Seit MANSAKU: Kontributi i prof. Injac Zamputit në studimet filologjike shqiptare
Hyrje
Injac Zamputi la një veprimtari shkencore të pasur e të frytshme, e cila nga përmbajtja, qëllimi dhe metodat që përdori autori, qëndron midis historisë dhe filologjisë; prandaj ai mund të vlerësohet jo vetëm si një historian i mirënjohur, por edhe një filolog i shquar me kontribute të shumta në fushën e studimeve të teksteve të vjetra shqipe. Në këtë fushë I. Zamputi zë një vend të merituar midis filologëve më të shquar të teksteve të vjetra shqipe. Madje veprimtaria kryesore e tij në fushën e përkthimit, të
interpretimit dhe të botimit të dokumenteve historike mesjetare është e lidhur ngushtë me fushën e filologjisë. Përgatitja dhe botimi i dokumenteve të tilla me kritere shkencore kërkon përveç njohjes së historisë së mesjetës edhe njohuri të thella gjuhësore në fushën e latinishtes klasike dhe kishtare, të italishtes mesjetare, por edhe të shqipes së teksteve të vjetra. Prof. I. Zamputi i zotëronte si rrallkush këto njohuri dhe dijti t’i zbatojë në veprën e tij shkencore (shën. 1).
1. Botimet dokumentare
1. Botimet dokumentare të tij në disa vëllime, përkthimi në shqip, pajisja e tyre me shënime e komente të shumta historike e gjuhësore është një ndihmesë shumë e çmuar jo vetëm për historinë e popullit shqiptar, por edhe për historinë e gjuhës në përgjithësi dhe për filologjinë e teksteve të vjetra në veçanti.
1.1. Njohja e burimeve historike e dokumentare të periudhës së mesjetës së vonë, të asaj periudhe kur gjuha shqipe nis rrugën e shndërrimit nga një gjuhë vetëm e folur në një gjuhë të shkruar, të ndriçon kuadrin e historik e kulturor e kishtar të domosdoshëm për të kuptuar rrethanat historike kulturore e fetare që bën të mundur fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe, të përdorimit të saj në shërbesat fetare dhe më tej për të zbërthyer e shpjeguar drejt tekstet e vjetra të shkruara në gjuhën shqipe gjatë shekujve XVI‐XVII.
1.2.Përveç kësaj vlere të përgjithshme, botimet dokumentare të Injac Zamputit shquhen edhe për vlera konkrete gjuhësore e filologjike. Ato përveç shënimeve historike, janë të mbushura plot me shënime të karakterit filologjik për të shpjeguar e sqaruar fjalë e terma që shënojnë koncepte historike të ndryshme të kohës së fuudalizmit dhe të sundimit ottoman e venecian, shënime që lidhen me leximin, me transkriptimin e identifikimin e emrave të përveçëm të njerëzve dhe të viseve shqiptare që dalin në këto dokumente në trajta të ndryshme latine, italiane e veneciane, shënime për plotësimin e pjesëve të dëmtuara e të palexueshme të këtyre dokumenteve etj.
1.3. Vëllimet e tij me dokumenta janë të pajisura dhe me treguesit e emrave të vendeve dhe të personave që janë me vlerë të veçantë edhe për studime onomastike. Sa për ilustrim do të përmendnim këtu Relacionin e Frang Bardhit mbi Zadrimën, drejtuar Kongregacionit të Propagandës në Romë në shekullin XVII, përkthyer e përgatitur për botim nga I. Zamputi, botuar në italisht dhe në shqip në “Buletinin e Institutit të Shkencave Shoqërore”, nr. 2, 1956, f.165‐169. Ky botim, i cili përveçqë ka një përmbajtje historike shumë me vlerë për gjendjen shoqërore e kishtare të kohës në zonën e Zadrimës, për kërkesat e klerit vendas ndaj Romës dhe ankesat ndaj klerit dhe misionarëve të huaj etj, është i pajisur me shënime të shumta me interes të veçantë gjuhësor e onomastik. Në to autori identifikon dhe ubifikon shumë emra vendesh që përmenden në Relacion në një trajtë të latinizuar apo të italianizuar. Kështu p.sh. toponimin Sardanja që përmendet në Relacion, I. Zamputi e identifikon me Maja e Shurdhatës dhe e vendos atë në qendër të tre katundeve Verdhë, Mazrek e Shllak. Për toponimin Guosta që përmendet
në Relacion, autori mendon se mund të identifikohet me toponimin e sotëm Gusha e Cukalit. Të tilla shpjegime me interes gjuhësor e onomastik ka shumë në vëllimet e tij me dokumenta.
2. Botimet kërkimore gjuhësore dhe filologjike
2. Por përveç veprimtarisë shkencore në fushën e përgatitjes dhe të botimit e komentimit të dokumentave historikë, vlerësimin historik të të cilave do ta bëjnë historianët, Injac Zamputi ka bërë edhe kërkime e botime të mirëfillta gjuhësore dhe filologjike.
2.1. Që në fillimet e veprimtarisë së tij shkencore në vitin 1939 ai ka botuar një recension për Fjalorin italisht‐shqip të Fulvio Cordignanos (ALES: 38‐40). Recensuesi vlerëson punën e autorit të Fjalorit dhe nevojën e shoqërisë shqiptare për një fjalor të tillë. Ai pajtohet me autorin që ka përfshirë në fjalor edhe disa turqizma krahas fjalëve shqipe ,duke arsyetuar se “.. shqipja asht lirue shum prej turqishtes e s’ka pse dron prej njatyne pak fjalëvet qi kanë mbet; ata ka nji here s’ mund të zevendsohen po kai fjalë
turke ban lazëm…se me ta jena rritë” dhe më tej autori i recensionit lidhur me ndikimin e huaj në gjuhën shqipe shprehet: “Halli i madh âsht tu forma e tu sintaksi. Aty po na rrënohet gjuha shqipe”. I. Zamputi si një linguist i vërtetë mendon se një vepër leksikografike, siç është fjalori duhet të pasqyrojë dinamizmin e gjuhës ashtu siç është vetë gjuha. Është me interes edhe për sot lutja që i drejton autori i recensionit autorit të fjalorit, Fulvio Cordignano‐s në fund të këtij recensioni : mos prito, shko e kërko kësollat e malet edhe nëpër Toskëni. Afro shkrimtarë e njerëz me zotsi, toskë në mënyrë qi në listen e bashkëpunëtorëvet të na dalin njaqi emna toskë sa gegë. Pasunoje veprën tande edhe me frazeologji toskënishte sikurse ke ba me gegënishte aqi sa hera herë me t’u bâ nji vepër monumentale me të vërtetë” (ALES: 40).
2.2. Po në revistën “Leka” Injac Zamputi pati botuar katër vjet më vonë, më 1943 një artkull thjesht gjuhësor për të kryerën e thjeshtë në gjuhën shqipe (ZAMPUTI 1943: 18‐22) për vlerat e të cilit nuk është vendi të ndalemi gjatë në këtë paraqitje të përmbledhur të veprimtarisë tij të gjerë në fusha të
tjera. Por do të doja të them se është një vështrim original i vlerave kohore e modale të kësaj trajte foljore të shqipes, duke dalluar përdorimet e saj për të shprehur një veprim që kryhet në të tashmen, në të ardhmen, në të shkuarën në aspektin e kryer ose të pakryer; përdorimin e saj si e kryer narrative, si
urdhërore etj., në fjali kushtore dhe në ndërtime të tipit desh u rrëzova, që autori i ka quajtur gerund perifrastik. Siç shprehet vetë autori, është një përpjekje për të zbuluar veçoritë e shqipes, aftësitë shprehëse të saj, ngjyrimet e ndryshme që është në gjendje të shprehë ajo edhe nëpërmjet kësaj trajte
foljore.
3. Botimet në fushën e filologjisë së teksteve të vjetra
3. Veprimtarinë e mirfilltë botuese në fushën e filologjisë së teksteve të vjetra Injac Zamputi e nisi në vitin 1949 me një punim studimor për Dorëshkrimin e Anonimit të Elbasanit. Ky dorëshkrim, siç dihet, ruhej në Arkivin e Institutit të Shkencave dhe ishte bërë i njohur me këtë emër nga Dhimitër Shuteriqi në një shkrim me titull Shkrimi shqip n’Elbasan në shekujt XVIII‐XIX dhe Dhaskal Todri (SHUTERIQI 1949: 33‐55). Dh. Shuteriqi kishte përshkruar dhe paraqitur formën dhe përmbajtjen e dorëshkrimit, kishte vënë në dukje disa veçori të alfabetit dhe kishte ngritur disa hipoteza për autorësinë dhe prejardhjen e gjuhës dhe të alfabetit të tij. Ai e quajti dorëshkrim elbasanas, sepse ai ishte gjetur në mes të disa dorëshkrimesh të vjetra të Elbasanit, shumica me alfabetin e Dhaskal Todrit, të tërhequra nga
Manastiri i Shën Gjon Vladimirit dhe sepse dorëshkrimi ka disa trajta tipike për të folmen e Elbasanit. Edhe për autorësinë Dh. Shuteriqi qe shprehur se “Anonimi duhet të jetë elbasanas, ndonjë prift i Shën Jonit ndoshta”.
3.1. Injac Zamputi u mor gjerësisht me këtë dorëshkrim; bëri transliterimin dhe transkriptimin e tij të plotë, nxjerrjen e leksikut të shoqëruar me komente e shënime historike dhe gjuhësore dhe përgatiti
kështu një botim filologjik me kritere shkencore që përdoren edhe në botimet e sotme filologjike. Gjatë punës për transliterimin dhe transkriptimin e tekstit autori është përpjekur t’i qëndrojë sa më afër origjinalit, të lexojë dhe të përcaktojë vlerën e grafemave që përdoren në dorëshkrim dhe në disa raste i
është dashur të rindërtojë dhe të plotësojë pjesët e dëmtuara e të palexueshme të tekstit duke i shënuar plotësimet me kllapa katrore, ashtu siç veprohet në botimet filologjike. Gjatë transkriptimit autori ka vënë shenjat e pikësimit që mungojnë në dorëshkrim, ka hequr theksat tonikë dhe ka vënë dorë në disa gabime të dukshme. Nuk ka njësuar shkrimin e disa fjalëve që, sipas autorit, pasqyronin luhatje të gjuhës së folur në kohën e dorëshkrimit, siç janë disa fjalë që në dorëshkrim dalin edhe me u edhe me y: atune atyne; qumur qumyr etj. Kriterin statistikor që përdoret në raste të tilla autori e ka njohur, por nuk e ka parë të udhës ta zbatojë. Ai për raste të tilla është nisur nga gjendja e sotme dialektore në të cilat shqiptimi i këtyre fjalëve nuk është i njësuar. Megjithatë autori ka vënë dorë në disa raste në grupin e fjalëve të shkruara me r ose rr dhe me l ose ll. Autori ka bërë ndarjen e fjalëve njera nga tjetra, një punë që në shumë raste ka qenë e vështirë, sepse në dorëshkrim shkronjat janë mjaft larg njera nga tjetra dhe nuk ndihmojnë për ndarjen e fjalëve.
3.2. Botimi i transliteruar dhe i transkriptuar i dorëshkrimit është shoqëruar me shënime e komente të ndryshme historiko‐kulturore e gjuhësore. Është një vlerë që duhet vënë në dukje, fakti që në këto shënime e komente I. Zamputi ka bërë herë pas here krahasime të pjesëve të këtij dorëshkrimi me pjesët përkatëse të Grigor Gjirokastritit, të Konstandin Kristoforidhit, herë herë edhe të Gjon Buzukut, duke u mbështetur për citimet nga “Meshari” në botimin e Justin Rrotës, Momenti ma i vjetër i gjuhës
shqipe‐ D. Gjon Buzuku (1555), Shkodër 1928. Për lëndën e nxjerrë nga Grigor Gjirokastriti ka pasur parasysh botimin e vitit 1827, ndërsa për krahasimet me Konstandin Kristoforidhin ka përdorur botimin gegërisht të Dhiatës së Re të vitit 1872.
3.3. Injac Zamputi, duke u nisur nga ndonjë veçori gjuhësore jugore të dorëshkrimit, siç është veta e tretë njëjës e foljes jam që del në trajtat është, ësht dhe asnjëherë asht, e vë në dyshim prejardhjen elbasanase të autorit të dorëshkrimit (ZAMPUTI 1).
3.4. Rreth njëzetepesë vjet më vonë në Konferencën e Parë të Studimeve Albanologjike më 1965 I. Zamputi në një diskutim rreth kumtesës së Mahir Domit me temë ‘Rreth autorit dhe kohës së dorëshkrimit elbasanas’, mbajtur në këtë Konferencë, rimerr edhe një herë disa çështje ende të pazgjidhura të këtij dorëshkrimi duke u ndalur sidomos në datimin e tij. Që në atë kohë autori shpreh mendimin se është e nevojshme të studiohet letra dhe boja e përdorur në dorëshkrim për të përcaktuar vjetërsinë e materialit dhe pastaj dhe të vetë dorëshkrimit. Duke mbështetur mendimin e Mahir Domit për lidhjet e këtij dorëshkrimi me shkrime më të vjetra shqipe dhe për një vjetërsi të tij më të hershme se shekulli XVIII, I. Zamputi shprehet se nuk do të ishte e pamundur që Anonimi i Elbasanit të jetë një bashkëkohës i Onufrit, pra jo i shekullit XVIII, as i shekullit XVII, por i shekullit XVI. Autori sjell si argument për këtë faktin që dorëshkrimi i Anonimit, ashtu si “Meshari” i Gjon Buzukut, është përkthim i disa copave nga ungjij të ndryshëm, të destinuara për t’u lexuar gjatë meshimit. Është pra, sipas tij, në një farë mënyre një meshar, që hyn në lëvizjen për futjen e gjuhës shqipe në celebrimin e meshës, ku përfshihet edhe nisma e Buzukut. (ZAMPUTI 1965: 399‐400).
4. Artikuj, recensione, kritika, diskutime në konferenca shkencore dhe në shtypin e përditshëm
4. Injac Zamputi në një varg artikujsh, recensionesh, kritike, diskutimesh në konferenca shkencore, artikujsh në shtypin e përditshëm, në komentet e shënimet e botimeve dokumentare etj. ka trajtuar nga ana historikofilologjike pothuajse të gjitha tekstet e vjetra shqipe duke filluar me Formulën e Pagëzimit e duke vijuar me tekste dhe autorë të shekujve XVI‐XVII, me Pjetër Budin, Frang Bardhin, Pjetër Bogdanin, me Pjetër Mazërekun prej Prizreni, arqipeshkv i Tivarit, i cili qysh në vitin 1632 në një Fjalorth prej 32 fjalësh vuri re disa përkime fjalësh të shqipes me të italishtes, duke dalë kështu, siç thotë E. Çabej (ÇABEJ 1982: 32, 40), një paraardhës i studimeve etimologjike të shqipes.
4.1. Njohës i mirë i historisë mesjetare shqiptare dhe më gjerë, i mbështetur në burime dokumentare, I. Zamputi në shumë artikuj, kumtesa e diskutime u mor me të gjitha problemet themelore të traditës së shkrimit të shqipes, që janë shtruar përpara gjuhësisë dhe filologjisë shqiptare për njohjen, studimin filologjik të teksteve të letërsisë së vjetër në gjuhën shqipe, për të ndriçuar rrethanat historike, kulturore dhe fetare shqiptare dhe europiane kur nisi të shkruhej gjuha shqipe, për të hedhur dritë mbi kohën dhe vendin kur dhe ku u shkruan dhe u botuan këto vepra dhe për të njohur jetën dhe personalitetin e autorëve të tyre. Për të gjitha këto çeshtje autori ka sjellë kontributin e vet të pamohueshëm, qoftë me ide e teza origjinale, qoftë duke sjellë argumente të reja dokumentare në mbështetje të tezave të hedhura edhe nga studiues të tjerë, qoftë duke saktësuar e kundërshtuar disa prej tyre.
4.2. Nuk është e mundur të analizohen në caqet e një kumtese të gjitha shkrimet e tij për autorë dhe tekste të letërsisë së vjetër që e rrokin në tërësi atë, prandaj po ndalemi në mënyrë të veçantë në një artikull për rrethanat historike të botimit të “Mesharit” të Gjon Buzukut dhe vendin e tij në letërsinë shqiptare, botuar në revistën “Studime filologjike, 1986, nr. 3, f.185‐203, ku autori ka hedhur disa ide e teza të rendësishme lidhur me kontekstin historik, kulturor e fetar, shqiptar dhe europian ku dhe kur u shkrua libri i parë shqip dhe për prejardhjen e autorit të tij, duke sjellë pasurime dhe saktësime të tezave të mëparshme për këto probleme (ZAMPUTI 1986: 185‐213).
4.3. Injac Zamputi duke mos u pajtuar plotësisht me tezën e hedhur nga Dhimitër Shuteriqi, sipas së cilës “s’ ka dyshim se puna e Buzukut dhe e pasuesve të tij fetarë nuk i përket veprimtarisë tipike humanistike, kur shkruajnë shqip. Nga kjo anë, puna e tyre, edhe pse bën pjesë në qëndresën e përgjthshme antiosmane të popullit shqiptar, nuk frymëzohet nga idetë e mëdha që pushtuan kulturën evropiane dhe iu kundërvunë Mesjetës. Nuk duhet kërkuar pra çfarë nuk gjendet te Buzuku e Budi” (SHUTERIQI 1983: 3). I. Zamputi e ka vënë në dyshim këtë tezë. Ai, duke marrë shkas nga një konstatim i bërë shumë vite më parë nga Mario Roques, filolog i shquar francez, dhe studiues i mirënjohur i teksteve të vjetra shqipe, sipas të cilit autori i “Mesharit” tonë “nuk qëndron nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Romës” (ROQUES 1932: 17), është përpjekur të provojë me një varg argumentesh se “Meshari”i Gjon Buzukut është shkruar nën ndikimin e ideve të lëvizjes reformiste luteriane që pushtoi Europën në shekullin XVI, në shekullin e Buzukut, një nga kërkesat e së cilës ishte lejimi i përdorimit të
gjuhëve kombëtare në liturgjinë e krishterë.
4.4. Sipas I. Zamputit, Gjon Buzuku mori përsipër një vepër të madhe për kohën e tij, vetëm sepse deshi, jo vetëm që edhe gjuha shqipe të kishte diçka nga “zdritja” e kohës, por edhe për të afirmuar me këtë gjuhë individualitetin e shqiptarëve, të kësaj “botës sanë” në bashkësinë ballkanike dhe evropiane. Kjo ishte pjesë e ideologjisë së Reformës. Pra Buzuku, sipas autorit, mori pjesë jo vetëm në qëndresën antiosmane, por edhe në lëvizjen ideologjike më përparimtare të kohës (ZAMPUTI 1986: 185‐202). Meshari i Gjon Buzukut pa dritën e botimit në kohën kur po zhvillonte punimet Koncili i Trentit i mbledhur nga Kisha katolike e Romës në vitet 1545‐1563 për të shqyrtuar të gjitha çeshtjet e doktrines katolike si reagim ndaj Reformës protestante, reagim që solli edhe hartimin e index librorum prohibitorum, që ndalonte qarkullimin e librave të hartuar jashtë kritereve të vendosura prej saj, ose të
papajtueshëm me ideologjinë e saj. Me këtë autori shpjegon edhe faktin që “Meshari” i Gjon Buzukut është gjetur në një kopje të vetme dhe ajo e dëmtuar në Bibliotekën e Propagada fides, sot në Bibliotekën e Vatikanit. Sipas I. Zamputit ekzemplarët e “Mesharit”iu shtruan ndjekjes që u bëri Kundërreforma librave të “Shkrimit të shenjtë”të botuar në gjuhët popullore. Pra, I. Zamputi ka mbrojtur pikëpamjen se “Meshari” i Gjon Buzukut nuk ka qenë rezultat i ndonjë nisme të ndërmarrë nga Selia e Shenjtë, por fryt i
përhapjes së ideve të Reformës protestante që arritën ta shtrijnë ndikimin e tyre deri te ai komunitet arbëresh, ndoshta afër Venedikut nga i cili duhet të ketë dalë autori i librit. I. Zamputi ka hedhur ide me interes edhe për prejardhjen e familjes Buzuku dhe ka pretenduar se kishte rënë në gjurmë të dokumentave ku përmendet emri i familjes së tij.
Edhe Selman Riza pati formuluar tezën se Gjon Buzuku dy tekstet‐bazë të kultit katolik: breviarin dhe mesharin i shqipëroi e i botoi me inisiativën e tij individuale pa lejen dhe pa dijeninë e Kuries së Romës. Këtë e bëri me synimin që të kryente kombëtarizimin gjuhësor të jetës kishtare. Prandaj Kuria e Romës librin e Buzukut nuk mund të mos e bënte objekt të një ndalimi të rreptë e madje të një asgjësimi material (RIZA 2004: 266).
4.5. Ajo që bie në sy në shkrimet e I. Zamputit për tekstet e vjetra shqipe dhe që meriton të thesohet është përpjekja e tij për ta inkuadruar lëvizjen shqiptare për shkrimin e shqipes në shekullin XVI në lëvizjen e madhe europiane të atij shekulli për identitet gjuhësor kombëtar. Ai qe i prirur për t’i parë përpjekjet e klerit katolik shqiptar të shekujve XVI‐XVII për të përkthyer Shkrimin e Shenjtë në gjuhën shqipe jo vetëm si shprehje e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman, kundër shtrirjes së islamizimit të vendit në dëm të krishterimit, por edhe si shprehje e përpjekjeve për afirmimin e identitetit të tyre kombëtare nëpërmjet shkrimit të gjuhës shqipe dhe futjes së saj në liturgjinë e krishterë me synimin më largvajtës për krijimin e kishës shqiptare.
5. Artikuj në fushën e onomastikës historike
5. Nuk do të ishte e drejtë ta përfundonim këtë artikull përurues mbi kontributet filologjike të prof. Injac Zamputit pa zënë në gojë edhe me një fjali të vetme ndihmesën e tij në fushën e onomastikës historike, qoftë nëpërmjet artikujve të veçantë siç është ai për emrin e Rrogozhinës (ZAMPUTI 1963: 77‐82), qoftë me botimin e Regjistrit të kadastrës dhe të konçesioneve për rrethin e Shkodrës, i pajisur me indekset e emrave të përveçëm të njerëzve dhe të vendeve, me shënime e shpjegime të ndryshme mbi to në këtë botim dhe pothuajse në të gjitha botimet e tjera të tij.
Përfundime
Duke mbyllur këtë artikull për veprën e Injac Zamputit në fushën e filologjisë së teksteve të vjetra të shqipes duam të nënvizojmë se kjo vepër e vendos autorin në radhën e përfaqësuesve më të shquar të kësaj fushe studimesh. Veçantia e veprës së I. Zamputit është se ai ka mundur të bashkojë e të shkrijë në një dijet historike, kulturore e kishtare, përvojën e gjerë të botimeve dokumentare me njohuritë filologjike e gjuhësore aq të domosdoshme për vepra të sukseshme në këtë fushë. Një nismë për të botuar
në një vëllim të veçantë punimet filologjike të Injac Zamputit do të ishte jo vetëm një nderim për autorin, por edhe një nevojë e shkencave filologjike shqiptare.
Shënim:
Injac Zamputi qe një nga ata intelektualë të shquar të shekullit të kaluar, të cilët, të pajisur me dije të gjera në disa fusha të shkencave shoqërore, në fushën e historisë, të gjuhës dhe të letërsisë dhe me pasionin e vullnetin e mirë për punë, u përpoqën pa reshtur e me përkushtim për t’i vënë këto dije në shërbim të historisë, të gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Ai bën pjesë midis atyre punëtorëve të mëdhenj të shkencës që punuan një jetë të tërë ashtu si në heshtje apo në hije e pa bujë, me një modesti shembullore, të konsideruar më shumë si punonjës ndihmës‐shkencorë sesa shkencëtarë të mirfilltë, që, edhe pse dhanë shumë fryte shkencore, nuk morën sa duhet shpërblimin moral të punës së tyre. Megjithatë Injac Zamputi mundi t’i thyej kornizat e këtij qëndrimi, sepse veprimtaria shkencore e Injac Zamputit u karakterizua nga një profesionalizëm i lartë, por edhe nga një angazhim dhe dëshirë e mirë për të ndriçuar momente të rëndësishme të historisë, të gjuhës dhe të kulturës kombëtare, për të nxjerrë në pah vlerat thelbësore të identitetit kombëtar shqiptar. /albshkenca.org/