Gjykata e Tiranës: Si duhet të veproni nëse nuk e keni emrin në listë
Kërkesa përjashtohet nga taksat gjyqësore. Në rast se zgjedhësi ndryshon vendbanimin pas shpalljes së listës së zgjedhësve, lista nuk ndryshon dhe zgjedhësi voton në qendrën e votimit ku ka emrin në listën e miratuar.
Të dielën në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Njoftimi i plotë i Gjykatës së Tiranës
Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë bën me dije qytetarët e rrethit të Tiranës se kërkesat për lejim votimi paraqiten në formën e kërkesës me objekt : ” Lejim votimi” të bazuar në Kodin Zgjedhor, Neni 57/1 i cili parashikon se:
Kur zgjedhësi vëren se përbërësi i tij zgjedhor përmban pasaktësi, nuk është i regjistruar në listën e zgjedhësve të zonës së qendrës së votimit të vendbanimit të tij ose nuk është regjistruar fare në ndonjë nga listat e njësisë së qeverisjes vendore ku ai ka vendbanimin, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatën e rrethit gjyqësor përkatës deri 24 orë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa, sipas kësaj pike, përjashtohet nga taksat gjyqësore.
Neni 45 i Kodit zgjedhor parashikon shprehimisht se përbërës zgjedhore quhen:
a) emri;
b) atësia;
c) amësia;
ç) mbiemri;
d) datëlindja;
dh) numri personal i identifikimit;
e) shtetësia;
ë) kodi i vendbanimit;
f) gjinia.
Kodi Zgjedhor në Nenin 57/2 ka parashikuar shprehimisht:” Në rast se zgjedhësi ndryshon vendbanimin pas shpalljes së listës së zgjedhësve, lista nuk ndryshon dhe zgjedhësi voton në qendrën e votimit ku ka emrin në listën e miratuar. Në rast se zgjedhësi paraqet kërkesë në Gjykatë në kushtet e kësaj pike, kërkesa rrëzohet.
Nga sa më lart, rezulton se Gjykata nuk mund të ndryshojë qendrën e votimit të kërkuesit sipas Nenit 57/2 të Kodit Zgjedhor, duke sjellë në vëmendje edhe parashikimin në Nenin 56/5 sipas të cilit: “Lista e zgjedhësve nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në pikën 1.
Programi kompjuterik ndërtohet në një mënyrë të tillë që nuk lejon asnjë ndryshim në pikën 1. Programi kompjuterik ndërtohet në një mënyrë të tillë që nuk lejon asnjë ndryshim.”
Kërkesës për lejim votimi duhet t’i bashkëngjitet:
– Kopje e kartës së identitetit,
– Vërtetim nga Njësia Administrative banor i të cilës është,
– Vërtetim nga Zyra e Gjendjes Civile përkatëse mbi përbërësit familjarë/ Nr. e qendrës së Votimit/mospërfshirjes në listën e votimit përfundimtar.