personazhet Teli e Foni për t’ia arritur qëllimit për të marrë raport që të shikojë ndeshjen, marrëdhëniet e të rinjve te neve nuk prishen e ndreqen ashtu siç paraqitet në shfaqje ku bëhen presione të pabesueshme jo morale.

Shfaqja nuk ka nivel artistik, i mungon dramaciteti, kalohet nga një fazë në tjetrën pa emocione, duke dëgjuar vargje pa kuptim si p.sh. “sa ka kjo botë, sa ka kjo botë më shumë vajza se lot”.

Komedia është shkruar e vënë në skenë nga regjisori Haxhi Rama”.

***

Megjithatë, për fat të mirë, nuk u morën masa dhe komedia nuk u ndalua. Përkundrazi, suksesin e komedisë “Kartela e verdhë” Haxhi Rama e vijoi me të njëjtët personazhe  e me situata të tjera gazmore e argëtuese në vitin 1980 në komedinë tjetër “Lojtari nr. 10”. Haxhi Rama, dramaturgu dhe regjisori i talentuar, një nga shtyllat e këtij teatri, shpesh herë kishte rënë në qendër të survejimeve të sigurimit të Shtetit dhe ky nuk ishte rasti i vetëm.

Please follow and like us: