Albspirit

Media/News/Publishing

Qerim Vrioni: Mbi  albumin fotografik  “Berati”  të  Leon Çikës

                             

 

Para se të flasim për albumin e arritur cilësor “Berati” të fotografit të njohur Leon Çika, lipset t’i hedhim një sy të shpejt zhvillimit të këtij qyteti që nga kohët e vjetra e deri sot. Berati, qyteti 2400 vjeçar i vendosur mbi dy kodra të ndara nga një lum, është i mënjanshëm edhe për  pozicionin ku është vendosur. Pamjet që ofron ai, qysh herët kanë tërhequr vëmendjen e piktorëve të huaj duke cekur këtu sidomos anglezët, Eduard Lear-in, Charls Cokrell-in të mesit të shekullit XIX. Më pas magjija e qytetit joshi edhe fotografë europianë (dhjetvjeçarët e parë të shekullit të kaluar) të cilët kanë realizuar mjaft kartolina me peizazhet mahnitëse të “qytetit të bardhë”, siç thuhet se ishte zanafilla e emrit. Natyrisht, edhe vendasit s’kishin si të mos ngacmoheshin nga bashkëpunimi i përputhur i Natyrës  dhe  Njeriut, në ndërtimin e qytetit, të cilat në fund të fundit, ishin si dy duart e një trupi. Kështu natyra krijoi kodrën, ndërsa njeriu ndërtoi kështjellën (“kala” i thonë beratasit lagjes brenda saj dhe banorët, thirren ”kalarinj”). E para pa të dytën do ishte si mijra të tjera në vend, që nuk lëshojnë hije, ndërsa e dyta nuk mund të bëhesh “zonjë e rëndë” pa të parën. Me fjalë të tjera, ato ishin ngjizur për njera-tjetrën. Grishja që u bënte qyteti artistëve kishte po atë aromë, që e thithnin qysh prej lindjes beratasit e rritur pranë gjerdanit të kishave dhe xhamive të shumta e me emra interesantë. Objektet e kultit, përveç drejtimit kryesor të tyre, shërbenin edhe si vende ekspozimi pikturash murore, ato ortodokse me tema fetare, ndërsa në ato  myslimane shkrimet I shoqëronin vizatime me tema floreale e zoofite. Kështu, në një farë mënyre, ato kryenin detyrat e muzeve të vogla të artit. Në Berat ka pasur disa shkolla të artit pamor kishtar, aty ka krijuar Onufri, piktori i njohur i afreskeve që krijoi edhe një nuancë të ngjyrës së kuqe që mban emrin  e tij.

Në Berat rreth vitit 1972, u rizbuluan dy Kodikët e famshëm të krijuar nga shekulli VI deri në atë IX. Si këta kodikë, në botë egzistojnë edhe vetëm tre të tjerë.  Gjithashtu në njerën nga kishat e kalasë, është gjetur edhe Epitafi i Gllavenicës, vepër arti me vlera të mëdha, e krijuar rreth vitit 1373. Mendojmë se nuk është rastësi që këto objekte mjaft të rralla e unike janë krijuar dhe gjendur në qytetin e Beratit, çka nxit fantazinë e kujtdo për të përfyturuar jetën materiale dhe shpirtërore të vendasve. Këtu mbase është vendi të kujtojmë edhe marrëdhëniet  miqësore e të ngrohta ndërmjet ndjekësve të dy feve. Karakteristikë tjetër, gjithashtu tipizuese e qytetit është edhe ndërtimi i shtëpive, sidomos në lagjen e vjetër Mangalem, një mbi një, por edhe në krah të njera-tjetrës, me dritaret e shumta të cilat nga largë nuk dallohen se cilës shtëpi i përkasin. Për këto, Berati quhet edhe “qyteti i një mbi një dritareve”, epitet ky i veçantë dhe tërheqës.

Nga fillimi shekullit të kaluar, në qytet filluan punën edhe fotografët e parë beratas Koçi Kusta, Naun Vruho e, më pas Ilia Xhimitiku, madje ky i fundit është kthyer në një farë simboli i fotografisë për qytetin. Ata punonin përgjithësisht për komunitetin, por shpesh herë kapnin me objektivat e tyre imazhe të bukura të cilat qyteti i ka të panumurta. Për Beratin janë realizuar prej kohësh disa albume fotografike, secili me veçantitë e tij. Një i tillë është ky fundit që kemi përpara i fotografit Leon Çika. Qyteti, siç pranohet dhe pohohet nga të shumtit e atyre që merren me art, por edhe të tjerëve, është tepër piktorik. Ai, ka mjaft pika këndvështrimi të cilat dhurojnë pamje magjepsëse, por dhe që ndryshojnë nga njera-tjetra, të gjitha joshëse e, njëherazi të veçanta. E, në shumë prej tyre do gjesh në sfond malin e  Tomorit (“fronin e Perëndisë”), ose Baba Tomorin, siç i thonë familjarisht vendasit ose atë të Shpiragut, në anën tjetër.  Kështu, për t’a fotografuar Beratin, mbase duhet t’a shikosh atë  me syrin e piktorit, përveç se atij të fotografit. Leon Çika e plotëson këtë kusht , ai ka studiuar për pikturë, e lëvroi atë jo pa sukses, por më pas iu përkushtua edhe fotografisë. Një piktor i cili fotografon shumë, me passion e art. Ndoshta kështu ishte e thënë, sepse edhe tek fotografia ai gjeti mirë vehten. Jeta e tij krijuese tashmë ecën mbi dy shina, pikturën dhe fotografinë, pa i mbajtur anën asnjerës e, duke i trajtuar si fëmijë binjakë e, përftuar kështu nga secila kënaqësi ndjesore të mëdha.  Kultura shqiptare njeh edhe raste të tjera, të piktorëve të shquar që ushtronin me sukses edhe fotografinë. Le të kujtojmë, Kol Idromenon, Sadik Kacelin, Vangjush Mion, Andrea Kushin etj.e,  Çika, duket se e ka shfrytëzuar me shumë aftësi përvojën e tyre të vyer në lëvrimin e dy arteve.

Fotot e albumit, përgjithësisht hyjnë në peizazhet urbane, ku kryesore është veprimi i njeriut mbi mjedisin, por gërshetimi i kësaj me atë çka krijoi natyra, shpaloset në foto sikur të jenë ngjizur në të njëjtën kohë. Kështu, fotografitë e albumit shpesh paraqiten si kompozime të mirëfillta që mund t’u vendoseshin fare mirë edhe emra me karakter psikologjik dhe filozofik, edhe pse me numur të kufizuar elementësh grafik në to. Po ashtu, në fotografitë e Çikës, thuajse nuk gjendet fare ndonjë “sipërfaqe parazitare” e, ato sikur janë distilime të atyre pamjeve të përgjithëshme që mbizotërojnë mjedisin. Ato qëndrojnë largë shkrepjeve kartolineske, që në këto raste  janë të zakonëshme, sepse siç u përmend edhe më sipër, këto foto nxisin goxha përsiatjet e shikuesit të tyre. Çika, operon i sigurt e me sukses nëpërmjet gjetjes së këndmarrjes, kuadrimit dhe ndriçimit të imazhit, që përbëjnë mjetet kryesore  shprehëse të artit të fotografisë.

Albumi fotografik “Berati” e përfaqëson Leon Çikën si fotograf i cili e njeh mirë dhe e dashuron dritën me lodrimet e stërholluara të saj, duke shpërfaqur kësisojë finesë të rrallë. Ai e gjen dritën si në planet e afërtë, ashtu edhe në sfonde për ti dhënë shpesh asaj njolle të ndriçuar statusin e pikës së rëndesës së fotos, çka nuk është e përhapur shumë në fotografinë shqiptare. Njëkohësisht, ai trajton me aftësi të admirueshme e të rrallë kontrastet tonale (por jo të forta), ndonëse operon në fotografinë me ngjyra, ku të “shtëpisë“ janë ato koloristike. Kështu, mjaft fotografi të albumit të krijojnë përshtypjen se po sheh një pikturë me ngjyra të mbajtura, gjë që shton kohën e kundrimin me vëmendje e, njëherazi dhe kënaqësi të tyre. Madje, nga kujdesi i Çikës në zgjedhjen dhe gërshetimin e ngjyrave të pamjeve që do kap me objektivin e tij, herë-herë, në shikimin e parë, të duket se po sheh një foto monokromatike e po ashtu, sikur po vështron fotografinë e një peizazhi të arritur me vaj. Fotografi ka përdorur për përgatitjen e albumit si teknikën analoge ashtu edhe atë digitale. Janë rreth 300 foto, por për t’i përzgjedhur këto, duhet të siteshin, ndoshta shumë më tepër. Kjo kohëndarje që gjithashtu është pjesë e procesit krijues artistik, tregon se Çika, edhe këtu shpalos zotësi dhe siguri.

Përmbledhjet fotografike të këtij lloji, përgjithësisht duhet të plotësojnë dy vektorë, atë njohës,  informativ (në rastin tonë qyteti i Beratit) dhe atë estetik.  Leon Çika i ka mëshuar më tepër të dytit,  duke bërë që “shkrepjet” e tij të kenë nivel  të atillë që të hyjnë në artin e fotografisë. Ai, ashtu si dhe më parë (bashkëautor në një ekspozitë shumë interesante për turizmin më 2006), e ka realizuar synimin e dëshiruar,  albumi përbën një vepër me vlerë në fotografinë shqiptare nga e cila kanë ç’të mësojnë edhe ushtrues pasionantë të artit të fotografisë në vend. Për këtë, atë e ka ndihmuar jo vetëm aftësia e tij e veçantë si fotograf, por edhe lidhja e gjatë shpirtërore tij me qytetin e Beratit. Mungesën e madhe të albumeve fotografike të këtij niveli, vepra  “Berati” i Leon Çikës, e zbeh mjaft duke u dhuruar dashamirëve të shumtë të fotografisë, por dhe të Beratit, ndër ta edhe shkruesi i këtyre rradhëve, kënaqësi njohëse, por sidomos estetike.

 

 

 

Please follow and like us: