Bardhosh Gaçe: Himara në Breg të Detit…
Ngado ta nisësh motivin dhe dëshirën për të shkruar për Himarën, nuk mund t’i shmangesh botës mesdhetare dhe veçantisë së saj. Ky gur i çmuar e bën Himarën një vlerë jashtëzakonisht të rëndësishme, për të cilën as studimet, as qasjet kulturologjike, as librat e shkruar dhe as dedikimet e tjera të kulturës popullore, nuk arrijnë t’i thonë të gjitha gjërat. Për shkakun e një thellësie në të cilën të çon e sotmja e Himarës, dëshira për të shkruar çdo rast një gjë të përjetuar apo për të ripërmendur një vlerë të saj, është një detyrë e këndshme, për këdo që e prek këtë vend dhe njerëzit e saj, kushdo që arrin të hyjë në dimensionin historik dhe shpirtëror të Himarës, kushdo që ka fantazinë dhe intelektin për të parafytyruar se si janë zhvilluar ngjarje historike në këtë “amfiteatër” njerëzor dhe historik, ku janë luajtur drama dhe kanë ndodhur tragjedi të vërteta njerëzore.
Por, pavarësish kësaj, Himara ka mbetur, ka mbijetuar, duke mbartur dhe u shoqëruar me një lloj misterioziteti të këndshëm dhe me nevojën për t’u zbuluar gjithmonë diçka e re dhe interesante, jo vetëm për himarjotët, shqiptarët, por dhe më gjerë, sepse Himara përbën një referencë të rëndësishme për shumë nyjëtime të historisë shqiptare dhe më gjerë.
Himara është e bukur, ajo ka një bukuri tërheqëse, e cila është pleksur me shumë gjëra të rëndësishme mentale të saj dhe të asaj që e rrethon atë, të kulturës dhe shpirtit të saj interesant, të mbijetesës sublime nëpër tallaze të vështira kohërash, nëpër situata komplekse, të cilat nuk ishin vetëm në duart e himarjotëve, të cilët duhej të tregoheshin të paepur në të gjithë kompleksin e gjërave, të baticave dhe zbaticave, që gjithmonë i ka pasur mu tek dera. Në këtë kompleks hyjnor, mbijetues, të ndërtuar posaçërisht në unitet me shpirtin dhe karakterin e himarjotëve, me shkëmbinjtë e thepisur, ku mundën të ecnin vetëm këta njerëz të jashtëzakonshëm, me këto male të lartë dhe të habitshëm, Himarës së bukur, buzë detit më të mrekullueshëm në botë, iu desh të sakrifikonte për këtë bukuri.
Gjëra të tilla, kaq komplekse, vijnë rrallë në historinë e njerëzimit, prandaj për gjithçka njihet apo mund të njihet, flitet nga burimet historike apo dhe jo historike, për kulturën shpirtërore, e cila informon po kaq sa kronikat dhe dokumentet e kohës, për Himarën është e natyrshme, e rëndësishme dhe e domosdoshme.
Himara nuk është e tillë sot. Sado të sakrifikonim që ta bënim në një kohë e në një ditë të tillë Himarën, me të gjithë këtë dimension dhe peshë, nuk do të mund ta bënim. Himarën e kanë bërë të tillë shumë faktorë historik, ngjarje historike dhe njerëzore, që ajo i ka shkruar vetë me vetitë, cilësitë, karakterin dhe atributet.
Edhe pse gjëja e parë që më ka ardhur në mendje, që për këtë rast, Himarën ta shikoja dhe të përpiqesha t’i zbuloja më së shumti dimensionin shpirtëror dhe elementë të kulturës shpirtërore, kjo krahinë, ky ngulim i rëndësishëm historik, kërkon t’i shkosh në lashtësinë e saj, pasi të gjitha gjërat e saj kuptohen në një lidhje të fortë me të kaluarën e saj.
Në këtë pikëpamje, himariotët, ashtu siç nëpër histori qenë të pabindur, luftëtarë, kokëfortë dhe simbol qëndrese, ata ruajtën cilësitë e tyre që nga festat e njohura të tilla si Java e pashkëve të Mëdha, me ç’rast këndoheshin këngë, valle, shfaqeshin karnavale, për ta bërë ndryshe këtë festë të veçantë, pasi nga burimet e hershme tregohet se ata kurrë nuk iu larguan besimit të tyre të krishterë. Sheshi i Harallambit në Gjilekë ka mbetur një shenjë e këtij përjetimi të rëndësishëm të tyre, ashtu siç ka mbetur tek të gjithë shqiptarët.
Ruajtja e cilësive brilante dhe karakteristikave të veçanta, ndryshe dhe krahinave përreth, lidhet gjithashtu më pasjen gjithmonë të një shtrese njerëzish të mençur, të urtë dhe të ditur, të cilët kanë ndikuar shumë në ruajtjen e kontinuitetit të Himarës. Kjo traditë ka vijuar gjithmonë, e mishëruar më së miri në traditën për shkollë. Himariotët e kanë quajtur shkollën një ikonë të Shenjtë, dhe kjo e përmbush mjaft mirë aftësinë e tyre për t’u orientuar dhe për të hyrë në dialog, komunikim dhe marrëveshje me fuqitë më të mëdha të kohës. Gjithashtu, ka edhe diçka interesante, gati misterioze, pse Himara mbeti e tillë, kur mësohet se ajo është përballur me kundërshtarë dhe armiq të natyrave të ndryshme dhe në kohë të ndryshme, ku secili pushtues ishte më i fortë dhe më i sertë se tjetri.
Njëri nga burimet e hershme, i cili sjell në vëmendje studiuesin dhe kronikanin e njohur Pukëvil, hulumton një dëshmi autentike për himariotët. Ai thotë se ata (himariotët), kanë një shpirt të vërtetë të shfaqshim, kanë një shpirt të ndritshëm, por ajo që është më e rëndësishme, ka të bëjë me dashurinë për strehën prindërore, për detin, shkëmbinjtë e ashpër dhe ujërat e shumta, me të cilat lidhet më së shumti dhe historia e qëndresës së Himarës.
Ndërsa një studiues tjetër i njohur Eduard Lir sjell në vëmendjen e kohëve një dëshmi po kaq të vërtetë, pasi ka qëndruar dhe ka prekur realitetin himarjot, se ata janë lindur, rritur dhe jetojnë në një peizazh shkëmbor, ata janë njerëz të vërtetë, kanë një histori interesante, që e dinë mirë dhe e respektojnë. Madje ai flet dhe për ushqimin e tyre të zakonshëm, pulë e zierë, bukë e djathë. Po ashtu ai sjell në vëmendje dhe familjet e njohura të Himarës, siç është familja Kasneci. Himariotët kanë një un’ të theksuar në vetëqeverisjen e tyre krenare. Ruajnë me shumë fanatizëm besimin e tyre fetar, krishterimin.
Një pjesë tjetër panjohur të karakterit të tyre e zbulon një tjetër dëshmitar i njohur, Henri Holland, i cili e ka prekur nga afër realitetin himarjot, kur thotë se ata janë njerëz fisnikë, luftëtarë, të cilët zbaviten me armë dhe janë kaq të veçantë me një un të theksuar, saqë mund të bëhen armiq me të gjithë botë.
Burimet historike për Himarën na çojnë deri tek Çezari, Skënderbeu, ku ajo dhe njerëzit e saj qenë krahu i djathtë i tij, na çojnë në luftërat e njohura me njërën nga ushtritë më të fuqishme të kohës, kundër Sulltan Bajazitit në vitin 1492. Po ashtu Himara nuk do të ishte e tillë po të mos kishte një kod të fortë zakonor, zakonet e njohura si “Venomet e Himarës”, po ashtu dhe një legjislacion autokton i njohur si “Kanuni i Papa Zhulit”. Dëshmi të tjera, të cilat arrijnë të na shtojnë sadopak përfytyrimin tonë, për të kuptuar pse qe dhe mbeti e tillë kjo krahinë, është dhe ajo që gati është vërtetuar, se Jeronim De Rada, e ka frymëzimin për kryeveprën “Këngët e Milosaos” nga viset e Himarës, gjendet Dhimitër Leka nga Dhërmiu, i cili shërbente në oborrin mbretëror të Napolit, e financoi botimin e kësaj vepre.
Po ashtu, një dëshmi tjetër që zbulon shpirtin luftarak, karakteristikat dhe cilësitë tipike të një himarjoti vijnë për mes stratiotit të njohur Dhimtër Leka, një dekoratë dhe medaljon i çmuar, jo vetëm për Himarën, por krejt Jugun, figura e të cilit pret dhe që duhet zbuluar patjetër në të gjithë dimensionin e saj, pasi ajo ngërthen një realitet marrëdhëniesh të himariotëve me Perëndimin dhe Lindjen. Për asnjë moment nuk duhet pushuar dhe heshtur, për ta evidentuar me të gjithë referencën dhe burimet e duhura, lidhur me hapjen e shkollës shqipe në Himarë në vitin 1635, një periudhë historike, e cila përkon me zhvillime të rëndësishme kulturologjike dhe të shkollës në Shqipëri në veri dhe në jug, në kuadër të rilindjes evropiane gjithashtu.
Himara, siç edhe dëshmohet nga përshkrimi gjeografik, jo vetëm i gjeografëve dhe autorëve të hershëm, por dhe nga strategët luftarak të kohës, të cilët kuptohet se kanë qenë dhe më të saktët, për shkak se ishin të detyruar të përgatisnin lëvizjet e ushtrive apo dhe situatat për luftë, ka qenë një zonë e vështirë, rreth 22 km gjatësi me masë shkëmborë para dhe malet të vështira nga pas, ka qenë një nga zonat më të njohura të komunikimit detar për luftëra dhe tregti, pirateri dhe çështje të tjera, me ç’rast dëshmohet si një popullsi dhe qendër e banuar e ekspozuar mjaft ndaj zhvillimeve në Perëndim dhe në Lindje.
Karakteri i himariotëve u ka rënë në sy të gjithë udhëtarëve, studiuesve të kohës, kronikanëve që nga Martin Lik, Grigori Artz, Ami Bue, Henri Holland, Dr. Hahni, burimet venedikase, turke, të Napolit, të Francës, Zvicrës, arkiva për Ali Pashë Tepelenën, të cilët arrijnë të zbulojnë një marrëdhënie dhe komunikim të vazhdueshëm me zhvillimet brenda dhe jashtë vendit, ku siç dhe kuptohet, cilësitë më të spikatura të tyre ishin krijuar dhe ruajtur dhe për shkak të këtyre zhvillimeve. E lindur në breg të detit dhe e mbetur në breg të detit, Himara është një histori mbijetese, që është shndërruar në një kod jetik të familjes, dijes, përballjes me çdo armik, tendencës dhe praktikës për të jetuar si një “republikë më vete”, nxjerrja nga gjiri i saj i luftëtarëve të shquar që udhëhoqën luftëra fituese perandorish në Perëndim dhe në Lindje, stratiotë të zotë, shtatoret dhe përkujtimoret e të cilëve zënë vendet qendrore në sheshet më të njohura të Italisë dhe gjetkë.
Pastaj, Himara ka një kulturë shpirtërore të mrekullueshme, ku pleksen mjaft mirë tradita dhe kultura, identiteti shpirtërorë, historia dhe tradita e mrekullueshme e mjedisit, mënyra e jetesës, kultura dhe lufta për pavarësi krahinore, punëdashja, nikoqirllëku, krenaria e deri përdorimi i dygjuhësisë shqip dhe greqisht. Në mbijetesën e Himarës ka shumë elementë të rëndësishëm të etnologjisë shqiptare, ajo krahas kulturës së brendshme familjare, pasi thuhet se një pjesë të historisë së saj ajo e ka dredhur në ndërtimet e saj, një strehë të fortë e ka nëpërmjet këngës, pasi himarjoti ka pasur dhe vazhdon të ketë një shpirt brilant, një shpirt dhe dimension shpirtëror, të tillë, që historinë e tij është përpjekur ta derdhë dhe ta përcjellë përmes këngës.
Është shumë e thjeshtë për të kuptuar sfidën e një perle si Himara, me njerëzit, lashtësinë e vet, kulturën, ritet, doket, zakonet dhe shumë gjëra të tjera bazike, e ekspozuar përballë detit, i cili që nga kohët më të lashta e në vazhdim ishte një burim komunikimi, por dhe konfliktesh dhe sfide mbijetese për Himarën. Është një sfidë e përhershme me ushtritë, ekspeditat, piratët, me armiqtë, por siç dhe kuptohet përmes kësaj marrëdhënie të detyrueshme himarjotët formuan karakterin e tyre.
Ashtu siç nuk kanë reshtur kontributet shkencore, studimore, gjurmuese, interpretuese dhe vlerësuese për Himarën, si një fenomen i rëndësishëm historik jo vetëm për atë vetë dhe jugun e Shqipërisë, por gjithë Shqipërisë, të mos harrojmë lidhjet e forta që Himara ka pasur me zhvillimet historike të Shkodrës dhe Durrësit, jam i bindur se një punë e tillë nuk do të reshtë kurrë.
Një burim i rëndësishëm, i këtij vendi të begatë, i vendit të fiqve, i pjeshkave, ullinjve, portokajve, limonëve, peshkimit, i kulturës bujqësore dhe blegtorale, është edhe ana shpirtërore, në të cilën është mishëruar gjithë zhvillimi historik, përvoja, edukata, përplasjet historike, dhimbjet dhe gëzimi, dashuria dhe urrejtja, fitorja dhe humbja. Kultura shpirtërore e Himarës, ashtu si gjithë kultura shpirtërore e Labërisë është një regjistër i rëndësishëm dhe i pashmangshëm për të thënë ato që duhet për Himarën dhe Labërinë, pasi Himara ka reflektuar korrektësisht gjithë zhvillimet historike shqiptare, si në Jug dhe në Veri, në vendet fqinje dhe më larg.
Kjo mbijetesë dhe sakrificë masive e “derë për derë” e himarjotëve ka prodhuar drama të pashoqe në familjet e Bregut të Detit. Këtë dramë të thellë të prekshme dhe therëse, populli himarjot me një intelekt të thellë, me një shpirt brilant prej artisti e ka derdhur në këngën e mrekullueshme himarjote, e cila duket se është kënduar dhe gjithmonë këndohet në një amfiteatër ku shfaqen tragjeditë. “Vajzë e valëve”, ku vendoset në një realitet shkëmbor, një vajzë e vetme përballë detit me valë, detit të pafundmë, i cili të çon anë e mbanë botës. Kaq e madhe është drama e himarjotëve, e jo vetëm e vajzës himarjote, saqë përpiqet ta sfidojë detin me dhimbjen dhe vajtimin e saj. Balada e njohur ka një prerje të rëndësishme historike, qj në të vërtetë ka një shtrirje kohore të pacaktuar. Kjo lë për të kuptuar se nuk kemi të bëmë me një moment epik, por një realitet të tipizuar, për të kuptuar gjithë realitetin shpirtëror – historik të himarjotëve. Në shpirtin e “vajzës së valëve” ka një përzierje jashtëzakonisht të madhe emocionale dhe përjetuese, dhimbja, malli, dashuria, shpresa dhe rreziku për ta humbur atë, vijimësia e jetës dhe rreziqet që e kërcënojnë atë, pritja dhe dhimbja për atë që i mungon.
“Vajza e valëve” është ndoshta krijimi më i mirë, në të cilin janë bërë bashkë dhe janë vënë në bashkëveprim realitetet e historisë, zhvillimet sociale dhe drama personale e individit. “Vajzë e valëve,/ zemra s’ta mban,/ mbi një gur anës së detit,/ qan e mjera, qan e zeza, qan…,/ ku kuptohet qartë e mundura me të pamundurën, në një skenë të natyrës, ulur mbi gurë anës detit, e mjerë dhe zezuar, pra, një përzierje shpirtërore me shumë arsye dhe shkaqe dramatike. Mjeshtri i këngës, i cili ka marrë pëlqimin e popullit, ka krijuar një skenë jashtëzakonisht reale, ku jeta, vuajtja e një vajze, e cila është përhumbur dhimbshëm, ku shpirti i saj dhe ëndrra e saj ka humbur nëpër valë e det, është vendosur përballë detit, kohës, të mundurës dhe të pamundurës, përballë armiqve dhe njerëzve më të dashur që i pret t’i vijnë, duke përdorur një strukturë tipike ritmike të vargut, përsëritjes dhe leksikut kumbues.
Qëllimisht balada “Vajzë e valëve” ka një fillim të lartë, jo vetëm emocional, por dhe të detajit poetik të saj. “Pret atë që pret,/ dhe një dhëmbje ndjen,…/ … Ju të bukur zogj,/ mos e patë ju?/ Ju që shihni det’ e male,/ dua t’ju pyes…” është pjesa ku fillon një dialog ekzistencial, siç është në të vërtetë jeta dhe shpirti i vajzës së valëve. Është një moment që ajo përpiqet të ndahet nga mjerimi dhe zezona e pjesës së parë, duke ushqyer shpresën, duke u kthyer në realitetin e saj, pavarësisht se i drejtohet zogjve. Duke mbetur në praktikën tradicionale të hershme, zakonisht të dramave personale, poeti i baladës përpiqet të realizojë një lloj dialogu apo komunikimi me zogjtë, një stereotip fort i përdorur në baladën shqiptare, madje dhe tek e famshmja “Konstandini me Dhoqinën”, që këndohet në këto ligje.
Pavarësisht kësaj, momenti i kësaj tentative për të hyrë në dialog me zogjtë, vetëm zogjtë dhe asgjë tjetër, e bën akoma më përjetuese dramën e vajzës së valëve. Asgjë nuk e sinjalizon atë, as valët, as ëndrrat, as vuajtja, as stinët, as besimi brenda vetes, pra lehtësisht drama personale në këtë rast përmasohet dhe merr rolin e një kumti social dhe historik. Vajza e valëve nuk di asgjë për njeriun që kërkon t’i tregojnë zogjtë, ku është ai, në dete apo në male. Ky terr informues e bën gati absurd realitetin e saj, të cilin ajo e shpalos përmes një komunikimi eterik, siç ndodh zakonisht në balada.
“Një ëndërr seç pashë,/ djalin në vaporr,/Sikur shkoi dhe i hodhi,/ vashës një kurorë, e mjera./ vashës një kurorë,,.!” Mjeshtërisht në këtë pjesë të tretë, nëse mund ta quajmë të tillë, poeti popullor e zbulon thelbin e dramës së vajzës së valëve. Ajo pret njeriun e zemrës, i cili, siç duket i ka premtuar se do të vijë dhe se ai është i asaj përjetë, për shkak se në ëndërr ajo është tmerruar kur ka parë mirazhin se djali i saj është bërë me një tjetër vajzë, në një vapor, dhe asaj i ka vënë kurorë. Këtë përjetim të thellë ajo e shoqëron me një refren të dhimbshëm “e mjera”.
Vajzën e valëve, e cila pret të kthehet nga deti djali i saj, sepse andej ai është larguar larg, e tmerron dhe e therë thellë ideja se ai nuk e ka mbajtur amanetin, edhe pse kjo nuk thuhet në tekstin e këngës, por siç është treguar, një nga karakteristikat e njohura të himarjotëve është lidhja e fortë dhe dashuria për familjen dhe vendlindjen. Kjo cilësi reflekton në gjithë shpirtin e drobitur nga pritja dhe sinjali i munguar i djalit që ka ikur, për të cilin nuk tregohet nëse është mërgimtar, nizam, stratit, detar apo diçka tjetër.
“Ndonjë lajm, a ndonjë letër,/ vallë a më dërgon, e mjera./ vallë a më dërgon.” Janë tri vargjet që mbyllin baladën e kënduar herë pas here “Vajzë e Valëve”. Ajo ushqen shpresë, e përmes kësaj shprese drama njerëzore bëhet më e përjetueshme, më lëndore dhe më aktive për të kuptuar realitetin himarjot nëpër kohë. Refreni “e mjera”, e aktualizon këtë qartësisht.
Balada “Vajzë e valëve” është ngritur mbi një detaj të thjeshtë, por real, ç’ka i krijon mundësi autorit për të depërtuar në një realitet shpirtëror të njohur, por të thënë në mënyrë kaq aktive dhe të thjeshtë. Përmes një komunikimi të thjeshtë, pa asnjë ngarkesë inversionesh apo stilemash të kërkuara, por përmes sintagmave shprehëse dhe funksionale si: “vajz’ e valëve”, “mbi një gur”, “anës detit”, “qan e zeza/ e mjera”, “të bukur zogj”, “shihni det e male”, “një ëndërr”, “vashës një kurorë”, “ndonjë lajm/ ndonjë letër”, dhe vargje të zakonshëm me përsëritjet ritmike, sipas traditës së këngës polifonike, arrin të krijojë një sfond dhe lajtmotiv të përjetueshëm mjaft mirë nga dëgjuesi. Për këtë baladë brilante, me ndikim kombëtar, nuk i duhet kursyer kurrë falënderimi poetit Neço Muka, i cili ka arritur të kapë thelbin historik të dramës himarjote, për ta shndërruar në një perlë artistike kombëtare duke e inçizuar në pllakat “Pathe” e duke e përhapur në Europë.
Një perlë poetike me të drejtë është konsideruar dhe kënga “Kush është lulja e vilajetit?” thurur mjeshtërisht, me një lakonizëm të jashtëzakonshëm nga poeti Nase Beni. Që në titull poeti ka njoftuar një kumt të rëndësishëm përmes dy fjalëve qendërzuese “lulja” dhe “vilajetit”, një marrëdhënie e konceptimit estetik të së bukurës dhe një termi historik fjala vilajet, pra ka një evidentim historik, që me shumë gjasë kemi të bëjmë me kohën e Ali Pashë Tepelenës: “Kush është lulja e vilajetit,/ që i ka bota sevdanë?/ Himara në breg të detit,/ Stisurë n’Akroqeranë;/Rret e rrotull anës detit,/ Shtatë fshatra që janë…” Në gjashtë vargje emblematik është thënë gjithçka thuhet për Himarën, pasi atë e njeh bota dhe e ka sevda, e bukur dhe e pamposhtur në bregun e deti, përballë armiqve dhe në mrekullinë e jetës së saj me të gjithë të mirat e botës, dhe e njohur që në kohën e Akroqeranës, thellë në historinë e lashtë.
Edhe pse në dukje e shtruar, përmes një pyetjeje retorike, në vetvete ajo ka një patetikë të mrekullueshme, një vendosje të kohëve njëra mbi tjetrën dhe ajo që është më estetikisht e ndërtuar, e ngritur mbi një lloj metonimie konvertuese, ku lulja është për bukurinë, sevdaja e botës për veçantinë dhe cilësitë e saj, deti për dallgët e jetës dhe historisë, vilajeti për hapësirën, Akroqerania për lashtësinë. Kjo metonimi e shumëfishtë dhe konvertuese mban një strukturë jashtëzakonisht funksionale për të ndërtuar një komunikim lakonik për Himarën. “Kush është lulja e vilajetit”, mund të studiohet mjaft mirë në një qasje eseistike të veçantë, si vertikalisht ashtu dhe horizontalisht, duke afruar një vështrim origjinal studimorë për të.
Kjo qasje, e cila është ndërtuar mbi kapacitetin e një eseje, nuk mund t’i prekë të gjitha gjërat që duhen thënë për Himarën, pasi ajo është një nga trevat që ka një referencë burimore të madhe, ndoshta sa qytetet më të njohura të vendit, por ajo që është më e rëndësishme në këtë rast është nevoja që kushtëzon referencën historike të saj. Askush nuk do të mund të sjellë gjë të re për Himarën, nëse do t’i shmangej burimeve historike. Pavarësisht dëshirës për t’u marrë me një prerje specifike për të, si treva e lashtë buzë detit, të kaluarës së saj nuk mund t’i shmangemi dot.