Preng Cub LLESHI: Skënderbeu, përpara se të ishte i krishter, ishte shqiptar
(Refleksione rreth shkrimit të analistit Mustafa Nano “Skënderbeu ishte më shumë i krishterë se shqiptar, nënën e kishte sllave”).
Për disa arsye, e ndjek rrallë gazetën “Panorama”, por titulli sensacional “Skënderbeu ishte më shumë i krishterë se shqiptar (?!), nënën e kishte sllave” (?!), i analistit M. Nano, më tërhoqi vëmendjen. Pikërisht ky titull, disi i veçantë edhe për nga ndërtimi gjuhësor, edhe për nga idetë që shpaloste, më detyroi ta tërheq gazetën “Panorama” të 14 korrikut, për t`u njohur me shkrimin e sipërcituar të analistit tonë, i cili edhe ndonjëherë tjetër ma ka tërhequr vëmendjen, veçanërisht, me librin “Unë jam Gegë”.
Nisur nga titulli i shkrimit të mësipërm, m`u krijua përshtypja se analisti ynë kishte trajtuar aty vetëm çështje të historisë së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, por kisha qenë i gabuar: M. Nano kishte mbajtur, si analist i njohur, një bisedë me maturantët e një shkolle të mesme të kryeqytetit. Dhe, pse ta fsheh?! Dhe ishte treguar i sinqertë në atë bisedë, që ishte edhe një bashkëbisedim me këta maturantë për çështje nga më të ndryshmet, që preokupojnë shoqërinë shqiptare në ditët tona.
Sinqeritetin e tij analisti e kishte shprehur kur u kishte treguar maturantëve se e “ndieja që isha i patalentuar” (?!), se kisha”një natyrë pesimiste” (?!), se “në një situatë të vështirë…”humbas toruan”, duke shtuar se “Deri në moshën 30 vjeç kam jetuar në komunizëm” (?!) dhe se “do të kisha dashur që atë përvojë mos ta jetoja. (?!) E, duke e analizuar këtë “sinqeritet” të analistit tonë shtrohet pyetja: Ç`vlerë edukative kishin pohimet e tij për brezin e maturantëve?!
Dhe, për të mos u zgjatur me idetë “e sinqerta” të analistit M. Nano, për shumë çështje që i interesojnë sot shoqërisë shqiptare, duke hyrë në fushën e historisë, ai duhet pyetur: Pasi qenke bërë 30-vjeçar në vitet e socializmit, pse thua se “Deri në moshën 30 vjeç kam jetuar në komunizëm” (?!) A nuk e di ti se komunizmi është thjeshtë një ideal? A nuk e di ti, analisti ynë, se komunizmin, si rend ekonomiko-shoqëror, asnjë vend i botës nuk e ka jetuar? Apo, si analist “majtist”, u dashka të deklarohesh edhe antikomunist?!
Por, pa u marrë me pikëpamjet politike e ideologjike të M. Nanos, sepse është e drejta e tij të mbajë krahun që do e të zgjedhë pikëpamjet që i duken më racionale, është detyrë qytetare, detyrë e çdo atdhetari, kundërshtimi i shumë pikëpamjeve të gabuara historike të këtij analisti, të cilat shprehen që në titullin marramendës “Skënderbeu ishte më shumë i krishterë se shqiptar (?!), nënën e kishte sllave”. (?!)
Ç`gabim i rëndë që në titull! Se, logjika e shëndoshë, logjika historike, të cilën e ka përcjellë historiografia shqiptare dhe ajo botërore për Gjergj Kastriotin, pohon të kundërtën e ideve që shtron M. Nano. Ajo pohon qartë se Skënderbeu, përpara se të ishte i krishterë, ishte shqiptar! Ajo pohon qartë se Skënderbeu, edhe pse është quajtur “Kalorës i krishtërimit”, ka qenë, para së gjithash, luftëtar për lirinë e atdheut të tij, luftëtar kundër robërisë turke a otomane, siç po duan të thonë në ditët tona!
Për këtë të vërtetë të madhe do të dëshmonte edhe prifti historian, Atë Zef Valentini, kur shkruante: “Ka do elementa të amshueshëm, që e përbajnë sot e do ta përbajnë deri në të ardhmën ma të largët: Dashnia për vendin e për popullin…e, mbi të gjitha, shpirti i flijimit. Këto e banë dje, sot e përgjithmonë Gjergj Kastriotin -idealin e atdhetarit shqiptar e kohen e tij-epopenë ma të shkëlqyeshme, që ka pasë ky komb”. (Cituar nga A. Plasari në gazetën “55”, 08.12.2008)
Por analisti M. Nano, si për ta mbrojtur idenë e tij të mbrapshtë se “Skënderbeu ishte më shumë i krishterë se shqiptar”, sjell një gjykim, të cilin nuk e pranon shkenca e historisë. Ai u thotë maturantëve se”Atëherë, në shekullin XIV, etnia apo identiteti kombëtar nuk ka qenë shumë i rëndësishëm” (?!), tezë, të cilën e rrëzon jo vetëm Atë Zef Valentini, po edhe shkrimtari Sabri Godo, kur shkruan se:
“Skënderbeu është kthyer në një legjendë dhe, me kohë, legjendat bëhen mite. Por ka një të vërtetë të madhe rreth figurës së tij, që ai shkriu jetën në luftë kundër invazionit turk… Dhe, po të mos ishte kjo rezistencë e madhe e tij, shqiptarët do të qenë kthyer në një popull të robëruar”. (Gazeta “Shekulli”, 20.12.2008)
Dhe analisti ynë, përpara se të shkarraviste se “Etnia nuk ka qenë shumë e rëndësishme atëherë” (në shekujt XIV-XV-shënimi im), duhej të kujtonte Rilindasit tanë, të cilët krenoheshin me të kaluarën e racës shqiptare. Duhej të kujtonte, të paktën vargjet e N. Frashërit:
“Gjuhë që flisnin Perënditë,
Atë flisnin Pellazgjitë,
Atë kanë shqipëtarët,
Siç e kishin dhe të parët.
Por, gjatë bisedës me maturantët, duke qëndruar në fushën e historisë, në fushën e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe sllavëve në rrjedhën e shekujve, M. Nano shfaq edhe një mendim që vjen kundër të vërtetave historike që njohin shqiptarët deri më sot. Ai arrin deri atje sa të deklarojë se “Një pjesë e historianëve në Shqipëri i kanë mëshuar idesë se shqiptarët dhe sllavët janë armiq të përjetshëm…dhe këtu ka një gënjeshtër të madhe”. (?!)
Kjo, sipas M. Nanos mund të jetë e vërtetë për këto 150 vitet e fundit, kur “linden nacionalizmat ballkanike” (?!), kur linden “ndjenjat kombëtare”(?!). Se, sipas tij, më përpara, shqiptarët dhe sllavët “shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin”. Por kjo përrallë bëhet e pabesueshme për të gjithë ata që janë përpjekur t`i ngjiten malit të dokumenteve autentikë, që dëshmojnë invazionin e sllavëve në Ballkan.
Se edhe në një shkrim mbi invazionin e sllavëve në Ballkan, të publikuar në internet, në janar të vitit 2013, theksohet qartë: “Dihet botërisht se serbet dhe, përgjithësisht, sllavet nuk janë popull autokton në këto hapësira,… dihet, gjithashtu, se shpërngulja e tyre ka qenë e dhunshme”. Dhe kjo e vërtetë argumentohet nga disa historianë shqiptarë dhe të huaj, siç janë Profesori çek, Dvornik, T. Zavalani, historiani W. Temperly, historiani i Bizantit, Prokopi, arbëreshi nga Kroacia, Aleksandër Stipçeviç e të tjerë.
Dhe, për të mos e mërzitur analistin M. Nano me citime pa fund, po i kujtojmë të vërtetën historike që shpalos historiani i Bizantit, Prokopi, i cili shkruante: “Si një valë deti prej njerëzish,… ata (serbët-shënimi im) u vërsulën në tokat e Perandorisë (Bizantine-shënimi im) dhe kthyen në gërmadha dhe e zhytën në gjak Ilirinë, Epirin dhe Thrakinë, duke përparuar deri në thellësi të Greqisë së vjetër… Ata grinë dhe masakruan të gjithë njerëzit, pa dallim gjinie e moshe që u ranë në duar. Kjo shfarosje me shumicë mbuloi në kufoma Ilirinë dhe Thrakinë…”.
Sidoqoftë, analisti ynë, për t`u bindur se ka gabuar në shpjegimin e marrëdhënieve midis shqiptarëve e serbëve përpara Lidhjes së Prizrenit më 1878, duhet të mbajë shënim edhe për një njoftim historik të vitit 1319, në të cilin thuhet: “Në pranverën e vitit 1319 një numër fisnikësh shqiptarë nga dyert Blinishti, Jonima, Arianiti, Matrënga, Muzaka etj., nëpërmjet peshkopit të Krujës, Andreas, i bënin të ditur papa Johanit XXII se ishin gati “të ngrinin krye dhe të hidhnin tej zgjedhën e mbretit të Rashës (Serbisë)”.
Dhe se sa “mirë” shkonin me njëri-tjetrin shqiptarët dhe serbët përpara 150 viteve, për të cilat flet M. Nano, dëshmojnë edhe përpjekjet e pareshtura të Stefan Dushanit, në vitet 1331-1355, për të pushtuar e mbajtur nën sundim të gjithë hapësirën e Shtetit të Arbrit në këto vite. Se në verën e vitit 1346 ishte vetë Stefan Dushani, që në krye të një fushate të madhe, pushtoi njërën pas tjetrës kështjellat e Kosturit, Beratit dhe të Kaninës, duke u quajtur që prej vitit 1346 “perandor i Romanisë, i Sklavonisë dhe i Arbërisë”.
Po analisti ynë i çudit shumë shqiptarët në fund të bisedës së tij me maturantët. Se ai sikur vë në dyshim edhe kombësinë e Heroit tonë kombëtar-Gjergj Kastriotit, kur u thotë nxënësve se “Ne sot themi që Skënderbeu ka qenë shqiptar dhe ka qenë i joni, ndërkohë që ai ka qenë më shumë i krishterë se shqiptar, (?!) kur u bë i famshëm, madje ai nënën e ka pasur sllave”. (?!)
Dhe nuk kanë si të mos çuditen shqiptarët me këtë pohim, kur e dinë se historiografia serioze botërore e ka njohur kombësinë shqiptare të Gjergj Kastriotit. Se edhe historiani francez Zhan Klod Faverrial thotë një të vërtetë të madhe historike, kur thekson:“Dikur, epirotët e lashtë e kanë quajtur shqiponjë Pirron, sovranin e tyre.-Po, unë jam shqiponjë,-u përgjigj ai,-por prej jush jam i tillë. Kjo do të ishte pikërisht përgjigja që do t`u jepte Skënderbeu të gjithë shqiptarëve”.(“Historia e Shqipërisë” Tiranë, “Plejad”, 2004, f. 418)
Po çuditen shqiptarët edhe kur e dëgjojnë analistin M. Nano të thotë se Gjergj Kastrioti “nënën e kishte sllave”. (?!) Çuditen sepse, të paktën në Shqipëri, “origjina biologjike” e një njeriu llogaritet nga babai dhe jo nga nëna! Çuditet sepse shumë historianë pohojnë se bija e Pollogut, Vojsava, ishte bijë e një arbërrori dhe jo e një sllavi. Dhe, nëse këto nuk e bindin analistin tonë të nderuar, po i kujtojmë edhe pohimin lapidar të poetit të Rilindjes Kombëtare Gavril Dara i Riu, i cili, në shënimin autobiografik në hyrje të poemës madhore “Kënga e sprasme e Balës”, sikur thotë një të vërtetë të madhe, kur shkruan: “Të parët e mi ishin fis me Kastriotët nga nëna e Gjergjit-Vojsava, që ishte bija e princit të Mirditës”. (“Kënga e sprasme e Balës”, f. 20)
Dhe shtrohet një pyetje këtu: Pse të mos e besojmë poetin e madh? Se askush më mirë se ai nuk mund ta dijë historinë e fisit të vet! Se ai sikur bëhet më i besueshëm se M. Barleti, kur kujton se të parët e tij u vendosen në Palac Adriano në vitin 1480, kur kishte ndodhur emigrimi i madh i shqiptarëve pas rënies së kështjellës së Rozafatit në duart e pushtuesve osmanë. Dhe këtij pohimi sikur i vjen në ndihmë edhe historiania turke Nuray Bozbora, kur na thotë se “Gjon Kastrioti ishte njëri nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”.
Sidoqoftë, për të mos u zgjatur me citime pa fund për të kundërshtuar pikëpamjet absurde të M. Nanos lidhur me figurën e Gjergj Kastriotit, po i kujtojmë atij dhe gjithë dashamirësve të historisë sonë konkluzionin shkencor të historianit Kristo Frashëri, sipas të cilit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e ka merituar plotësisht dhe përjetësisht titullin e lartë Hero Kombëtar, që ia kanë dhënë shekujt që erdhën pas tij, pa përjashtuar brezin e ditëve tona”.(“Skënderbeu”, f. 485)
Ndoshta për këto të vërteta dëshmon edhe një baladë, që ruhet në bibliotekën e Reikjavikut që prej shekullit XVI, e cila, epërkthyer nga islandishtja e vjetër në anglisht e pastaj në shqip, në tre strofat e para na thotë:
“Skënderbeu trashëgim
Pat burrninë që s`ka vdekë;
Gjoks-mburojë, i bukur, trim,
Ç`më kujtoi të madhin Lekë!
Gjuhën turke, italishtën
E greqishtën zotëronte;
Fliste rrjedhshëm arabishtën,
N`ilirishte ligjëronte.
Vringëllinte rreptë shpata,
Kur godiste Skënderbeu;
Binin kokat çallmë-gjata,
Me gjak hasmi dëndej dheu”!
(Gazeta “Zëri i Popullit”, 22.09.1983)