Albspirit

Media/News/Publishing

Donald Lu: Qeveria e Shqipërisë t’i shpallë luftë krimit të organizuar

Si të gjithë ju, edhe unë jam këtu për të njohur rolin e rëndësishëm të Shkollës së Magjistraturës në përgatitjen e brezit të ardhshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Por nëse më lejoni, dëshiroj të shtoj diçka specifike për të diplomuarën tuaj, të ndjerën Fildes Hafizi, si dhe diçka për sfidën e ardhshme madhore të sistemit gjyqësor shqiptar – krimin e organizuar.

Pata mundësinë të merrja pjesë në ceremoninë e diplomimit në Shkollën e Magjistraturës vitin e kaluar. Atje, pata kënaqësinë të bisedoja me Fildes Hafizin për përkushtimin e saj për ta bërë më të mirë sistemin gjyqësor shqiptar. Si të gjithë të diplomuarit, ishte një e re e shkëlqyer dhe e talentuar që donte t’i shërbente vendit të saj.

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë e la në baltë Fildesin. Sistemi dështoi ta mbante të shoqin e saj të rrezikshëm në burg. Dështoi ta mbronte kur ai u lirua. Fildesi, si të tjera gra në Shqipëri që janë viktima të dhunës në familje, meritojnë diçka më të mirë nga sistemi i drejtësisë.

Vdekja e Fildesit nuk duhet të shkojë dëm. Ajo duhet të jetë frymëzim për të gjithë të diplomuarit e Shkollës së Magjistraturës për të vazhduar punën e saj për t’i dhënë drejtësi të vërtetë popullit shqiptar. Ajo e la këtë përgjegjësi për të gjithë ne.

Ndërkohë që festojmë 20-vjetorin e Shkollës së Magjistraturës sot, kjo na ofron një çast për të reflektuar mbi zhvillimin e bërë dhe rrugën përpara.

Të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për hapat përpara që kanë ndërmarrë gjatë viteve të fundit. Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të fillojë javën që vjen. Ka qenë rrugë e gjatë për të arritur deri këtu, por ky proces do të bëhet si duhet dhe me profesionalizëm, duke iu dhënë shpresë shqiptarëve se do mund të gjejnë drejtësi në gjykatat e tyre.

Shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë larguar kriminelët nga parlamenti. Në këtë drejtim, Kuvendi i 2017-ës është më i mirë se Kuvendi i 2013-ës. Më në fund, shqiptarët, në qeveri dhe në opozitë, duhet të jenë krenarë për përparimin domethënës kundër kultivimit të kanabisit.

Por sfida më e madhe dhe më e vështirë është ende përpara Shqipërisë – lufta kundër krimit të organizuar. Derisa peshqit e mëdhenj të arrestohen, ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin rryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen.

Çfarë dimë lidhur me problemet e krimit të organizuar në Shqipëri?

Sipas raporteve të Departamentit të Shtetit të SHBA, Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit. Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave.  Shqipëria ka një treg të zi jo të vogël për mallra kontrabandë, në radhë të parë duhan, bizhuterì, makina të vjedhura dhe telefona celularë.  Vendi mbetet në rrezik domethënës nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët.

Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë, si trafikanti i dënuar i drogës Emiljano Shullazi, për të cilët media pretendon se vazhdon të kryejë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Ose Lul Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha mbetet i lirë. Dhe së fundi, magjistari Klement Balili, një trafikant ndërkombëtar droge, i kërkuar nga Greqia dhe Agjencia e Zbatimit Anti-Drogë (DEA) e SHBA, por që ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Ka edhe shumë Shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri. Pyesni cilindo oficer policie dhe ai apo ajo do të tregojë edhe një duzinë tjetër drejtuesish të krimit që meritojnë të jenë në burg.

Si do t’i mundim drejtuesit e fuqishëm të krimit të organizuar?

Drejtuesit e krimit në Shqipëri rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht. Në vitin 2016, policia arrestoi 1,349 persona për kundravajtje të lidhura me trafikimin e drogës. Më pak se 100 nga këto arrestime çuan në dënime për trafik droge në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Edhe më shqetësues është fakti që kishte zero dënime, zero arrestime, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për organizim, drejtim apo financim të organizatave të trafikut të drogës gjatë vitit 2016. Edhe në vitin 2015 ishin zero.

Në Shtetet e Bashkuara në vitet ‘20 dhe ‘30 pati një epidemi të krimit të organizuar. U krijuan task-forca elitë të agjencive të ndryshme për të vënë në shënjestër drejtues të mafias si Al Capone.  Kishin prokurorë, policë, dhe ekspertë të krimit financiar që punonin së bashku. Është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente shqiptare të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar.

Nuk ka për të qenë e lehtë. Me gjasë do të jetë luftë e egër. Në vitin 2014, Shqipëria pati 72 bomba në makina dhe shumica besohet se ishin rezultat i dhunës mafioze. Populli shqiptar duhet të kërkojë veprim, por duhet të dijë se të arrish rezultate kundër drejtuesve të fuqishëm kriminalë kërkon durim, guxim dhe sakrifica.

Besojmë se është koha që qeveria e Shqipërisë t’i shpallë luftë krimit të organizuar.

Besojmë se disa nga ushtarët më të rëndësishëm në këtë luftë do të jenë të diplomuar të Shkollës së Magjistraturës.

Fjala e Ambasadorit Lu në 20 Vjetorin e Shkollës së Magjistraturës

Please follow and like us: