Dr. Nelson R. Çabej: Akademia, kërkimi shkencor dhe Shqipëria që duam
Kohë të shkuara, nga mesi i vitit 1990, kur njerëzve kishte filluar t’u zgjidhej pak gjuha “politike”, pyeta përkthyesin gjerman Hans Peter Stecay si e shpjegonte ai faktin që Gjermania e rrafshuar si asnjë vend tjetër, nga dy luftëra botërore, brenda një a dy dekadash, dilte përsëri si fuqia më e madhe ekonomike e Europës. Në mënyrë shumë lakonike, ai m’u përgjigj: “Dimë të punojmë më mirë”.
“Të punojmë më mirë!” Në këtë frazë është përmbledhur thelbi i rolit të punës e së bazuar në zbatimin e dijes bashkëkohore në prodhim e shfrytëzimin e burimeve natyrore, për kthimin e tyre në pasuri kombëtare, në prodhim industrial e bujqësor.
Është e tepërt të thuhet se një vend është aq i zhvilluar e i pasur, sa i kulturuar është populli i tij, sa më plot e më mirë ai është në gjendje të zbatojë teknologjinë dhe shkencën e kohës në prodhim. Sepse elita shkencore (madje dhe me nobelistë) ka edhe në vende të prapambetura, por është niveli i masës së prodhuesve që përcakton cilësinë dhe sasinë e prodhimit industrial e bujqësor të tyre. Mjafton një vështrim i shpejtë, në hartën e Europës, nga veriu në jug, për ta ndriçuar këtë fakt të mirënjohur.
Përballje të Shqipërisë në një botë shumë bashkërendëse
Rrethana të mirënjohura historike, shoqërore dhe politike kanë bërë që Shqipëria kur doli nga sundimi osman si një vend i pavarur, e gjeti veten në radhën e vendeve më të prapambetura të Europës. Vetë sistemi politik që u vendos në Shqipëri pas luftës së dytë botërore paracaktoi edhe dështimin e tij përfundimtar, me gjithë arritjet që u shënuan në fushat e industrializimit, elektrifikimit, zhdukjes së analfabetizmit dhe rritjes së nivelit kulturor të popullit. Dështimi i Shqipërisë ishte pjesë e dështimit global botëror të sistemit ekonomiko-politik marksist.
Me të drejtë, shqiptarët pritën që, me vendosjen e sistemit demokratik dhe të ekonomisë së tregut, Shqipëria të përjetonte një zhvillim të përshpejtuar ekonomik, social e kulturor, por fatkeqësisht, përsëri sot, pas një çerek-shekulli, duhet të përjetojmë një tjetër zhgënjim. Jehona e thirrjeve tona të një çerek-shekulli më parë: “E duam Shqipërinë të jetë si Europa!”, sot na ngjall vetëm trishtim. Por, trishtimi dhe zhgënjimi nuk na shtyn deri në pesimizëm për të ardhmen. Ato na bënë të vetëdijshëm se edhe pluralizmi politik, demokracia, madje dhe demokracia e vërtetë, nuk sjellin vetvetiu zhvillimin ekonomik, shoqëror e kulturor; ato vetëm krijojnë potencialin për atë lloj zhvillimi, që i mungonte sistemit shoqëror të mëparshëm.
I njëjti mësim i hidhur nga përvoja e çerekshekullit të fundit duket se vlen edhe për shpresat e tepruara që janë varur te hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndonëse, pa dyshim, është një gjë e mirë, nuk duhet pritur që ajo të jetë një deus ex machina që do ta nxjerë Shqipërinë nga papambetja ekonomiko-shoqërore. Ajo që dihet me siguri është vetëm se, me hyrjen në BE, Shqipëria do të bëhet pjesë e ekonomisë së tregut të përbashkët europian të prodhimit dhe të krahut të punës; shqiptarët do të kenë të drejtë të lëvizin lirisht e të punojnë brenda vendeve të BE, gjë që, krahas të mirave, do të kishte edhe rrjedhimin negativ të plakjes së vendit si pasojë e largimit të krahut të punës të kualifikuar, por edhe “rrjedhjen e truve” drejt perëndimit.
Përvoja e zhvillimit ekonomiko-shoqëror të BE-së tregon se brenda rreth 40 vjetëve të fundit nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i dukshëm në pozitën relative të vendeve anëtare përsa i përket shkallës së zhvillimit ekonomiko-shoqëror. Brenda BE-së ka vende të pasura e vënde të varfëra, vende huadhënëse e huamarrëse, vende që eksportojnë prodhime të lira bujqësore e të industrisë nxjerrëse e minerare, ose krahun e lirë të punës dhe vende eksportuese të prodhimeve të shtrënjta të teknologjisë së lartë (high tech); ka vënde me teprica kolosale në bilancin tregtisë së jashtme, si Gjermania, dhe vende “të mbytura në borxh” si Greqia.
Kjo përvojë e gjatë i ka treguar popullit shqiptar se Europa nuk është e tëra një dhe në qoftë se historia ndihmon për të nxjerrë ndonjë mësim, në këtë rast mësimi është se hyrja e Shqipërisë në BE, megjithë të mirat e padiskutueshme, nuk garanton vetvetiu ndonjë përmirësim të pozitës së saj relative midis vendeve të Europës.
Në këtë fillim të shekullit XXI, Shqipëria gjendet në një udhëkryq vendimtar për fatin e saj të ardhshëm historik. Jemi ne shqiptarët që duhet të marrim vendimin në se vendi ynë do të mbetet një burim lëndësh të para, krahu të lirë të punës dhe destinacion turizmi për popujt e zhvilluar të Europës apo do të ndërmarrim një përpjekje ambicioze për ta përmirësuar pozitën tonë relative, për të zënë një vënd më të denjë në hierarkinë zhvillimit të vendeve të Europës. Alternativa e parë është e sigurt se na i siguron pozita gjeografike dhe gjeopolitika e parashikueshme e këtij shekulli. Synimi i dytë është afatgjatë dhe shumë i vështirë, por i realizueshëm, siç ka treguar e po tregon historia edhe në kohën tonë. Hapësira nuk më lejon këtu të sjell argumente, që nuk mungojnë, kundër skepticizmit të pabazuar që parashikoj të ngjallë ideja ime, në këtë moment krize shpirtërore të shqiptarëve, si rrjedhim i dështimit në fushën e zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë në çerekshekullin e fundit.
Në qoftë se e duam Shqipërinë “Të jetë si Europa e vërtetë” dhe jo si Europa e dytë ose e tretë, ne duhet të kuptojmë se ngritja e vendit tonë në radhën e vendeve të përparuara kërkon diçka thelbërisht të ndryshme e më të rëndësishme se sa hyrja në BE.
Shikimin nga e ardhmja
Çerekshekullin që shkoi Shqipëria humbi (nuk diti të shfrytëzojë) mundësitë që hapi kalimi në ekonominë e tregut, për shkaqe të brendshme e të jashtme, por që lidhen mbi çdo gjë tjetër me mënyrën me të cilën u vendos “demokracia” në Shqipëri, si dhe në vendet e tjera të Europës Lindore. Në këtë eksperiment gjigant të kalimit të organizuar të ish “vendeve socialiste” të Europës Lindore në pluralizmin politik dhe sistemin demokratik perëndimi lejoi (dhe jo pa arsye) një revolucion nga lart, në të cilin klasës sunduese të mëparshme iu lejua të vendoste rendin e ri demokratik. Nga ky këndvështrim, të gjitha dështimet e derisotme për vendosjen e një regjimi me të vërtetë demokratik dhe zhvillimin normal të Shqipërisë ishin objektive, të pritshme dhe të pashmangshme.
Zhgënjimi i popullit është i ligjshëm, por pesimizmi për të ardhmen duhet luftuar. Në tërë historinë e njerëzimit, asgjë e mirë nuk ka dalë ndonjëherë nga pesimizmi, nga humbja e besimit dhe e shpresës. Për këtë arsye, ne shqiptarët sot duhet të shikojmë nga e ardhmja. Sepse prapambetja dhe varfëria nuk janë as fatkeqësi as mallkime që zënë një vend a një popull të pavarur. Duke lënë mënjanë faktorët historikë, politikë a shoqërorë, ato rrjedhin kryesisht nga niveli i ulët kulturor i popullit.
Vitet 50-të të shekullit të kaluar shihen përgjithësisht si koha kur mori fund sistemi kolonial në shkallë botërore (ndonëse BRSS i asaj kohe ishte në të vërtetë një perandori koloniale e Rusisë që përfshinte dhjetëra e qindra popuj të veçantë jo rusë e madje jo sllavë). Kjo shënoi fundin e kolonializmit klasik, që bazohej në pushtimin e vendeve të huaja, vendosjen në to të kolonëve pushtues për të shfrytëzuar burimet natyrore, marrjen e skllevërve dhe krahun e lirë të punës të atyre vendeve.
Por edhe pse kolonializmi klasik ka marrë fund në mënyrë të pakthyeshme, është fakt se shfrytëzimi i burimeve natyrore të vendeve ekonomikisht të pazhvilluara nga ato të zhvilluarat është një dukuri gjithësore në botën e sotme. Kolonializmi klasik kishte për qëllim shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe krahut të lirë të punës të kolonive. Në një formë “të butë” e paqësore, madje me “konsensus” të dyanshëm, kjo ndodh ende sot. Vendet e zhvilluara vazhdojnë të shfrytëzojnë burimet natyrore dhe krahun e lirë të punës të vendeve të pazhvilluara. Sot ka ardhur koha kur, siç thuhet, nuk është Muhameti që shkon te mali por është mali që shkon te Muhameti. Janë vendet e pazhvilluara, që, duke mos pasur teknologjinë e nevojshme, ndjejnë nevojën të ftojnë vendet e zhvilluara për të shfrytëzuar burimet e tyre natyrore.
Le të mos vazhdojmë në rrugën e iluzioneve që na kanë shpurë deri tani në deziluzione të rënda: nuk ka asnjë shenjë se kjo prirje e zhvillimit të botës së sotme po ndryshon ose do të ndryshojë në të ardhmen. Përkundrazi, dështimi i hapët i globalizmit dhe ringjallja e frikshme e kombëtarizmit në botën e sotme flasin për të kundërtën.
Munden shqiptarët të ngrënë Shqipërinë dhe Kosovën në shkallën e vendeve te zhvilluara të Europës?
Kjo është një pyetje që nuk mund të ketë një përgjigje të prerë sepse lidhet me shumë faktorë të brendshëm e të jashtëm, të cilët nuk mund të shqyrtohen në hapësirën që të lejon një artikull. Ajo që mund të bëhet në një shkrim të tillë është të veçohet ndonjë faktor thelbësor që varet nga vetë shqiptarët e jo nga kushtet e jashtme politike, gjeopolitike, ekonomike.
Përgjigjen e kësaj pyetje nuk kemi ku ta gjejmë tjetër veç në historinë e zhvillimit të vendeve të kontinentit tonë. Dhe kjo histori me kokëfortësi na thotë përsëri se përparimi i Shqipërisë dhe përmirësimi i pozitës së saj në radhën e vendeve të tjera të Europes varet thelbërisht nga përpjekjet tona për të rritur nivelin kulturor të popullit. Ne duhet të kuptojmë se po jetojmë në një botë politike darëiniane, në të cilën të gjitha vendet e Europës bashkërendin për të përmirësuar pozitën (vendet e pazhvilluara) e tyre relative në hierarkinë ekonomike europiane dhe botërore ose për të ruajtur epërsinë ekonomike shkencore e teknologjike që kanë arritur (vëndet e përparuara). Ky fakt thekson me forcë se sa e vështirë dhe afatgjatë do të ishte çdo përpjekje për të përmirësuar pozitën e Shqipërisë dhe Kosovës në hierarkinë e zhvillimit të shteteve europiane.
Të gjitha këto duhet të mbahen mirë parasysh kur t’i përgjigjemi pyetjes “A munden shqiptarët ta ngrënë vëndin e tyre, Shqipërinë dhe Kosovën, në nivelin e vendeve të zhvilluara të Europës?”
Një përgjigje negative e kësaj pyetjeje do të thotë të pranohet se shqiptarët janë të destinuar të mbeten përjetë viktimë e shfrytëzimit të huaj shkencor e teknologjik (një formë e pranuar kolonializmi), në të cilën gjënden sot shumica e vendeve të botës. Për fat të keq, gjëndja ekonomiko-shoqërore, psikologjike dhe kulturore e sotme e Shqipërisë, nihilizmi dhe një ndjenjë përulësije (inferioriteti), ka bërë që shumëkush ta shohë të ardhmen e Shqipërisë në bashkësinë e vendeve europiane si fatalisht të papërmirësueshme.
Duke iu drejtuar prapë jo vetëm historisë së zhvillimit ekonomiko-shoqëror e kulturor të Europës, por edhe historisë sonë kombëtare, shohim se asgjë e mirë nuk ka dalë ndonjëherë nga pesimizmi, kompleksi i përulësisë dhe humbja e shpresës. As mbijetesa e ketij populli pas 20 shekujsh pushtimesh të huaja, as luftrat e tij legjendare kundër superfuqisë ushtarake të kohës në shekullin XV, as kryengritjet popullore të shekullit XIX dhe Lëvizja e Rilindjes Kombëtare, as Pavarësia kombëtare, as Lufta Nacional-Çlirimtare dhe ngadhnjimi më se njëshekullor i shqiptarëve mbi komplotet politike dhe ushtarake të fuqive fqinje, nuk do të ishin të mundura në qoftë se ky popull do ta kishte parë të ardhmen e tij me pesimizëm e do të kishte humbur shpresën për një të ardhme më të mirë e më të denjë. Ky popull shqiptar që i zhvilloi dhe i mbështeti këto luftëra dhe lëvizje, si dhe drejtuesit e tij, nuk vuanin as nga komplekse përulësie as pesimizmi e nihilizmi, por ishin heronj të vërtetë, që frymëzoheshin nga një besim i palëkundur në forcën dhe vitalitetin e tij.
Edhe një përgjigje “Po” ndaj pyetjes së mësipërme nuk është e thjeshtë të jepet. Vetë autori i këtij shkrimi nuk beson kurrsesi se kjo është një sipërmarrje e lehtë ose afatshkurtër. Ajo është një sipërmarrje shumë ambicioze dhe afatgjatë, por që sidoqoftë bën pjesë në mbretërinë e së mundshmes.
Mjafton të kujtojmë se ato që janë sot vendet e zhvilluara të veriut të Europës nuk kanë qenë gjithnjë të këtilla dhe deri 3-4 shekuj më parë kishin për model dhe admironin jugun e Europës, Italinë e Toskanën, ku edhe nisi Rilindja europiane, që, për t’i shpëtuar represionit ideologjik të Vatikanit iu desh të shtegtonte nëpër luginën e Rinit (Francë e Gjermani), nëpër Vendet e Ulta për t’u kurorëzuar me Revolucionin Industrial që nisi në Angli nga mesi i shekullit XVIII. Për po këto arsye, revolucioni shkencor u zhvillua kryesisht në Europën veriore e perëndimore në shekujt XVI dhe XVII, duke u dhënë avantazhin shkencor e teknologjik që ende e ruajnë këto vende.
Për herë të parë nga gjysma e dytë e shekullit XVIII, Frederiku i Madh (Friedrich der Grosse) në Prusi vendosi arsimin e detyrueshëm të të gjithë fëmijëve. Kjo bëhej për të përgatitur fëmijtë për jetën e re të punës në fabrikë, në bujqësi e në sektorë të tjerë të ekonomisë, në përgjigje të kërkesës për punëtorë të kualifikuar, që do të shtronte industrializimi dhe urbanizimi i Europës Perëndimore në shekullin XIX. Gjatë shekullit XIX ky sistem u shtri në shumicën e vendeve te Europës, dhe mbetet edhe pas më shumë se një shekulli si sistemi arsimor mbizotërues thuajse në tërë botën. Ky ishte hapi më i madh në historinë e demokratizimit të arsimit me pasoja që nuk mund të mbivlerësohen për zbatimin e shkencës dhe teknologjisë në prodhimin industrial e bujqësor, që po zhvillohej sidomos pas revolucionit industrial të Anglisë nga gjysma e dytë e shekullit XVIII. Ky demokratizim i paprecedent i arsimit, krahas stimulimit vizionar të kërkimit shkencor dhe teknologjisë në trojet e Konfederatës Gjermane, dhe më vonë të Rajhut Gjerman. bëri që në kapërcyell të shekullit XIX, Gjermania të dilte si fuqia më e madhe ekonomike e Europës.
Ne shqiptarët duam ta shohim vendin tonë të përmirësojë pozitën e tij në radhën e vendeve europiane, siç duan edhe popujt e tjerë të Ballkanit e te Europës. Ne e kuptojmë mirë punën e madhe, energjitë që do të duhet të derdhen si dhe vështirësitë dhe sakrificat që do të kërkohen për ta arritur këtë qëllim ambicioz, por fisnik për një popull dinjitoz.
Vetëkuptohet se përballë një synimi të tillë do të nxirret argumenti se, si një vend i vogël, Shqipëria nuk ka potencialin ekonomik shkencor e intelektual për të ndërmarrë një përpjekje kaq ambicioze. Por le t’i drejtohemi përsëri historisë. Vende të vogla europiane si Zvicra, Austria, Luksemburgu, Holanda, Belgjika, Danimarka, Suedia, Norvegjia e Finlanda renditen sot ndër vendet më të zhvilluara jo vetëm të kontinentit tone, por të botës në tërësi. Jashtë Europës mbresëlënës është përparimi i Koresë së jugut pas luftës së dytë botërore (mos na shkojë as ndër mënd që atë e bënë amerikanët).
Nëqoftëse ka një ndryshim thelbësor që i ndan këto vende nga Shqipëria nuk është madhësia e tyre, por shkenca dhe teknologjia, niveli kulturor i popullit, që lidhet drejtpërdrejt me masivitetin dhe cilësinë e sistemit të tyre arsimor, që ka krijuar një forcë punëtore me kualifikimin e përshtatshëm për të zbatuar teknologjitë e përparuara të prodhimit bashkëkohor në bujqësi, industri, transport, shëndetësi, etj. Nuk ka ndonjë arsye të dukshme përse populli ynë të mos e ndërmarrë këtë përpjekje atdhetare dhe fisnike, siç kanë bërë në mënyrë shumë të suksesshme edhe vende të vogla të Europës e të botës, që sot i mbajmë si modele të zhvillimit e përparimit ekonomiko-shoqëror e kulturor. Kush provon mund të dështojë, por kush nuk provon ka marrë fund thotë një fjalë e urtë.
Zhvillimi i një populli, kombi a shteti nuk është një ngjarje, por një proces historik i gjatë e kompleks. Ai është, ndër të tjera, edhe rezultat i synimeve dhe përpjekjeve për t’i arritur ato synime nëpërmjet projektesh afatgjata. Asgjë e mirë në këtë botë nuk është arritur pa caktuar më parë një synim konkret dhe pa pasur besim në aftësitë e veta për ta arritur atë. Asgjë e mirë nuk i ka ardhur njerëzimit nga mosbesimi në forcën e njeriut e të popullit, nga mentalitetet qaramane.
Ideja e shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar europian nënkupton një përpjekje kombëtare afatgjatë frutet e së cilës nuk do t’i provojnë vetë nismëtarët e zbatimit të këtij projekti, por pasardhësit e tyre, për brezat e ardhshëm. Por pikërisht ky fakt e bën atë përpjekje edhe më njerëzore dhe fisnike. Këtij brezi altruizmi do t’i shpërblehet me mirënjohje dhe vlerësim nga brezat e ardhshëm të shqiptarëve, nga ata që do të gëzojnë frutet e asaj përpjekje. Ideja se arritja e një synimi të tillë ambicioz kërkon punë brezash dhe investim pune, mjetesh financiare dhe energjish fizike dhe intelektuale për më shumë se një brez shqiptarësh nënkupton që ky projekt të përqafohet nga qeveritë shqiptare, të cilat mund ta bëjnë atë përparësi të lartë dhe yll polar të politikës kombëtare afat-gjatë. Ajo qeveri shqiptare do të vinte për herë të parë përmirësimin e pozicionit të Shqipërisë në hierarkinë zhvillimit ekonomik të vendeve të Europës, duke filluar me fillimin e një sistemi arsimor e shkencor-kërkimor bashkëkohor do të mbahet mënd në historinë e si ajo që vuri gurin e themelit në këtë përpjekje të pashoqe në historinë tonë kombëtare.
Debati i nisur në Dita për krizën e Akademisë së Shkencave dhe të kërkimit shkencor në vëndin tonë është një nismë e domosdoshme, sado e vonuar, për demokratizimin e vendimmarrjes, për nxjerrjen nga kriza dhe ngritjen e Akademisë edhe një herë në lartësinë e detyrës së saj si drejtuese, bashkërenduese dhe nxitëse e kërkimit dhe përparimit shkencor e teknologjik të Shqipërisë.
Do të ishte mirë që në këtë debat të shmangen qëndrimet dhe retorika e skajore si ajo për ta mbyllur e çbërë akademinë, sikur do të krijojmë diçka të panjohur, diçka të re e nga e para, gjëra që, para së gjithash të kujtojnë përvojën e hidhur që kemi me “riorganizimet” e derisotme, që e kanë sjellë akademinë në këtë ditë. Tani flasin për një strukturë të re të akademisë edhe ata që morën pjesë në mënyra të ndryshme në degradimin e dhimbshëm të një akademije, që e krijuan figura madhore të shkencës shqiptare, që sot as nuk i imitojmë dot, pa le t’i zëvëndësojmë. Dhe flasin sikur do të bëjnë një zbulim a do të rishpikin rrotën, edhe pse ne kemi pasur qysh gjysëm shekulli më parë një akademi me një strukturë të harmonizuar si jo më mirë me stadin e zhvillimit dhe mundësitë financiare të vëndit dhe, mbi të gjitha, kishte kaluar me sukses provën e kohës për më shumë se 20 vjet. Ky skajëzim proletkultist, ndër të tjera, është simptom i papjekurisë të mendimit tonë shkencor.
Në historinë gjysëm-shekullore të Akademisë ka dy etapa të ndara sa s’bëhet më qartë. Ato dallohen shkoqur si nga struktura dhe nga rezultatet. Edhe pse e re dhe pa përvojë të mëparshme, në periudhën e parë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me strukturën e saj klasike tre-seksionshe, funksionoi normalisht dhe kontribuoi jo keq në problemet shkencore, kulturore dhe ekonomike që i shtronte koha, veçanërisht në fushën e kërkimeve albanologjike. E keqja, degradimi i Akademisë dhe i kërkimit shkencor shqiptar ndodhi në periudhën e dytë, në këta 20 vjetët e fundit, në një kohë kur, me rënien e komunizmit, të gjithë prisnim një përparim më të madh. Ky fakt flet me zë të lartë, dhe pa dykuptimësi, në favor të strukturës së mëparshme klasike të Akademisë dhe vë gishtin tregues mbi “riorganizimet” si shkaktare të gjendjes së sotme të pakënaqshme të saj dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri. Ky fakt vlen edhe si një rekomandim se Akademia duhet të kthehet në strukturën normale të periudhës së parë të ekzistencës së saj (pa përjashtuar ndryshime që mund t’i kërkojë koha), duke rithemeluar dhe rivënë në punë institutet e kërkimit të aplikuar në fushën e bujqësisë, gjeologjisë e mjekësisë.
Për akademitë që nuk na duhen
Nga pozita skajore, herë hapët e herë në mënyrë të ndrojtur, është hedhur ideja e krijimit të një “akademije honorifike” me të cilën është kuptuar krijimi i një strukture dekorative, një forumi shtetëror pa detyra drejtimi, bashkërendimi dhe stimulimi të kërkimit shkencor, funksioni kryesor i së cilës do të ishte nderimi i figurave të shquara të shkencës kombëtare, një lloj panteoni i shkencëtarëve të gjallë. Proponentët e asaj strukture nuk kanë mundur ta nxjerrin atë nga guaska e një koncepti fluid, tepër të papërcaktuar. Ata nuk na thonë fare, edhe në qoftë se e dinë, se kush do ta organizojë, sponsorizojë dhe nxisë kërkimin shkencor në Shqipëri në procesin e të cilit do të dalin këto figura “panteonike” të shkencës shqiptare.
Një ide tjetër ka qënë ajo e krijimit të një akademije të pjesëshme të një “Akademije Albanologjike”, që do të mbulonte vetëm shkencat shoqërore, në mënyrë të veçantë ato albanologjike, me arsyetimin se ne nuk kemi kërkim të denjë jashtë fushës së shkencave shoqërore. Ky perceptim i pasaktë, në mos nihilist, rrjedh kryesisht nga mos njohja e realitetit kërkimor në fushën e shkencave të natyrës. Por, siç thoshte Spinoza, mosnjohja nuk është argument (ignorantia non est argumentum). Edhe sikur të ishte e vërtetë, vetë prapambetja do të përbënte një argument në favor të përfshirjes së kërkimeve në fushat e shkencave të natyrës dhe inxhinierike në Akademinë e Shkencave. Është me të vërtetë e pabesueshme dhe trishtuese të dëgjosh të rekomandohet që, në shekullin XXI, Shqipëria të mos ketë një akademi gjithësore të shkencave, një strukturë qëndrore dhe tërësore të drejtimit, bashkërendimit dhe nxitjes së kërkimit shkencor, akademi që ky vënd e kishte qysh gjysëm shekulli më parë, dhe që e ka thuajse çdo vend i Europës dhe i Ballkanit, përfshirë Malin e Zi me vetëm gjysëm million banorë dhe me një traditë shkencore tepër modeste.
Një variant tjetër i propozuar në këtë debat është varianti tipik jugosllav i akademive të shkencave dhe arteve, që trashëguan republikat që dolën nga shpërbërja e Republika Federative të Jugosllavisë. Edhe propozuesit e këtij variant nuk kanë shpjeguar kontributet që mund të jepte futja e arteve dhe letërisisë në një strukturë shtetërore të destinuar për zhvillimin e përparimin e kërkimit shkencor, teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Për të mbështetur atë ide është përmëndur fakti që edhe në Shtetet e Bashkuara ka një Akademi te Arteve dhe të Shkencave. Por edhe ky është argument i pafat, së pari sepse SHBA kanë një strukturë organizative krejt të ndryshme, unike dhe shumë komplekse, të përcaktuar nga kushte specifike dhe interesa globale të shtetit dhe ekonomisë më të madhe të botës. Por, le të mos ketë ndonjë iluzion: korpusi qëndror dhe struktura pa krahasim më e lartë akademike amerikane është Akademia Kombëtare e Shkencave. Roli i saj unik “për t’i dhenë këshilla të pavarura, objektive, kombit për çështjet e lidhura me shkencën dhe teknologjinë” (“for providing independent, objective advice to the nation on matters related to science and technology”) dhe nxitur kërkimin shkencor dhe arsimin në SHBA është sanksionuar me ligj e me një sërë urdhrash ekzekutive. Ajo boton revistën e përjavshme (dhe të përditshmen online) më voluminoze të botës kushtuar shkencave të natyrës, mjekësore dhe shoqërore, Proceedings of the National Academy of Sciences USA, me impakt faktorin 9.423. Anëtarët e asaj, ndër të cilët 500 nobelistë, janë kërkues aktive në frontin më të përparuar të kërkimit në fushat e shkencave të natyrës, inxhinierike, mjekësore dhe shoqërore.
Politizimi partiak i Akademisë – shkaku themelor i degradimit të saj
Shkenca është një dukuri jashtëpartiake e mbipartiake. Mentaliteti opportunist partiak dhe mentaliteti shkencor janë thuajse antitetikë. Sa të drejtë kishte Medaëar-i kur thoshte se “shkenca është art i së zgjidhshmes kurse politika – art i së mundshmes”. Ndërsa shkenca kombëtare në çdo vënd të botës e në në çdo rast është në shërbim të vëndit, politika dhe interesat partiake jo rrallë bien ndesh me (ose dalin mbi) interesat e vendit.
Pa hyrë hollësisht në shkaqet e degradimit të Akademisë së Shkencave, le të kujtojmë edhe një herë se me strukturën e saj origjinale ajo funksionoi relativisht mirë, madje me sukses të paparë në fushën e albanologjisë. Tatëpjeta e saj filloi vetëm kur politikanë pa asnjë përvojë kërkimore, me vrrullin e Zeitgast-it politizues fluturak të viteve 90-të, imponuan ndryshime të pamenduara në organizimin dhe strukturën e saj. Ata politizuan tempullin më apolitik që duhet të ekzistojë në sistemin e institucioneve shtetërore, duke vënë në drejtimin e akademisë militantë partiakë ose nga rrethi i të besuarve të tyre politikë, që e shpunë akademinë në mjerimin e sotëm intelektual. Shanset që ndërhyrja e politikanëve me mentalitete partiake të sjellë ndonjë përmirësim në strukturën e Akademisë janë aq të vogla sa dhe shanset që ndërhyrja e një analfabeti të sjellë përmirësim në një rrjet neural artificial. Ajo ndërhyrje, pa dashur, të sjell ndër mënd thënien e Konicës se Shqipërinë e krijuan idealistët, e ruajtën rethanat dhe do ta shkatërrojnë politikanët.
Politizimi partiak i Akademisë, me ndrimin e përparësive të kërkimet në përputhje me alternativat partiake të pushtetit dhe problemet politike të ditës, pa folur për nepotizimin e pashmangshëm që solli ai, dëmtoi vazhdimësinë e studimeve, që është kusht thelbësor për kërkimin shkencor në nivel personal e kombëtar. Për këtë mjafton të përmëndim vetëm pështjellimin që ka sjellë ky politizim në vlerësimin e ngjarjeve historike dhe të figurave të historisë e kulturës sonë kombëtare.
Kemi mbi dy dekada që dëgjojmë të njëjtën retorikë pseudoshkencore dhe frazeologjinë e zbrazët për riorganizmin, bërjen e çbërjen e Akademisë, nga polit-akademikët, nga të njëjtët njerëz që morën pjesë drejtpërdrejt, ose tërthorazi, me veprimin por edhe mosveprimin e tyre në kohën e duhur, në degradimin dhe shpërbërjen e saj. Me ato që bënë ata treguan jo vetëm inkompetencë të plotë e mungesë vizioni, por madje mungesë të habitshme vlerësimi për dijen, kulturën dhe shkencën.
Kohë për të ndrequr, jo për të prishur
Rrjedhja në kohë e ngjarjeve tregon se tatëpjeta e Akademisë lidhet jo me strukturën e saj fillestare, por bashkëndodhi me “riorganizimet” politizuese të asaj strukture. Ky është fakti thelbësor dhe më i rëndësishëm që duhet të mbajtur mirë parasysh kur flitet ose mendohet për ta shpëtuar sot Akademinë.
E keqja tanimë ka ndodhur dhe nuk është koha as për të vajtuar e mallkuar as për të kaluar në qëndrime skajore. Akademia ka një çerekshekulli që ndodhet në krizë dhe sot nuk ndodhi ndonjë gjë e jashtëzakonshme, që të kërkohet mbyllja e saj. Kërkohet nxjerrja e saj nga kriza e gjatë, por kjo nuk duhet bërë me veprime joakademike që nuk na nderojnë ne si popull e si komb. Sepse Akademia e Shkencave është një nga tempujt e mëdhenj kulturorë të Shqipërisë e jo një zyrë a qendër e rëndomtë administrative. Sepse nuk mund “të mbyllet” kërkimi shkencor, që është ende i gjallë në punën e përditshme të kërkuesve shqiptarëve në të gjitha fushat e dijes, edhe pse roli Akdemisë si drejtuese dhe bashkërenduese e tij sot është rudimentar.
Momenti kritik që po kalon prej kohësh Akademia kërkon një kthesë të fortë duke filluar me depolitizimin e saj urgjent e radikal për ta pastruar nga fryma e politizimit partiak, nga oportunistët partiakë të veshur me petkun e shkencëtarit dhe me masa të tjera të përshtatshme për ta kthyer edhe një herë në drejtimin e dobishëm për kërkimin shkencor për ekonominë dhe kulturën e Shqipërisë.
Akademia dergjet e sëmurë rëndë prej një çerek-shekulli. Tani ajo nuk duhet vrarë por mjekuar. Nuk duhet luftuar Akademia, por sëmundja që e ka zënë, duhen zhdukur pasojat që ajo ka lënë në strukturën dhe funksionin e saj. Në terminologjinë e biznesit, tani kërkohet eliminimi i dëmit që është bërë (damage management). Dhe jo me shkrime në gazeta e intervista në media, por me krijimin nga qeveria të një task force jashtëakademike, të përbërë nga njohës e studiues nga shkencat e natyrës, inxhinierike dhe shoqërore, por të papërlyer në veprimtaritë “riorganizuese” të derisotme (në qoftë se nuk duam të futemi në një rreth vicioz që do të na shpinte në një ristrukturim tjetër pas disa vitesh) që do të analizonte krizën e Akademisë, do të nxirrte shkaqet dhe përgjegjësitë dhe t’i rekomandonin qeverisë masa të argumentuara për
- Nxjerrjen e Akademisë nga kriza aktuale dhe
- Një studim mbi formën më të përshtatshme të organizimit dhe strukturës së ardhme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Shqipërisë i duhet një akademi shkencash që të përveshë mëngët për të marrë pjesë e prirë në procesin e zhvillimit ekonomik e kulturor të Shqipërisë, jo një dekor e dafina për pseudoshkenctarët e politizuar.
Mbi nivelet dhe përparësitë e kërkimit shkencor shqiptar
Sistemi kërkimor i çdo vendi funksionon si një i tërë, përbërësit e tij janë të ndërlidhur e në ndërveprim të shumanshëm dhe nuk mund të shikohen kurrsesi të shkëputur. Ai funksionon si një i tërë jo vetëm horizontalisht (shkenca natyrore, inxhinierike, shoqërore), por edhe vertikalisht (kërkim operativ, kërkim i aplikuar dhe kërkim fundamental).
Kjo do të thotë që Akademia në parim duhet të ketë tre seksione të mëdhenj, të shkencave të natyrës, shkencave inxhinierike dhe të shkencave shoqërore, me këtë të fundit të mbizotëruar nga kërkimet albanologjike. Seksioni i shkencave të natyrës, duke i dhënë përparësi kërkimit të aplikuar do të përfshinte studimet për florën dhe faunën tokësore e detare të Shqipërise, kërkimet bujqësore për rajonizimin e kulturave bujqësore dhe blegtorisë, agrokiminë, kërkimet në fushën e hibrideve të bimëve e shpendëve, studimin e burimeve të mineraleve metalike dhe karburantëve fosile (naftë e qymyr), duke gjallëruar edhe veprimtarinë në fushën e fizikës bërthamore dhe biologjisë eksperimentale.
Nga pikëpamja e niveleve të kërkimit, në fushën e shkencave të natyrës dhe inxhinierisë, përparësinë duhet ta ketë sigurisht kërkimi i aplikuar në fushat e bujqësisë/blegtorisë, mjekësisë, minierave, mineralogjisë, naftës. Mundësitë shumë të kufizuara financiare të Shqipërisë detyrojnë që kërkimi fundamental në këtë fazë të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë të mbahet në një nivel rudimentar, por të domosdoshëm, si një dritare e kërkimit kombëtar në drejtim të zhvillimeve të reja në fushën e shkencave të natyrës, hallkë ndërlidhëse dhe kanal për rrjedhjen dhe transferimin e përparimit shkencor botëror në Shqipëri. Ky kërkim “fundamental” nënkupton, së pari dhe kryesisht, mbajtjen e hapit të kërkimit shqiptar me përparimet në zhvillimin e metododave moderne të kërkimit, para se ato të fillojnë përdoren në kërkimin e aplikuar në kërkimin tonë bujqësor e industrial. Dhe, së dyti, ky kërkim do të krijonte një tabllo sa më të saktë të burimeve natyrore të vendit, aksesibilitetin e tyre dhe mundësitë e shfrytëzimit, si kusht i planifikimit të zhvillimit të ardhshëm industrial e bujqësor të vendit. Por kjo domosdoshmëri kërkon edhe përcaktimin e fushës së përparësisë së kërkimit “fundamental” shqiptar, e në këtë rast mëndja të shkon te fusha e bioteknologjisë, duke marrë parasysh investimet relativisht modeste që kërkon kjo fushë e madhe e kërkimit, në krahasim me të tjerat.
Një vend të veçantë, në lidhjet ndërkombëtare do të zinte bashkëpunimi me Akademitë e Shkencave të vëndeve fqinjë të Ballkanit e të Italisë, por në mënyrë të veçantë me Akademinë e Shkencave të Kosovës për të filluar një lloj integrimi të domosdoshëm kërkimor si përgatitje për krijimin e mundshëm të një Akademije të përbashkët në të ardhmen.
Dy fjalë për akademikët
Shkencëtari i vërtetë është idealist dhe dinjiteti prej shkencëtari e bën detyrimisht edhe atdhetar. Ndërkohë që nuk qëndron indiferent ndaj zhvillimeve politike në vënd dhe mund të marrë edhe pjesë aktive në to, këtë ai e bën nga pozita mbipartiake, nga pozita atdhetarije. Ai as mund të jetë as mund të bëhet militant partish. Vitet e diktaturës dhe të “tranzicionit të pafund” ndanë grurin nga egjra edhe në botën e akademisë. Nga një anë pamë figurat e shquara të shkencës sonë kombetare, Eqrem Çabeun, Mahir Domin, Shaban Demirajn, etj. që në veprimtarinë e tyre kërkimore mbetën të papolitizuar nga ideologjia e PPSH-së, edhe në kushtet e represionit ideologjik partiak, e nga ana tjetër – pseudoshkencëtarët e “demokracisë”, që sapo iu dha rasti iu turën me nxitim politikës partiake me zotimin e pambajtur që do t’i ktheheshin prapë shkencës, pas vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri. Braktisja e shkencës për të shijuar fitimet materiale që sjell politika zbuloi hipokrizinë dhe mungesën e fisnikërisë prej shkencëtari të vërtetë. Në qoftë se më lejohet, do të përmënd edhe një herë patriarkun e gjuhësisë dhe albanologjisë, që refuzoi me ngulm postin e ministrit të arsimit nga pasioni për kërkimin shkencor. Sa intelektualë të privilegjuar për të punuar në institute kërkimore e universitete dhe milituan në parti pas pluralizmit, kanë refuzuar postet partiake ose qeveritare?
Të jemi të sinqertë, shkencëtari i vërtetë e ka kohën shumë të çmuar dhe e paktë (ars longa vita brevis) për tu bërë edhe militant partie.