Hyqmet Hasko: Profil letrar për Pandeli Koçin
Kur i qasesh një profili krijues, për të ndërtuar ato ura që e lidhin atë me kohën dhe bashkëkohësin, vështirësia e parë qëndron në faktin se sa më shumë kërkon të gjesh gjurmë dhe të sjellësh përvoja njerëzore e letrare, që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi me këtë individualitet, aq më shumë qasja dhe kërkimi shkojnë drejt të pamundurës. Kjo ndodh pasi jeta krijuese, ashtu si jeta njerëzore, janë komplekse dhe sapo tenton të rrokësh një vektor të tyre, të dalin e të parakalojnë vrullshëm vektorë të tjerë, grimca kohe e kujtese që enden në një soj mjegulle e misteri.
Ky imazh po më shoqëronte në formën e një ideje të shumëfishuar, teksa sillja ndërmend gjurmët e Sazan Golikut, (Pandeli Koçit) në analet e letrave tona kombëtare, në një shtrirje të gjatë kohore, prej rreth pesëdhjetë vitesh.
Sazan Goliku (emri letrar i Pandeli Koçit) njihet gjerësisht nga lexuesi shqiptar, që në fillim të viteve ’70, kur nis karriera e tij letrare e në vijim, deri në ditët tona, kur temporitmi i krijimtarisë së tij, në prozë, poezi, publicistikë, studime e kritika letrare, në letrat për të rritur dhe fëmijë, ka ardhur gjithnjë në rritje, qoftë si prurje sasiore, qoftë si cilësi estetike,
Në prozën dhe poezinë e tij gjallon dhe rreh pulsi i jetës shqiptare, e ndodhura, historia dhe fiksioni shkrihen në një realitet estetik, kurbat e të cilit kanë ardhur gjithnjë në ngritje, duke bërë që ky autor të merret shumë seriozisht nga lexuesi shqiptar, i të gjitha moshave dhe niveleve kulturologjike.
Sazan Goliku, (emri letrar i Pandeli Koçit) ka lindur në Vlorë më 1942 dhe ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në Tiranë, pas të cilit ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1981 – 2002 ka punuar si drejtues në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë dhe letërsi për fëmijë, si dhe tekste këngësh. Është marrë me kritikë e studime letrare, recensione dhe ese. Ka botuar 12 libra për të rritur dhe 31 libra për fëmijë. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë dhe kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj që nga viti 2008.
-Nga viti 1960 dhe në vazhdim ka botuar studime, kritika e recensione letrare në organe të shtypit, letrar e shkencor si Zëri i Rinisë, Drita, Zëri i Popullit, Nëntori, Studime Filologjike, Dardania Sacra, Fjala, Jeta e Re, Jehona, Mehr Licht, Poeteka, Zëri, Albania, Shqip, Shekulli, Telegraf, Obelisk, Nacional, Sot etj. etj. në Tiranë, Prishtinë e Shkup.
-Ka pasur veprimtari të dendur me emisione, biseda e intervista në radio e televizione të ndryshëm, si dhe ka ligjëruar në konferenca letrare e shkencore që nga viti 1960. Ai Ka fituar disa çmime letrare kombëtare e vendore, ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1969, ka qenë bashkëredaktor (me Prof. Dr. Emil Lafen) i Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë (1998), ka qenë zëvendëskryeredaktor i revistës shkencore juridike-sociologjike “Pajtimi”, redaktor i revistës “E drejta parlamentare dhe politikat ligjore” dhe i revistës “Lente sociologjike”.
-Që nga viti 2008 është Kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj dhe ka zë në “Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë” të Hasan Hasanit, në “Leksikonin e shkrimtarëve për fëmijë” të Odise Grillos, në “Leksikonin e gazetarëve shqiptarë” të Hamit Boriçit dhe trajtohet gjerë në “Histori e letërsisë shqipe për fëmijë” të Astrit Bishqemit etj.
Ndër botimet e tij për të rritur mund të përmendim: Pasqyra e thyer (1972), Lule drite (1977), Grusht (1981), Intimitet, (1987), Aventurat e lirisë (1995), Epidemi kozmike (1996), Ëndërr dashurie (1996), Petalet e rëna (2001), Trekëndëshi i qiellit të zi (2006), Turbull (2007)
Shpirtdehje (2011), Unë jam unë (2012), nga titujt e librave të tij për fëmijë mund të përmendim: Unë pionieri (1971), Rreze mbi valë (1973), Dritaret e shkollës (1974), Ata ishin partizanë (1976), Trimëritë e Ujkan Gjonit (1977), Shigjetat e zjarrta (1978, 2001), Dhembët e çeliktë (1980), Ti më je si lulëkuqe (1980), Komitët e Malit të Bardhë (1999, 2011), Mjalti i hidhur (2001, 2006, 2007), Aventurat e një mëngjesi (2003), Arap maçoku dhe Verdha, bukuroshe (2004), Trimi i rrallë dhe mbreti burracak (2004), Pasqyra që flet (2005), Djemtë e detit (2006), Gabimi i Markut (2006), Bariu i vogël, ujku e bora (2006), Grenzat dhe mjalti (2006), Mos harro se je Njeri (2009), Ujku pa dhëmb (2010), Kemi parë e s’keni parë (2011), Faleminderit, Abetare (2012), 10 përralla (2013), Kupa me kapak – kupa pa kapak (2014), Përbindëshi i fshatit kobzi (2014).
Poezia është një nga lëvrimet e tij më të suksesshme, pasi në vargun e tij gjejmë mishërimin e traditës më të mirë të poezisë shqipe, por të pasuruar në elementë modernë e modernistë, gjithmonë në përputhje me dhuntitë vetjake të poetit, i cili në poezinë e tij ka si mishërim kryesor sendërtimin e një nacionalizmi poetik, jo si produkt shtampë, siç ndodh rëndom me artin deklamativ e retorik, por si një risi e përdorimit të një teknologjie modern të procedimit estetik.
Nëse iu hedhim një sy poezive të tij, do të vërejmë se poezia është për poetin një akt shenjtërimi, pasi me të ai lidh jo vetëm kujtesën, historinë, çastin, përditshmërinë, flirtin, ndjeshmërinë e hollë, uninin e tij shëtitës dhe kredot që e motivojnë, por tenton të zbulojë dimensione të reja të minibotës që bën objekt shqyrtimi poetik.
Thelbi substancial i poezisë së Golikut është moderniteti lirik, rrekja për të thënë sa më shumë gjëra me sa më pak fjalë e vargje, duke e kondensuar mendimin dhe emocionin në ngarkesa të forta estetike. Poezia si ndjesi e epërme e qenies dhe shpirtit, që vjen nga e panjohura dhe ëndrra e kulluar, si një kumt fatbardhë, për të përndezur majat e pasionit dhe për të dëshmuar një ekzistencë tjetër, përtej asaj të zakonshmes, dëshmohet në aktin krijues të Golikut si një etni tjetër, etnia e dashurisë dhe filozofisë së mbijetesës kombëtare, nëpërmjet unit poetik të grimcuar në mesazhe.
Poeti vjen në rrugën e poezisë me një akt të plotë poetik, pasi sipas mënyrës së saj, iu shkon deri në fund të vërtetave të unit dhe të jashtësisë, në një tentativë për të rrokur dimensione eterike të realitetit që e rrethon në përditshmërinë e tij dhe të bashkëkohësve. Ai rrok tema të ditës, por dhe raporte mitike e trandenshente, vozitet në tokën e lirë të ëndrrave të kulluara dhe sjell me vete aromën e një jete të ngarkuar me mbresa e përjetime të forta, të cilat na i përcjell me një kamer poetike të fuqishme dhe pa ekuivoke e keqkuptime. Gjeografia e tij poetike është një gjeografi e thyer dhe e pasur me territore nga më ta larmishmet, me fusha, male, lumenj, pyje, ndjenja fisnike, mall, idil, dhimbje, ankth, kërkim në botën e dashurisë, zhgënjim dhe trazim, një botë komplekse në lëvizje, që të joshë e të befason me larminë dhe freskinë e gjendjes dhe të imazhit poetik. Udhëtimi përgjatë poezisë së Golikut është një udhëtim shqyrtues, ballafaques, kërkues e krahasues, pasi në vargjet e tij të ndjera, me figura të pastërta e të gjalla, plot ndjeshmëri dhe emocion, na jepet një botë e thyer, lufta mes midis unit dhe jashtësisë së tij, koha dhe bashkëkohësi, me problematikat e mprehta ekzistenciale, etike, filozofike e humane. Botëvështrimi mbi njeriun modern, mbi njeriun shqiptar, që përpiqet në një luftë sizifiane për të gjetur vetveten dhe për të kapur kohën historike të humbur, është një nga mesazhet më kuptimplotë të poetit.
Në thelb jo vetëm poezia, por dhe proza, shkrimet dhe kontributet eseistike e kulturologjike të Sazan Golikut janë pjesë e vektorit kombëtar të letrave dhe kulturës sonë të ridimensionuar kombëtare, për të cilat ai ndihet i obliguar dhe i përkushtuar me artin e fjalës së bukur dhe veprimin e një atdhetari plot pasion.
Sazan Goliku ka një veprimtari të gjerë në fushën e krijimtarisë letrare, por ai spikat dhe në krijimtarinë për fëmijë, ku mund të themi me plot gojën se është një nga autorët me profilin më të plotë e më të adhuruar nga bota fëminore. Mesazhet e kësaj krijimtarie lidhen me një edukim estetik atdhetar të të vegjëlve, edukim ky mjaft i nevojshëm, në një kohë si kjo që po përjetojmë, kur globalizmi po tenton të rrënojë të gjitha urat e veçantësive kombëtare.
Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë Sazan Goliku (Pandeli Koçi) për njohjen e letërsisë së Kosovës në Shqipëri, në një kohë kur Kosova ishte “mollë e ndaluar” dhe të flisje për të –më e pakta që mund të themi-është se nuk shikoheshe me sy të mirë nga regjimi. Me kurajo qytetare dhe krijuese, me atdhedashurinë për çdo pëllëmbë tokë të këtij kombi, të cilën ai e ka mbartur me vete në çdo varg e rresht të krijimtarisë së tij, Pandeli Koçi ka ndikuar personalisht që kjo letërsi të mos jetë “e humbur”, por të gjejë lexuesit e saj në trungun amë.
Pas kësaj qasje vertikale, për një personalitet letrar me një zë krejt të veçantë në letrat tona kombëtare, mund të themi me dy fjalë, si përfundim, se Sazan Goliku, (emri letrar i Pandeli Koçit) është një shkrimtar, publicist dhe studiues me një individualitet të thekur, me emrin e të cilit lidhet poezia, proza, letërsia për të rritur e fëmijë, kritika letrare dhe muzikologjia (si autor tekstesh), kontributet atdhetare për afrimin e letërsisë kosovare në të gjitha trojet shqiptare, si një mundësi për një komunikim të ri shpirtëror të shqiptarëve në të gjithë hapësirën e shtrirjes së tyre, pa mure dhe dogana shpirtërore.