Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: BALADË

Ushtari i lashtë me fashë në sy
Drejt për Bagdad ia nis me msy.

Karvan e han… në rrugë të gjatë
Në krah atij iu ngjit një vashë.

Ushtar, i tha, ti m’u bëj shok,
Në rrugë të largë taban e shkop.

Helmetë në kokë… e thellë në trastë
Mortin e ftohtë, mortin e thatë

Dhe ec e ec për në Bagdad
Vashë e ushtar mustaqetrashë.

Lëpin ushtari mort e plagë,
Mbi kokë i nxika një fantazmë,
Mbetur e gjallë nga motet larg.

Shpata në brinjë i pikte gjak
E vasha krihej për merak,
Në çezmë këmbët kur i lan,
Fantazmës loti i ngrin kallkan.

Morti me dritë, vasha me natë
Dhe ec e ec për në Bagdad.

Në ag kur shfaqen minaretë
Vasha tinëz në dritë u tret.

Ushtari i moçëm mustaktrashë
Me mort për krahu pa një vashë.

Ushtari plak me shtizë në tru
Ish në Bagdad a s’dij se ku?

Beograd, 2012

Please follow and like us: