Albspirit

Media/News/Publishing

Burri i Kuvendeve, Elez Isufi i Dibrës së Madhe

Shqipëria ka pasur burra që kur kuvendonin, i madh e i vogël mbanin vesh, e si me sy mbyllur i ndiqnin nga pas, fjala e tyre ishte ligj. Ligj ishte dhe fjala e të madhit, trimit, burrit të kuvendit, Elez Isufit. Historiania Nevila Nika thotë “Një fjalë të fliste Elez Isufi, mblidhte pas vetes 200 burra. Po të fliste një fjali të tërë, mblidhte gjithë katundet rreth e qark dhe kjo është e vërtetuar në gjithë rezistencat që burrat e Elez Isufit kanë bërë kundër gjithë shkiajve (armiqve) që kanë pasur si qëllim shkatërrimin e Shqipërisë”. Po kush ishte ky burrë? Cila është historia e tij dhe si e ka nisur atë?

Elezi ka lindur në vitin 1861 ne Fshatin Sllovë të Dibrës. Ka qenë bir i një familjeje të zakonshme fshatare që i kishte rrënjët atje, në Malin e Dardhës trime, njërin prej Nëntë Maleve të saj, që tashmë ishin bërë të njohur në histori. Babai i tij Isufi me të shoqen Zahiden nga fshati Lugje, kishin ngarkuar ato pak plaçka dhe me fëmijët e vegjël në krahë kishin kaluar Drinin dhe ishin vendosur në Lisivalle, një vend pak i njohur më parë dhe aty, mbi një kodër piktoreske që e kishte njërin sy në majën e Korabit dhe tjetrën në Drinin e Zi, kishin ndërtuar një shtëpi përdhese që shumë shpejt do të bëhej një kullë e bardhë dhe e lartë trekatëshe, një fortesë e pamposhtur në qëndresën vigane antiserbe dhe një karakoll nga buroi më pas lavdia e trimëria e brezave. Babai dhe nëna u gëzoheshin fëmijëve të urtë e të mirë e plot shëndet që po rriteshin aty mes pyllit e luleve, në lëndinat e bukura duke dëgjuar këngët e lashta të Drinit dhe meloditë e ëmbla të fyellit që përcillnin bjeshkët e Korabit.

Në vitin 1884, aty ku Isuf Ndreu kishte ndërtuar një kalibe në Lisivalle, djemtë e tij ndërtuan një kullë me tre kate, “Kulla e Gjatë”, siç u quajt nga populli, me gurë të gdhendur, që s’dihet se nga ç’ vend ishin sjellë e si ishin transportuar. Muret e gjerë mbi një metër, me sharapolle e frengji për çdo kat, i jepnin “Kullës së Gjatë” trajtat e një mikrokalaje, të ndërtuar për qëndresë. Mbahej kjo kullë deri në vitin 1968. Në kohën kur u ndërtua kjo kullë (1884), siç duket, Ndrejët ishin përballur me fiset e krahinës së Lumes e kishin rënë në gjaksi me ta.

Pas disa kohësh vdes edhe djali i madh i familjes Ndreu, e gjithë barra i ra djalit tjetër, Elezit. Por vëllai i madh la pas vetes një trashëgimtar të denjë, të madhin Suf Xhelili, krahun e djathtë të Elez Isufit, po aq madhështor sa mixha (xhaxhai) i tij, që duke ecur në gjurmët e lavdisë e të heroizmit, populli me të drejtë do t’i quante: Shqipja e Ndreut me dy krahë, Me dy krahë e za bilbili: -Ban hoxhum, o Elez-aga, -Besë-a-besë!-thotë,- Sufë Xhelili!

Emri i Elezit do të dëgjohej që kur ai ishte në moshën 17- vjeçare nëpër kuvende burrash, por afirimin e plotë si mbrojtës i vendit atëherë kur ndeshet në kryengritjet e viteve 1909-10. Ai që në fillimet e rezistencës së vet u shqua për kërkesat e qarta për liri. Për këtë arsye edhe u arrestua në Gostivar më 1910 dhe u mbajt në burgjet e perandorisë në Manastir dhe Selanik. Arrestimi erdhi pas një kurthi, që i ngritën turqit e rinj, të cilët e panë se Elez Isufi ishte kockë e fortë për ta mposhtur ballazi. E thirrën në “besë” me anë të një letre, gjoja miqësore, ku e ftonin në një takim për të biseduar punët e Shqipërisë së bashku me Bajram Currin e Hasan Prishtinën. Sapo ai shkoi në takimin-kurth, u arrestua. Presionit e dibranëve të udhëhequr nga nipi i tij, Sufë Xhelil Ndreu dhe të lumjanëve të udhëhequr nga Mustafë Lita, u lirua. Elez Isufi mori pjesë në shumë luftëra e beteja si kundër forcave turke, ashtu edhe atyre serbo-malazeze, por vlejnë për të përmendur ato të kryengritjeve të viteve 1912-1913-të, kryengritja e shtatorit e vitit 1913, goditja e Divizionit të Nishit, në 5 dhjetor të vitit 1915-të etj.

“Pjesmarrja e forcave popullore të Lumës, Hasit e Dibrës gjatë muajit nëntor 1912, në luftën kundër pushtuesëve serbë, bëri që pushtuesi të humbasë shumë ushtarë e municione.”

Si rezultat i kësaj veprimtarie, forcat serbe i dogjën tri herë kullat e familjes Ndreu, në 1913-ën, në 1918-ën dhe në 1921-in

Elez Isufi u shndërrua në simbol të trimërisë, besës, bujarisë, thjeshtësisë, fjalës së mençur e me peshë të maleve të Dibrës, karakter i pa epur njerëzor, njeriu që dinte të respektonte mikun dhe të urrente armikun, pabesinë dhe tradhtinë. Shtëpia e Elez Isufit ishte shtëpi bujare. Aty do të hynin e të dilnin burrat me emër si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Islam Spahia, Ismail Strazimiri, Murat Kaloshi, Dine Hoxha, Halit Lleshi, Sulë Shehu, Hysni Dema, Ali Maliqi, Fiqiri Dinja e shumë të tjerë. Do të vinin në këtë shtëpi edhe të huaj, duke filluar nga Fullci, zonja Angleze Sibil Llojdi, ambasadorë, konsuj, gazetarë, shkrimtarë etj.

Burri i kuvendit e njihte armikun që me vështrimin e parë dhe e fitonte mikun që kur shkelte te pragu i shtëpisë, fjalëpak në kuvende burrash e punëshumë në mejdane trimërie; për të nuk kishte kthim mbrapa “Elez Isufi, mor ku je…” pa, vdiste aty ku lidhej besa, ta kuptonte qëllimin sa të hapje gojën, dhe kur hapte gojën aty ngulte kufirin.

Të jesh anafabet e të luftosh aq shumë për shkollë, dije e dituri; të jesh i pashkollë e t’u mësosh të shkolluarve artin e të shkruarit, të jesh i pashëtitur dhe të njohësh botën tejendanë, të jesh bari dhish e të japësh kulturë të foluri diplomatik; nga një fshatar i thjeshtë të ngrihesh në lartësitë e një udhëheqësi vigan, nga çoban të bëhesh strateg luftërash e nga ndjenjat e dashurisë për vatanin të frymëzohesh për të mbaruar vepra heroike, është, padyshim, një mrekulli e zbritur nga qielli. Lavdi Zotit, që e pajise kështu këtë burrë! Elez Isufi ishte shembulli më i mirë i një udhëheqësi popullor, të cilin ai e dëgjonte dhe vepronte me dashuri të veçantë për të zbatuar këshillat e tij. Janë bërë proverbiale shumë thënie të tij. Një thirrje, ishte kushtrim lufte . Ajo ngrinte më këmbë “shtatë e m’shtatëdhjetë”, mobilizonte në luftë burra e gra, ngrinte nga gjumi fëmijët dhe i niste në beteja, lartësonte bajrakun e fitores aty ku gjëmonte thirrja e tij, grumbullonte rreth vetes qindra luftëtarë të gatshëmm për t’u hedhur në zjarr e flakë. -Ka thënë Elez Isufi, hoxhum, o burra! Nuk ra kurrë në kurthin e intrigave dhe nuk u bashkua asnjëherë me asnjë për përfitime personale dhe në dëm të interesave kombëtare.

Pothuajse gjithçka na vjen edhe në ditët tona përmes këngëve . Çdo beteje të legjendarit Elez Isufi çiftelia i vinte pas. Tregojnë se kanë qenë mbi 20 këngë që trimëria i ka kënduar pushkës dibrane dhe prijësit të saj Elez Isufit. Ne kemi arritur të mbledhim të plota rreth 13 prej tyre, pa llogaritur këngët që i janë kushtuar atij pas vdekjes. Kënga në atë kohë ishte vlerësimi më dinjitoz për dike që e meritonte. Ishte medaljon, urdhër, ishte titull nderi e lavdie, ishte dekoratë, lapidar e monument. Kënga bënte portretin heroit, por edhe te tradhtarit. Ndaj kënga dibrane, si më e fuqishmja në trevat shqiptare, ka bërë vlerësime dinjitoze. Elez Isufin e ka quajtur arushë mali, që s’i tutet as mbretit e as kralit, burrë zotni, që  Petre Kralit i rri karshi, trim me shtatë zemra, shqipja e malit që faron asqerët e kralit, ylli i mejdanit, besa e burrit, salltanet ndër krala, etj. duke i dhënë urimin e zemrës:”Gjeç rahmet, o Elez Aga”! Në dy vargje të një kënge popullore jepet qartë qëndrimi që mban populli ndaj dy figurave:

Ahmet beg, nip i Toptanit, (Është fjala për tradhtarin Esat Toptanin)

Elez aga, arusha e malit.

Populli i Dibrës i deshi me gjithë zemër Elez Isufin e Sufë Xhelilin prandaj dhe u shkoj pas, jo pak por një dekadë të tërë. Kur u rrethua nga serbët shtepia e Elez Isufit, bashkëluftëtarët e tij, për gjithë natën, hapën një kanal nëntokësorë dhe nxorrën në heshtje të plotë 70 pjestarët e familjes Ndreu, të rrethuar nga ushtarët serb, ku mbi 200 burra, i përcollën nga Sllova e deri matanë Drinit. Kur u vra në Peshkopi më 26 dhjetor 1924 malësorët trima të Reç e Dardhës e Ujë e m’Ujës, si një vargan gjigand, sollën heronjtë legjendarë në vendlindjen e tyre.

Elez Isufi nuk shkonte sipas thënjes “shtatë hile e një trimni” por “shtatë trimni e pa asnjë hile”. Ai bëri një punë kolosale duke dhënë shembullin i pari në pajtimin e gjaqeve . I zgjati dorën e pajtimit Dacit, i dha besën Islam Spahisë për t’i shkuar në ndihmë, në luftën kundër serbëve të cilët marshonin drejt Lumës. Lidhi besën me Bajram Currin, Haqif Pashë Elbasanin, Selim Petrelën, Hysen Krujën, në lëvizjen e Marsit, por i vetëm hyri në Tiranë dhe tronditi regjimin e asaj kohe. Kapedani i Mirditës kërkonte të dorëzohej vetëm te Elez Isufi sepse e dinte që në besë të tij do të shpëtonte. Shtëpia e Elez Isufit ishte shtëpi bujare. Aty do të hynin e të dilnin burrat me emër si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Islam Spahia, Ismail Strazimiri, Murat Kaloshi, Dine Hoxha, Halit Lleshi, Sulë Shehu, Hysni Dema, Ali Maliqi, Fiqiri Dinja e shumë të tjerë. Do të vinin në këtë shtëpi edhe të huaj, duke filluar nga Fullci, zonja Angleze Sibil Llojdi, ambasadorë, konsuj, gazetarë, shkrimtarë etj. Në odat ku ishte Elez Isufi e Sufë Xhelili këngëtarët nuk guxonin të këndonin këngë për trimëritë e tyre. Të thjeshtë ishin e pa shkollë por ata kishin shkollën e madhe të odës dibrane ku bëhej testi i mençurisë.

“Njiherë nji gjeneral serb shkon te shtëpia e Elez Isufit në Dibër për t’i ba disa propozime në dam të Shqipnisë. Atdhetari i flakë Elez Isufi i kundërshtoi të gjitha e, tue e përcjellë deri në kufi, ndigjon disa fëmijë shkolle që këndonin kangë shqiptare. – Shihni, zotni, – i tha atëherë plaku i Dibrës gjeneralit serb, – edhe me dashtë unë, plaku, me e tradhëtue Shqipninë, nuk më lanë këta fëmijë”.

Armiku e donte të vdekur, populli e bëri të pavdekshëm.

Please follow and like us: