Spiro Saqellari: Autizmi, 1 në 70 fëmijë lind me këtë sëmundje
Logopedi Saqellari: Prindërit që kanë një fëmijë autik duhet të kenë harmoni në çift dhe komunikim
Shifrat e përhapjes së autizmit janë të frikshme. Mjeku logoped, Spiro Saqellari, bën me dije se 1 në 70 fëmijë në ditët e sotme lind me autizëm. Dita-ditës numri i tyre po shtohet, çka po sjell një situatë alarmante të shpejtësisë me të cilën po përhapet ajo. Më tej logopedisti pohon se vetëm pas moshës 2-vjeçare mund të dallohen shenjat e para të kësaj sëmundjeje. “Aty rreth moshës dyvjeçare, elementet autike te fëmija fillojnë e bëhen më të dukshme. Është mosha kur prindi fillon e interesohet për të bërë vizita te mjekët. Shqetësimi i parë është mungesa e të folurit. Fëmija nuk thotë asnjë fjalë apo mund të thotë shumë pak dhe këto shumë rrallë”, tregon Saqellari. Veç kësaj, logopedisti tregon edhe disa prej shenjave, si mund të dallohet një fëmijë me autizëm. “Te fëmijët autikë që në momentet e lindjes mund të ketë shenja si: fëmija nuk qan sa lind, nuk orienton sytë drejt atyre të mamasë, nuk buzëqesh, nuk zgjat duart kur e ndjell të vijë drejt teje, guitjet janë të varfra. Më vonë nuk reagon kur e thërret në emër. Nuk ndjek me sy lëvizjet. Fëmija 4-6 muajsh kthen kokën kur i flet në emër. Kupton vetëm në kontekst dhe me shenja. Lidhet shumë me televizorin. Të jep përshtypjen se nuk dëgjon, por sapo fillon melodia e një kënge turret drejt tij. Pra një shurdhëri e çuditshme. Dëgjon çfarë do. Nuk të vështron në sy. Kupton vetëm rutinën. Nuk i pëlqen ndryshimi. Fillon e bëhet ‘interesaxhi’ i vogël. Të merr dorën të kapë atë çka do. Nuk ka dhënie marrje me tjetrin në të gjitha kuptimet”, thekson logopedi Spiro Saqellari. Përpos kësaj, ai shton se ata janë si të gjithë fëmijët e tjerë, por që kanë nevojë për më tepër përkujdesje dhe trajtim. Sipas tij, nëse një fëmijë autik merr të gjitha trajtimet e nevojshme ai mund të bëjë një jetë normale, si gjithë bashkëmoshatarët e tij. Disa mënyra për trajtimin e tyre janë: “Sot për sot, autizmi trajtohet me terapi intensive. Metodat janë të ndryshme. Ajo që referohet sot në botën e zhvilluar është metoda ABA, terapia e sjelljes së aplikuar. Gjithashtu, rëndësi ka strukturimi në familje, komunikimi për gjithçka e vazhdimisht, vendi i çdonjërit në familje, përrallat, ninullat apo edhe loja me ta”. Mirëpo, një tjetër element mjaft i rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve autikë është edhe komunikimi. Nëse nëna apo pjesëtarët e tjerë të familjes arrijnë të krijojnë një mjedis të mirë, kjo do të sjellë më tepër lehtësi për fëmijën autik. Ndaj sipas logopedit, ai është një element kyç. “Për prindërit që tashmë kanë një fëmijë autik duhet të kenë sa më shumë harmoni në çift dhe komunikim. Autizmi nuk është hata. Ai përballohet dhe nënat e kanë këtë fuqi. Sa më shumë komunikim me fëmijën, mendja ushqehet me fjalë”, këshillon mjeku logoped, Saqellari.