Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Asnjë parti nuk ka të drejtë të përvetësojë dëshmorët e kombit dhe t’i përdorë ata si idhuj partiakë

Letër drejtuar Presidentit të Republikës [20 maj 1994]

I nderuar z. President!

Duke i qëndruar besnik deklaratës dhe i bindur për dobinë kombëtare të saj, unë po vij sot tek Ju për t’ju paraqitur disa motive që më shtynë dhe t’ju jap disa argumente në favor të saj. Njëkohësisht unë jam i gatshëm t’u nënshtrohem kundërargumenteve, gjithnjë në mënyrë demokratike të debatit dhe në të mirë të kombit dhe të demokracisë.

Së pari, asnjë parti nuk ka të drejtë të përvetësojë dëshmorët e kombit dhe t’i përdorë ata si idhuj partiakë. Unë mbroj konceptin se partitë janë pjesë, ndërsa atdheu është e tëra dhe e të gjithëve. Mund të pranoja që PKSH [sot PS] të përvetësonte dëshmorët e saj, në qoftë se në Shqipëri do të ishte kryer një revolucion i mirëfilltë proletar, në kushtet e një shteti të pavarur shqiptar, revolucion që do të kishte programin e flamurin e vet partiak, që do të kishte idhtarët, luftëtarët dhe rrjedhimisht dëshmorët e vet. Por kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë. Lufta ishte nacional-çlirimtare dhe ata i bashkoi ideali dhe flamuri kombëtar. Unë p.sh. nuk do ta pranoja që gjakun e dajës tim, Dadan Dajlani, partizan i Brigadës V S, vrarë 18 vjeç, ta vija në themel të diktaturës komuniste që pasoi për 50 vjet. Gjithashtu unë nuk pranoj kurrë që gjaku i babait tim, Syrja Vasjari, ish luftëtar antifashist e më vonë antikomunist pas 1944-ës, pushkatuar nga diktatura më 1947, të diferencohet në mënyrë partiake-komuniste nga ai gjak shekullor shqiptar që u derdh në themelet e Shqipërisë e të demokracisë. Përfundimisht për këtë problem unë konkludoj se asnjë parti, cilado qoftë ajo, nuk ka të drejtë të përvetësojë gjakun e dëshmorëve, të cilët janë të kombit dhe jo të partive.

Së dyti, si rrjedhojë e konceptimit partiak të dëshmorëve, për 50 vjet me radhë gjaku i pastër dhe figurat inoçente të dëshmorëve u përdorën si kapital politik i diktaturës. Ata u përdorën për të nxitur dasinë sociale e kombëtare, për të mbajtur ndezur luftën e klasave e për të shenjtëruar e fisnikëruar diktaturën. Çdo 5 Maj, duke thirrur që nga kohë shumë të largëta genin e gjakmarrjes, demonët e urrejtjes e të vetasgjësimit, ata e bënë shumë tragjik fatin e Shqipërisë. Në mënyrë kriminale, gjaku i dëshmorëve u përdor për të riderdhur gjak shqiptari, në një shtet shqiptar pa okupatorë dhe me një popull viktimë, jo përgjegjës për Luftën II Botërore. Natyrisht 5 Maji nuk është simbol komunist, por nga një keqpërdorim i gjatë, ai ka një ngarkesë të theksuar komuniste. Jo vetëm unë, por çdo shqiptar ka një respekt të thellë për Qemalin, komunist idealist, intelektual i fuqishëm, një shpirt i ndjeshëm human që padyshim do të ishte më vonë i zhgënjyeri i parë dhe viktima e parë e diktaturës komuniste. Por në ritin komunist të 5 Majit, në vend të përkujtimit dhe të respektit, ngacmoheshin plagët e luftës civile që ato të mos mbylleshin kurrë, bëhej thirrje për vigjilencë e hakmarrje. [Kundër kujt ? Ku ishin të huajt që i vranë këta dëshmorë ?] Ndërkohë lufta absurde e klasave po korrte viktimat e brezit të tretë.

Së treti, periudha e demokracisë dhe vështirësitë e tranzicionit po rëndohen artificialisht dhe në mënyrë dashakeqëse nga disa forca politike që synojnë të përligjin përjetësinë e grindjes dhe pamundësinë e konsensusit kombëtar. Ato synojnë të transplantojnë sot dimrin e vitit 1943-44, mundësisht luftën civile dhe pastaj sërish diktaturën. Forca politike më e interesuar e më aktive për këtë transplantim është PKSH [sot PS]. Por ka edhe disa koka të nxehta ose provokatorë nga forcat e djathta.

Ja, ç’ndodhi psh sivjet më 5 Maj. Unë së bashku me deputetët dhe pushtetarët e Vlorës shkuam për vizita në disa familje dëshmorësh dhe vërejtëm se 5 Maji po përdoret sësish nga disa forca politike si kartë partiake dhe, akoma më keq, për të përjetësuar përçarjen shqiptare. Familjet e dëshmorëve partizanë nuk pranuan që 5 Maji të ishte edhe i nacionalistëve, duke vazhduar t’i quajnë ata armiq e fashistë. Familjet e dëshmorëve nacionalistë nuk pranuan të përkujtohen më 5 Maj. [Unë dhe deputeti Roland Tafili shkuam edhe tek familja e Hysni Lepenicës]. Me udhëzim nga partitë e tyre në qendër, ata nuk duan ta përziejnë gjakun e tyre me njeri-tjetrin. Pra, përsëri gjaku i shprishur shqiptar, ndarja e varreve, një tendencë e dhimbshme për “privatizimin” e dëshmorëve, një komb që përsëri po bie në kllapinë e etheve të grindjes e të vetasgjësimit. A duhet të vazhdojmë gjithnjë kështu? A duhet të gjejmë me konsensus, në të mirën e unitetit kombëtar, një ditë që t’i bashkojë të gjithë dëshmorët, një ditë sintezë rëniesh të pranueshme për të gjithë dhe ta ngremë atë në simbol kombëtar?

Zoti President,

Këto janë motivet që më shtynë të bëj atë deklaratë, të cilën unë do të doja të botohej e plotë dhe pastaj, secili pas mënyrës së vet, le ta aprovonte ose ta hidhte poshtë. Po të jetë e nevojshme, unë do të jap spjegime më të gjata e më të thella për këtë problem në shtyp, pa u marrë me replika ndaj disa gazetarëve të ZP dhe PR, të cilët i quaj jo vetëm pa etikë, por edhe pa sensin e seriozitetit profesional, sepse çdo gjë aprovohet ose hidhet poshtë duke përdorur argumentin dhe logjikën.

Me respekt e konsideratë të lartë

Ibrahim Vasjari. Vlorë, 20 maj 1994

Please follow and like us: