Albspirit

Media/News/Publishing

Abetaret, gramatika dhe fjalori i gjuhës shqipe nga Kristoforidhi

Profesor Xhevat Lloshi, në 190-vjetorin e lindjes së “bababit të gjuhës shqipe”, Kristoforidhit mbajti një ligjëratë për kontributin e tij në zhvillimin e gjuhës shqipe. Lloshi promovoi kolonën e përkthimeve të tij. Ndërsa, Dhjata e Re, e parë në gegërisht pritet të dalë së shpejti

“Ndërmjet viteve 1865–1879, të vetmit libra shqip, që janë prodhuar dhe që kanë qarkulluar në Shqipëri, kanë qenë librat e Konstandin Kristoforidhit, botuar nën kujdesin e Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja. Pra, për pesëmbëdhjetë vjet gjallëria e librit shqip është mbajtur vetëm nga Kristoforidhi.”

Kështu shprehet prof.dr. Xhevat Lloshi, me rastin e ribotimit të katër librave të Kristoforidhit: “Krijesa & Të dalëtë” (gegërisht, 1872), “Psalmet” (gegërisht e toskërisht, 1868, 1872), “Pesë libra të Dhiatës së vjetër” (toskërisht, 1882–1884), “Historia e Shkrimit të Shenjtë” (gegërisht e toskërisht, 1870 e 1872) dhe “Katër katekizma” (toskërisht e gegërisht, 1867 e 1872). Për më shumë se dyzet vjet, prof. Lloshi ka studiuar jetën dhe veprat e “babait të gjuhës shqipe” dhe i ka transkriptuar në alfabetin e sotëm, një punë e jashtëzakonshme që mundëson studimin bashkëkohor të këtyre teksteve. Për më tepër, Lloshi i ka pajisur këto botime me studime analitike mbi origjinën e teksteve, lidhjet e Kristoforidhit me Shoqërinë Biblike, historinë e përkthimit shqip, sfidat dhe vështirësitë e botimit në mjedisin shqiptar të shek. XIX, jetën e Kristoforidhit, punën e misionarit skocez Aleksandër Tomson, problemet politike etj.  Tre prej këtyre botimeve janë librat e “Dhiatës së Vjetër”, të cilët nuk dihet të jenë përkthyer më parë në historinë e librit shqip, para se të bënte këtë punë Kristoforidhi në bashkëpunim me Aleksandër Tomsonin. Në librat Psalmet dhe Historia e Shkrimit të Shenjtë dhe Katër katekizma, teksti gegë dhe toskë janë faqosur krah për krah për të lehtësuar studimet krahasimore. Në ambientet e BK-së ishin ekspozuar edhe disa nga botimet origjinale të Kristoforidhit nga fondi i Bibliotekës Kombëtare dhe nga arkivi i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante.

Lloshi: Përse Kristoforidhi vetëquhet babai i gjuhës shqipe?

Si u bë Kristoforidhi përkthyesi më i shquar i Biblës në gjuhën shqipe? Në vitin 1847, që shkoi në Janinë zv/konsulli austro-hungarez J. G. Hahn shkoi dhe Kostandin Kristoforidhi nga Elbasani. J. G. Hahn interesohej për tregti, por pa se Janina vazhdonte të ishte qyteti i shqiptarëve të Ali Pashë Tepelenës, (nuk kishte shumë vite që i kishin prerë kohën Ali Pashës). Prandaj duhet të mësonte gjuhën shqipe. Disa njerëz i thanë që mënyra më e thjeshtë ishte nëpërmjet Anastas Panajotit dhe Kostandin Kristoforidhit. Pasi i mori këta të dy u morë vesh me ta nëpërmjet përkthimit të Biblës. Për tre vjet rresht J. G. Hahn mësoi gjuhën shqipe. Ndërsa, nga ana e vet Kristoforidhi mësoi, kuptoi dhe përvetësoi në mënyrë shumë serioze punën me gjuhën shqipe dhe me tekstet e përkthyera prej saj. Në këtë mënyrë mësoi metodën e punës, si punohet edhe mësohet gramatika. Njëkohësisht ai mësonte në Zosime të Janinës Greqishten e vjetër. Pas kthimit nga Janina në Elbasan ndenji pak kohë. Për fat të keq brenda pak muajsh i vdiqën prindërit dhe e mori xhaxhai, që ishte tregtar në Durrës. Gjatë kësaj periudhe ka udhëtuar brenda dhe jashtë vendit. Xhaxhai e dërgoi njëherë në Ismir (Izmir) për tregti. Atje kishte ardhur një mision amerikan, ku midis tyre kishte njerëz shumë të formuar. Ra në kontakt me ta dhe ata u habitën që gjetën një njeri që di Dhjatën dhe disa gjuhë.

U ndihmua nga Rigzi. Më pas në Stamboll nisi punë, si përkthyes për Shoqërinë Angleze dhe të Huaj Biblike. Ndoqi kurse në Robert College në lagjen Babek të Stambollit. Kur u bindën se qe premtues e dërguan në kolegjin protestant në Maltë (fund korriku 1857-1860). Është i pari shqiptar që ka mësuar me themel anglishten. Punimin e vitit 1860 e ka shkruar anglisht. Gjatë këtyre tre viteve bëri përkthim Dhjatës së Re në të dy dialektet e shqipes. Mirëpo nuk pati zhvillim të mëtejshëm.

Duke u shkruar anglezëve shqiptarët i ka paraqitur, ndryshe nga çfarë bëjnë shqiptarët sot, si një popull të zhvilluar që meriton përkthime dhe libra. Pas Maltës shkoi në Turis. Atje hyri në një shkollë greke dhe u bë kryemësues dhe u martua me një vajzë të mirë. Nga 1860-‘65 qëndroi në Tunis. Në vitin 1860 në Stamboll, si përfaqësues i përgjithshëm i shoqërisë biblike erdhi Aleksandër Tomsoni, i cili menjëherë u interesua për shqiptarët. Në vitin 1865 e shoqja hapi një shkollë për vajzat në Shkodër. Ai e kërkoi Kristoforidhin në vitin 1865 dhe u bind se përkthimi i Dhjatës së Re (toskërisht, 1857) nuk bënte për Veriun, prandaj kërkoi një botim të ri të Dhjatës së Re, në gegërisht. Kristoforidhi pas kësaj kërkese në mënyrë të habitshme i braktisi të gjitha për të shkuar në Stamboll. Ndërsa, redaktor ishte Nikollë Serreqi.

Problemi i alfabetit të gjuhës shqipe

Në vitin 1866 Kristoforidhi botoi nga Dhjata e Re; “Ungjijtë” dhe Veprat e Apostujve, por doli problemi i alfabetit të gjuhës shqipe. Botimi i vitit 1827 (Vangjel Meksi) është bërë me një alfabet, të cilin e kanë bërë anglezët në Londër. Këto ditë kam zbuluar një fletë të vitit 1825, që Lansi ka shkuar në shtypshkronjën e Korfuzit. Ai ka përgatitur një fletë të shtypur me alfabetin e gjuhës shqipe. Botimet e Kristoforidhit; varianti jugor, edhe ai verior do të përdoreshin në dy alfabete; njëri mbi bazë latine dhe tjetri me bazë greke, sipas alfabetit të një egjiptologu të shquar Karl Rikard Lepsiut. Por pati një konflikt të madh të Tomsonit me Serrein dhe Kristoforidhin. Serreqi dhe Kristoforidhi ngulnin këmbë që të vazhdonte tradita e autorëve të vjetër, Tomsoni u tregoi se varianti i Lepsiut ishte jashtëzakonisht shkencor dhe i përshtatshëm.

U pranuan dy alfabetet! Por ata thanë: Mirë ja e pranuam këtë alfabet, por kush do ta lexojë?

Dy abetare një në gegërisht, edhe një në toskërisht

Lindi pyetja e parë: Shqiptarët duhet të mësojnë alfabetin e tyre!

Menjëherë Kristoforidhi përgatiti dy abetare; një në gegërisht dhe një në toskërisht. E ndihmoi Tomsoni, i cili i gjeti një abetare. Abetarja u botua në vitet 1866-’77 dhe është me klishe. Klishetë janë marrë nga botimet angleze. Poshtë janë shënuar diçiturat anglisht. Për shembull, thuhet qeni dhe poshtë dog. Kristoforidhi nisi të shfrytëzonte anglishten për abetare. Pasi bëri botimet e para ndërmori udhëtime nëpër Shqipëri, duke hyrë në shtëpitë e shqiptarëve dhe duke u mësuar edhe grave, se si të mësojnë edhe lexojnë shqip. Me net të tëra atë e mbanin në shtëpi për të lexuar. Në Stamboll kishte një komunitet shumë të madh shqiptarësh (deri 20 mijë dikur). Përfaqësuesit e shoqërive biblike kanë thënë që përkthimet e biblës në shqip i blejnë më shumë myslimanët shqiptarë. Noli më vonë ka shkruar se: Unë e mësova shqipen, sepse mësova shqipen e mrekullueshme të përkthimit të Dhjatës nga Kristoforidhi. Pas kësaj nisën botimet e para, i pari ka qenë Psalmet (ne kemi bërë një përkthim në gegërisht dhe në toskërisht).

Leje për të botuar nga autoritetet e huaja, si Sulltani, Meterniku dhe mbreti i Greqisë

Botimi i veprave të para në shqip ka pasur një histori shumë të gjatë. Të gjitha këto botime kalonin në Komisionin e Censurës. Fillimisht duhet të merrej leja nga autoritet osmane, sepse varianti toskërisht ishte në bazë të alfabetit të greqishtes. Në vitin 1882 në këtë Komision të Censurës ishte Naim Frashëri. Në fillim Tomsoni mendonte se Naimi po e pengonte, por më vonë e kuptoi se ishte krejt e kundërta. Botimi i Psalmave shqip ka marrë lejen e drejtpërdrejtë nga Sulltani. Bëheshin tre libra të gjuhës shqipe, që janë botuar me miratimet e personaliteteve më të larta të shteteve përkatëse. Në vitin 1816 kur Robert Piter Toni vajti në Vjenë për të filluar përkthimet e Dhjatës së Re, promemoria vajti në duart e Meternikut (njeriu më i rëndësishëm pas shtypjes së Napolonit, deri në vitin 1948). Më pas shkoi te Perandori i Austrisë për botimin e vitit 1827 të Dhjatës së Re është përpunuar dhe miratuar ideja nga autoritetet më të larta.

Fjalori i gjuhës shqipe, 1904

Nuk besoj të ketë në historinë e njerëzimit një popull, që për të botuar librin e tij duhet që të shkoi puna deri te Sullatani dhe mbreti. Fjalori i gjuhës shqipe (1904) i Kristoforidhit është botuar me lejen e drejtpërdrejtë të mbretit të Greqisë. Pas Psalmeve Tomsoni kërkonte medoemos që të bëhej një përvetim i Dhjatës së Vjetër. Në vitin 1872 Kristoforidhi përktheu dy libra të parë të Dhjatës së Vjetër, zanafilla apo gjeneza, që edhe pse ai i përktheu në gegërisht mbetën të pabotuar. Unë i pata gjetur në vitin 1972. I solla në Shqipëri, por nuk mund t’i botoja, sepse ishin tekste fetare. Tashti kam pasur mundësinë t’i transkriptoja edhe t’i bëja në një libër. Më pas nga Dhjata e Vjetër Kristoforidhi vazhdoi të përkthente edhe libra toskërisht. Pesë librat e Dhjatës së Vjetër në toskërisht i botova më vonë dhe i kam përmbledhur në një libër. Libri i tretë është interesant, pasi Kristoforidhi kur botoi abetaren mendonte të bënte gjithçka për gjuhën shqipe. Kjo është arsyeja që i ka dhënë vetes të drejtë të vetëquhet babai i gjuhës shqipe. Bëri abetare, në vitin 1882 bëri gramatikën, pastaj punoi për fjalorin e gjuhës shqipe. Gjithë kohës mendonte të botonte libra në shqip.

Vepra e madhe doli në vitin 1917 ku u mblodh Komisioni i Shkodrës. Lindi problemi se cila do të jetë gjitha e shkruar shqipe, pas Kongresit të Manastirit. Problemi më i madh ishte problemi i drejtshkrimit. Ushtrua problemi të kemi variantin e mesëm, si një variant më të lehtë për t’u përvetësuar, që do të ishte varianti i Elbasanit. Gjergj Fishta tha: Unë mund të pajtohem, por pyeti a është i shkruar ky variant i mesëm? I thanë: Po, është i shkruar nga Kristoforidhi. Fishta tha: Po! Atëherë u vendos që të merret si model për gjuhën e ardhme shqipe ajo që ka paraqitur Kritosforidhi në Historinë e Shkrimit të Shenjtë (1880) në variantin gegërisht. Në 1917 nga Komisia Letrare e Shkodrës u mor vendimi që të botohej pikërisht Historia e Shkrimit të Shenjtë, si model për gjuhën shqipe. Por pas pak muajsh Austria humbi në  Luftën e Parë Botërore dhe libri mbeti pabotuar. Këtë kërkesë unë e kam vënë në jetë pas 100 vitesh. Sigurisht që sot kjo gjuhë na duket shumë e thjeshtë, sepse edhe Kongresi i Lushnjës miratoi këtë variant. Edhe deri pas Luftës së Dytë Botërore ky ka qenë varianti kryesor i gjuhës shqipe, variant që e ka zbatuar edhe Ahmet Zogu. Librat e Kristoforidhit me nivelin e lartë të punës bën që të imponoheshin jo thjesht për një lexim të zakonshëm, por mbi bazën e gjithë kulturës shqiptare. Ndërsa, unë tashmë kam dorëzuar për në shtyp Dhjatën e Re në gegënisht (e para në këtë variant), që do të botohet së shpejti./shekulli.com.al

Please follow and like us: