Albspirit

Media/News/Publishing

Deliri sovjetik, që magjepsi ajkën e inteligjencies perëndimore

Kanë kaluar njëqind vjet nga revolucioni bolshevik i tetorit, dhe për këtë përvjetor po dalin libra, artikuj, dokumentarë, ndërkohë që paralajmërohen takime të rëndësishme studimore.

Vepra e Leninit, lindja e Bashkimit Sovjetik, Stalini dhe stalinizmi, ngjitja e BRSS në statusin e fuqisë së madhe, fitorja mbi agresionin nazist, kulti i Stalinit, destalinizimi i nisur nga Hrushovi në vitin 1956 me të famshmin “raport sekret” (i cili denonconte sistemin terrorist mbi të cilin mbahej pushteti i Stalinit), rënia e Hrushovit, epoka e Brezhnjevit, ardhja në pushtet e Gorbaçovit, kolapsi i sistemit. Të gjithë këto tema do të diskutohen gjerësisht. Këtu duam të ndalemi në disa pika që, në një farë mase, janë ende aktuale, dhe mund të jenë burim reflektimi të thellë, për ne njerëzit e sotëm. Eshtë e ditur se intelektualë të njohur dhe shkrimtarë të mëdhenj rendën drejt Bashkimit Sovjetik, dhe panë tek ky vend – ku qytetarët nuk gëzonin të drejta civile dhe politike, ku diktatura e Partisë Komuniste ndalonte përhapjen e çfarëdolloj kritike dhe kundërshtie, ku niveli i jetesës ishte shumë modest, por me pabarazi të dukshme (privilegjet e nomenklaturës) – intelektualë të shquar panë tek ky vend, pra, një lloj parajse mbi tokë. Kështu u shprehën personalitete si H. G. ëells, G. B. Shaë, Th. Dreiser, sa për të përmendur disa (një listë shteruese do të kish qenë shumë e gjatë). Një mendimtar i nivelit të John Deëey, kur shkoi në BRSS, arriti deri aty sa të pohonte: “Unë pata për herë të parë një ide të mjegullt të asaj që mund të kenë qenë forca dhe shpirti i kristianizmit të hershëm”. Dhe shtoi: “Njerëzit venë e vijnë, këtu në Bashkimin Sovjetik, sikur disa pesha të rënda dhe shtypëse u janë hequr, të krijohet përshtypja sikur më në fund janë çliruar energji që janë mbajtur shtypur për një kohë të gjatë”.

Delire, sigurisht. Po cili ishte shkaku i këtyre delireve, që prekën personalitete kaq të famshëm? Ishte, mbi të gjitha, bindja se Bashkimi Sovjetik kishte krijuar një botë të re, sepse kishte eleminuar pronën private. Prona private: ja pra, mëkati origjinal, e keqja absolute.

Një personazh si Leon Trocki, kur fliste për BRSS stalinian, për “revolucion të tradhëtuar” (duke qenë se, sipas tij, masat popullore ishin privuar nga çdo lloj autonomie politike dhe çdo formë vetëqeverisjeje, dhe në të gjithë vendin dominonte një burokraci e partisë-shtet, që gëzonte privilegje të mëdha sociale, që qeveriste dhe ruante dominimin e vet përmes despotizmit dhe terrorit policor etj.) – Trocki, edhe pse pohonte gjithë këto, ishte i palëkundur në një pikë: që Bashkimi Sovjetik, duke eleminuar pronën private dhe shtetëzuar të gjithë ekonominë, mbetej një “shtet punëtor”. Tekstualisht: “Shtetëzimi i tokës, mjeteve të prodhimit, transportit dhe shkëmbimeve tregtare, ashtu sikurse dhe monopoli i tregtisë së jashtme, formojnë bazën e shoqërisë sovjetike. Dhe këto arritje të revolucionit proletar e përcaktojnë në sytë tanë, BRSS-në si një shtet proletar”. Pra një shtet superior ndaj shteteve kapitaliste. Eshtë e qartë që përballë bindjeje dhe këtij mentaliteti duhej të shfaqeshin si herezi, apo blasfemi, pozicionet e liberalëve, të bindur se heqja e pronës private dhe shtetëzimi i ekonomisë jo vetëm shkatërrojnë strukturën e pasur të shoqërisë civile, por shtypine dhe çdo mundësi sipërmarrjeje të lirë e autonome, çdo lloj kreativiteti dhe progresi. Von Hayek shkruante: “Të gjithë argumentimet në mbështetje të lirisë intelektuale vlejnë edhe për lirinë e veprimit… Vetëm aty ku mund të eksperimentohen një numër i madh mënyrash të ndryshme për të vepruar, do të arrihet një shumëllojshmëri eksperiencash, dijesh, kapacitetesh individuale, të tilla që të lejojnë, përmes përzgjedhjes së pandërprerë të më efikaseve, një përmirësim të vazhdueshëm”.

Gjëra që sot tingëllojnë të vetëkuptueshme. Po a pranohen vërtetë nga të gjithë? Ka vend për dyshim. / Il Foglio – Bota.al

Please follow and like us: