Në shtypin shqiptar Ilir Demalia botoi një letër që Kadare ia kishte nisur diktatorit Hoxha me qëllm që të shpëtonte të motrën Kadrien nga burgosja. Kadria shante Hoxhën dhe e vetmja mënyrë shpëtimi ishte që Kadare të shkruante se e motra nuk ishte në rregull nga trutë. Di edhe raste të tjera personalitetesh që i kanë shpëtuar burgut me raporte nga psikiatria. Kush ka jetuar në diktaturë e di fort mirë se si të shkonte koka. Regjimi mbante gjithçka nën kontroll me njerezit e Sigurimit që i kishte në çdo qelizë të jetës.
Botimi i letrës së Kadaresë drejtuar Hoxhës nga Demaliaj shihet nga opinioni i shëndoshë si përpjekje për ta nxirë figurën e Kadaresë me qëllim mos marrjen e Nobelit.
Ismail Kadare që ka 20 vjet kandidat për Nobelin është njëri nga shkrimtarët më të famshëm të botës, i përkthyer në 40 gjuhë, që i ka fituar të gjitha çmimet më prestigjoze botërore të letërsisë.
Në vend që shqiptarët të lobonin në Stokholm që më në fund Kadaresë t’i jepej Nobeli i vonuar, shquhen për një Kadarefobi që bie erë antishqiptarizëm të tërbuar.
Nobeli i Kadaresë i përket kulturës dhe kombit shqiptar, ndërsa falangat antiKadare janë thellësisht antikombëtare.
Në vend se të denoncohen krimet e diktaturës, shkrimtarët spiunë që kanë marrë njerëz në qafë, instrumentohet një gjueti shtrigash kundër emblemës të letrave shqip që identifikohet me kulturën shqiptare.
Por për çudinë e madhe, Ilir Demalia, që akuzon Kadarenë për letrēn që i ka shkruar diktatorit për të shpëtuar familjen dhe motrën nga burgosja, rezulton që në të njëjtin vit, më 1980, ky Ilir Demalia të jetë përpjekur të takohet me diktatorin Hoxha për t’i thënë atij se i ati është i pafajshëm, se e kanë burgosur pa faj dhe se ai asnjeherë nuk i ka tradhtuar idealet komuniste.
I jati i Ilir Demalisë, pasi kishte sherbyer 20 vjet në Sigurimin e Shtetit, në kundrazbulim, arrestohet në vitin 1975 dhe dënohet me 4 vjet burg.
Kur Ilir Demalia bëri përpjekje në vitin 1980 të takonte diktatorin Enver Hoxha, i jati e kishte mbaruar dënimin, por i biri kërkonte që të fitonte pafajësinë, sepse nuk kishte kryer asnjë veprimtari antiparti.
Ndërsa Kadare i shkruan diktatorit kur ishte bërë gati arrestimi i së motrës dhe në fakt e motra kishte kryer veprimtari armiqësore, duke bërë propagandë antiHoxha.
Pra ka një ndryshim midis rastit Kadare dhe rastit Demalia, se e motra e Kadarese kishte kryer veprimtari antiHoxhe, ndërsa i ati i Demalisë i kishte ndejtur besnik Enverit dhe partise.
Dhe sikur tregon vetë Ilir Demaliaj në një intervistë, i jati i tij në vitin 1984 e fiton pafajësinë, zhdëmtohet financiarisht dhe familja rehabilitohet.
Rasti Demalia i rrëzon pretendimet e Ilir Demalisë kundër Kadaresë.
Ilir Demalia s’ka kauzë.
Ai e akuzon Kadarenë për të njëjtin veprim që e ka bërë vetë. Por Kadrie Kadare e ka anatemuar Hoxhën, ndërsa i ati i Demalisë i ka ndejtur besnik Hoxhës.
Natyrisht në një regjim diktatorial të tipit stalinist ishte e pamundur disidenca, por Kadare disidencën antisistem e realizoi me veprën e tij, e cila gjatë gjithë sistemit diktatorial u akuzua si vepër që nuk respektonte klishetë e socrealizmit.
Hoxha do ta kishte eleminuar Kadarenë, por i interesonte fakti që një shkrimtar shqiptar në regjimin e tij botohej dhe vlerësohej nga Perëndimi, ndërkohë Kadarenë e kanë mbajtur gjithnjë nën shënjestër të diktaturës.
Megjithëse në Shqipëri ka shkrimtarë që kanë çuar njerëz në litar, Demalia krijon stuhi në gotë për një letër të shkrimtarit për diktatorin e shkruar në të njëjtin vit kur Ilir Demalia kaloi parmakë hekuri 2 metër e gjysme të lartë me qëllim që të takonte Enver Hoxhën për t’i thënë se i ati nuk e ka tradhtuar kurre Enver Hoxhën.
Nuk e gjykoj Demalinë për përpjekjen e tij. E justifikoj. Sepse ishte viktimë e diktaturës, paçka se i ati për 20 vjet ishte oficer i larte i Sigurimit të Shtetit.
Por e pyes se ku e gjen moralin që të akuzojë gjeniun e letrave shqiptare për të njëjtin veprim që e ka kryer vetë!
Ilir Demalia duhet të akuzojë vetë Demalianë për një akuzë që s’është akuzë.