Albspirit

Media/News/Publishing

Musa Ramadani: Procesi i kujtesës tek shqiptarët duhet të jetë më i fuqishëm

 

 

“Nëse nuk do të isha këtu, do të isha në Vjenë duke vizatuar diçka në ajër”.

Musa Ramadani, një figurë e rëndësishme e letrave shqipe, do të shprehej kështu teksa mori në duar trofeun me çmimin e madh Kadare. Trofeu iu dorëzua nga Presidenti i Institutit Europian Pashko, Selami Xhepa. I njohur për mënyrën e të shprehurit përmes disa disiplinave të artit Ramadani perfomoi në shenjë falenderimi për të pranishmit, një performancë e cila kishte në thelb ciklin e jetës. “Po të ndodhesha në këto çaste, për shembull, në Vjenë në Pragë ose në Paris, më me ëndje do të interpretoja këto vargjet e mia, do të këndoja një melodi ose do të vizatojë me gishta diçka në ajër. Por jam këtu në Tiranën tonë të bukur, me pretendime metropolitane, prandaj dilema është; a duhet të jem serioz siç jam, apo spirituoz siç kam qenë dikur?”, tha ai.

“Prej emocioneve nuk mund të flas ashtu siç e kam paramenduar, megjithatë gëzohem që ky çmim prestigjioz e mban emrin e patriarkut të letërsisë shqiptare dhe botërore, Ismail Kadare. Kanë bërë mjaft ministritë e Kulturës, edhe të Shqipërisë edhe të Kosovës, shumë nënshkrime, por s’e di çfarë është realizuar deri më tani. Por ajo që keni bërë ju, ky tempull i kulturës, i dijes, i shkencës është diçka shumë e madhe”, vazhdoj më tej Ramadani, duke shtuar se “Jam krenar që i takoj brezit të letrarëve për nga vokacioni që nga Ibrahim Rugova, Eqerem Basha e deri Sabri Ahmeti, Edi Shykriu, Hida Halimi, mund të kem harruar dikë, por mirë është edhe të harrohet ndonjëherë, edhe pse tek ne shqiptarët procesi i kujtesës duhet të jetë më i fuqishëm se sa procesi i harresës.Më keni bërë një nderim të madh, por ky nuk është një nderim për mua, është një nderim për letërsinë e Kosovës”.

Çmimi me vlerë 10 mijë euro, në vitin e tij të tretë, shkon përtej kufinjve tek letërsia shqipe në Kosovë, në dorën e një shkrimtari mjaft të njohur atje. Ky çmim, i cili jepet nga Instituti Europian “Pashko” me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës, u vendos nga juria gjatë Ditëve Letrare të Razmës në fund të Majit dhe sot u bë ceremonia e dorëzimit të çmimit për shkrimtarin dhe promovimi i librit fitues, botim i Mapo-editions.“Profeti nga Praga”, i sjellë si dorëshkrim në konkurs, u vlerësua nga juria në mesin e 36 dorëshkrimeve të tjera nga të gjitha trevat shqip-folëse, nga shkrimtarë të mirënjohur, por edhe të rinj.

“Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”, tha Selami Xhepa. Për anëtarin e jurisë Agim Baçi ky është jo një libër mbi Franc Kafkën, por një libër mbi njeriun.

Agron Gashi, njohës i mirë i veprës së Ramadanit u shpreh se ky çmim rikonfirmoi një personalitet të letrave në Kosovë, dhe se duhet bërë më shumë për të njohur letërsinë që bëhet në anën tjetër të kufirit. Plot emocion mbi librin foli dhe redaktorja Brikena Smajli. Më pas Ramadani iu bashkua një bashkëbisedimi të hapur me njerëz të letrave dhe lexues, duke treguar rrugëtimin e tij dhe të letrave në Kosovë në letërsi, duke iu përgjigjur pyetjeve në mund ta shpëtojë letërsia shoqërinë, dhe si mund të ndikojë në emancipimin e saj.

Please follow and like us: