Albspirit

Media/News/Publishing

Ismete Selmanaj Leba: Pas rënies së komunizmit “u zgjua” Kanuni i Lekë Dukagjinit

Shqipëria sot i duket si një grua me dhimbje lindjeje prej më shumë se 25 vjetësh, që nuk arrin të sjellë në jetë demokracinë. Prandaj, këtë është përpjekur ta tregojë me anë të historive në librat e saj (“Fëmijët nuk kanë asnjëherë faj” dhe “Gjembi dhe trëndafilat”), duke përshkruar me detaje atë që ndodhi në Shqipëri, pas rënies së komunizmit dhe se si ndryshoi mentaliteti i shoqërisë shqiptare. Bëhet fjalë për shkrimtaren Ismete Selmanaj Leba, e cila në një intervistë për gazetën “Shekulli” rrëfen arsyet se përse subjektet e romaneve të saj kanë marrë shtysë nga realiteti shqiptar postkomunist. Te “Fëmijët nuk kanë asnjëherë faj” tregon se si pas rënies së komunizmit, pas një gjumi letargjik të gjatë pothuajse gjysmë shekulli, vrasjet në emër të Kanunit të Lekë Dukagjinit, janë në rend të ditës në Shqipërinë postkomuniste. Ndërsa, “Gjembi dhe trëndafilat” është një himn jo vetëm kundër dhunës ndaj grave, por kundrejt dhunës sistematike të popullit shqiptar; të shtypur, pa të drejtë fjale dhe mendimi nga një prej regjimeve më totalitar në botë. Të dy librat janë pjesë e kurrikulave mësimore në Universitetin e Parmës në Itali.

Zonja Leba, keni botuar tashmë librin tuaj të dytë në gjuhën italiane, “Fëmijët nuk kanë asnjëherë nuk kanë faj”. Një libër, që ka në qendër pasojat traumatike të lëna nga sistemi komunist në psikologjinë e individit si qenie sociale, veçmas te më të pafajshmit, fëmijët. A mund të na thoni se, cilat kanë qenë shtysat tuaja fillestare për shkrimin e këtij romani?

Libri-triler në italisht “Fëmijët nuk kanë asnjëherë faj” është publikuar fillimisht në gjuhën shqipe me titullin “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”. Ideja për të shkruar këtë histori kishte kohë që më frullonte në kokë. Më linin pa gjumë skenat e ngujimit të fëmijëve, të grave, vrasjet në emër të Kanunit pa marrë parasysh asnjë nga rregullat e ligjet e tij. Nuk ka qenë qëllimi im të shpjegoj Kanunin; këtë detyrë le t’jua lemë studiuesve e historianëve.

Jam përpjekur të tregoj me anë të historisë së librit se ç’ndodhi në Shqipëri pas rënies së komunizmit, si ndryshoi mentaliteti, shoqëria shqiptare, si u rrëzuan si të ishin kështjella prej rëre tabu shekullore që edhe regjimi i Hoxhës nuk arriti t’i rrëzonte totalisht, të paktën në mendjet e njerëzve. Por jo vetëm kaq; pas një gjumi letargjik të gjatë pothuajse gjysmë shekulli, u zgjua Kanuni i Lekë Dukagjinit, më konfuz e i pamëshirshëm se më parë. Vrasjet në emër të Kanunit janë në rend të ditës. Inatet e mëritë e vjetra filluan saktësisht aty ku i pati shtypur regjimi i Hoxhës me grusht të hekurt…, por tanimë pa rregulla – ti vret sot, për t’u vrarë nesër. Gjakësit nuk ndalen më as para fëmijëve e grave.

Sot, njerëzit vriten edhe për një fjalë të tepërt, për një metër tokë të fqinjit, për një vështrim të vëngër. Por tragjedia më e madhe që më prek si grua dhe si nënë, është ajo e fëmijëve të ngujuar dhe e pedofilisë. Trileri është kompleks dhe plot me të papritura deri në rreshtin e fundit. Edhe pse është një histori që nis nga një fshat i vogël në Veri të Shqipërisë, përfundon në një trafik ndërkombëtar të prostitucionit të të miturve, në raste incesti të paprecedent për shoqërinë shqiptare, atë të shpërndarjes dhe shitjes së materialeve pedopornografik, të adoptimeve ilegale dhe tregut të zi të shitjes së organeve.

Fatkeqësisht, këto fenomene, janë sot pjesë prepotente dhe e turpshme e shoqërisë shqiptare. Jam e bindur se këto lloj fenomenesh luftohen, duke i denoncuar dhe jo duke heshtur. Heshtja vret… Mesazhi që dua të përcjell me këtë roman është një denoncim i fortë kundrejt këtyre fenomeneve, një thirrje shoqërisë shqiptare për të lëvizur, duke bërë të pamundurën, derisa t’u japë fund këtyre turpeve shoqërore dhe “gjakësve” për t’u përballur me drejtësinë. Kjo është rruga e vetme për një të ardhme më të mirë e të sigurt për fëmijët tanë. Fëmijët s’duhet të paguajnë kurrë për fajet e prindërve.

Pra ju mendoni se në vendin tonë, edhe sot pas më tepër se 25 vitesh demokraci, Kanuni i Lekë Dukagjinit, në një formë apo në një tjetër, “zbatohet” më tepër sesa ligji?

Kanuni i Lekë Dukagjinit ka qenë më shumë i rrënjëzuar në zonën e Veriut të Shqipërisë. Edhe pse regjimi komunist arriti ta shfuqizojë me grusht të hekurt, në mendjet e njerëzve gjakmarrja vazhdoi të mbetej e gjallë. Një rol jo të vogël, sipas mendimit tim, në denigrimin e Kanunit ka pasur edhe vetë regjimi. Duke kërkuar me çdo mënyrë ta paraqiste si një kod barbar, të prapambetur e pa rregulla, krijoi në psikologjinë kolektive mendimin se Kanun do të thotë vetëm vrasje, gjakmarrje, ngujim, shtypje të gruas…

Edhe në tekstet shkollore të historisë, ky kod i rëndësishëm i shqiptarëve që ka qenë një katalizator kryesor për shekuj me radhë, kalohej me pak rreshta. Në të njëjtën kohë, flitej shumë në dokumentarët dhe filmat artistikë të kohës, ku Kanuni na prezantohej me vrasës që godisnin pas shpine, me baballarë që u jepnin vajzave fishekun në pajë, me ngujimin e burrave në kulla… Pas rënies së diktaturës, nga mosnjohja e plotë dhe e saktë e këtij kodi, nga “larja e trurit” për një kohë të gjatë nga ana e regjimit, nga tranzicioni i dhimbshëm dhe i pafund i Shqipërisë dhe nga hyrja në fuqi e “ligjit të xhunglës”, fenomeni i gjakmarrjes filloi të lëshonte sythet e para, sidomos në Veri të vendit. Me lëvizjen e lirë të njerëzve, një numër i konsiderueshëm familjesh nga zonat e veriut, u stabilizuan nëpër qytete duke sjellë me vete edhe problemet e gjakmarrjes dhe ngujimit.

Pyetjes se a zbatohet më shumë Kanuni se ligji nga këta persona, do t’i përgjigjesha me trishtim PO… Sepse, sipas ligjit personat që kryejnë krime, dënohen “vetëm” me heqje lirie. Por nuk është kjo ajo çka duan ata që janë në gjak… Duan më shumë, duan shkatërrimin total, duan gjak. Vetëm në këtë mënyrë, sipas asaj çfarë dinë këta persona për gjakmarrjen, nuk “koriten” para komunitetit dhe marrin gjakun sipas Kanunit. Por Kanun s’do të thotë vetëm gjakmarrje dhe ngujim.

E sqaron në mënyrë ekzemplare profesor Matteo Mandalà në parathënien e këtij libri ku ndër të tjera shkruan:“… gjakmarrja nuk është siç mund të konsiderohet në mënyrë të gabuar, një larje e thjeshtë hesapesh dhe aq më pak KANUNI nuk është, siç thuhet në mënyrë banale, një nxitës i gjakmarrjes…”. Është shumë më e thjeshtë të ndryshojnë ligjet sesa mentaliteti. Nëse nuk ndryshon mentaliteti te njerëzit, kjo gjakderdhje do të vazhdojë ende për shumë kohë.

“Gjembi dhe trëndafilat” po ashtu ka në qendër një ngjarje të ndodhur gjatë viteve të diktaturës. Përdhunimi i një vajze, e cila pas kësaj për 50 vite radhazi shpresoi për ditë më të mira, që nuk erdhën kurrë, as në demokraci. Personazhi pa se si komunistët u konvertuan në demokratë, edhe ata që përbënin realitetin ishin sërish të njëjtët. A është rastësore shtrirja kohore, që ju zgjidhni për të vendosur ngjarjet në romanet tuaj?

Romani “Gjembi dhe trëndafilat” përfshin periudhën kohore nga viti 1979-2005, e cila nuk është rastësore, por një zgjidhje e imja. Me librin “Gjembi dhe trëndafilat” apo “Verginità Rapite” që është versioni në italisht, jam përpjekur të pasqyroj Shqipërinë e viteve të diktaturës. Këtë e bëj nëpërmjet historisë së Mirës, një vajze të re, e cila në vitin 1979 ishte pesëmbëdhjetëvjeçare. Me anë të saj, kam treguar jetën, problemet e historitë e shumë vajzave e grave të tjera. Nuk është e lehtë t’i tregosh apo t’i shpjegosh ato vite.

Më ka qëlluar disa herë teksa tregoja ngjarje nga koha e regjimit dhe miq apo mikesha të mia pothuajse nuk arrinin të besonin atë çfarë dëgjonin. Është e vështirë t’jua tregoj edhe fëmijëve të mi! Si mund të shpjegosh “luftën e klasave”? Si mund të shpjegosh që ka pasur prindër që kanë denoncuar fëmijët e tyre dhe anasjelltas në emër të “luftës së klasave edhe në familje”? Regjimi këto raste i ngrinte në qiell si një hap i madh përpara; atë të lindjes së Njeriut të Ri! Por kishte lindur Monstra e Re! Si mund të shpjegosh urinë që s’të linte të flije, por të hante nga brenda?

Mira, kjo heroinë e ditëve të sotshme shndërrohet nga një vajzë e abuzuar në një grua që bën me krahë gratë e vajzat e tjera. Kur shoku Estref, ish-sekretari i Partisë së shkollës, ai që ka përdhunuar në mënyrë brutale Mirën, tanimë i konvertuar në demokrat të flaktë, thotë frazën: “Mira është një grua që u jep krahë grave”, kjo është fitorja më e madhe e Mirës dhe e të gjitha grave të tjera të dhunuara e të abuzuara. Ky është momenti i ndryshimit të madh; dhunuesi që ka frikë nga viktima e tij, e cila është e vetëdijshme që nuk është e dobët, e pafuqishme dhe e vetme, por e fortë dhe e pathyeshme si Mira…

Pra edhe pse Shqipëria prej 27 vitesh ka hyrë në një sistem demokrat, mendoni se vazhdon të gjendet në tranzicion, pasi shumica e politikanëve aktualë kanë dalë nga një sistem, siç ishte ai komunist?

Shqipëria më duket si një grua me dhimbje lindjeje prej më shumë se 25 vjetësh, që nuk arrin të sjellë në jetë demokracinë. Tranzicionet janë të vështira dhe historia na tregon që në të gjitha vendet ku janë përmbysur diktaturat dhe regjimet komuniste, ndryshimet s’kanë qenë pa dhimbje. Por, tranzicioni i Shqipërisë do të jetë i pa fund, përderisa nuk distancohemi nga ish-komunistët që vazhdojnë ende të drejtojnë vendin. Ishin të paprekshëm më parë e dhe janë të paprekshëm edhe sot. Si ish-shoku Estref që është kthyer në zoti Etref.

Prej vitesh jetoni në Itali. Por, nëse riktheheni në kohë, si e kujtoni Shqipërinë?

Kujtimet e mia të para përkojnë me moshën pesëvjeçare. Kujtoj shumë mirë klasën e parë, mësuesen time të parë. Fëmijëria dhe më pas adoleshenca ime, mendoj se ka qenë si ajo e pjesës më të madhe të shqiptarëve të atyre viteve. Jemi rritur në një periudhë ku trajtoheshim si ushtarë që të vegjël; ku provat nga mbrojtja antiajrore ishin të vazhdueshme dhe të jepnin ndjesinë e frikshme që nga njëri moment në tjetrin armiku i jashtëm do të vinte e të na pushtonte. Isha 8 vjeçe kur në një nga këto prova antiajrore, hyra për herë të parë në një bunker nëntokësor, që gjendej para pallatit ku banonim. Edhe tani më ngjethet mishi kur kujtoj ndjesinë e frikës që më përshkroi kur hyra brenda. Por atëherë ne ishim mësuar të mos ankoheshim. Nuk ankoheshim edhe kur ktheheshim nga shkolla dhe shpesh gjyshja me shumë mundim arrinte të na vinte një pjatë gjellë përpara; edhe kur i ftohti në shkollë na thante gishtat…, edhe nga acarimi e kruajtja e lëkurës që na krijohej nga trikot me lesh të ashpër që mamaja thurte vazhdimisht.

Shpeshherë, në dimër, ne fëmijët sillnim nga shtëpia ndonjë copë dru për të ndezur sobën në shkollë. Sobat ishin vetëm për klasat e para por drutë nuk mjaftonin për të gjithë sezonin dimëror. Atëherë prindërit i jepnin me vete fëmijëve edhe ndonjë copë dru… Por jo gjithmonë kishim të gjithë dru mjaftueshëm në shtëpi, sepse edhe druri ishte me racion dhe në dimër kur temperaturat ishin afër zeros, qëndrimi në bankë pa lëvizur për katër apo pesë orë pa asnjë mundësi ngrohjeje, ishte i vështirë. Vitet e adoleshencës sime, duke filluar nga klasa e gjashtë e më pas përkojnë edhe me krizën që kllaposi Shqipërinë pas prishjes me Kinën. Çdo gjë filloi të bëhej me racion; vaji, vajguri, sheqeri, kafeja…, derisa edhe buka u bë problem që ta gjeje në dyqanet e boshatisura.

Por diçka që s’na ka munguar kurrë ka qenë DASHURIA. Atë e kishim pa kufij, pa kursim. Unë mrekullohesha kur dëgjoja gjyshen teksa tregonte nga jeta e saj, nga fëmijëria, martesa, nga doket e zakonet e vendlindjes, për mikpritjen e besën shqiptare. Më janë ngulitur në mendje këto histori të treguara me mjeshtëri nga gjyshja. Apo ato këngët labe të trimave që babai im i këndonte mbrëmjeve nën zë.

Isha studente në vitin e fundit në Tiranë, kur ndodhi dyndja e mijëra shqiptarëve në Ambasadat e huaja. Ditë të trishta…, isha studente edhe kur ndodhi greva e urisë e studentëve, edhe kur u nisën anijet të mbushura plot e përplot me njerëz të dëshpëruar drejt brigjeve të Italisë… Ishte si një hipnotizim i përgjithshëm ai i të ikurit nga Shqipëria; një nga tragjeditë më të mëdha që pllakosi Shqipërinë në fillim të viteve ’90-të dhe që vazhdon edhe sot, po të kemi parasysh që një numër shumë i lartë i të e rinjve shqiptarë dëshiron të largohet nga vendi.

Në një treg të vogël si Shqipëria, duhet të mbështeten së pari autorët shqiptarë

Studimet e larta shkrimtarja Ismete Selmanaj Leba i ka përfunduar në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë (1991). Por, ka qenë gjithmonë e pasionuar për letërsi. Ka shkruar, që kur ka qenë e vogël tregime e poezi. Gjatë konkurseve që zhvilloheshin në shkollë ka fituar disa herë medalje. Do të kishte dëshiruar të vazhdonte studimet në këtë fushë, por zgjedhja e degës së studimeve të larta nuk varej prej saj. Ajo kujton se: “Moshatarët e mi e dinë mjaft mirë, që në momentin që bëhej kërkesa për të vazhduar universitetin, ishte ‘normale’ që të shkruhej: ku të ketë nevojë atdheu”.

Si e shihni zhvillimin e letërsisë shqipe pas viteve ’90-të?

Letërsinë shqipe pas viteve ’90-të do ta ndaja në dy grupe të mëdha; ajo e autorëve që banojnë brenda Shqipërisë dhe ata që kanë emigruar. Ndryshimi i parë dhe i madh, sipas meje, në letërsinë shqipe pas rënies së diktaturës, ishte që më në fund autorët mund të shkruanin lirshëm, jashtë skemave e kornizave të “realizmit socialist”, jashtë frikës së censurës së pamëshirshme komuniste. Autorët shqiptarë jashtë kufijve, filluan të shkruajnë në gjuhën e vendit ku kishin emigruar, duke formuar kështu të ashtuquajturën “letërsi emigrante”. Duke sjellë në Evropë e gjetkë vepra letrare nga më të ndryshmet ku fillimisht predominonin historitë shqiptare, këta autorë ishin të parët që treguan për Shqipërinë e mbyllur me tela me gjemba për shumë kohë, duke u bërë në të njëjtën kohë ambasadorët më të mirë të saj.

Dihet se sa pak vepra të rëndësishme të klasikëve botërorë apo të autorëve të tjerë të famshëm bashkëkohorë, kanë pas qarkulluar gjatë regjimit. Kjo ka qenë me të vërtetë një humbje e madhe për rininë e asaj kohe. Sot, të gjitha shtëpitë botuese në Shqipëri i publikojnë këto vepra pa limit. Kam mbetur e habitur kur kam mësuar se shtëpitë botuese në Shqipëri mbi 85 % të publikimeve të tyre i kanë të autorëve të huaj dhe vetëm 15% të autorëve shqiptarë; përqindje kjo e fundit që sa vjen e bie. Më duket një ndarje e gabuar. Kuptoj që ligji i tregut është në favor të emrave të famshëm të letërsisë botërore, por në një treg të vogël si Shqipëria, duhet të mbështeten së pari autorët shqiptarë.

Mendoni se letërsia, përpos vlerave artistike, duhet të luajë rol në edukimin e brezave?

Patjetër… çdo libër është si një dritare që të hapet përpara syve nga ku mund të shohësh ambiente të panjohura dhe t’i prekësh konkretisht si të jenë realë, të njohësh personazhe nga më të ndryshmit dhe të dish mendimet më intime të tyre. S’mund ta harroj kurrë kur isha për një seminar në Universitetin e Palermos. Në këtë Universitet, në Fakultetin e Letërsi-Filologjisë gjendet edhe kursi i shkencave të formimit kulturor, si dhe Katedra e Kulturës Shqiptare. Studentët që diplomohen në këtë kurs mund të gjenden gjatë punës së tyre në kontakt me kultura të ndryshme. Ky ishte edhe qëllimi që të dy librat e mi u futën si tekste provimi në këtë universitet; që punonjësit social të së nesërmes të mos paragjykojnë personat që vijnë nga vende të ndryshme, por t’i kuptojnë…

Dhe së fundmi, ju prej 25 vitesh jetoni në Itali. Çfarë sillni dhe çfarë merrni me vete nga Shqipëria, në udhëtimet që bëni herë pas here për në vendlindje?

Libra… libra dhe mall! Marr me vete nga Italia libra për t’i lexuar gjatë pushimeve dhe sjell nga Shqipëria libra të tjerë në gjuhën shqipe. Nisem për në Shqipëri me zemrën që duket sikur do të më dalë nga kraharori prej mallit dhe kthehem në Itali sërish me mallin me vete./Shekulli  

Please follow and like us: