Albspirit

Media/News/Publishing

Xhaferaj: Pse Berisha nuk duhet të heshtë

Ferdinand Xhaferaj

Katër vite më parë, për Partinë Demokratike nisi udha e vështirë opozitare e diktuar nga verdikti i zgjedhjeve të 23 qershorit. Nisur nga problematikat që ekspozoi qeverisja e PD-së, nuk çudiste shumëkënd mossuksesi në zgjedhje i Partisë Demokratike. Pra, çudia katër vite më parë nuk qëndronte te humbja e zgjedhjeve, por te rezultati tejet i dobët në zgjedhje. Paradoksalisht, problemi katër vite më pas nuk lidhet me faktin nëse i fiton apo jo zgjedhjet Partia Demokratike, por shumë më keq se kaq. Partia Demokratike në këtë fushatë nuk po arrin të prekë qytetarët, situatë kjo që nuk është hasur asnjëherë më parë. Arsyeja është sepse politikat dhe listat demokrate nuk janë motivuese, ndonëse qeveria e Edi Ramës ka mbjellë një pesimizëm të pamasë në ekonomi e më gjerë. Më poshtë do të hidhet dritë mbi arsyet dhe influencat në Partinë Demokratike të cilat po frenojnë suksesin e saj me qytetarët. Tashmë kanë kaluar disa vite që nuk marr pjesë aktive në politikë. Por, kush është jashtë pretendimeve, nuk është jashtë përgjegjësisë për fatin e PD-së.

Arsyeja e parë: Partia Demokratike nisi të bëjë një analizë mbas humbjes së zgjedhjeve të 2013-ës, por nuk nxori mësime nga analiza e kryer. Analiza u konceptua dhe u materializua vetëm për t’u thënë qytetarëve se ‘bëmë analizë’, dhe jo për t’i thënë vetvetes se ‘ku gabuam dhe ku duam të shkojmë’. Për rrjedhojë analiza nuk shërbeu për të rimëkëmbur Partinë Demokratike.

Arsyeja e dytë: Në katër vite opozitë, strukturat e partisë janë tërhequr zvarrë në kushtet e një vendimmarrjeje shumë herë të munguar, pak herë të gabuar dhe shpeshherë të vonuar. Si pasojë, edhe në harkun e katër viteve nuk ishim në gjendje të strukturonim partinë në të gjithë gjeografinë e Shqipërisë.

Arsyeja e tretë: PD-ja qëndron e paqartë dhe e ftohtë në raport me partnerët ndërkombëtarë. Ka një konsensus të gjerë për faktin se kur Basha shërbente si ministër i Jashtëm, ishte i pëlqyer ndërkombëtarisht. Por, nëse do të komentonim raportet aktuale të Partisë Demokratike me partnerët, fatkeqësisht do të thoshim se mjaftojnë retorikat e ndërsjella për reformën në drejtësi për të kuptuar hendekun që është krijuar midis Partisë Demokratike dhe partnerëve. Për më tej, deklaratat në adresë të PD-së kur ishim futur në çadër na bëjnë të kuptojmë se në raportet me Perëndimin kemi prekur nivelin e ngricave politike që nuk janë parë as në vitin 1997.

Arsyeja e katërt: lidhet me alternativën e PD-së, e cila nuk ka një bosht ideologjik dhe flet shumë për subvencione, duke e lënë të djathtën të papërfaqësuar. Në të vërtetë, platforma e Partisë Demokratike duhej të garantonte jo kush do të subvencionohet me çfarë, por se si Shqipëria do të ndryshonte nga një alternativë e qendrës së djathtë, që ka si gur themeli shpërblimin maksimal të atij që punon shumë. Por, është tejet e trishtueshme, sepse aktualisht Partia Demokratike e sheh rrugën drejt qeverisjes jo si produkt i alternatives, por si një gjysmë dhuratë që do vijë nga Edi Rama. Për më keq, vizioni i ‘republikës së re’ hapi çadrën për të rrëzuar Edi Ramën dhe e mbylli atë në bashkëdakordësi me Edi Ramën.

Arsyeja e pestë: ka të bëjë me raportin midis Bashës dhe Berishës. Me gjithë kujdesin e Bashës dhe Berishës për të kapsuluar mosrakordimet mes tyre, duket se mosfunksionimi si apo sa duhet i marrëdhënies nuk ka ndihmuar në shëndoshjen e PD-së. Reforma në drejtësi ishte një test i rëndësishëm, ku sjellja politike e individëve më të rëndësishëm në partinë kryesore opozitare dëshmoi, jo rastësisht, mungesë kohezioni. Për më tej, Berisha kishte dëshirë të bënte me dije se ishte duarjashtë në hartimin e listës së PD-së. Por, procesi i hartimit të listave të Partisë Demokratike konsiderohet problematik jo për faktin se kush u përfshi në listë dhe kush mbeti jashtë liste. Përgjithësisht duket se Basha ka konkretizuar një ide pozitive për t’i prirë listat me individë të spikatur nga bota e akademisë, dhe kjo është një gjë e mirë. Por, procesi duhej të ishte edhe më shumë transparent, edhe më shumë institucional. Pra, kemi një listë që po has vështirësi në ndërtimin e kohezionit me strukturën e Partisë Demokratike. Kjo po prodhon dhe do vazhdojë të prodhojë një fushatë ku kandidatët e PD-së do të përcillen te qytetari kryesisht vetëm nga ekranet mediatike. Kjo është shumë pak për ta çuar PD-në edhe drejt objektivave minimalistë të saj.

Së fundmi, z. Basha adresoi qejfmbetjet në listë me përcaktimin gjithëpërfshirës se karriget nuk janë të përhershme. Më herët Fatos Nano dhe më pas Sali Berisha kanë dhënë dorëheqje mbas fushatave zgjedhore që nuk kanë prodhuar rezultatin e dëshiruar, duke krijuar vërtet precedentin se karriget nuk janë të përhershme. Nuk do të kishim dëshirë që ky përcaktim i Bashës të përdorej edhe mbas zgjedhjeve. Bie dakord se karrigia nuk është e përhershme, por Partia Demokratike medoemos duhet të jetë. Për këtë z. Berisha, që ka një ndikim mbi bazën e partisë, duhet detyrimisht të flasë. Ai nuk mund të vazhdojë të jetë i tërhequr me postime, në respekt dhe në përputhje me renditjen e tij në listën e Tiranës. Ai duhet të flasë për hir të rolit e influencës që mbart në PD. Mbas 25 qershorit mund të jetë shumë vonë për të ringritur Partinë Demokratike.

Pavarësisht sa shprehëm më lart, shpreh bindjen se Lulzim Basha do të ishte një kryeministër më i mirë se Edi Rama edhe për faktin madhor që nuk është as i lidhur dhe as i kapur nga krimi. Nuk duhet të harrojmë në asnjë moment se Edi Rama do mbahet mend si kryeministri që çdrogoi Lazaratin dhe drogoi të gjithë Shqipërinë. Mbijetesa e PD-së duhet të jetë qëllimi i vetëm i demokratëve në këto ditë tejet të vështira për Partinë Demokratike.

Please follow and like us: