Denoncimi i abuzuesve, Preçi: Emrat duhet të publikohen
Sipas Zef Preçit, mbrojtja më e mirë nga produktet e dëmshme në treg është publikimi i emrave të kompanive që i tregtojnë ato. Por, sipas tij, institucionet publike që mbikëqyrin tregjet nuk kanë vullnet për ta bërë këtë.
“Duke shfrytëzuar faktin që nuk ka përkufizime detyruese për AKU-në për të publikuar dhe për entet e tjera që konstatojnë shkelje në treg, pra agjencitë që monitorojnë tregjet, abuzohet nga drejtuesit e këtyre institucioneve dhe mbrohen firmat, në vend që të mbrohet konsumatori. Këto institucione janë ngritur dhe funksionojnë mbi bazën e taksave të qytetarëve. Nuk është problem ligjor, është çështje vullneti”, thotë Zef Preçi.
Redi Skënderaj, nga zyra e Komisionerit të Informimit, thotë se publikimi i subjekteve që tregtojnë produkte të dëmshme është detyrim ligjor.
“Në rastin që thoni ju ka një interes të lartë publik, për analiza të caktuara për produkte të caktuara ose për shëndetin e konsumatorëve. Kështu që të gjitha autoritetet publike duhet ta bëjnë publik këtë lloj informacioni”, thotë Skënderaj.
Ligji për të drejtën e informimit u ndryshua në vitin 2014, duke forcuar detyrimin e institucioneve shtetërore të publikojnë emrat e subjekteve që abuzojnë në treg. Por, a zbatohet ky detyrim?
“Sigurisht që, si çdo ligj i ri, edhe ai ka pasur problematikat e tij në raport me zbatimin. Por mund të themi se, nga çfarë ishte në çfarë është, është një situatë krejt e ndryshme”, shton më tej Skënderaj.
Top Channel kërkoi informacion nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Sipas AKU-së, në harkun kohor të një viti, ky institucion ka bërë publike emrat e 9 subjekteve, që janë konstatuar me shkelje flagrante. Por në shumë raste të tjera, kur janë konstatuar subjekte që nuk plotësojnë kushtet higjienike, apo që tregtojnë produkte të skaduara, emrat nuk janë bërë publike. Sipas AKU-së, ndaj këtyre subjekteve janë marrë masa të tjera administrative, si paralajmërime dhe gjoba, në mbi 3.200 raste./TCH/