Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Mirela Oktrova: Çmimi dhe paragjykimi

Në një komunitet, ku opinioni rëndon më shumë se fakti dhe kontributin e vulos perceptimi, çdo angazhim në veprimtari të ndryshme shoqërore mbart në vetvete rrezikun e paragjykimit. Pavarësisht se paragjykimi, përputhur me formimin dhe interesat që e lindin, ka karakter subjektiv, në një shoqëri të këtij modeli ai shumëfishohet shpejt dhe duke qenë mbizotërues perceptohet si objektiv. Në këtë kuadër edhe cilido që vë këmbën në një juri, përballet automatikisht me një sërë mitesh, të cilat gjatë gjithë angazhimit dhe veçanërisht pas shpalljes së çmimit vënë në dyshim të vazhdueshëm  dhe frontal – pavarësisht se jo gjithnjë pa të drejtë – si gjykimin tërësor të jurisë si formacion ashtu edhe integritetin profesional dhe personal të secilit prej pjesëtarëve të saj.

Paragjykimet nuk munguan të shoqëronin edhe edicionin e tretë të Çmimit Kadare, me vlerë 10 mijë Euro, të akorduar nga Instituti Europian PASHKO me mbështetjen e UET për prozën më të mirë, fitues i të cilit u shpall shkrimtari i mirënjohur Musa Ramadani me romanin e tij “Profeti nga Praga”. Por përtej reagimeve emocionale dhe subjektivitetit të komenteve, që pasuan publikimin e fituesit, analiza e kthjellët e prurjeve dhe profilit të shkrimtarit fitues evidentojnë disa prirje dhe veçori:

Së pari, rritja e vitpasvitshme e numrit të konkurrentëve, dëshmon nga njëra anë popullaritetin në rritje të Çmimit Kadare dhe nga ana tjetër faktin, se në hapësirën mbarëshqiptare vijon të prodhohet sistematikisht letërsi, një pjesë e së cilës me cilësi dukshëm të spikatur.  Përkundër skepticizmit subjektiv të disa prej komentuesve, objektivisht shtimi i numrit të konkurruesve përbën jo së fundi edhe një dëshmi të besimit, që secili prej tyre ka në vlerësimin korrekt të jurisë përkatëse.

Së dyti, karakteri gjithëpërfshirës i pjesëmarrësve si edhe standardi i veprave në konkurrim dëshmon, se cilësia e të shkruarit nuk është monopol i asnjë individualiteti, brezi apo gjinie. Kontributet e ardhura thuajse nga gjitha grupmoshat dhe prania simpatike e zonjave, që përbën 1/6 e konkurruesve, dëshmojnë talent dhe produktivitet artistik pavarësisht çdo përkatësie dhe evidentojnë dukshëm talentin e të rinjve, që konkurruan denjësisht krahas penave të njohura në tematikë, qasje, në hulumtime dhe jo së fundi në teknikë rrëfimi. Parë nga ky këndvështrim, struktura e finalistëve të Çmimit në një analizë të kthjellët, do të duhej të ishte një dëshmi e mjaftueshme për një gjykim të bazuar mbi faktin dhe jo mbi interesat apo informacionin paraprak.

Së treti, gjeografia e pjesëmarrësve dëshmon jo vetëm, se Çmimi iu “flet” të gjithë krijuesve shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve, por edhe se hapësira letrare mbarëshqiptare ka zënë tashmë të funksionojë si një e tërë. Ajo kufizohet aktualisht vërtet vetëm në interesin për botimet, panairet dhe konkurset letrare të njëri-tjetrit, por mbart detyrimin dhe perspektivën për të vijuar edhe me njohjen më të thellë dhe përfshirjen e produktit letrar mbarëshqiptar të pas viteve ’90 në tekstet shkollore përkatëse. Objektivisht diçka e tillë jo vetëm na zgjeron njohuritë dhe mundësitë për kënaqësi estetike, por forcon dhe të vetëndjerin për standardin e produktit letrar mbarëkombëtar, ndonëse subjektivisht mund të na integrojë në një konkurrencë të padëshiruar…

Së katërti, letërsia universale, me të cilën impresionon fituesi i këtij edicioni, emocioni, fantazia dhe teknika e rrëfimit të së cilës sfidon njëkohësisht emocionin dhe intelektin, duke na mbërthyer në një botë që s’është jona, thyen njëkohësisht dy mite – mitin, sipas të cilit shkrimtarët shqiptarë mund të kenë sukses vetëm në trajtimin e temave me kolorit lokal dhe mitin tjetër, sipas të cilit modernizmi është monopol vetëm i brezit të ri të krijuesve. Objektivisht, kjo do të përbënte një shtysë për të njohur jo vetëm individualitetin e autorit, por edhe të gjithë plejadën apo “paradigmën” e “avangardistëve” kosovarë, që fillon me Anton Pashkun dhe mbaron me Musa Ramadanin, ndonëse subjektivisht mund të prodhojë “skepticizëm kritik” për raportin e shumëdiskutuar të faktit me fiksionin…

Së pesti, diskutimi publik për çmimin dhe fituesin dhe publikimi i të gjitha opinioneve në gazetën MAPO përbën një tjetër tregues serioziteti për mënyrën e menaxhimit të Çmimit nga ideatorët e tij, si edhe një dëshmi autoriteti për vetë çmimin Kadare, shpalljes së të cilit i parapriu serioziteti maksimal dhe vlerësimi thellësisht objektiv i prurjeve – larg çdo interesi, përkatësie, ndikimi, klisheje apo paragjykimi. Objektivisht kjo duhet parë si emancipim dhe model, që do përshëndetur dhe mbështetur, pavarësisht se subjektivisht apo nga këndvështrimi i trafikut të interesave, mund të perceptohet si arrogancë apo rrezik për klishetë, me të cilat jemi mësuar deri tani të vlerësojmë dhe paragjykojmë.

Një komuniteti, ku opinioni rëndon më shumë se fakti dhe vlerësim është paragjykimi, i bën mirë të ndeshet herë-herë në administrator seriozë dhe profesionistë me integritet, i bën mirë të mos i dalin llogaritë dhe t’i dështojnë trafiqet e interesit… .

Kjo i thyen klishetë dhe i pret vrullin!

Jo vetëm në letërsi! Jo vetëm këtej kufijve!

Ky është kontribut prej “pionieri”!

Please follow and like us: