Ibrahim Vasjari: REFORMIM, JO DEFORMIM i PD
E quaj të nevojshme të shpreh publikisht mendimet e mia për reformimin dhe ristrukturimin e PD-së, së pari, për të dhënë kontributin tim në këtë proçes; së dyti për të rikonfirmuar pikëpamjet dhe pozicionin tim politik në gjirin e PD-së dhe së treti, për t’u drejtuar gjithë atyre militantëve të thjeshtë që u dhimbset PD-ja, të thonë sot me guxim fjalën e tyre e të mbrojnë PD-në nga një deformim e shkatërrim i mëtejshëm.
Ka lëvizur anija, jo bregu
Kohët e fundit shumë militantë nga baza kanë shkruar artikuj ose kanë publikuar në shtyp “letra të hapura” drejtuar udhëheqjes së PD-së. Po të shtojmë këtu edhe mijëra letra të padërguara, mijëra shqetësime, obsione e fjalë të pathëna, gjithë kjo dendësi korrespondence, me një formë jonormale komunikimi mids bazës dhe udhëheqjes së një partie, flet së paku për një nevojë të ngutshme debati në të gjitha strukturat e PD-së.
Ajo që të dëshpëron në këtë korrespondencë, është institucionalizimi i “distancës”. Sepse korrespondenca lind atëhere kur krijohet distanca. Me keqardhje duhet të pranojmë se kjo distancë realisht ekziston, se midis bazës e udhëheqjes aktuale të PD-së është krijuar një hapësirë e cila duhet eliminuar sa më parë për të mos sjellë më vonë rrezikun e devijimit e shterpësimit të burimeve natyrore të PD-së.
Ajo që të gëzon në këtë korrespondencë është përmbajtja konstruktive dhe sinqeriteti i mesazheve që përcjell. Letrat nuk lënë pikë dyshimi që në “distancën” e krijuar të jenë futur “etni” të tjera politike, përkundrazi ato ruajnë gjeopolitikën programore të PD-së.
Baza e PD-së kërkon sot një analizë objektive të gjëndjes, nëpërmjet një debati të gjerë demokratik të zhveshur nga subjektivizmi, interesat e ngushta të klaneve dhe ambicjet personale.
Mbetet e dyshimtë gatishmëria e udhëheqjes së PD-së për të reflektuar para bazës, ndërkohë që është fare e qartë se “ka lëvizur” ajo dhe jo baza, ashtu siç lëviz gjithnjë anija dhe jo bregu.
A do të bëhet analizë e vërtetë ?
Dihet se pikënisja e çdo reformimi dhe ristrukturimi, hapi i parë i këtij proçesi është analiza. Nga mënyra se si bëhet kjo analizë, nga synimet që do të ketë, nga thellësia, transparenca dhe gjerësia e shtrirjes në bazë, nga hapësira që do t’i krijohet mendimit të lirë konstruktiv, varet në një shkallë të konsiderueshme suksesi ose dështimi i këtij proçesi.
Në një vështrim të parë, të duket sikur analiza ka filluar. Këtë përshtypje ta japin disa mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD-së, të cilat herë pas here shfaqen e rishfaqen si “fantazma plenumesh”. Disa debate të zjarrta bëhen nëpër kafe e klube politikanësh, nëpër gazeta e intervista, ku shpesh përplasen mllefe e shkumëzojnë pasione. Politikanë të njohur e të panjohur, të ekzaltuar e depresivë, idealistë të përlotur e tregtarë të grabitur, të gjithë përcjellin sipas mënyrës së vet traumën e përgjithshme të PD-së. Të duket sikur analiza ka filluar. Por kjo është vetëm përshtypja ose atmosfera emocionale e analizës, jo analiza vetë. Seksionet, grupseksionet, forumet legjitime të bazës së PD-së, intelektualët e simpatizantët e thjeshtë, ata që sot me një modesti prekëse mbajnë mbi supe “faje” që nuk i kanë bërë kurrë, ende nuk e dinë se si do të bëhet kjo analizë, kush do ta bëjë dhe a do të merren ndonjëherë parasysh mendimet e tyre.
Momenti që kalon PD-ja për kapërcimin e situatës së saj të brendshme, përpjekja për rigjenerimin dhe rikthimin e saj në shtratin e vet të natyrshëm socialpolitik, rigjetja e fizionomisë së humbur, përmirësimi i imazhit dhe i besueshmërisë kërkon që analiza të bëhet me seriozitet dhe përgjegjësi, me transparencë e thellësi reflektimi. Në fokusin e kësaj analize duhet të jenë ato elemente të rëndësishme, ato situata dhe zgjidhje situatash që kanë sjellë pasoja tronditëse e gradualisht humbjen politike të PD-së. Tashmë këto momente dihen. Ka rëndësi gjykimi i tyre dhe baza konceptuale mbi të cilën do të ndërtohet reformimi.
Për aq sa më lejon hapësira e një artikulli, pa hyrë në gjithë larminë e problematikës, dua të evidentoj vetëm disa aspekte ku mendoj se shfaqet fenomeni i deformimit dhe i zhvendosjes politike të PD-së.
Nuk pretendoj që në mendimet e shprehura t’i jem shmangur plotësisht subjektivizmit. Pretendoj të kem transparencën dhe sinqeritetin me të cilin i hedh këto mendime për gjykim para publikut të gjerë të PD-së, i ndërgjegjshëm për të mbajtur edhe unë përgjegjësitë që më takojnë, sipas rolit dhe detyrave që kam pasur në PD.
Mendoj që gazeta “RD” të hapë një rubrikë të posaçme për të pasqyruar këtë fazë debati e polemike në gjirin e PD-së. Në këtë rubrikë duhet të jepen të plota e pa çenzurë të gjitha mendimet e ndryshme e të kundërta, në kuadrin e përgatitjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së. Nuk është ogur i mirë për një parti kur persekuton mendimin e lirë të njerëzve të saj dhe i detyron ata të shkruajnë nëpër gazeta të tjera, duke e ndier veten “emigrantë”, larg atdheut të tyre të vërtetë politik.
Aspekte të deformimit të PD-së
E krijuar si një front i gjerë antikomunist, PD ishte deri më 1992 një bashkësi politike shumëdimensionale, që normalisht do të tkurrej duke u mbështetur në një shtrat të caktuar socialpolitik. Në vitet 92-93 ajo po kristalizohej e konsolidohej si një parti e vërtetë, me identitet e fizionomi të përcaktuar, e mbështetur në një bërthamë që përbëhej nga demokratë të mirëfilltë, idhtarë të lirive politike e të ekonomisë së tregut, ish pronarë e ish të përndjekur, segmente këto që aso kohe kishin tendencën e integrimit dhe mundësinë e plotë të harmonizimit të interesave të tyre brenda PD-së, duke ruajtur disa diferenca që janë të natyrshme në një parti me bazë të gjerë sociale. PD-në e ndante atëherë nga PS-ja një hendek i thellë, ku përgjonte dyshimi i frikshëm i rikthimit komunist. Alternativat e tjera të djathta, për arsye që dihen, ishin të dobëta. PD-ja kishte mbështetje të fuqishme brenda dhe jashtë vendit. Vonesa dhe vështirësia e reformimit të vërtetë të ish komunistëve të PS-së, i jepnin PD-së avantazhin e përkohshëm për të luajtur “kartën” e antikomunizmit, por kjo gjithsesi e përkohshme. Esenciale ishte çka do të tregonte PD-ja në pushtet, përveç konsolidimit të brendshëm. Para PD-së qëndronte detyra e integrimit të përgjithshëm të shoqërisë shqiptare në ekonominë e tregut dhe pajtimi kombëtar.
A qëndroi PD-ja në pozicionin e qendrës së djathtë ? Ç’zgjidhje u dha ajo interesave të bazës së saj dhe interesave të shoqërisë në përgjithësi ?
Gradualisht por në mënyrë konseguente, PD-ja u zhvendos majtas. Kjo zhvendosje u shoqërua me një sërë pasojash negative jo vetëm në çekuilibrimin e shthurjen e brendshme të sa, por u pasqyrua në tërë realitetin socialekonomik e politik të vendit, bile çoroditi keq gjithë spektrin politik shqiptar.
Çekuilibrimi i parë në bashkësinë sociale që përbënte bazën e PD-së ishte qëndrimi ndaj ish pronarëve dhe pronarëve të rinj. Problemi i ish pronarëve nuk mund të thjeshtësohej si problem i një “pakice” as të politizohej me terminologji komuniste si problem i disa “bejlerëve dhe agallarëve”. Përkundrazi, ai ishye problem i gjithë shqiptarëve, të cilët nuk kanë qenë kurrë pa “një copë vatan”. Ai ishte dhe një test politik për një parti që po e çonte vendin në ekonominë e tregut. Nuk është problemi se ç’ligje u bënë dhe në ç’masë u njoh e drejta e pronës së vjetër [edhe këtu ka mjaft gjynahe]. Por ç’u bë konkretisht brenda këtyre ligjeve e në atë masë që kjo pronë u njoh nga legjislacioni ? Pothuajse asgjë. Për të mbushur këtë “asgjë” u mobilizuan komisione e nënkomisione, letra me vlerë, projekte kompesimesh, studime, vija të verdha e të kuqe, një demagogji e mashtrim i turpshëm ndaj asaj shtrese të vrarë e të masakruar nga komunizmi, që përbënte një kontigjent të palëkundur të PD-së.
Po ndaj pronarëve të rinj ç’qëndrim u mbajt ? Edhe këtu PD-ja adoptoi qëndrime të majta e liberal-anarkiste. Përveç atyre që u bënë pronarë konform ligjeve e punës së tyre të ndershme, PD-ja “u kujdes” shumë të stimulonte e të krijonte kushte të përshtatshme për një “klasë pronarësh” të paligjshëm, për disa “pionierë” të një kapitalizmi amoral, për disa pushtues brutalë tokash e trojesh, të cilët nuk mund të ishin bazë sociale as bazë morale e një partie që pretendon të ketë “kod moral”.
Në vend të zbatimit të ligjeve të shkruara, në të gjithë vendin filloi zbatimi i “ligjeve të pashkruara” të kaosit, grabitjes e dhunës. Para shqiptarëve po shfaqej frikshëm Anarkia. “Minjtë e ngordhur” të kësaj murtaje ne i gjenim çdo ditë në rrugë e para dyerve tona…rrethoheshin hyrjet e pallateve, mbylleshin rrugët, zaptoheshin lulishte, trotuare, troje turistike e plazhe. Një shtet i tërë i përdhunuar, nën indiferencën kriminale të ligjit. Të gjithë i shihnim “minjtë e ngordhur”, por të gjithë e nënvleftësonim lidhjen e tyre të natyrshme me murtajën.
PD-ja humbi jo vetëm mbështetjen e ish pronarëve, por të gjithë atyre qytetarëve të thjeshtë që nuk shihnin të ardhme zhvillimi në një klimë paligjshmërie e anarkie.
Qëndrimi ndaj ish të përndjekurve politikë u luajt për një kohë nga lidershipi i PD-së për të marrë “patentën” e antikomunizmit. Duke qenë brenda PD-së si një segment i së djathtës së moderuar dhe i një nacionalizmi progresist bashkëkohor, masa e ish të përndjekurve politikë krijoi shpejt një simbiozë me demokratët e mirëfilltë, duke formuar një bërthamë të qëndrueshme në një parti të qendrës së djathtë. Për ta zhvendosur PD-në majtas, duhej goditur e shpërbërë kjo bërthamë. Alergjia ndaj ish të përndjekurve politikë ka qenë dyshimi dhe brenga e parë e demokratëve ndaj lidershipit të tyre të ardhur nga “shtrete të nxehtë” të komunizmit. Ai dhe shokët e tij nuk e kanë fshehur dot kurrë “përbuzjen klasore” ndaj tyre, me gjithë demagogjinë, buzëqeshjen e shtirë dhe “mëshirën” fyese të treguar për ta. Ata i trembte antikomunizmi i mirëfilltë dhe prania e tyre në PD. Ndienin ndofta, në subkoshiencë, kompleksin e inferioritetit politik, si “të ardhur” e “të adoptuar” përballë autoktonisë e origjinalitetit të kësaj disidence.
Shpërbërja e copëzimi i bazës sociale të PD-së u bë paralelisht me gjithë proçesin e “ristrukturimit”, zhvendosjes nga shtrati i vet dhe transformimit të saj në një parti të majtë të variantit liberal anarkist. Transformimi natyrisht nuk ishte i lehtë. Organizmi i partisë reagoi. Pati përplasje e tensione të brendshme, por gjithsesi në një klimë antidemokratike, nën hijen e autoritarizmit e të “grushtit të hekurt” të Berishës, me fyerje, “terror psikologjik” e deri në rrahje të turpshme personalitetesh. Gjithshka mori rrugën e “Qoftëlargut”.
Pas “zbulimit” dhe eliminimit të disa “grupeve armiqësore”, proçesi i deformimit të PD-së arriti një pikë kulmore në vitet 1995-96. Ndërrimi i krejt njerëzve në forumet e partisë, hapja e dyerve të konferencave për një “pjesëmarrje popullore” me të drejtë vote, paisja e administratave me tesera të PD-së, orientimi për të tërhequr sa më shumë kontigjente të majta, ngritja në përgjegjësi e gruas, nga “fondi i 25-përqindëshit”, eliminimi i nismëtarëve-gjithë ky proçes u quajt për ironi “rinovim”. A thua të ishte plakur vërtet PD-ja për 5 vjet /? Termi “i ri, i vjetër” vetëm në interpretimin shqiptar do të thotë “i aftë, i paaftë”, “i ndershëm, i pandershëm” ose “i suksesshëm, i pasuksesshëm”.
Me transformimin e vet të brendshëm dhe zhvendosjen majtas, PD-ja minimizoi “hendekun” që e ndante dikur nga PS-ja. Ngushtimi i kësaj diference, jo aq nga reformimi i PS-së sesa nga deformimi i PD-së, i dha avantazhe të mëdha politike së majtës shqiptare. PS-ja konkuronte tashmë në kushte të reja e në një terren të favorshëm për të. Duke mohuar diktaturën, PD-ja pohoi anarkinë. Duke mohuar diktaturën dhe anarkinë, PS-ja premtonte “demokracinë e vërtetë” [një “ylber” që kushedi kur do ta kapërcejmë]. Erdhi një kohë kur në opinion u bë mjaft i përhapur mendimi : “Njëlloj janë të dy palët, nuk ndryshojnë as në programe e as në njerëz”.
Për të krijuar një farë epërsie, tashmë artificiale, PD-ja vendosi të luajë përsëri “kartën e antikomunizmit”, por këtë herë pa sukses, bile me efekt negativ. Përdorimi i slloganeve të djathta, me një gjuhë patetike e agresivitet të panevojshëm, falc e provokativ solli vetëm tensione politike e sociale që ulën më tej reputacionin e PD-së. Cili komunizëm duhej luftuar?/ Me ekonominë e tregut, demokracinë e pluralizmin politik, komunizmi ishte hedhur poshtë në thelbin e doktrinës së vet. Komunizmi vegjetonte në një shtrat tjetër të fshehtë dhe të rrezikshëm. I ushqyer nga filozofia e urrejtjes social-klasore, komunizmi mbajti gjallë përçarjen e nxiti grindjen sociale, mbrojti “kufijtë e vjetër” të ndarjes ideologjike, rifreskoi mllefet e vjetra e kultivoi të rejat, në vazhdën e teorisë së luftës së klasave e të përjetësimit të ndarjes, ruajti pra një gjëndje social-politike “inkadeshente” në pritje të situatave të mëtejshme më të favorshme për të. Kontributi më i madh real në luftën kundër komunizmit ishte realizimi i pajtimit kombëtar. Pajtimi kombëtar, si akti më suprem patriotik dhe shprehje e ndarjes me të kaluarën, ishte dhe mbetet dimensioni kryesor i luftës kundër komunizmit. Një vazhdim i mëtejshëm i përçarjes kombëtare favorizon përsëri vegjetimin e komunizmit, në formën e vetme të ekzistencës e në terrenin e vetëm që i ka mbetur pa humbur. PD-ja nuk e bëri dot pajtimin kombëtar dhe as arriti të kuptojë se në këtë mënyrë favorizoi komunizmin. “Karta” e antikomunizmit që PD-ja rifuti në lojë më 1996 as gënjeu njeri e as nuk trembi ndonjë komunist. Artileria e PD-së godiste “dordolecin”, ndërkohë që komunizmi vegjetonte në shtratin e vet më të mundshëm të ringjalljes.
Duke dezintegruar e përçarë bazën e vet sociale, nuk mund të pritej që PD-ja të kryente integrimin social-politik të vendit në një shoqëri të lirë demokratike e në ekonominë e tregut. A nuk u bënë “qenie me dy koka” shoqata e ish të përndjekurve politikë, ish pronarët, PSD-ja, Demokristianët, Legalistët, Sindikalistët etj. Duke pasur në kokë mentalitetin e partisë “mëmë”, lidërshipi i PD-së, nëpërmjet shpërbërjes, ndofta mendonte të kalonte në një bashkësi më të madhe e cilësisht të re.
Shndërrimi e deformimi i PD-së, korrupsioni, paligjshmëria e anarkia e vendit, dezintegrimi e përçarja nuk mund të kalonin pa pasoja. Po të shtojmë këtu situatat e veçanta që krijuan piramidat e fajdeve dhe “piramida politike amerikane”, ngjarjet e mëvonshme nuk kanë nevojë për koment.
E goditur moralisht, me kompleksin e fajit ndaj elektoratit e Atdheut, me terrene të humbura politike, e zbërthyer në bazë dhe monolite në krye, e “komunistizuar” në mentalitet dhe liberale në frazeologji, e vetëzhvendosur majtas dhe e vetëquajtur e djathtë, e përqëndruar totalisht në duart e Berishës, PD-ja përjeton sot momentin më kritik të reformimit e kthesës ose të deformimit të mëtejshëm e të shkatërrimit.
A do të zgjidhet Berisha kryetar ?
Nuk dua të paragjykoj Kuvendin Kombëtar. PD-ja ka humbur shumë, por unë jam i bindur se nuk ka humbur esencën e vet, idealin demokratik, logjikën e analizës dhe sensin e ripërtëritjes. Në qoftë se në Kuvendin Kombëtar do të shkojnë delegatë të zgjedhur nga baza, Berisha nuk do të zgjidhet, sepse nuk meriton të jetë kryetar i PD-së. Gjithë humbja e PD-së mban emrin e Berishës. Nuk jam me parimin e hedhjes poshtë të personaliteteve, ashtu siç nuk jam për mitizimin e tyre. Jam për respektimin e rregullave të lojës. Berisha ka luajtur keq dhe nuk duhet të fitojë. Le të rishikojë gjithë lojën që ka bërë, skemat që ka përdorur dhe qorrsokakun ku e ka futur PD-në. Është e natyrshme, bile e dobishme, që lideri të hedhë në parti ide të reja të zhvillimit, të progresit e të kërkojë mbështetje nga partia për vënien e tyre në jetë. Kur këto ide mbështeten nga partia dhe janë brenda strategjisë e natyrës së saj, ato e çojnë përpara dhe e përsosin partinë. Lideri në këtë rast luan rolin e vet të suksesshëm e progresiv. Asnjëherë lideri nuk del jashtë strategjisë, programit dhe natyrës së partisë. Përshtatet ai me partinë dhe jo partia me atë. Berisha përkundrazi është përpjekur të përshtasë e të identifikojë PD-në me veten, duke i dhënë asaj deri intonacionin e zërit dhe mënyrën e të kollurit. Më 1990 u themelua PD-ja, jo Berisha. Është faj i të gjithëve, por edhe një mungesë tradite demokratike, që sot, mbas 7 vjetësh, na rezulton të kemi Berishë dhe jo PD.
Para se Kuvendi Kombëtar të zgjedhë kryetarin, gjatë gjithë kësaj periudhe, PD-ja duhet të mendojë mirë për këtë. Duhet të ketë disa kanditatura, të cilët unë mendoj se duhet të bëjnë një fushatë të tyre në parti. Atyre duhet t’u krijohet hapësira e nevojshme e komunikimit me bazën dhe t’u krijohen mundësi të barabarta konkurimi. Kandidatët le të shpalosin para bazës alternativat që ofrojnë dhe konceptet që kanë për ndërtimin, funksionimin dhe drejtimin e partisë. Kjo do të ishte në të mirë të PD-së e, për pasojë, të demokracisë shqiptare.
Gazeta “Republika”, 3 shtator 1997