Albspirit

Media/News/Publishing

Lekë Tasi: Libri i Bedri Blloshmit për dy poetët e vrarë, akuzë përherë e ngritur

 

Saharaja nuk ka miq e shokë
Saharaja nuk ka bijë as bir

Vilson Blloshmi: Saharaja

Mbas dy dekadash paqeje të rreme, papritmas me librin e Bedri Blloshmit “Fabrikimi i vdekjes” na shfaqet përsëri kazani i serës në valim, realiteti infernal i Komunizmit. Ai kthehet në sytë tanë tek ato proces-verbale të daktilografuara nga gishta xhahile, tek porositë për përgjim dhe pseudonimet e hetuesve, të operativëve, të prokurorëve e të ndihmës-prokurorëve, të shefave të degës, që si çakenj të përgjakur pickojnë trupat e sfilitur nga torturat të të akuzuarve, largohen, kthehen përsëri për t`i mbaruar…Nën thonjtë e tyre, fatkeqët Vilson dhe Genc, dy djem me dhuntira intelektuale por edhe me origjinë nga paria e krahinës, të rrethuar pra me vizë të kuqe emrat e tyre që në djep, përpëliten me tërë forcat e tyre t’i mbijetojnë atij ferri… Medet, rrethimi i njerëzve-gjëmba nuk u lë shteg. Ngado që të shikojnë, nxin për ta… Në ato çaste të zymta, të dy të rinjve, të apasionuar pas letërsisë frënge, duhet t’u jenë kujtuar “Jambet” e André Chénier, ku poeti i zënë në lakun e Revolucionit, i dërgon që mbrapa hekurave, përshëndetjen e mbrame shokëve që do të gëzonin lirinë dhe jetën përtej ikjes së tij…

Të harruar, kshtu si unë, në këtë skutë qorre,
Me mijra desh të tjerë, si vet,
Varur çengelave t` thertores popullore,
Do t`i serviren popullit-mbret

Vetmia, izolimi, përçarja, këto kanë qënë armët e çdo regjimi diktatorial në Lindjen europiane, por kurrë në masën mbytëse që i provuam ne në Shqipëri. Dy kushërinjtë, të ndarë nga familja, nga rrethi, nga shokët, por edhe nga njeri-tjetri, nën qiellin e zymtë të qelive së tyre, pa avokat, pa ligj, pa jehonën as të largët të parimeve kushtetuese ose të opinionit botëror, provojnë mbi lëkurën e tyre një paligjshmëri të paapelueshme , për të cilën nuk është fajtore vetëm diktatura por edhe një rreth tepër i gjerë shërbëtorësh të trembur ose të liq nga natyra anëmbanë rrethit. Këtë mugëtirë ndërgjegjesh e dëshmon lukunia e persekutorëve të gatshëm për çdo krim, por edhe indiferenca,disuniteti ynë i kahershëm si popull, dhe së fundi frika jonë kaq pak civile. Kështu suksesi 50vjeçar i agjenturës bollshevike , të transplantuar në tokën arbnore , ja pse u harlis kaq shumë bima e saj e helmuar. Sepse sëbashku me farën e jashtme, ajo ka pasur për humus dhe oksigjen, këtë natyrën tonë individualiste,inatçore e njëherazi kaq të shtruar çdo diktati, dhe tejet jo solidare. Mbarëvajtja e dorës së huaj kish nisur me kohë,që kur njerëzit paten pranuar në verbërinë e tyre, paligjësinë t`i favorizonte si persona në dëm të tjetrit, dhe ajo triumfoi kur ajo i bëri edhe ata bashkë me gjithë popullin, dordolecë të saj.

Ajo e ka pasur një sistem të përsosur pune, sepse e bazonte në pabesinë më ekstreme. . Dhe në pastrimin cilësor që i bëri shoqërise shqiptare, me synim të zhdukte inteligjentët, të ndershmit, të papërkulurit, ajo punoi me satër pa u trazuar nga askush. Ja vetmia jonë e pashpresë në mes të kombeve, ja fati i keq i të qënit i vogël . Atëhere doemos, i lihet dorë e lirë agjenturës të zbatojë porosinë antishqiptare : Kush janë ata që shquhen, familjet që kanë pasur influencë në Librazhd? Bjeru dhe zhduki. Kush në Shkodër, kush në Tiranë, në Mirditë, në Malsi, në qytete, në fshatin më të humbur? Bjeru dhe zhduki! Prerja e kokave të shquara ishte porosia nga jashtë, nga ai armik shekullor e dinak që ngjizi partinë në thellësi të viteve, dhe ajo do të zbatohej pikë për pike në crescendo dhe kurdoherë, edhe atëhere kur konjuktura do të lypte armiqësi sa për sy e faqe me të . Prerje kokash edhe brenda të vetëve. Që të zhduket çdo farë gjallërie e personaliteti, që të mbizotërojë një errësirë varri ku kreu të shijojë në fotografi pamjen e viktimave të kthyer kufoma . Deri sa vetë koka e partisë, Komiteti Qendror, të katandisej një masë shërbëtorësh të terrorizuar që thërrisnin “Jemi gati kurdoherë!”, dhe pastaj , të kthyer në shtëpitë luksoze, të shikonin pas perdes së dritares poshtë në rrugë, semos ndalonte makina e Sigurimit para portës së tyre.

Instrumenti i saj: tortura. Psikologjike,fizike, shkatërronjëse. Rrogtari i tradhtisë kapteri, oficeri, hetuesi, godiste mbi djemtë shqiptarë pa mëshirë, pa pikën e dhembshurisë, deri në sakatllëk, për të na kujtuar pa pikë ekuivoku se ky vend i përket të huajit , i cili përdor duart tona për të na çfarosur. Dhe bashkë me torturën, mashtrimi , përçarja, diversioni me anë premtimesh..Për të arritur qëllimin e saj dhe për të fshirë pastaj pabesisht tërë të premtuarat….

Ka një pasazh në libër, që të ther në zemër:
“Genci, si kryetar grupi pranoi vetëm akuzën për agjitacion, ndërsa atë për sabotim,jo. Seanca u ndërpre menjëherë, na kthyen në biruca. Mbas pak Gencin e morën dhe e çuan sipër në zyrë, ku e mbajtën për një kohë të gjatë. Në seancën e mbasditës, Genci e mori prapë fjalën, i pranoi të gjitha akuzat që i bënte i kunati. Ai bënte veprime të pakontrolluara, ulej ngrihej, lëvizte duart sa andej- këndej, shikonte majtas-djathtas. Ai kishte ndryshuar plotsisht Se çfarë i ndodhi në atë zyrë nuk u mor vesh kurrë.”
Kështu, të përcjellë nga marrëveshja e njëzëshme e dhjetra veglave të pushtetit,( hetues që nxjerrin faj nga hiçi, dëshmitarë të gatshëm për të groposur ish-shokun, funksionarë të drejtësisë që i binden padrejtësisë më makabre dhe marrin përsitër të zgjatin listat e vdekjes mbi gjallërinë dhe pafajsinë e çdo të riu që Tirana ka vënë në listë , dhe sëfundi partiakë të rrethit që nguten t`i vënë vulën dhe t`i raportojnë Qendrës realizimin e kurthit të porositur ) kështu dy “fajtorët”- të sfilitur nga torturat dhe ndër ethe, çohen në gjyq. Mungojnë vetëm ekspertët letrarë. Për këtë hetuesi angazhon tre emra të njohur të jetës artistike. Shorti bie mbi D.Culin, M.Xhaxhiun, K.Petritin., dhe ata, megjithse me shkollë të lartë dhe të rritur me dritën e kulturës botërore, tregohen të gatshëm të vënë në punë mësimet e mugëta të partisë…

Është folur mjaft këto 20 vjet për këtë gjyq, veçanërisht për ekspertizën letrare që bashkëpunoi., janë anatemuar përgjegjësit ,sidomos intelektualët, ndihmës në përpilimin e një dënimi kaq të ashpër dhe kaq anakronik (ka qarkulluar fjala:`nuk pushkatohen poetët!`) Tani, kushdo që ka një farë moshe, e njeh diktaturën enveriane, kështu mund të përfytrojmë rrethanat si është zhvilluar e tërë kurdisja, urdhërin e prerë që nënkuptohet mbrapa çdo ftese për ekspertim, pamundësinë për të thënë “jo” nga ata që në atë ekspertizë shkruan ca të vërteta për pesimizëm e dekadentizëm, por në një kontekst kaq të pavërtetë dhe armiqësor, sa ta kuptonin sakt se nuk po u kërkohej kritikë letrare por një shënjë e vetme për të kryer nje ekzekutim; një pamundësi për të thënë “jo”, kryesisht sepse i kishin kushtuar shumë mund dhe faqe të nxira shërbimit kokëulur kukudhit-parti; mund të përfytyrojmë gjithashtu si të kuptueshme (brenda ndërgjegjes tonë të keqe prej skllevësh të përjetshëm) edhe argumentat e tërë botës post komuniste që konformohen me kaq lehtësi dhe pa e vrarë më tej, me strategjinë e nisur nga 1989 mes dy bloqeve, për mos-insistim mbi krimet e komunizmit. Ngjan gati-gati e arsyeshme, konform logjikës historike, që të mos u bihet në qafë tre ekspertëve letrarë, kur me dhjetra e qindra të tjerë, shkrimtarë e artistë të edukuar nga ai sistem, ose jo të edukuar, por drithëronjës për karierë, do të ishin të gatshëm, ose nuk do të refuzonin, të ofronin ndihmën e tyre brënda asaj përjetësie izolimi, kur gati e tërë inteligencia zyrtare i kishte prerë marrëdhëniet me përgjegjësinë humane dhe me moralin e krijimit, dhe vlente për të vetëm pëlqimi lart…Kjo është plaga jonë e vërtetë : të konstatosh se e tërë plejada krijuese dhe gati e tërë shoqëria, ishte e infektuar , dhe që për pasojë sot autoriteti përgjegjës për rindërtim të superstructures, duhet fatalisht ta riciklojë po atë material njerëzor të sakatuar moralisht , për të mos mbetur vendi bosh… Eshtë sikur të pranosh me zemër të lehtë se jemi vend kategorie të tretë përjetësisht, dhe se vlerat krijohen gjetkë Por prapë, sado t`i kuptojmë këto arësyetime rrafsh me dheun, nuk durohet , nuk kapërdihet lehtësia me të cilën e pranojnë dhe e shijojnë këtë fshehje dhe fshirje të bashkautorësisë në atë gjakderdhje të turpshme, ata që , mbasi u përfshinë në të, më e pakta duhet të ishin tërhequr në hije. Kjo është më e rënda, më dëshpëruesja. Sepse, mungesa totale e një gjyqi në thellësi të ndërgjegjeve, mungesa sëpaku e një klime serioze siç ndodh në një shtëpi në goditur rëndë nga zia, zëvendësimi i saj me harenë e atij që gëzon se ka “ngrënë” për mrekulli dy kohë dhe dy botë, dëshmon se ky populli ynë ka një defekt kostitucioni shpirtëror të tillë, që i a mohon zgjimin nga përgjumja e rrezikshme që e ka lënë mbrapa shokëve në pjesën më të madhe të historisë së tij.

Dua ta mbyll me një citim kuptimplote të parathënies së Z. Bedri Blloshmi rreth plogshtisë së sotme për të mbajtur një qëndrim mbi statusin sëpaku moral të përgjegjësve të asaj gjëme. Ai shkruan:
“Duke marrë anën e spiunëve, shoqëria shqiptare është treguar një vrasëse gjakftohtë e kujtimit të atyre që i vrau komunizmi.” Dhe vazhdon: ” Më lart thashë më plot gojën që ata i vrau shteti. Dhe ashtu është. Po përgjegjësia e individit ku shkon? A falen ata që kanë qënë pjesë e një krimi?”

Për fat të keq, këta njëzet vjet kanë treguar që ata, jo vetëm janë falur, por edhe janë nderuar e shpërblyer. Dhe kjo ndodh për të nënvizuar se edhe sot, antikomunistët shqiptarë mbeten të padëshiruar, dhe duhet të mjaftohen, të vrarët me ndonjë monument ose diplomë, të gjallët me vendin e mënjanuar që u caktojnë breznitë e reja trashguese të pushtetit , me shpresën e zbehtë që ato të vendosin ndonjë ditë të dënojnë krimet e komunizmit në Shqipëri si gjetkë, veç për imitim e jo me dëshirë , dhe keshtu të rivendoset nderi i të ekzekutuarve dhe vuajtësve , dhe të thuhet më në fund fjala e shumëpritur e së vërtetës mbi gjëmën gjysmëshekullore që ndau Shqipërinë nga numuri i kombeve të gjalla.. dhe e bëri Sahara…Deri atë ditë, ata duhet të rrinë në hije ose të largohen. diku në botë. Shumë prej tyre të vdesin.

Please follow and like us: