Albspirit

Media/News/Publishing

Lukë Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit që u bë legjenda e Operas Shqiptare

Fritz Radovani

Bajza e Kastratit të Shkodres, me 24 Shkurt 1924 i fali artit shqiptar një shkamb që pat daltue prej Atyne Bjeshkëve të Nêmuna, ku kanga me “Lahutë” nuk ka kurrë mort! Ky filiz i njomë i lemë në një shtëpi malesh kreshnike me emnin Lukë Kaçaj, do të rritet e do të bahet lis sa bota e qytetnueme me na e pasë lakmi. Lukë Kaçaj fëmijë i kushtohet Urdhnit të Fretenëve të Vegjel, dhe vjen në kolegjin e Françeskanëve të Gjuhadolit në Shkoder, ku do të ndjekin edhe mësimet në Liceun “Illyricum”…

Mjeshtri i madh i muzikës At Martin Gjoka, asht Ai që i vuni shenjën e muzikës në ballë djaloshit të rij nga Alpet që me ujin e burimeve të tyne i sollen artit Shqiptar një nga figurat ma të spikatuna, që zani i Tij do të mrekullojë edhe Boten…

Nen kujdesin e At Filip Mazrrekut, një tjeter frat i telentuem, Luka do të mësojë me luejtë në armonio, organo dhe vjolinë. “Ato vite Ai i kujtonte si kohen ma të bukur të jetes së Tij”, ka shkrue në një monografi të shkurtë nxanësi i Tij, muzikologu dhe artisti i njohun Loro Sata, të cilit i jam referue per me shkrue këta pak rreshta per të Madhin Lukë Kaçaj në këte 100 vjetor.

Në vitin 1946, kur po permbytej mbarë Shkodra nga komunizmi, At Mati Prennushi thrret në Kuvend baben e Lukës dhe i thotë: “Koha sa vjen e bahet ma e rrezikshme per xhakoj ashtu si per ne, prandej merre Luken në shtëpi, sikur ai nuk do me ndejë ma këtu dhe mundou me i dhanë rrugen e muzikës, mbasi ka mundsi që Liceu i ynë të mbyllet nga komunistët..” (Dëshmi gojore e të Ndjerit Lukë Kaçaj, në prezencen e At Konrrad Gjolaj, në vitin 1996, në Shkoder).

“Kjo këshillë e At Matisë dhanë babës tim, më shpetoi nga arrestimi i sigurtë që në 1946” thonte Luka me mirnjohje… Ndonse, veshtirsitë e jetës Lukës nuk iu ndanë asnjëherë.

Luka niset per Tiranë porsa hapet Liceu Artistik. Komisioni i pranimit mbetë i habitun nga pergatitja kulturore muzikore e Lukës. Pranohet në 1947 në orkestren e Radio Tiranës, por mbas dy muejsh pushohet nga puna si “ish nxanës i françeskanëve”, dhe shkon hamall në një magazinë në Yzberish.

E ndihmon kompozitori Kristo Kona, aso kohe deputet, tue e angazhue me korin e Filarmonisë. Luka fillon punen në Filarmoni. Sjellja e Lukës prej qytetari me njohuni si pak kush të disa gjuhëve të hueja, italisht, latinisht, greqisht dhe në mënyrë të persosun gjuhen amtare, tue i vue në perdorim të vazhdueshem me leteratyren botnore dhe kryeveprat e saja ma të njohunat, si pasojë e studimeve fillestare, në vitin 1951 i hapë rrugen per studime jashta shteti në konservatorin “P.I.Çajkovski” në B.S., me një grup muzikantësh shqiptarë.

Lukë Kaçaj diten e martesës me Anen…në Rrugen L.Gurakuqi, Shkoder.

Luka paraqitet në konkurs dhe porsa perfundon së kënduemi, Drejtori i Konservatorit u çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkelqyeshem)”…E nuk do të vonojë kur Shaporin deklaron: “Ky bash asht një Shaljapin i ri, Shaljapini Shqiptar!” Luka i befasoi si artist i madh të gjithë. Ai ishte interpretues në disa gjuhë, tue mësue atje edhe rusishten, frengjishten dhe gjermanishten.

Në një turne në shtetet “demokratike” të Europës Lindore, Luka kishte një repertor të gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të hueja. Me 28 Nandor 1958, ishte në “Balshoj Teater” të Moskës dhe ka interpretue Don Bazilion nga “Berberi i Seviljes” i Rosinit, ku populli moskovit e pershëndeti “tue e krahasue të një niveli me interpretimin e Shaljapinit, po në atë skenë”.

Në vitin 1966…Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largon nga skena!

Luka gjithnjë shihej tue i ba një pyetje vetes: “Mos vallë… ky asht fundi im…!?”

Parandjente até që do të ngjiste me 28 Maji 1973…kur sigurimi i shtetit do ti vinte hekrat në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura, me etiketen e njohun të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të popullit arrestohet si armik i tij…”

Lukë Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve shpifës e terroristë, kur Nana Tone me lot perfaqe i lutej “trupit gjykues” per djalin e pafajshem të vetin, por denimi i tij asht i pashmangshem. Luka u dënue me 5 vjet heqje lirie…Luka ishte “armik i popullit” se kishte recitue vargjet e At Fishtes, mësuesit të vet, dhe nuk kishte “harrue endè” me i ra në gjuhen e Tij “Lahutës së Malësisë”, të cilen e adhuroi deri në vdekje. Nuk munguen as dishmitarët…

Ana, zonja e Tij e nderueme nuk mungoi as nder telat rrethues me gjema të kampeve.

Luka u lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978, per të vazhdue dënimin e Tij në burgun e “madh” me të gjithë popullin shqiptar. Artisti i Madh ishte pa punë. Dyert ishin të mbylluna! Një ditë një shef kuadri “zemermirë” i ofroi punë: “Kemi punë edhe per ty, vetem hamall…” Luka tregonte: “Vetem në ngarkim shkarkim të makinave, të karrocave mund të fitojshe buken per vete dhe per Anen…Lodhja fizike po, por ajo shpirtnore më dermonte shpirt e zemer!”

Vazhdoi disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë… Në vitin 1988, e bukra Ana, që nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun” per me mbajtë gjallë burrin besnik të saj në burg, mbylli vuejtjet e jetes e mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun në Botë, me sy të ngulun tek Luka!

Me 7 Shtator 2001, Luka nuk këndoi kurrma! Komunizmi kerkoi me e varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat botnore që e dishruen praninë e Tij.

Luka me të vertetë që interpretonte rolin e Gjinit tek opera “Mrika” e Prenkë Jakovës, tue i dhanë edhe vlerat e veta malësorit të Veriut, po rolet që luente Luka ishin pjesë nga jeta e Tij.

Në kjoftë se arti botnor krenohet me artistët e Mëdhej Xhino Beki, Nikola Rosilomeno, Kolja Giaurov, Boris Kristov, Fjodor Shaljapin, edhe arti Shqiptar “një ditë” ka me rreshtue me ata kolosë, një shkamb të daltuem me kulturen shqiptare Europjane, që ra e u ba ortek nga majet e Atyne Maleve e që na i thrrasim Bjeshkët e Nêmuna, e …

Ky vigan i pavdekshem ishte Lukë Kaçaj…

Please follow and like us: