Kush e ngriti kabinën e parë te Shkëmbi i Kavajës?
Kush e ngriti kabinën e parë te Shkëmbi i Kavajës? Si bëhej plazh në vitet ‘30 dhe një problematikë me disa “libertinë” e “kozmopolitë”
Në shtypin e viteve ’30 në Shqipëri, turizmi do të zinte një vend të veçantë. Në këtë periudhë nuk do të mungonin artikujt e reportazhet për potencialin turistik që kishte vendi, ashtu sikurse edhe këshillat për shqiptarët e atyre viteve. Në një prej artikujve të vitit 1932, gazetari dhe drejtuesi i “Minerva-s” Nebil Çika do të shkruante për bregdetin e Durrësit, duke sjellë një serë detajesh interesante. Artikulli analizon atë që ka ndodhur në një periudhë tre vjeçare në Durrës ku janë ndërtuar shtëpitë e para të drurit(kabinat) për pushues familjarë.
Kabina e parë e pushimit te Shkëmbi i Kavajës
Në artikull evidentohet se personi i parë që ngriti një kabinë pushimi në bregdetin e Shkëmbit të Kavajës ishte Niko Lezo. Ky i fundit do të shkollohej në Francë e do të martohej me një franceze, për t’u rikthyer sëbashku me familjen në Shqipëri. Lezo do të angazhohej në një serë aktivitetesh industriale si në ngritjen e centralit të parë elektrik të Tiranës apo të hapjes së lavanderisë së parë moderne të emërtuar “Pastërtija”. Krahas biznesit, Lezo do të përfshihej edhe në politikë duke u zgjedhur deputet. Praktika e ndjekur nga Lezo do të ndiqej masivisht e sikurse shkruhet në artikull, në një periudhë tre vjeçare, në këtë zonë do të ndërtoheshin më shumë se 100 kabina druri për pushime bregdetare.
Në artikullin e tij, Çika evidenton se themeluesi i vërtetë i “këtij kryeqyteti veror” është gjenerali italian De Ghilardi i cili kishte këmbëngulur që rregullimi i bregdetit ku do të pushonte familja mbretërore dhe pjesëtarët e oborrit të ishte në zonën e Shkëmbit të Kavajës, edhe pse zona e Porto Romanos ishte alternativa e parë.
Artikulli është i pasur jo vetëm me figura e stil letrar, por edhe me detaje interesante e këshilla fotografike për mënyrën sesi duhet të visheshin gratë kur të shkonin në plazh.
Plazhi dhe problematika e “moralit”
Artikulli nuk lë jashtë vëmendjes atë që ndodh në plazh në ditët e pushimeve. “Ja c’është zallishteja popullore e Shkëmbit të Kavajës. Në vend të dëfrimeve, që të lodhin nervat, të plazheve evropiane, ne kemi thuaj një jerë shqiptare të qetësisë në të vetmin plazh t’onë. Një jetë familjare që nuk e kapërcen kufinë e intimitetit shtëpiak dhe atë të marrdhënjeve miqësore. Traditat shqiptare nuk vuajnë aspak. Secila familje brenda barakës së saj shijon përkdheljet e ajrit e të ujit, në qetësi e sekuritet të plotë. Përveç disa të rriturve keq, me edukatë joshqipëtare po kosmopolite e libertine, njerëzija venë e vijnë dhe shëtisin, lahen pa shëkuar rreth e rrotull, pa i këthyer sytë nga barakat e të tjerëve. Dhe jeta shkon me ëmbëlsi, pa çqetësime e turbullim” shkruhet në artikull.
Artikulli është shkruar në një kohë kur vendi ishte në fushatë elektorale, e cila nuk mbetet jashtë jetës së pushimeve.
Po ashtu, në artikull evidentohen problematika të cilat duken aktuale edhe në ditët e sotme. Në reportazhin e tij, Çika evidenton se në ditët e diela zona e plazhit tejmbushet me njerëz, çka krijon një atmosferë kaotike e të zhurmshme. Po ashtu, një problematikë është shërbimi që lë cilësisht për të dëshiruar. Ndërkohë, artikulli mbyllet me parashikimin se në të ardhmen në këtë zonë mund të ngrihet një hotel modern, por ..”i krypur nga çmimet”
Kreshnik KUÇAJ/SCAN