Motra e përkthyesit të ATSH që denoncoi Enverin: Mbrëmjet kur e ndiqnim te ‘Zëri i Amerikës’
Ilir Bulka, ish-përkthyesi i ATSH-së, që u arratis në ‘87, kontaktoi me familjarët në vitin ’93. Të parën takoi motrën që mbërriti në SHBA pas shumë peripecive. Pastaj të tjerët. Ribashkimi, kur kishin shtatë vite që s’dinin gjë për fatin e njëri-tjetrit, ishte një ngjarje tronditëse. Kur i kthehet këtij momenti dramatik, Pranvera, motra e Bulkës, shqipton një shprehje që aty për aty të duket konfuze.
“Ka qenë, por edhe nuk ka qenë plotësisht kështu”, thotë ajo, duke saktësuar detajet e panjohura të kontakteve të humbura. Sipas saj, në terr ka qenë vetëm Iliri, pasi familjarët qysh nga viti ‘89 e ndiqnin çdo mbrëmje te ‘Zëri i Amerikës’. Aty mësuan për herë të parë se kishte shpëtuar gjallë dhe më në fund kishte realizuar ëndrrën për të denoncuar Enverin si diktator e vrasës. Sidoqoftë, për të mbërritur deri këtu, nuk kishte qenë e lehtë. Pranvera që e njeh mirë kalvarin e vuajtjeve të vëllait në këtë aventurë të rrezikshme, kujton me emocion mesazhin dhe dhuratën e parë që kanë marrë prej tij kur kishte rënë regjimi i Hoxhës.
“Në kulmin e zhvillimeve të vrullshme të fillimviteve ’90, shprehet ajo, Iliri na dërgoi nga SHBA për dhuratë një kopje të biblës në shqip me mbishkrimin ‘Njerëzve të mi të dashur që nuk i harrova kurrë’, bashkë me telegramin ku na njoftonte se ishte mirë dhe do të kthehej shpejt”. Pjesa tjetër e rrëfimit të Pranverës zbulon rrethanat e arratisë së përkthyesit rebel dhe rolin e mikut të tij Medi Bushati në këtë sipërmarrje të rrezikshme, pohimet për autoritetet greke në këmbim të azilit politik dhe odisenë e shtegtimit deri në SHBA, raportet e para të Ilirit te “Zëri i Amerikës” dhe rikthimin e zhgënjyer në Tiranë…
-Ku punonte Iliri kur u arratis?
Në vitin 1980, Iliri iku nga ATSH-ja dhe për disa kohë u sistemua në Ndërmarrjen Makina-Import. Më vonë shkoi në Komitetin Olimpik të Sporteve. Aty e aktivizonin herë pas here me shoqërimin e turistëve të huaj. Kontaktet me ta e bënë më rebel e të papërmbajtur. Filloi të fliste hapur, të shante vend e pa vend, të anatemonte figurat e regjimit. Ky lloj reagimi nisi të bjerë në sy të njerëzve të Sigurimit. U fut në listën e të dyshuarve si kontingjent i armikut të klasës. Kjo na alarmoi si familje. U alarmuan sakaq edhe shokët. E këshilloi babai, nëna, vëllai. E thirri i tronditur Medi Bushati dhe i shprehu rrezikun që i kanosej. Iliri e dëgjonte, por nuk fliste…
-Çfarë i tha Medi Bushati kur e mori vesh se ndiqej nga Sigurimi?
Fjalë për fjalë nuk më kujtohet, por mbaj mend mesazhin e bisedës. Mediu i shfaqi bindjen se me ato që kishte bërë, e kishte mbushur kupën dhe pritej nga momenti në moment kundërpërgjigjja e shtetit. Pyetjes së Ilirit “Ç’mund të bëj?”, ai iu përgjigj me një kundërthënie të çuditshme, që në thelb nënkuptonte arratinë, si mundësi e vetme për t’i shpëtuar burgut…
-Pra, Bushati i vuri në vesh idenë e arratisë…
Për mua, ajo bisedë atë kuptim kishte. Më shumë se aq, as vëllai nuk të tregonte. Atëherë gjëra të tilla ishin me risk të jashtëzakonshëm…
-Me kaq u mjaftua Bushati…
Çfarë ndodhi pas atij takimi në marrëdhëniet e tyre, nuk e mësova ndonjëherë. Nga ky moment e deri sa u arratis, Iliri u mbyll në vetvete dhe e kishte bezdi ta pyesje. Një mbrëmje, sa u kthye në shtëpi, na tha se do të dilte me shërbim jashtë shtetit. “Ç’thua?”, e pyeta me habi. “Po, po”, ia bëri ai me një lloj sigurie. Sakaq iu sulëm me një lumë pyetjesh: “Ku do të shkosh?” “Me kë?”, “Kush të propozoi?”, “Kur do të udhëtoni” etj. “Mediu më në fund ia bëri fora”, reagoi Iliri dhe aty për aty na shpjegoi se me ndërhyrjen e tij në cilësinë e kryetarit të Komitetit Olimpik të Sporteve ishte caktuar si përkthyes i ekipit të Vllaznisë, që ato ditë do të udhëtonte në Maltë. Ishte ky një lajm i pazakontë që e kishte lumturuar, si atë fëmijën që prek ëndrrën e paparashikuar…
-I gëzohej faktit që do të dilte jashtë shtetit apo shansit për t’u arratisur?
Ato ditë kur përgatiste dokumentet për të dalë jashtë shtetit, nuk shprehu gjë, por mënyra si sillej, të linte të kuptoje idenë e vendimit që kishte marrë. Diçka më shumë arritëm të kuptojmë në momentin kur e përcollëm…
-Kur u njohët me lajmin se Iliri kishte kërkuar strehim politik?
Gati dy-tri ditë më pas. Lajmi i keq, thonë, të gjen shpejt. Në fakt ishte diçka që e prisnim. Deri diku ishim përgatitur edhe për pasojat. Megjithatë, prindërit, sidomos mamaja, e përjetoi shumë keq…
-Po shokët, të njohurit, si e përjetuan lajmin për arratinë e Ilirit?
Kishte ndër ta, sidomos nga radhët e kolegëve të punës, që e cilësuan tradhti. Nuk kuptohej nëse e kishin me shpirt apo për vetëmbrojtje. Disa syresh shkonin edhe më tej në gjykimin e tyre për aventurën e Ilirit. “E nisëm për antenën, thoshin, duke iu referuar rolit të tij si përkthyes i Vllaznisë, por na doli zhurmues”. Kishte madje nga ata që e akuzonin se kishte marrë lekët e sportistëve dhe ishte zhdukur pa lënë gjurmë…
-Ndërkaq, juve ju internuan…
Reagimi ndaj nesh nuk ishte i menjëhershëm. Fillimisht, përveç disa kufizimeve politike në lagje, nuk bëhej fjalë për internim. Për ne u kujtuan vetëm kur mbërritën në Tiranë lajmet mbi dëshmitë e Ilirit për regjimin dhe Enverin në shtypin e huaj. Sa u njoh me to Nexhmija, urdhëroi të na nxirrnin brenda natës nga Tirana. Fjalën e saj nuk e vinte njeri në diskutim. Kështu mbërritëm në Dumre vetëm pas pak orëve, ndërkohë që ende nuk kishte dalë vendimi i Komitetit për Internim-dëbimet, që kryesohej nga Manush Myftiu…
-Si e ndiqnit fatin e Ilirit kur ishit të internuar në Dumre?
Për muaj e vite me radhë nuk patëm asnjë kontakt me të. Dinim që kishte qëndruar në Greqi dhe vetëm kaq. Dikush na thoshte se jetonte në një kamp refugjatësh në afërsi të Athinës. Aty nga pranvera e ’89-s, një komshie na tregoi se e kishte dëgjuar te “Zëri i Amerikës”. Kjo na tronditi e na gëzoi njëherazi. Provuam disa ditë me një transitor të prishur për të gjetur në fshehtësi “Zërin e Amerikës”. Më në fund ia dëgjuam zërin. Ishte po ai Iliri ynë që e kishte ëndërr të fliste te “Zëri…”. Që këtej çdo mbrëmje çmalleshim me të. Kështu, deri në vitin 1993 kur u ribashkuam, pas asaj ndarjeje dramatike…
-Si e kujtoni kontaktin e parë me Ilirin?
Kontakti i parë ka qenë diçka befasuese. Në kulmin e zhvillimeve të vrullshme të Tiranës së fillimviteve ‘90, Iliri na dërgoi nga SHBA telegramin e parë. Një mëngjes vere trokitën në portën e shtëpisë tre djem të rinj veshur me kostum e kollare dhe, pasi u bindën për saktësinë e adresës, na dhanë dhuratën e tij: një kopje të biblës në shqip, me mbishkrimin “Njerëzve të mi të dashur që nuk i harrova kurrë”, bashkë me telegramin ku na njoftonte se ishte mirë dhe do të kthehej shpejt. U munduam ato çaste të mësonim prej tyre diçka më tepër për fatin e Ilirit, por ata nuk dinin gjë. Me sa morëm vesh më vonë, tre mysafirët e atij mëngjesi kishin qenë misionarë të kishës dhe në rastin tonë transmetonin thjesht një porosi të një mikut të tyre nga Nju Jorku. Ky ishte pak a shumë kontakti i parë…
-Pra, bibla ishte dhurata e parë që ju dërgoi nga SHBA.
Një dhuratë domethënëse gjithsesi. Së pari, si një përkthim autentik i Ilirit. Së dyti, si kopja e parë e biblës në shqip që futej rishtas në Shqipëri. Kur u bashkuam në SHBA, më thoshte se përkthimi i saj dhe raportet për Shqipërinë që kishte përgatitur te “Zëri i Amerikës”, ishin pjesa më e bukur e punës së tij aty.
-Kur u takuat në SHBA, vazhdonte Iliri te “Zëri i Amerikës”?
Unë shkova në SHBA në vitin 1993. Iliri në atë kohë sapo kishte ikur nga “Zëri i Amerikës”. Arsyet m’i kishte shpjeguar më herët Elez Biberaj kur e takova në Tiranë. Me sa më sqaroi edhe vetë, shkak ishte bërë gjendja shëndetësore. Në fakt, në gjendje jo të mirë e gjeta edhe unë. Pas largimit nga “Zëri i Amerikës” kishte gjetur strehë në një fondacion fetar. Aty merrej me përkthime. Jetonte në vetmi, në kushte tepër modeste. I kishte rënë optimizmi i parë dhe ndihej i braktisur. Mënyra si sillej të linte përshtypjen se kishte kaluar një depresion të thellë, që e kishte drobitur nga energjitë. Nisur nga kjo gjendje, iu luta të ktheheshim në Shqipëri. Fillimisht nuk pranoi, por dikur u bind. Aty nga vjeshta e ’96 mbërritëm në Tiranë. U përmirësua nga shëndeti, por asnjëherë nuk e mori veten plotësisht. Në prillin e 2002 ndërroi jetë në moshë të re…
-Gjatë kohës që ishit bashkë, biseduat ndonjëherë për akuzat që kishte hedhur në shtypin perëndimor për Enverin?
E keni fjalën për akuzat që ka bërë nga Greqia për Enverin. Ia kam kujtuar shpesh, madje me këmbëngulje. Ia kujtonin sakaq shokët e afërt, të cilët deri diku nuk i kishin besuar. I vënë përballë tyre, Iliri ndihej keq. Ai shprehej se akuzat ishin nxjerrë nga dëshmitë që kishte dhënë për autoritetet greke kur kishte paraqitur kërkesën për strehim politik. Këto të fundit pasi dëgjonin rrëfimin e tij për gjendjen në Shqipëri, i sillnin një letër në greqisht dhe ai e firmoste. Iliri pohonte se pjesa më e madhe e atyre që ishin konsumuar në shtypin e huaj për Enverin, më shumë kishin qenë sajesa të intervistuesve. Ai pranonte se kishte denoncuar regjimin, represionin e policisë sekrete, izolimin, mjerimin e njerëzve të thjeshtë, salltanetet e bllokmenëve. Ato që denoncoi për një kohë të gjatë edhe te “Zëri i Amerikës” në vitet ’89-’90…/panorama/