Albspirit

Media/News/Publishing

Xhevdet Shehu: Trimi

Tregim

(Ngjarje e viteve ’30 të shekullit të kaluar)

 

Kjo ngjarje është tërësisht e vërtetë dhe tregohet shpesh edhe kësaj dite në anët tona, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre breza jetë që nga koha kur ka ndodhur. Për të mos fyer ndonjë nga pinjollët e personazheve të këtij tregimi, (me sa kam marrë vesh, njëri nga nipërit e beut që është personazh në këtë tregim është bërë edhe deputet), unë po bëj një marifet të vogël: kam ndryshuar emrin e fshatit ku ka ndodhur ngjarja si dhe emrat e personazheve, pavarësisht se andej nga anët e mia e dinë mirë se si ka ndodhur e për kë bëhet fjalë…

Dhe ngjarja është kjo:

Selishta ka qenë një fshat i madh në atë kohë me rreth 300 shtëpi, që shtriheshin sa në fushë aq dhe në kodrat që e hijeshonin dhe e bënin më të bukur atje buzë lumit… Sot ku e ku është bërë më i madh e më i bukur, është thuajse një qytet ku ia vlen ta kalosh jetën se gjithë të mirat i ke te dera e shtëpisë. Një vend i bekuar ku rriten të gjitha pemët, që nga ulliri, fiqtë, shegët, dardhat e gorricat, kumbullat e qershitë, ftonjtë e kajsitë… Leri bagëtitë e imëta, lopët dhe bletët… Po mbi të gjitha janë njerëzit, aq të mirë e mikpritës si rrallëkund tjetër. Nejse e kishim llafin për atë kohë kur ka ndodhur ngjarja.

Beu i fshatit Selishte, Veli Rrapushi, tashmë që i kishte kaluar të pesëdhjetat, i kishte vënë punët në terezi dhe dukej se nuk kishte më halle. Ditë për ditë lutej vetëm për një gjë: Më jep o Zot ymër, ta gëzoj këtë të mirë që më ka ardhur në derë! Ai jetonte i qetë ndërsa pasuria i shtohej nga viti në vit duke bërë ziliqarë bejlerët e fshatrave të tjerë.

Mirëpo kishte ca kohë që beu i Selishtes nuk ishte mirë. Veli beu ishte vënë në një sëkëlldi të madhe pikërisht kur i dukej se punët po i shkonin mbroth dhe pasuria sa vinte e shtohej si asnjëherë tjetër. E kishin grabitur dy herë radhazi, ndërsa një herë tjetër, jo vetëm e kishin grabitur, por edhe rrahur. Ishin ca çuna të rinj me mjekra të zeza që nuk i njihte… Nga fshati i tij nuk ishin. Poshtërim më të madh për një bej me namuz si Veli Rrapushi nuk kishte në sy të bujqërve të tij të urtë e të përunjur… Sepse lajmi kishte marrë dhenë.

As ishte parë dhe as ishte dëgjuar një poshtërim i tillë për një bej. Kur i ndodhnin këto prapësi ai mbyllej në shtëpi, nxinte e sterronte dhe nuk dilte fare në faqe të dynjasë për ditë e ditë me radhë. Nuk qante hallin e parave që i kishin fluturuar, por të namuzit. “Më marrçin të keqen paratë që nuk më mbarojnë asnjëherë. Erzi mbi të gjitha! Paratë venë e vinë, kurse erzi po iku nuk kthehet më. Dhe burri pa nder është një hiç”, thoshte e ziente me veten e tij. Si mund të ishte ai kryelartë e të kapardisej pas atyre që i kishin ndodhur? Dhe këto kishin ndodhur në harkun e dy muajve. Gjithnjë e më shumë i shtoheshin dyshimet se cilët ishin armiqtë e vërtetë të tij, pasi grabitësit nuk i kishte njohur. Nga Selishta e tij nuk ishin, se ai i njihte të gjithë bujqërit e tij dhe, pavarësisht se e dinte shumë mirë se ata nuk e donin beun e tyre, por ishin të urtë e të nënshtruar dhe askush nuk do të guxonte t’i bënte atij atë që i kishin bërë ata të pafytyrët. Ata ishin të tërë borxhlinj ndaj beut të tyre, si në fajde ashtu dhe në sasinë e prodhimeve që u merrte si detyrim ndaj tij. Prandaj dhe ata, faqezinjtë që e kishin poshtëruar kushedi kush i kishte dërguar… Mund të ishin bejlerët dhe agallarët e fshatrave rreth e rrotull që ia kishin zilinë. Por ai nuk i drejtonte dot gishtin asnjërit. Sepse nuk kishte fakte… E pra, mund të ishin paguar ca horra nga ndonjë fshat tjetër për t’u hakmarrë ndaj tij. Se ç’punë kishin, në fund të fundit, ata të fshatrave të tjerë dhe të vinin e të poshtëronin në atë farë feje beun e madh të Selishtes? Por ndoshta krushqitë, miqësitë me fshatarët e Selishtes…

“Ah, edepsëzët!”, shfrynte Veli Beu dhe vinte vërdallë nëpër shtëpi pa vënë gjumë në sy. “Do ma paguajnë edepsëzët!”, përbetohej dhe vriste mendjen se si të shpëtonte nga kjo bela që e kishte zënë. Atë që i kishin bërë dy herë me radhë, mund t’ia bënin edhe 12 herë të tjera. Madje edhe mund ta vrisnin e të shkonte si qeni në vresht pa e marrë vesh njeri se si e qysh.

Të ankohej në qeveri e të kërkonte mbrojtjen e saj? Bah! Kurrën e kurrës! Kështu do ta merrte vesh e gjithë dynjaja, edhe ata që nuk e dinin se ekzistonte Veli Rrapushi. Jo, kjo ishte e pamundur…

Më në fund i dha dum: përhapi lajmin në gjithë krahinën se kërkonte një trim që ta ruante. Ai burrë që do të pranonte ta bënte këtë punë, pra të siguronte jetën e beut, do të kishte përfitime të mëdha: Do merrte një rrogë të majme, do vishej e do ngjishej si askush tjetër në fshat e, natyrisht, do të ushqehej gratis në sarajet e beut e të tjera e të tjera.

E mori vesh lajmin një fshatar i këputur nga Gjorovec, një fshat në kufirin verior të krahinës, që sa herë bëheshin ndarjet administrative herë kalonte në kazanë andej e herë kalonte në kazanë e këndejme. E quanin Hariz. Hariz Taja e quanin, por prej ca koshash e thërrisnin Hariz Hataja, sepse në një moment, gjatë një dasme gati e kishte mbytur një njeri vetëm se i kishte thënë “Ik, more brekëgrisur!”. E që atë herë, nami i tij e kaloi kufirin e fshatit… Ishte nja 35 vjeç dhe mbante mustaqe dhe dukej një burrë zakoni. Pavarësisht asaj zënkës me atë që i kishte thënë ‘brekëgrisur”, askush nuk e kishte provuar trimërinë e tij në punën e gishtit, domethënë të dyfekut. Sepse me dyfek ai nuk kishte vrarë asnjë njeri. Mund të ishte edhe trim dhe ja, rasti e solli. “Do vete ta provoj njëherë…” vendosi me veten e tij dhe pa e zgjatur u nis. Bëri një gjysmë dite rrugë në këmbë deri te beu i Selishtes dhe ai e priti menjëherë.

Sa e pa beu, u ngroh, domethënë ia mbushi syrin si nga boja ashtu dhe nga fshati që vinte. Pasi këmbyen një copë herë muhabet, të dy burrat ranë në ujdi për marrëveshjen. Të dy dukeshin të kënaqur. “Me këtë trim më duket se shpëtova”, mendonte beu Veli dhe rrëkëllente gotat e rakisë me mish pate e me ca turshi përpara. “Me këtë bej më duket se u thashë sikter të gjitha halleve” mendonte Harizi, trimi nga Gjoroveci.

Nejse, që t’i biem shkurt, të nesërmen Harizi filloi nga puna si trim i beut të Selishtes.

“Do shkojmë në kasaba sot”, i tha pas pak ditësh beu, pasi ishte veshur e ngjeshur si për në kasaba. Por edhe Harizi ishte veshur me rroba të reja dhe dukej se ishte tjetër njeri. Pushka në krah i jepte pamjen e një kreshniku. E kështu, beu në majë të kalit i kapardisur e trimi në këmbë para tij bënë udhë deri në qytet. Askush nuk i ngau dhe atë natë beun e zuri gjumi top me mendjen se kishte gjetur njeriun e duhur dhe kishte shpëtuar nga hallet që e kishin zënë. Dhe vërtet, kaluan disa muaj dhe askush nuk i ra më qafë beut. Harizi hante e pinte për shtatë palë qejfe, kishte filluar të shtonte edhe në peshë, shkonte herë pas herë në shtëpi për t’u çmallur me kalamajtë e me gruan…

Mirëpo një ditë të bukur, ndërsa beu ishte nisur të bënte një qokë fshatin matanë, ata u shfaqën. Tek Qafa e Lofatës doemos, ku pasi kaloje Qafën, ishte një lëndinëz e vogël, sikur të ishte e sajuar tamam për pusira. Ishin tre mjekroshë që dolën pa pritur e kujtuar nga gëmushat aty rrotull. Pa një pa dy, mjekroshët shkuan drejt e tek beu, e kapën për gryke dhe e zbritën nga kali dhe, pasi i morën koburen nga brezi, ia morën edhe të gjitha verdhushkat që mbante në qemerin e brezit. Beu i zënë keq dhe shumë i hutuar shikonte me shpresë nga trimi i tij. Por, hiç. Trimi bënte sikur nuk shikonte nga beu dhe herë shikonte opingat e tij e herë e hidhte shikimin tutje…

Pasi mbaruan punë me beun, hidhet njëri nga mjekroshët dhe pyet atë që dukej se ishte kapoja i tyre:

“Po me këtë trapin me dyfek në krah, çfarë të bëjmë?”

“Atij merrjani atë pushkën që mban në krah e futjani në bythë…”, tha kapoja prerë.

Mirëpo, pikërisht në këtë moment ndodhi çudia. Trimi Hariz heq pushkën nga supi dhe plumbin e parë ia zbraz kapos mu në lule të ballit duke e lënë top në vend. Dy të tjerët ia mbathën, por Harizi vazhdoi t’i ndiqte e t’i qëllonte nga pas. Njëri ra përmbys nja pesë metra më tutje dhe tjetri u palos nja pesëmbëdhjetë-njëzet metra më tej…

Ishin punë sekondash kur ngjau e gjithë kjo dhe beu u pataks nga harbia e trimit të tij Hariz.

“Hë, më të lumtë, more Hariz djali! O more trim që ma more hakun… Po ku ishe më përpara, pse nuk e zbraze që në fillim atë të uruar dyfek që të kam dhënë?”

Mirëpo, përgjigjja e Harizit e lebetiti beun e Selishtes më keq se sjellja harbute e mjekroshëve:

“Eh, more Veli bej! E ç’më pyet pse nuk e zbraza më përpara dyfeknë? Po ku e duronte bytha ime dyfekun që do të më fusnin ata?”…

Pas disa ditësh, beut të Selishtes, Veli Rrapushit, i ra një damlla dhe dha shpirt pa lënë asnjë amanet.

Please follow and like us: