Prof.Dr. Andrea GUDHA: “ADN”21 e Mjekësisë
Për kulturë profesionale
Shekulli 21. Shëndet, sëmundje, shërim, vdekje. Vdekje të pa pritura, “autopsi e bardhë”, terapi pa efekt. Shpresë, gëzim, hidhërim, dëshpërim, zhgënjim etj. Këto terma përmenden dhe sot në mjekësi kudo në botë, pa dallim kontinenti apo shteti, race e kombësie, qoftë president apo punëtor, i pasur apo i varfër.
Mjekësia në ditët e sotme është një nga profesionet më të preferuar nga të rinjtë gjimnazistë. Figura e mjekut është ndër më të respektuarit në botën e civilizuar. Por, nga ana tjetër, Mjekësia është një nga profesionet më sensitive në opinionin publik, veçanërisht kur ndodhin dështime e ngjarje të pa dëshiruara…
Në këto raste bëhen shkak gabimet njerëzore, apo është vetë Mjekësia ende e pa aftë ndaj “enigmës” së organizmit të njeriut? Ç’po ndodh me mjekësinë në ditët e sotme?!
Le të ndërmarrim një udhëtim kapërcimthi në spiralen “gjenetike” dritë-hije të historisë së mjekësisë ndër shekuj.
Mjekësia hyjnore: Shpirti
Homeri tek “Iliada“ (shek.IX p.e.s) përmend Mjekun “e madh dhe pa vese“ që është Asklepios. Ai tregon raste plagosjesh dhe se si mjekoheshin. Asklepios u ndihmua nga dy bijat e tij: Higjiena -perëndeshë e shëndetit dhe nga Panacea -perëndeshë e barnave.
Arti i shërimit. Simboli i Mjekësisë: Shkopi-arma e Zotit, Gjarpëri- simbol i Rinisë, Pasqyra magjike- Diagnoza dhe Prognoza, Kupa- burim i Mirësisë
Mjekësia antike greke: Trupi – Mendja – Shpirti
Koncepti filozofik i paraprin Mjekësisë: “Epoka e artë e PERIKLIUT”, shek. V p.e.s. Dijetarët e Greqisë së lashtë janë themeluesit e Mjekësisë Perëndimore. Platoni dhe Aristoteli janë dijetarët më të mëdhenj të kohrave. Aristoteli (384-322 p.e.s.) ishte i pari që bëri eksperimente në trupin e kafshëve dhe të studionte embrionin. Anatomia e krahasuar: kafsha-njeriu.
Mjekësia tradicionale: Njeriu dhe Natyra
HIPOKRATI (shek.V p.e.s). Babai i mjekësisë moderne. Në Greqi ngrihen tre Shkolla Mjekësore: në RODOS, KNIDOS dhe në KOS. Shkolla e Hipokratit i dha rëndësi shenjave klinike tek pacienti dhe dokumentacionit. Observimin empirik tek shtrati i të sëmurit (shqisat). Kategorizimin e sëmundjes: sëmundje akute, kronike, Endemi dhe Epidemi.
Fazat e Sëmundjes: Degjenerim, Ethe dhe Kriza. Betimi i Hipokratit ka qenë në programin e shkolllave mjekësore deri në shekullin e XVIII. Corpusi i HIPOKRATIT është një koleksion prej 70 punimesh të hershme mjekësore të shkruar në greqishten jonike nga dishepujt, pas vdekjes së Hipokratit.
Mjekët kryesorë që shërbenin në Perandorinë Romake kishin origjinë helene
Mjekësia në Romë konsiderohej si një profesion jo i denjë për një qytetar romak. Ndaj, mjekët e parë në Romë ishin të huaj, kryesisht grekë. Ata u bënë mjekë të skllevërve, të gladiatorëve dhe të mbretit. Romakët janë quajtur HIGJIENISTE të shquar, por MJEKE të këqij! Grekët janë quajtur MJEKE të shquar, por HIGJIENISTE të këqij! Në Perandorinë Romake gjuha zyrtare ishte gjuha latine, kurse në ambientet mjekësore dhe në terminologjinë mjekësore ishte gjuha greke. Më vonë, dhe në ditët e sotme, latinishtja përdoret në disa degë të shkencës, si p.sh. në MJEKESI dhe në BIOLOGJI.
GALENI Aelius Galenus “Papa i Mjekësisë”(129 pas Krishtit-200) Shek.II e.r . Corpus i Galenit kishte rreth 50 traktate. Në shkrimet e tija GALENI sintetizoi njohuritë MJEKËSORE dhe BIOLOGJIKE. Teoria Galenus dominon Mjekësinë për 15 shekuj, deri në shek.XVIII në Evropë! “Medicus curat, natura sanat” Mjeku është një administrator i shëndetit. Por, Natyra e shëron! (Proverb latin).
MESJETA-EVROPA (shek V-XV). Mjekësia bie në duart e kishës dhe në vartësi të Filozofisë.
Mjekësia Islame e njohu kulmin e saj midis shek.IX-XV-të
Mjekësia islame u mbështet në trashëgiminë mjekësore greko-romake. Galeni dhe Hipokrati për ta ishin autoritetet mjekësore. Tekstet e tyre u përkthyen në arabisht në vitet 830-870. Shkolla Mjekësore GUNDISHAPUR (shek.VI-VII), ku u trainua gjenerata e parë e mjekëve persianë.
AVICENA (980-1037), “Princi i dijetarëve”. Traktati i tij “Kanuni i MJEKESISE” është referuar si libri më i famshëm në Historinë e Mjekësisë deri në shek.XVII.
Gjatë shek. XII dhe XV u themeluan shkollat mjekësore në Europë: Paris-1110, Bolonja–1158, Oksford-1167, Montpelie-1181, Kambrixh–1209, Padova-1222, Tuluzë-1233, Sevilje–1254, Pragë–1348, Krakov–1364, Vienë–1365, Heidelberg-1386, Glasgou–1451, Bazel–1460, Kopenhagen-1478. Në fund të shekullit të XV këto shkolla morën një formë të plotë.
UNIVERSITETET, shek.XII-XV
Universitetet u themeluan me leje mbretërore, jashtë autoritetit të kishës. Në 1224 perandori Frederik II i Sicilisë themelon UNIVERSITETIN E NAPOLIT, që është universiteti i parë shtetëror me profesorë të paguar nga Mbreti. Universiteti vendoste LINCENCIMIN e ushtrimit të mjekësisë, pasi të kishte kaluar paraprakisht PROVIMIN pranë shkollës mjekësore të Salernos “CIVITAS HIPPOCRATICAS”.
Universiteti qartësonte e garantonte formimin e nevojshëm ARSIMOR për ushtrimin e PROFESIONIT të Mjekut. Rregullonte formalizimin e marrëdhënieve midis pedagogut, nxënësit dhe kishës.Rregullonte detyrimet dhe privilegjet për profesionistët në mjekësi.
Në Evropë, tekstet mjekësore arabe filluan të përkthehen në latinisht. Mjekët mësonin në mënyrë skolastike( empirike) bazuar në literaturën arabe (Avicena, Albucasi) dhe në tekstet e lashta greke dhe romake (Aristoteli, Hipokrati, Galeni) të përkthyera në gjuhën latine. Mësimi teorik shoqërohej me praktikë mjekësore.Mësimi zhvillohesh në gjuhën latine.
Dhe Kisha krijoi Universitetet dhe spitalet e saj. PAPATI (1249) i atribuon Kryedhjakut të Katedrales të drejtën e dhënies “Liçencën e pedagogut”në fund të studimeve.
RILINDJA-EVROPE Shek. XVI-XVII. Shekujt e evolucionit shkencor në Mjekësi.
Mjekësia klasike: Organizmi i Njeriut
Mjekësia në shekullin e XVI-të është progresive dhe konservatore. U lejua nga Kisha autopsia dhe studimet eksperimentale në trupin e njeriut. U hodhën bazat e anatomisë dhe të fiziologjisë së njeriut. “Magister dixit…”.E ka thënë mjeshtri si Platoni, Aristoteli, Galeni… dhe nuk diskutohesh!
Shek. XVI. Kurrikula e studentit në Mjekësi. Shembulli i mjekut Rabelais.
Studimet në Mjekësi ishin tre vjet: dy vjet e gjysëm në Universitet dhe gjashtë muaj në spital. Kjo periudhë përfundoi me Bachelor. 17 shtator, 1530. Diploma Bachelor; duhet të bëjë një kurs publik. Tema e tij ishte “Aforizmat e Hipokratit” dhe “Art i vogël mjekësor” i Galeni-t. Rabael shkoi në Lyon në 1532, ku publikoi disa libra mjekësorë. Këto publikime bënë që ai të emërohet mjek në Hotel-Dieu-Paris.Licenca e mjekut: Dorëzon tezën një ditë më parë dhe paraqitet në një provim praktik. Rabelais fiton të drejtën e ushtrimit të mjekut më 3 Prill 1537.Mbrojtja e doktoratës. Ka dy promovime të doktoraturës: një të madhe dhe një të vogël. E para ka më shumë madhështi. Kandidati, një ditë para provimit ecte me kalë nëpër qytet i shoqëruar me bori Serenade dhe nën tingujt e violinave.Ditën tjetër jep provimin para gjithë mjekëve, kirurgëve dhe parfumierëve.
Puna e Kirurgut ishte e ndarë nga puna në Mjekësi. Mjekët jepnin vetëm këshilla kirurgjikale, ndërsa operacionet kryheshin nga berberët.Studenti i mjekësisë në Paris duhej të betohej që të mos bënte asnjë operacion, flebotomi apo hapje të kufomave. Kirurgu dallohej nga berberi nga veshja. Ata me fustan të gjatë dhe me kapele katrore në kokë quheshin Berberë-Kirurgë dhe ata me veshje të shkurtër quheshin Berberë. Vetëm në vitin 1745 u bë ndarja juridike midis kirurgut dhe berberit.
Shek.XVI. Autorregullimi dhe autonomia profesionale. Profesioni “Mjek”!
Në vitin 1511 Parlamenti Anglez hartoi një ligj që sanksiononte si krim ushtrimin e mjekësisë në mungesë të titullit të studimeve universitare ose të kishës. Në vitin1518, me lejen e Mbretit Enrico VIII u krijua “Royal College Physicians” që kishte të drejtën për t’u dhënë licenca mjekëve dhe të kontrollonte punën e tyre profesionale. Për ushtrimin e profesionit të mjekut u ngritën spitale dhe u nxorrën ligje. Nuk lejohej të praktikohej mjekësia pa lejen e nevojshme. Konsulta midis mjekëve, sidomos në rastet e vështira, ishte e detyrueshme.Etika. Mjeku që fliste keq për një koleg në publik dënohej rëndë.
Shek. XVII i teorive dhe i zbulimeve të reja.
Profesionet mjekësore organizohen në mënyrë rigoroze në korporata. Në Mjekësi dominojnë teoritë: Teoria Jatrokimike: i shpjegon proceset jetësore si fenomene kimike. Teoria Jatrofizike: i shpjegon fenomenet e organizmit me ligjet e fizikës (mekanikës). Zbulime në mjekësi: William Harvey, 1628 zbulon QARKULLIMIN E GJAKUT dhe shpjegon të gjithë fenomenin.
Fillon organizimi i shkencëtarëve, AKADEMIA E SHKENCAVE: Accademia dei Lincei në Romë (1603, Shoqëria Mbretërore në Londër (1645), Louis XIV krijoi “Akademia Mbretërore e Shkencave” në Louvre-Paris. 20 Janar 1699.
Shek.XIX. Mjekësia moderne
Mjekësia po çlirohet nga filozofia dhe bazohet në hulumtimet shkencore KLINIKE DHE BIO-KIMIKE. Ndërtimi i trupit të njeriut u njoh nga brenda: anatomia, qeliza, indi, organi…, si dhe u formuan koncepte të qarta, se si ai funksion: proceset biologjike, kimike, bio-kimike, fizike e fiziologjike.
Parisi në shek.XIX ishte qendra e hulumtimeve mjekësore dhe e mësimdhënies. “Shkolla e Parisit” theksonte, se Mësimdhënia dhe Hulumtimi në Mjekësi duhen të bazohen në Spitale të mëdha ku ushtrohet dhe Praktika mjekësore. Në vitin 1808 Napoleoni I propozoi diplomën Bachelor (Baccalauréat fr.) për studentët francezë dhe të huaj në fund të studimeve akademike të Lyceut.
Fillon era e mikrobiologjisë. Louis PASTEUR (1822-1895) më 1885 zbulon Vaksinën kundër Tërbimit. Fillon era e vaksinave. Më 14 maj 1796, Edward Jenner i injektoi vaksinën e variolës. Rudolf Virchwv zbuloi teorinë qelizore (ndërtimi i qelizës…).
Diagnoza klinike: Auerbruger zbuloi metodën e perkusionit, Lainek zbuloi stetoskopin (auskultacioni). Robert Koch zbuloi bacilin e TBC (1882) dhe bacilin e Kolerës (1883), fizikanti Vilhelm Rentgeni, zbuloi rrezet X (1895). Mjekësia fillon të ndahet në disa SPECIALITETE: okulistika, obstetrika, odontojatria. mjekesia ligjore, psikiatria
Shek.XX. Revolucion në Mjekësi. Kërkimi shkencor dhe metoda shkencore.
Organizmi i Njeriut, si qenie jo vetëm bio-mjekësore, por dhe psiko-sociale.
Fillon era e antibiotikëve. Aleksandër FLEMING (1881-1955) zbulon Penicilinën, 1928. Crick në vitin 1958 zbulon strukturën e ADN. Kristian Barnard në vitin 1967 realizoi transplantin e parë të zemrës. Bebe në epruvetë realizohen në vitin 1978. Pas 1990, Ian Wilmut realizon Klonimin, Delja DOLL, Skoci,1996. Diagnoza imazherike: Scaner Spiral CT. Tomografia e kompjuterizuar tri dimensionale.
Shek.XXI, Mjekësia moderne e sofistikuar. Organizmi i Njeriut në tërësi (holistik)
Eksplorimi i mëtejshëm i organizmit. Nanoshkenca, Nanoteknologjia
Rruga elektromagnetike, Ultratingujt etj .Eksplorimet funksionale -regjistrimi i aktivitetit të trurit dhe zemrës në distancë. Bioteknologjia, Teknologjia e informacionit – kompjuteri virtual 3D. Telemedicina. Robotika .Mikroelektronika (çipe në funksion të bio-mjekësisë).
Në zbulim të të panjohurave të organizmit të njeriut harxhohen miliarda dollarë në fushën e hulumtimeve e kërkimeve shkencore në fushën e mjekësisë.
Janë dhënë 205 çmime NOBEL në Mjekësi (1900 – Tetor 2016). Përkatësisht: SHBA – 93, Angli – 28, Gjermani – 20, Francë -13, Suedi – 7, Zvicra – 6, Australi -5, Austri – 4, Danimarkë – 4, Japoni – 5 Belgjikë – 3, Itali – 3, Hungari – 3, Holandë – 3, Rusi – 2, Kanada – 2, Argjentin – 2, Portugali -1, Spanja-1, Poloni -1, Kina -1.
Dilema në shek.XXI
Me gjithë progresin e jashtzakonshëm të shkencës së Mjekësisë, ende, organizmi i njeriut dhe funksionimi i tij në tërësi janë të pa eksploruara plotësisht ?!
Kush janë shkaqet objektive? Së pari, çdo individ ka të veçantën e tij. Çdo pjesë e organizmit të njeriut: qeliza, indi, organi janë të pajisur me jetë dhe dallohen rrenjësisht nga njeri individ tek tjetri. Individualiteti. Reagimi ndaj terapisë është individual!
Së dyti, është vet Shkenca e Mjekësisë. Mjekësia nuk është një shkencë e saktë dhe nuk do të jetë asnjëherë një shkencë absolute. Përse? Sepse, arritjet në mjekësi, nga teoria në praktikë, gjithmonë mund të vihen në pikpyetje dhe të ndeshen me të pa pritura!
Së treti, është koncepti i ri i OBSH për SHENDETIN.Shëndeti i njeriut është mirëqënia e plotë trupore( bio-mjekësore), mendore, psikosociale dhe, sot është në diskutim dhe ajo shpirtërore.
Së katërti, objekti i Mjekësisë është vet Njeriu, si qënie njerëzore individuale. Dinjiteti Human.
Së pesti, janë Ligjet e Natyrës…
Përfundim
“ADN” e Mjekësisë në shek.21? Mjekësia, shkencë e integruar me të gjitha shkencat e tjera!
Struktura spirale e“ADN” së Mjekësisë? Në Mjekësi, çdo specialitet është i integruar me të gjitha specialitetet e tjera, pasi çdo organ është dhe funksionon në harmoni të plotë si pjesë e së tërës (organizmit).
Kodi “gjenetik” i Mjekësisë? Formim profesional dhe kulturor gjatë gjithë jetës!
Kodi “hypotetik” i Mjekësisë? Mjekësia do të triumfojë mbi sëmundjen, kur ajo do të dominojë mbi Ligjet e Natyrës…?!
Korrik, 2017