Kujtim Dashi: FATNJËJTËSI
7 vjet më parë (7 qershor 2010)- ndahej nga jeta poeti i shquar NDOC GJETJA:
Në vitin e mbrapshtë 1997 së bashku me Ndocin krijuam dhe bashkëdrejtuam për rreth 7-8 numra gazetën kulturore-letrare e artistike “Në fillim qe FJALA…”. Për më gjatë rreth kësaj gazete kam shkruar në dy monografitë e mia kushtuar Ndocit, porse në këtë përvjetor të 7-të të ndarjes së tij nga jeta, gjykova të vë këtë -Intervistë me autorin e librit-
“JETA PASKA QENË NJË LOJË TË CILËN S’KAM DITUR TA LUAJ”
– Intervistës do të dëshiroja t’i jap karakter intim. Nëse pranoni do të filloja të gërmoj në brendësinë tuaj me pyetjen: a vazhdoni t’i mbani shokët e vjetër?
– “T’i mbash” kjo fjalë tingëllon sikur unë e paskam në dorë t’i lëshoj ose t’i mbledh rreth vetes. Në të vërtetë këta 6-7 vitet e fundit ndërmjet nesh ka hyrë heshturazi indiferenca, pa shkak, si pakuptuar takohemi rrallë dhe, vetëm rastësisht. Sidoqoftë miqtë e vjetër mbeten miq të vjetër. Edhe sikur të mos i takoj më në jetë në zemrën time vendin e tyre nuk mund ta zërë dikush tjetër. Miqësia me ta për aq sa zgjati me intensitetin e saj, mbetet pasuria ime shpirtërore më e madhja që kam mundur të krijoj në jetë.
– Cilat janë hobi-të tuaja?
– Shpesh herë kohën që mund të quhet e lirë e kaloj duke studiuar etimologjinë e fjalëve. Mrekullia më e madhe e universit të pafund më duket fjala. Njeriu është ndarë nga bota e kafshëve në çastin kur është aftësuar të artikulojë të parën fjalë. Historia e fjalës është historia e tij. Sa herë më kanë pyetur njerëz të panjohur se “ç’profesion ke?” u jam përgjigjur shkurt “Fjalolog”. Ndoshta e teproj, por më pëlqen ta përkëdhel veten kështu. Nuk di profesion më të lartë se ky. – A mund të rreshtoni 10 librat më të përsosur që ka mundur të krijojë gjenia njerëzore me anë të fjalës deri më sot?
– Kjo është tepër e vështirë. Unë s’i kam lexuar gjithë librat e botës që të mund të bëj qoftë edhe me subjektivizëm një përzgjedhje kaq të shtrënguar. Megjithatë, nisur nga gjithë leximet e mia, po marr guximin e tepruar që pyetjen të mos e lë pa përgjigje. Sipas meje në dhjetëshen e librave do të fusja (më fal, o Zot, për mëkatin!): “Gilgameshi”, “Iliada”, “Komedia hyjnore”, “Fausti”, “Ungjilli, “Kurani”, “Don Kishoti, “Mbreti Lir”, “Fije bari”… e kam të vështirë të vazhdoj, ndaj po e lë me nëntë…
– A besoni në ekzistencën e një jete të përtej varrit?
– Jetë të përtej varrit unë quaj kujtimet dhe veprat e mira që lë njeriu pasi vdes. Kjo jetë mund të jetë e shkurtër, e gjatë ose e pasosur, varet nga madhështia e veprës që le. Parë në këtë aspekt jo të gjithë njerëzit arrijnë ta kenë këtë jetë dyfishe.
– A të tremb ideja e vdekjes?
– S’besoj se ajo do të jetë më e vështirë se jeta.
– Sa do të dëshironit të jetoni?
– Aq sa gjendja ime fizike dhe intelektuale të mos i mundojë njerëzit të cilët e kanë për detyrë të më gjenden pranë deri në fund.
– Ç’mendim ke për jetën që ke bërë deri më sot?
– Deri më sot unë kam arritur të mbijetoj duke suprimuar diktaturën e mungesave materiale vetëm me forcën e shpirtit. Tani, në këtë moshë pesëdhjetëetre vjeçare, arrij të shoh e të gjykoj se jeta paska qenë një lojë të cilën nuk kam ditur ta luaj që ta gëzoj. I ndodhur gjithmonë para alternativës së Migjenit: “Derr i kënaqur apo Sokrat i vuajtur”- kam zgjedhur këtë të fundit.
– Meqenëse ke shkruar me pasion poetik për temën e dashurisë, si e konceptoni bukurinë e femrës?
– Bukuri të femrës unë quaj feminilitetin e saj.
– Ç’ka çmoni më shumë tek ajo?
– Gjithçka.
– A e keni realizuar idealin e dashurisë tek një femër?
– Jo, sepse dashuria e vërtetë qëndron më lart se çdo mashkull dhe femër.
– Kur keni rënë në dashuri për herë të parë?
– Herën e fundit.
– Para apo pas martesës?
– Mendoj se është gabim që dashuria të ndahet në dy faza para dhe pas martesës.
– Ç’do t’iu uroje gjithë njerëzve?
– Qofshin kudo e kurdoherë njerëz!
__________
“Në fillim qe FJALA”, 3/1997
_______
Shkëputur nga monografia ime “Të krijosh duke krishtëruar”, SH B “Geer”, Tiranë, 2014. Titulli i okelios “FATNJËJTËSI” është i imi, per kete publikim.