Albspirit

Media/News/Publishing

Bojaxhi: Një koalicion PS-PD dëmton reformën në drejtësi

“Më e lehtë të ngjitësh Everestin apo shkallët e kryeministrisë..?! Në fillim Everesti dukej ëndërr e pamundur, siç duket sot rithemelimi i klasës politike brenda pak vitesh”

Themeluesi dhe kandidati për deputet i partisë “Sfida për Shqipërinë” Gjergj Bojaxhi, gjykon se një koalicion mes të majtës dhe të djathtës do të dëmtonte implementimin e reformës në drejtësi.

I pyetur lidhur me ndikimin që mund të ketë një bashkëpunim i tillë, Bojaxhi shprehet skemptik duke nënvizuar se partitë politike ne vend janë klienteliste dhe konceptin “e majtë” dhe “e djathtë” e përdoret thjesht për fasadë.

Në intervistën dhënë për gazetën “TemA”, ai argumenton se në politikë do të vijojë të ketë ende servilë dhe individë të paaftë që nuk do mund t’i shërbejnë vendit përderisa listat e kandidatëve hartohen nga kryetarët e partive.

Më tej, Bojaxhi rendit edhe një sërë arsyesh se pse sipas tij shqiptarët duhet ta votëbesojnë në garën e 25 qershorit.

Bojaxhi, vini si parti e re në këto zgjedhje. Referuar historisë sa herë vijnë forca të reja premtojnë se do të jenë ndryshe nga kasta e vjetër dhe pasi fitojnë votëbesim ata harrojnë ç’kanë thënë. Pse duhet t’ju besojmë juve?

Lista e kandidatëve që “Sfida për Shqipërinë” i ka vendosur Shqipërisë përpara si alternativë, përbëhet nga kandidatë profesionistë, të mirë arsimuar brenda dhe jashtë vendit dhe me qytetarë që deri më sot kanë refuzuar të bëjnë karrierë politike me rregullat e kastës së vjetër.

Sfida është ndërtuar në një mënyrë të tillë për të mos qenë e kapur dhe të mos jetë pronë e askujt. Ne kemi demokraci të brendshme dhe e vetmja parti që kemi shpallur kandidaturat sipas parimit: “Një anëtar një votë”. E vetmja parti e cila nuk ka lista të kryetarëve por të anëtarëve. Nëse do që të kesh ambicie dhe karrierë politike, këtë gjë duhet t’ia “lypësh” anëtarëve dhe jo kryetarëve. Kjo sipas meje ndërton të gjithë raportin dhe eviton atë korrupsion apo nepotizmi që kryhet brenda partive politike.

Por çfarë garancie kanë shqiptarët që nëse ju japin votën, nuk do të zhgënjehen pas katër vitesh?

Siç ju thashë Andrea, garancia që ne ofrojmë janë figurat e individëve dhe modeli i partisë së ndërtuar. Të dyja bashkë formojnë garancinë. Përtej kësaj dua të them se zë vend edhe programi politik i Sfidës. Është e vetmja forcë politike që nuk po thotë se ne jemi më të mirë se të vjetrit dhe na besoni të vijmë në pushtet. Sfida jo veç po thotë se jemi thjesht më të mirët, por ne jemi shumë më ndryshe nga ata. Po kërkojmë të kufizojmë pushtetin e politikanëve kushdo qofshin ata, ne apo të tjerë që mund të vijnë nesër.

Flitet për një skenar të mundshëm koalicioni Rama-Basha, nën optikën tuaj, sa i mundshëm është ky koalicion pas zgjedhjeve?

Ne kemi kohë që e kemi bërë të qartë se këtu ka një klasë politike e cila ka të njëjtin model, moral dhe drejton vendin me korrupsion, nepotizëm dhe klientelizëm. Veç ndryshojnë ngjyrat e fasadave të partive apo stili, por nuk ndryshon mënyra  e qeverisjes.

Marrëveshja mes tyre na konfirmoi edhe njëherë se kjo klasë politike nuk ka asnjë ndryshim brenda saj dhe është e gjitha me të njëjtin model. Nuk janë të interesuar për stabilitetin e shoqërisë dhe të vendit, por janë të interesuar për stabilitetin e karrigeve të tyre.

Për pos klauzolave të kësaj marrëveshje, gjykoni se mund të ketë një marrëveshje tjetër të fshehtë mes tyre?

Në një mënyrë apo në një tjetër këto parti bashkëqeverisin dhe merren vesh shumë mirë me njëra tjetrën. Nëse kjo marrëveshje është publike dhe e institucionalizuar në bashkëqeverisje apo jo, kjo është dytësore.

Si mendoni se do të ndikonte një koalicion qeverisës së të majtës dhe të djathtës siç e kemi parë në Francë, Gjermani apo edhe vende të tjera?

Nëse do të kishim një të majtë apo një të djathtë parimore mendoj se do pranoja që të besoja se do të ishte diçka në interes të vendit. Përderisa ne kemi disa parti që janë klienteliste dhe konceptin “të majtë” apo  “të djathtë” e përdorin thjesht për fasadë, atëherë mendoj se do ketë të bëjë me stabilitetin e pushtetit dhe jo të shoqërisë apo zhvillimit të ekonomisë së vendit.

Opozita që pas shpalljes së listave të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike, është përfshirë në një krizë serioze brenda strukturave. Si e keni përcjellë panoramën e ngjarjeve të zhvilluara rreth saj?

E vetmja mënyrë për të rregulluar Shqipërinë është për të rregulluar dhe demokratizuar partitë politike. Partitë të cilat listat e kandidatëve i bën ende kryetari, janë parti të dështuara të cilat prodhojnë vetëm korrupsion. Ky fenomen qëndron për të gjitha partitë politike ne Shqipëri. Për aq kohë sa karriera politike e këtyre individëve që kanë dëshirë të marrin pjesë në jetën publike varet nga firma, apo nga qejfi i kryetarit të partisë se si u zgjua, ne do  vijojmë të kemi servilë ndaj kryetarëve dhe jo përfaqësues politikë që i shërbejnë qytetarëve.

Një bashkëpunim i tillë, çfarë efektesh do të shkaktonte tek implementimi i reformës në drejtësi?

Diçka nuk po marrim vesh. Këto parti kanë qeverisur për 26 vjet, nëse reforma në drejtësi do fusë në burg të korruptuarit këta kanë nevojë të bëhen bashkë për të futur në burg veten e tyre?

Ja u kam bërë dhe më herët këtë pyetje. Nëse humbni në zgjedhje, cila do jetë sfida e radhës për partinë “Sfida për Shqipërinë” ?

Mendojmë se Sfida do të jetë sukses pasi për herë të parë një grupim qytetarësh formon një forcë politike dhe për herë të parë një parti hyn në zgjedhje pa bërë kompromise apo pazare me askënd.

Në vetvete edhe kaq sa është bërë deri më sot, mund të konsiderohet si një sukses për shoqërinë shqiptare.

Me sa numra do të kurrorëzohet, mbetet për tu parë. Ne mendojmë se jemi shumë dhe besojmë se bashkë mund ta ndryshojmë këtë vend.

Ky mund të jetë një proces i gjatë dhe hapi i parë që ne po hedhim është mjaft i nevojshëm për të vijuar më tej.

Së fundmi do doja të dija diçka prej jush. Flasim për sfida. Më lehtë është të ngjisësh Everestin apo të ngjisësh shkallët e kryeministrisë?

Andrea, për Everestin dhe për Sfidën do thosha se me një skuadër të mirë, me këmbëngulje, pasion apo sakrifica, ngjitet edhe maja më e lartë në botë gjithashtu edhe shkallët e kryeministrisë. Nëse të gjithë janë nisur nga pushteti që sjell qeveria, ne do të na kenë përballë për të kundërshtuar çdo marrëveshje të fshehte dhe për të sjellë aty alternativën qytetare. Everesti do kohë të ngjitet, po ashtu edhe opozitarizmi.

Në fillim Everesti dukej ëndërr e pamundur, siç duket sot rithemelimi i klasës politike brenda pak vitesh./Andrea Danglli-TemA/

Please follow and like us: